Përsiatje për statusin dhe misionin e personazhit Enver Hoxha, në romanin Dimri i vetmisë së madhe (1972) të Ismail Kadaresë.
1. Një personazh i vështirë
Përveçse i pritur me interes të jashtëzakonshëm nga lexuesi dhe më pas i kurorëzuar si ndoshta romani kyç i letërsisë shqipe të shekullit XX; përveçse protagonist i një historie të komplikuar të raporteve mes autorit dhe pushtetit totalitar në Shqipëri; Dimri i vetmisë së madhe, i Ismail Kadaresë do të mbahet mend edhe si vepra e parë në prozën e gjatë narrative shqip, ku një lider politik i gjallë dhe aktiv, Enver Hoxha, shndërrohet në një nga personazhet kryesore të një romani.
Përndryshe, Enver Hoxha paraqitej rëndom në vepra të tjera letrare dhe artistike të realizmit socialist – nga poemat, te pikturat dhe skulpturat, te këngët dhe kantatat; pa folur pastaj për paraqitjet e tij reale dhe të stisura në folklor. Romani i Kadaresë, njëfarësoj, e konsakroi edhe në prozën e gjatë një përdorim dhe traditë që tashmë kish zënë vend në kulturën zyrtare të Shqipërisë totalitare – mjegullimin e kufijve midis realitetit dhe fiction-it dhe ndërhyrjen e historisë në përditshmëri.
Megjithatë, zgjedhja e Kadaresë për ta bërë një figurë politike qendrore personazh të një romani është tipologjikisht e ndryshme nga zgjedhja e një poeti për t’ia kushtuar një poemë Enverit ose për t’iu thirrur këtij në poemë, si ato që botoheshin rëndom te “Drita” dhe te “Nëntori”; dhe ky dallim ka të bëjë drejtpërdrejt me natyrën dhe vendin e romanit, si formë letrare. Poema i këndon liderit, dhe për këtë tradita nuk mungon, madje as në folklor. Romani, përkundrazi, e rrëfen liderin dhe bëmat e tij. Që këtej, do të kish interes të diskutohej se çfarë lloj romani ishte Dimri i vetmisë së madhe.
Roman historik?
Ka studiues, si Gilles Nélod, që veprat që flasin për periudha historike bashkëkohore, të cilat autori i ka (për)jetuar drejtpërdrejt, i përfshijnë në kategorinë e “kujtimeve”, “dëshmive personale”, “raporteve dokumentare”, ose “veprave polemike (publicistike)”.[1] George Lukács, nga ana e vet, ka argumentuar se trajtimi fiksional i historisë bashkëkohore të përjetuar është zhanër letrar legjitim, ekstension i romanit social.[2] Xenia Gasiorowska, në një studim kushtuar portreteve të Pjetrit të Madh në letërsinë ruse, thotë se një roman do të ishte “historik” në qoftë se “vendoset në një kohë të afërt për autorin, por historikisht të përmbyllur, në mënyrë që të mund të arrihet një perspektivë ndaj ngjarjeve dhe të lindë nevoja për studim.”[3] Por Irving Howe, duke folur për veprat e Solzhenjicinit dhe shkrimtarëve të tjerë që kanë shkruar për stalinizmin, i ka quajtur “romane politike… të sunduara nga idetë politike ose mjedisi politik.”[4]
Sipas Avrom Fleishman[5], një roman duhet të ketë të paktën një personazh historik real, si element esencial që të quhet historik. Këtë tezë e kanë kundërshtuar studiues të tjerë. Joseph W. Turner, për të cilësuar romane ku persona historikë reale shfaqen si personazhe, ka përdorur termin “romane historike të dokumentuara.”[6] Te kjo kategori do të futej, po ta pranonim klasifikimin e Turner-it, edhe Dimri i vetmisë së madhe, i Kadaresë.
Sa për mënyrën e paraqitjes fiksionale të personazheve historike reale në një vepër, Lukács (vep. cit.) ka shkruar se “personazhi historik” në romanin historik klasik shfaqet vetëm si personazh kompozicionalisht minor, si figurë e përshkruar nga jashtë, në veprim, pa u zhvilluar si karakter por në mënyrë të tillë që prania e tij, fjalët dhe veprimet, të kenë efekt domethënës ndaj personazheve të tjera fiksionale. Shembull për këtë do të ishin personazhe të tillë si Marati, Dantoni dhe Robespierre-i në romanin Viti 93 të Hugo-it. Këtu Gasiorowska (vep.cit.) dallon midis romaneve historike konvencionale, ku personazhet historike mbeten të jashtëm (outsiders), ose me rolin që t’i garantojnë lexuesit autenticitetin e periudhës historike përkatëse, dhe romaneve biografike, ku këto personazhe janë protagonistë dhe personalitete me rëndësi primare për narrativën. Në këtë rast, Dimri i Kadaresë do t’i afrohej më shumë kësaj kategorie të dytë, edhe pse në asnjë mënyrë nuk tenton të jetë biografi e Enver Hoxhës.
