Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

MOZAIKË ETNISH

shënime

Kur u ndez te “Peizazhet” tema për grekët dhe shqiptarët në Shqipërinë e Jugut, menduam të hapim një rubrikë të posaçme për komentet nga lexuesit (Ftesë për debat); nuk erdhën aq kontribute sa ç’prisnim, por një lexues dhe qëmtues arkivash, andreagrampsi17, ka sjellë një numër të madh dëshmish onomastike, për popullsinë e Epirit dhe të zonave të tjera të Ballkanit të Jugut në Mesjetë, të cilat konfirmojnë mes të tjerash praninë e konsoliduar të elementit arbëror atje.

Historianë dhe studiues të tjerë kanë vënë në dukje, prej kohësh, që në zona të caktuara të Greqisë së sotme (Epir, Thesali, Akarnani, Etoli, More), kanë bashkëjetuar – në Mesjetë – grekë (romej), arumunë (vllehë), arbërorë dhe sllavë, të ardhur atje në kohë të ndryshme; siç e provojnë edhe regjistrat përkatës, onomastika në përgjithësi, dokumentet e tjera të kohës dhe kronikat. Arshi Pipa, mes të tjerësh studiues, ka vërejtur si jehona të kësaj bashkëjetese shfaqen në Rapsoditë arbëreshe të De Radës (të cilat e kanë trashëguar një fillesë ende të spikatur vllahe-sllave), meqë një pjesë e arbëreshëve të Italisë do ta kenë pasur origjinën nga ato zona të trazuara.

Po ta krahasojmë tablonë multi-etnike të atyre kohëve me pamjen e sotme gjuhësisht të rrafshuar, në të njëjtat zona, vetvetiu do të pyesim se çfarë ndodhi që Babeli gjuhësor dhe kulturor i Mesjetës u rikonstituua në homogjenitet; asimilimi gjuhësor dhe kulturor mbetet temë e nxehtë për historianët e Ballkanit. Këtu dua të shënoj vetëm diçka që më shkoi në mendje kur lexoja dëshmitë onomastike: dhe pikërisht, nevojën e këtyre popullsive që flisnin gjuhë të ndryshme, por që ndanin mes tyre të njëjtën hapësirë, për të pasur një lingua franca, me të cilën të merreshin vesh mes tyre.

Më në hollësi: një ngulim arbëror, pak a shumë homogjen, mbase i veçuar gjeografikisht, mund ta ruajë për një kohë të gjatë gjuhën e vet, siç edhe e ka ruajtur; madje edhe kur autoritetet, si shteti dhe kisha, flasin një gjuhë tjetër – sepse dy gjuhët specializohen në regjistra të ndryshëm, duke u vertikalizuar. Por kur në të njëjtin fshat jetojnë edhe arbërorë edhe vllehë edhe sllavë edhe grekë, atëherë këta do të duan të gjejnë një mjet komunikimi të përbashkët. Për shumë arsye, ky mjet nuk mund të ishte veçse greqishtja – dhe jo sepse u imponohej me forcë, por sepse greqishten e fliste i vetmi institucion që banorët e komunitetit e bashkëndanin: kisha. Edhe grekët, edhe arbërorët, edhe vllehët, edhe sllavët, do të dëgjonin greqishten në kishë dhe do ta ligjëronin të qenit e tyre të krishterë – forma kryesore e identitetit në atë kohë – përmes greqishtes (që ishte gjuhë e teksteve të shenjta më shumë e më fort se ç’ishte gjuhë e një etnie të mëvetësishme).

Me fjalë të tjera, ka qenë mozaiku etnik i atyre trevave, që e ka favorizuar – në rrjedhë të shekujve – adoptimin e përgjithshëm të greqishtes, më parë si lingua franca dhe më pas edhe si gjuhë të “votrës” nga shumë komunitete, që sot rezultojnë të asimiluara, mu për atë arsye. Kisha, me instrumentet e saj herë soft herë hard, e nxiste adoptimin masiv të greqishtes edhe për interesat e vet gjithfarësh, por kjo nuk do të kish ndodhur në atë masë që ndodhi, sikur të mos kishin pasur nevojë vetë banorët e fshatrave, me etni të përzier, për një gjuhë me të cilën të flisnin mes tyre (nuk ndodhi atje ku arbërorët/arvanitët jetonin në komunitete pak a shumë homogjene, të cilat u asimiluan shumë vonë, gjatë shekullit XX, dhe disa e kanë mbajtur gjallë arbërishten sot e kësaj dite, me gjithë trysninë shumë të fortë të kulturës, të politikës dhe të mass mediave, në shtetin modern të Greqisë).

Duket si paradoksale: homogjenizimi gjuhësor i nxitur nga mozaiku etnik, ose multi-linguizmi.

Ky është vetëm një mendim imi; të cilën as hipotezë nuk do ta quaja, por më shumë si FTESË për ta parë asimilimin e etnive në Ballkan edhe në prizmin e dinamikave brenda komuniteteve multi-etnike, jo thjesht si konflikte mes dy gjuhësh ose dy kulturash.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin