nga Elidor Mëhilli
“E dashur Radio Tirana,
Ne këtu në alpe ju dëgjojmë mirë dhe na pëlqen shumë propaganda që bëni kundër Partisë Komuniste Italiane”.
Kështu fillon letra e 12 prillit të 1976-ës. Autorëve italianë emrat nuk u dihen; letrën e patën nënshkruar “një grup komunistësh të vërtetë” fill pas përshëndetjes “Viva Mao e Viva Stalin”.[1]
Në shkurt të atij viti, në Entroncamenton e vogël të Portugalisë, dikush është ulur të shkruajë edhe ai një mesazh për një vend të vogël në anën tjetër të kontinentit.
“Camaradas”, e fillon letrën e vet, “unë jam një punëtor (hamall) që dëgjoj rregullisht emisionet tuaja në portugalisht”. Pastaj, radhët autori i mbush me urime, me përshtypje, me kritika, me lutje, me një breshëri pyetjesh. Përse Radio Tirana ka emision në gjuhën portugeze por flet rrallë për Portugalinë?[2]
Aty nga marsi, në Arequipa të Perusë, një tridhjetëvjeçar vendos adresën e marrësit mbi një zarf të vogël: Señor Director, Radio Tirana, Albania.
Është ndër të parët peruanë që jepen pas ideve të Maos, madje ka shkruar edhe një tezë për të. Pas ca vitesh, do ta quajnë “baba” të maoizmit peruan. “Mund t’u them se për fat të keq kam më tepër se një vit që nuk mund të kap transmetimet tuaja”, i rrëfen Tiranës, “më duket se janë ndërhyrjet e imperialistëve janki, ndoshta të socialimperialistëve sovjetikë”.[3]
Dikur stacion fare modest, Tirana e viteve ’70 e çonte sinjalin e vet deri në brendësi të pyjeve të Brazilit, nëpër territore të Azisë e të Afrikës, ku asgjë tjetër shqiptare nuk depërtonte, nëpër ishuj shpërndarë oqeanesh. Prandaj, në një farë mënyrë, “edhe Radio Tirana ishte superfuqi e llojit të vet”. Si kundërveprim, asaj i vinin dorëshkrime të vogla në lloj-lloj gjuhësh prej botës përtej: “Jetoj këtu. Dëgjoj zërin tuaj”.
Vetëm gjatë vitit 1979 kishin ardhur 8348 letra nga 99 vende të botës. Shumica nga Europa (5974), sidomos nga Gjermania Perëndimore (2092), Italia (872), Anglia (573), Spanja (300), Finlanda (374), Franca (374), Suedia (311), Gjermania Lindore (252) dhe Zvicra (152). Qindra të tjera vinin nga Azia (262 nga Japonia), Afrika, Oqeania, si dhe Amerika e Veriut dhe e Jugut (66 nga Kolumbia). Janë gjurmë të një periudhe kur zëri i Tiranës ishte globalizuar edhe pse shteti vetë ishte i mbyllur, i tkurrur gjeopolitikisht, inatçor.
Në një kapitull të botuar para ca ditësh në Londër, pjesë e vëllimit Internationalists in European History, kam dhënë një histori të shkurtër të ndërkombëtarizimit të Radio Tiranës, që nga sovjetizimi i viteve ’50 deri tek ndihma teknike kineze e viteve ’60. Kam dashur të kap ndërthurjen e gjeopolitikës me infrastrukturën. Burimet arkivore i kam gjëmuar nëpër vende të ndryshme, por një vlerë të veçantë kanë kujtimet e veteranëve shqiptarë të radios.[4]
Mbase nuk kanë bërë bujë në ambientin shqiptar kur kanë dalë (i tillë është bataku i sferës publike në Shqipëri) por mua më janë dukur—si edhe letrat e dëgjuesve të huaj—dëshmi se historia e radios është edhe histori e përjetimit, e përvojës vetjake, e sferës së çuditshme të kujtesës. Nuk mund të jetë thjesht histori burokratike, shtjellim teknik, data e emra. Radioja hapte hapësira për të projektuar veten diku tjetër. Krijonte paparashikueshmëri në një vend të vetmuar në Ballkan por edhe tjetërkund.
