nga Bujar Meholli
Filozofi ekzistencialist Jean-Paul Sartre kishte impakt të madh në jetën kulturore përgjatë shekullit 20-të. Ekzistencializmi i Sartre-s proklamohet përmes idesë që individi i jep vet kuptim jetës së tij, ndaj ai është përgjegjës për atë që bën. Sipas filozofit marksist hungarez György Lukács, “ekzistencializmi reflektohet në planin ideologjik të kaosit shpirtëror dhe moral të inteligjencës borgjeze”, kurse filozofi francez Emmanuel Mounier mendon se “thelbi i ekzistencializmit është kundërpërgjigje e filozofisë së njeriut ndaj teprive të filozofisë së ideve dhe gjërave.” Në postulatin e filozofisë ekzistencialiste sartriane se “njeriu është ai që nuk është dhe se ekzistenca i paraprin”, kemi të bëjmë me frikën e gëlltitjes nga boshi, nga e zbrazëta, dhe me ndërtimin e vetes nga hiçi, nga asgjëja, në suaza të kësaj zbrazëtie ekzistenciale. Filozofia e Sartre-s e kthen vëmendjen te individi, pra, te liria dhe dinjiteti i tij; njeriu, sipas Sartre-s, përpara se të përcaktohet, ekziston. Ekzistenca e tij është fakt, ndaj momenti i ndërgjegjësimit vjen si moment zbulimi. Megjithëse mund të ketë tipare elitiste, ekzistencializmi kundërshton shtypjen e çfarëdo forme, nga publiku, turma, që e bën të pamundur ekzistencën autentike. Formula e kësaj filozofie është jo vetëm të gjesh lirinë, por edhe ta përcaktosh atë që kërkon të arrish.
Kur e pashë filmin “The Shawshank Redemption” mbeta pa frymë, me qindra mendime që ma mbulonin palcën e trurit. Në të vërtet, ç’krijesë na qenka njeriu në këtë botë? A është vallë çdoherë i varur nga veprimet e tjetrit? Në këtë film të regjisorit francez Frank Darabont mendoj se mplekset më së miri filozofia ekzistencialiste e Sartre-s. A ka vërtet qëllime në këtë jetë dhe a jemi të zotët ta njohim veten? Pse ekzistoj? Ç’qëllim duhet t’i vë vetes përpara? Si duhet ta drejtoj jetën time? – padyshim janë pyetjet fondamentale që shtrojnë ekzistencialistët. Ta zëmë, në jetët tona, mund të themi se pyetje të tilla i bëjmë vetes kur identitetin dhe besimin tonë e godet ndonjë e keqe e madhe. (Humbja e ndonjë personi të afërt, fjala vjen). Në veprat artistike të kësaj filozofie, hasim heronj që çapiten gjersa kërkojnë kuptimin e jetës dhe refuzojnë të pranojnë se një kuptim i tillë ekziston paraprakisht. “Nuk ka një kuptim të jetës apriori, ajo (jeta) s’është gjë derisa nuk jetohet, dhe vlera e saj s’është gjë veç asaj që ju zgjidhni”, pohon Sartre.
Filmi i regjisorit Darabont është i ndërtuar mbi këtë filozofi, ndaj do të përpiqem ta analizoj duke bërë përpjekje t’i pikas idetë ekzistencialiste që ngjizen në këtë film. Darabont adapton historinë e shkruar nga shkrimtari amerikan Stephen King me titull “Rita Hayworth and Shawshank Redemption” dhe e ekranizon, duke arritur të na jap një produksion filmik të jashtëzakonshëm. Protagonisti i veprës Andy Dufrense (i interpretuar nga aktori Tim Robbins) është i zhytur në krizë ekzistenciale nga tradhtia që i bëri gruaja, vdekja e saj, dhe nga shpallja fajtor për nje krim që nuk e ka bërë. Pra, me pak fjalë, determinizmi i fatit të tij qe ky: prangosja në një burg famëkeq ku ai duhej të merrte përgjegjësi për veten. I zhytur në dëshpërim, mes krimeve që pluskojnë rreth tij – heroi ynë është i prirur të shpresoj dhe t’i shkoi pas jetës… Tradhtia e bashkëshortes është për Andy-n, ta themi, pika e parë që e çon drejt krizës ekzistenciale. Sipas filozofit të njohur Søren Kierkegaard, “një person zhytet në krizë ekzistenciale kur ai preket thellë nga dëshpërimi, pra humb balancën.” Personazhi i Andy-t është i brishtë; ai has në vështirësitë e para kur ndien se është tradhtuar – rrjedhimisht mendon për vetëvrasje. Pra, tradhtia është fillimi i krizës së tij. Në këtë pikë ndërmend fjalët e profesorit të psikikës Alexandre Fontes da Fonseca i cili pohon se “gjatë krizës ekzistenciale, njerëzit përjetojnë turbullira emocionale dhe humbje të kontrollit.” Ndaj në këso rastesh edhe mund të kryhen veprime të ndryshme nën afekt. Andy, në dëshpërim të skajshëm, i rënë emocionalisht, përfundon në qeli i dënuar si vrasës për krimin e pabërë. Ai shpallet fajtor për vrasje dyshifrore dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Siç e shohim, personazhi kryesor, duhet ta kalojë pjesën tjetër të jetës në burgun famëkeq. Gjatë gjyqit ai duket se është i qetë, nuk klith as proteston, thjesht përzierja e emocioneve bën që ai të formojë një buzëqeshje të hidhur para se të përfundojë në qeli. Si mund të shpjegohet, ta zëmë, buzëqeshja e hidhur e Andy-t? A mund të përkthehet vallë si humbje ndjenjash, në atë çast?
Burg. Rutinë. Rrahje e komplote të ndryshme që rrëfehen nga narratori Morgan Freeman i cili interpreton rolin e Ellis Boyd Redding-ut, mikut të afërt të Andy-t, i burgosur për vrasje. Ky është realiteti i ri me të cilin përballet Andy; që në ditën e parë pasi ka rënë aty, nis të ngacmohet nga banda përdhunuese e “motrave”, dhe lideri i tyre Bogs-i (Mark Rolston) që përdhunonin, sidomos të rinjtë që binin aty dhe ende s’ishin “mësuar” me gjëra të tilla. Tabloja që na paraqitet është rrëqethëse: kemi të bëjmë me një regjim të tmerrshëm brenda burgut, ku sulmohen të dobëtit, krijohen klane, ka bashkëpunime mes gardianëve dhe të burgosurve, secili është në shënjestër. I ndodhur në këtë mes, Andy-t i mbetet t’i jap kuptim rutinës së burgut, ta arrijë atë; në ambient të tillë, njeriu humb lirinë, të drejtat, thelbin e jetës, por nuk mund ta mohojë ekzistencën e tij. Ai frymon, ai është. Në këtë kontekst, burgu bëhet makth për Andy-n, i cili nis të mendojë për veprimet që mund t’i kryejë. Sartre thekson se “njeriu ekziston para se të jetë diçka në këtë botë, ndërsa koha e bën atë që është.” Andy është hero tipik ekzistencialist. Atij i duhet të ndërmarrë diçka, ta kërkojë thelbin. Kështu e shohim teksa punësohet në bibliotekën e burgut aty ku punonte prej kohësh i burgosuri i moshuar, Brooks-i. Këtë të fundit e ndihmon të arratiset nga burgu; ndërkohë ndizen ca shkëndija shprese në brendësinë e tij, që duket sikur e yshtin drejt kuptimit të jetës së tij të re. Gradualisht ngjizet plani i Andy-t për t’u çliruar, teksa paralelisht tejkalon kohët e vështira duke lexuar dhe zgjeruar njohuritë e tij në letërsi. Tashmë Andy ka arritur të fitojë respektin e të gjithëve aty brenda. Skena kur Kapiteni Hadley (Clancy Brown), mizor, sadist, e i korruptuar, kërkon ndihmë nga Andy rreth një shume parash që kishte trashëguar nga vëllai – është e jashtëzakonshme. Aty kemi të bëjmë me gjeninë e Andy-t si ekspert financiar, që e ndihmon në marrjen e ligjshme të parave, i cili arrin të ndërtojë komplotin që ia përcakton shpëtimin në fund.