Nuk është as histori lineare. Vërtet që sinjali i jashtëm i Tiranës përhapej e përmirësohej në sajë të kinezëve, por shumë banorë të zonave të thella brenda vendit nuk e kapnin fare sinjalin e saj të brendshëm. Ata mbeteshin të izoluar në atdheun e tyre që i predikonte botës. Dukuri e njohur edhe në historinë e radios sovjetike dhe kineze, dhe që na thotë diçka edhe për teknologjinë në kohët tona.
Shumica prej letrave që i vinin Tiranës nga jashtë nuk ishin nga komunistë apo entuziastë të propagandës—por nga radioamatorë. Shumë më i hershëm se Lufta e Ftohtë, radioamatorizmi nuk kushtëzohej prej ndarjeve ideologjike. Me masivizimin e radios në dekadat para Luftës së Dytë Botërore, filluan të dalin tituj si Radio for Everybody. U botuan metoda, vëllime sqaruese për qejflinjtë e teknikës, të cilët u organizuan edhe në klube amatore.
Historia e radios, pra, është edhe histori e ndeshjes mes kompanive private e qeverive, mes tendencave rregullatore dhe decentralizimit nga poshtë apo edhe piratëve. Këta të fundit rebeloheshin ndaj sanksionimit të valëve; në Italinë e pasluftës u bënë edhe problem policor.
Radioamatorë të shumtë i dërgonin Tiranës mesazhe ku shënonin orët e dëgjimit, valët, cilësinë e zërit, ndërhyrjet e sinjaleve të tjera. Nga mesi i viteve ‘70, njoftime të tilla vinin nga Finlanda, Anglia, Belgjika, Gjermania Perëndimore, Franca, Italia, Çekosllovakia, Irani (“interferencë nga radiostacion i paidentifikuar në gjuhën arabe”), nga Hollywood-i, nga një amerikan në Minnesota, nga Kuvajti, nga Australia, nga Japonia.
Nuk është se këtyre u interesonte brendia e kumteve shqiptare, por shpesh e kërkonin edhe ata një sinjal nga Tirana—një provë që Tirana e kishte marrë shishen e tyre hedhur në oqean; një kartolinë; një kartë QSL; një përshëndetje; ndonjë botim; ndonjë stemë apo certifikatë radioamatori.
Ndodhte që letërshkruesit të raportonin se kishin dëgjuar thjesht zhurmë. Edhe kjo—zhurma—identifikohej, matej në kohë dhe në hapësirë, përshkruhej, dokumentohej me kujdes. Dëshmia e zhurmës palosej, futej në zarf, e pastaj zarfi puthej me pulla ku shfaqej mbretëresha Elizabetë II, ose ndonjë financier apo filozof vendas, dërgohej në rrugëtim drej Ballkanit, e atje zarfi hapej, letra përkthehej, fotografohej, arkivohej. Edhe zhurma ka historinë e vet.[5]
Kishte njerëz që ishin edhe radioamatorë edhe komunistë. Ndodhte që ca entuziastë të radios të dëgjonin kakofoni ndërsocialiste. Një syresh nga Manizales e Kolumbisë lajmëronte në prill të 1978-ës se Radio Tirana nuk kapej kollaj. Dëgjohej emisioni spanjoll i orës 6:30 të mëngjesit, po në Kolumbi i binte pas mesnatës. Emisioni i drekës nuk kapej.
Po çfarë dëgjohej? Ngaqë ndërhynte Moska e Brezhnjevit, dëgjohej një “përzierje e huaj zërash ku përzihen gënjeshtrat e Radio Moskës (emisioni spanjisht) me valët a dashura të Shqipërisë Socialiste.” Dy lloje spanjishtesh në luftë me njëra-tjetrën nën qiellin kolumbian. Njëra spanjishte jepte versionin sovjetik të ngjarjeve të ditës, tjetra variantin shqiptar.