Filozofia ekzistenciale proklamon lirinë. Qeniet njerëzore duhet ta ushtrojnë atë, lirinë, dhe të zgjedhin veprimin e mënyrën që t’i përcaktojnë zgjedhjet e tyre. “Ne jemi të lirë të veprojmë dhe të zgjedhim ashtu siç duam”, konstaton Sartre. Në këtë sens, shohim se Andy ndodhet para zgjedhjes: “të jetojë apo të jetë i zënë duke u marrë me vdekjen”. Derisa jeta në burg vazhdon të jetë e tendosur, mes vuajtjeve, rrahjeve, torturave, Andy porsi bletë punëtore vazhdon thurjen e planit. Me rrezikun konstant përreth, futet në vrimën që e kish nisur kohë më parë ta hapë brenda qelisë; era e rëndë, ujërat e zeza janë pengesat e fundit para se Andy të largohet nga ai ferr shoqëror (të cilin e proklamon Sartre në veprat e tij).
King ka arritur ta ndërtojë një personazh kompleks si Andy i cili është i vendosur, trim, dhe vizionar mes një klime morale të tendosur. Ai nuk pranon të jetë sall një i burgosur aty; të gjitha veprimet i bën pa i treguar kujt gjë, madje as mikut të tij të afërt me të cilin i kalon ditët e zymta brenda asaj ngrehine. Sidoqoftë, në fund kemi të bëjmë me një reagim të jashtëzakonshëm nga protagonisti. Askush s’di gjë. Rojet s’e kanë parë, por ai ia ka mbathur. Plani i Andy-t funksionoi. Sartre dhe ekzistencialistët janë të mendimit se qeniet njerëzore janë absolutisht të lira dhe pa pengesa për të arritur qëllimet që ia kanë vënë vetes.
Ndaj vendosa të shkruaj për këtë film, gjegjësisht për këtë personazh i cili i gërsheton këto ide të Sartre-s dhe filozofëve tjerë të kësaj sëre. Robbins arrin ta portretizojë bukur heroin ekzistencialist, i cili mund të na bëjë të reflektojmë dhe përsiasim rreth këtyre çështjeve. Ne jemi përgjegjës për veten tonë dhe e kemi në dorë drejtimin e jetës sonë.
“The Shawshank Redemption” është i rëndësishëm për faktin se përmban ide dhe mesazhe rreth jetës. Njeriu duhet të luftojë gjer në forcat e fundit për lirinë e tij, të mbijetojë, dhe t’i jap kuptim jetës. Megjithëse njeriu mund të vuajë e të vijë pranë shkatërrimit, ai mund të qëndrojë i pamposhtur.
Kasta e aktorëve dhe realizimi i filmit e pati magjepsur edhe vet Kingun i cili qe shprehur: “kur e pashë për herë të parë, i befasuar, kuptova se ishte realizuar jo vetëm njëri nga filmat më të mirë bazuar në shkrimet e mia, por një film potencialisht klasik.”
Andy Dufrense është një shembull tipik për të parë heroin ekzistencialist i cili zgjedh veprimet, mendon thellë, dhe arrin të provojë se me vendosmëri mund të bëhen rikthime jetësore dhe të gjendet lumturia potenciale duke u bërë hero – zot i vetes.
(c) 2021, Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.