Eteri kishte dhe mistere. “Emisioni i orës 21:30 paraqet një fenomen të pashpjegueshëm për ne”, sqaronte autori i letrës, “nga ora 21:00 deri në 21:30 në valët 31 metra ka një transmetim në një gjuhë që, sipas disa fjalëve që kemi mundur të kapim, besojmë se mund të jetë shqip”.[6] Tirana përpiqej të fliste në gjuhët e botës, mirëpo ndodhte që gjuhët e botës të ngatërroheshin rrugës.
Kështu, një italian e dëgjonte Tiranën në frëngjisht, pasi frekuencat e programit italisht ishin të bllokuara. BBC-ja angleze, e cila e pati mbyllur programin e vet në shqip, vazhdonte të ngatërrohej me transmetimet shqiptare. Apo ndërhynte Tirana? Po, në fakt, Tirana futej në valë që nuk i takonin—problem që ngrihej edhe në takimet ndërkombëtare të radiofonisë. E pranonin vetë shkresat se “për të transmetuar emisionet tona, detyrohemi të hyjmë në valë ku punojnë edhe shumë stacione të tjerë”.[7]
Skandinavët ankoheshin se emisionet në gjuhën angleze nuk dëgjoheshin mirë, dhe kjo s’ishte për t’u habitur se Tirana e drejtonte sinjalin nga Anglia. Emisioni në gjuhën angleze përhapej sipas një logjike deri diku të vetën—deri dhe në Japoni. Qiejt dhe moti kishin rregullat e veta.
Ç’bëhej me informacionin që i vinte Tiranës? Një Herbert nga Hamburgu shkruante se “marrja është shumë e keqe dhe e shqetësueshme (me zhurma)”. Ankesën e Herbertit Drejtoria e Radiotelevizionit e dërgoi tek Posta, dhe kjo e fundit porositi radiostacionin në Cërrik që të shikonte problemin me foninë.[8] Njëlloj transmetoheshin ankesa e detaje teknike nga gjithë bota. Radiotransmetimi ishte nga të paktat sfera ku perëndimorë të zakonshëm kishin një farë fuqie të ndikonin teknikisht në Shqipërinë e viteve ’70.
Kur sinjali merrej mirë, e kur zhurmat qetësoheshin, ndodhte që zëri i Tiranës të dekodohej si mesazh gjeopolitik gjatë grindjeve me Kinën. Për shembull, një letërshkrues nga Nigeria krahasonte qasjen e Pekinit ndaj revolucionarëve të Iranit me qasjen e Tiranës dhe çuditej. “Mos ka ndonjë ndryshim në qëndrimin ideologjik të kinezëve?”[9] U desh plot një muaj që letra nga Nigeria të vinte në Tiranë; ndërkohë qëndrimi kinez mbase dhe kishte ndryshuar dy-tre herë.
Të punosh me letrat që vinin asokohe është si të lëvizësh brenda një universi koordinatash të harruara. Brenda zarfeve diskutohen gjëra të mëdha e gjëra të vogla, nga këngët popullore shqiptare tek armët bërthamore, nga Brezhnjevi tek polonishtja e keqe e folësit të Tiranës (“ay plaku i vjetër, që nuk e kuptojmë dot kur flet”).[10]
Tek letrat e italianëve pastaj derdhet i bollshëm vreri si ndaj Movimento Sociale-s të Almirantes ashtu dhe ndaj PCI-së së Berlinguerit gjatë anni di piombo. Kishte mes tyre njerëz si Pietro-ja, që kishte qenë në Shqipëri gjatë luftës, ose si Santo-ja që, pasi shfrynte edhe ky ndaj Berlinguerit, i rrëfente Tiranës: “Tashmë jam plak, kam dezertuar luftën e ndyrë, nuk pranova të vija në shtëpinë tuaj si pushtues dhe më nxorën në gjyq, pikërisht në Tiranë e pastaj përfundova në Dakau për dy vjet, nga ku shpëtova për qime”.[11]
Copa dëshmish, biografi në miniaturë, me apo pa ekzagjerime, çudira, ankesa, disfatë.
Edhe qyfyre. Nga Anglia vinte letër nga një “Comrade” në “Enver Hoxha Farm” në fshatin Flash, Quarnford, afër Buxton-it piktoresk. Prishja me Kinën dhe “kthesa” e Pekinit e kishin helmuar fort anglezin nga Derbyshire-i. “Ky veprim i tyre më ka bërë mua dhe gruan time qesharakë, sepse ne u kemi folur njerëzve këtu mbi zbatimin e marksizmit në Kinë”.[12]
Nga Wrocław, një dëgjues i shkruante Tiranës—pikërisht asaj Radio Tirane që një grup polak rroku do i dedikonte këngë më vonë —për t’u ankuar se jeta në Poloni ishte bërë e vështirë, se në treg kishte mungesa, se çmimet po rriteshin, se çiftet e reja nuk gjenin dot banesa.[13] E ku mbërrinte fleta me kuadrata, shkruar me dorë, ankesat e palosura me kujdes e të strukura në zarf? Në Shqipërinë e vitit 1978, në vuajtje, në prag të katastrofës.
(c) 2021, Elidor Mëhilli dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] “Caro Radio Tirana”, 12 prill 1976, Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), F. 509, V. 1976, Dos. 27, Fl. 16-17.
[2] “Camaradas,” 12 shkurt 1976, AQSH, F. 509, V. 1976, Dos. 27, Fl. 2.
[3] “Muy apreciado camarada,” 28 mars 1976, AQSH, F. 509, V. 1976, Dos. 27, Fl. 13-14.
[4] Skifter Këlliçi, Historia e radio-televizionit shqiptar, Tiranë, 2003; Agron Çobani, Ju flet Tirana: histori, kujtime, personazhe nga RTSH, Tiranë, 2010; Xhelil Aliu, Radioja që më përfshiu të tërin: Mbresa nga puna 40 vjeçare në Radio-Tirana, Tiranë, 2015.
[5] Mbi zhurmën si taktikë: István Rév, “Just Noise? Impact of Radio Free Europe in Hungary” në vëll. Cold War Broadcasting: Impact on the Soviet Union and Eastern Europe, red. A. Ross Johnson dhe R. Eugene Part, Budapest, 2010, f. 239-58.
[6] “Queridos compañeros”, 6 prill 1978, AQSH, F. 509, V. 1978, Dos. 35, Fl. 1-3.
[7] “Mbi ndëgjimin e programeve të jashtëme të radios”, 30 maj 1974, AQSH, F. 509, V. 1974, Dos. 11, Fl. 9-10.
[8] Korespondenca e plotë gjendet në AQSH, F. 509, V. 1974, Dos. 11.
[9] “Dear friends”, 13 mars 1978, AQSH, F. 509, V. 1978, Dos. 35, Fl. 12.
[10] “Të nderuar Shokë të Radio Tiranës/Szanowne towarzysze radijo Tirana”, 19 shkurt 1976, AQSH, F. 509, V. 1976, Dos. 27, Fl. 8-9.
[11] “Cari compagni”, 21 korrik 1978, AQSH, F. 509, V. 1978, Dos. 35, Fl. 20; “Cari compagni di Albania”, 28 shtator 1978, AQSH, F. 509, V. 1978, Dos. 35, Fl. 36.
[12] “Dear Albanian comrades”, p.d., AQSH, F. 509, V. 1978, Dos. 35, Fl. 32.
[13] “Drodzy Towarzysze!” 23 tetor 1978, AQSH, F. 509, V. 1978, Dos. 35, Fl. 42.