Megjithatë, romani i Kadaresë spikat brenda kategorisë së vet, sepse ka si personazh Enver Hoxhën, që është jo vetëm historik dhe real, por edhe bashkëkohor, për kohën kur u botua romani. Në një kontekst tjetër, kjo përfshirje e një lideri politik në një vepër historike, do të shpjegohej si instancë e kultit të personalitetit, duke u futur në një grup me – të themi – statujat e liderit, këngët dhe baladat popullore, etj.; në kuptimin që një vepër si Dimri jo vetëm i përket zhanrit të romanit historik-politik, por edhe kontribuon drejtpërdrejt, për t’i bërë ngjarjet e përshkruara atje historike. Aq më e vërtetë është kjo, kur historia e prishjes së madhe shqiptaro-sovjetike dhe e dramës së përçarjes në Moskë, të paktën në kohën kur u botua për herë të parë romani, ende nuk ishte studiuar nga historianët, as në Shqipëri as gjetiu.
Lexuesi e di, me gjasë, se Enver Hoxha është personazh qendror në një kapitull të romanit Dimri i vetmisë së madhe, edhe pse shfaqet sporadikisht në ndonjë kapitull tjetër. Nëse vepra e Kadaresë rrëfen për një periudhë kthese në historinë e Shqipërisë, Enver Hoxha është protagonist i vetëm njërës prej linjave narrative të kësaj kthese; çfarë do të thotë se Dimri nuk mund të quhet roman për Enver Hoxhën – por vetëm një roman ku Enver Hoxha është një nga personazhet kryesore, përveçse se edhe arsyeja (agjencia) e ecurisë specifike të ngjarjeve – si aktori kryesor i konfliktit politik dhe ideologjik me Hrushovin dhe udhëheqjen sovjetike.
Këtu mund të pyetet se ç’marrëdhënie vendos Enver Hoxha personazh i romanit me Enver Hoxhën lider politik të gjallë dhe aktiv, në periudhën kur u shkrua dhe u botua romani, gjithë duke pranuar se Dimri nuk pretendon të jetë biografi e Hoxhës, por nga ana tjetër mbështetet gjerësisht në materialet arkivale të Mbledhjes së Moskës dhe të tjera, nga dosjet e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Është e verifikueshme dhe e provueshme tashmë se narrativa e vizitës së delegacionit shqiptar në Moskë ndjek pak a shumë besnikërisht “realitetin” e regjistruar në dokumente, deri edhe në hollësitë e shkëmbimeve dhe dialogëve në takimet dhe mbledhjet me sovjetikët. Ky tipar e afron romanin me një “kronikë” të ngjarjeve të kohës, me autorin në rolin e kronikanit, ose të personit që ndërmjetëson kalimin nga realiteti në histori, jo vetëm duke fotografuar çfarë ndodh, por edhe duke i dhënë strukturë dhe kuptim suksesionit të incidenteve dhe ngjarjeve.
Nëse Hoxha është personazh në roman, ka interes të shihet më në hollësi si i qaset këtij personazhi autori: nga jashtë, apo nga brenda? Qasja “nga jashtë” do të ishte ajo tipike e kronikanit, i cili rrëfen atë që sheh; qasja “nga brenda” do të duhej trajtuar ndryshe.
Te kreu i tetë i romanit, Enver Hoxha shfaqet si personazh nëpërmjet “zërit” të Besnik Strugës, ose i rrëfyer prej këtij të fundit (f. 132 dhe vijim[7]). Lexuesit i thuhet për një zhurmë makine në oborrin e ambasadës (shqiptare në Moskë) dhe pastaj për Besnikun “që zgjati kokën nga dritarja dhe pa makinën. Një njeri i mbështjellë me pallto me gëzof po zbriste prej saj…” Besniku shkëmben dy fjalë me vizitorin, i cili prezantohet si Andropovi, funksionar i lartë i Kremlinit, dhe kërkon të takohet me Enver Hoxhën. Pas pak shfaqet Enver Hoxha, që fillon të zbresë shkallët: “fytyra e Enver Hoxhës ishte si e ngurosur.” Besniku përkthen bisedën mes dy burrave të shtetit. Megjithatë “fytyra e Enver Hoxhës ishte tepër e zymtë.” Fjalët e tij jepen në ligjëratë të drejtë. Dhe më tej “Sytë e Enver Hoxhës u rrudhën.” Të gjitha këto i përcillen lexuesit si eksperienca të Besnikut, që është vetë i pranishëm në skenë dhe raporton çfarë sheh e dëgjon.
Duke qenë Besniku përkthyes zyrtar i delegacionit, edhe skena të tjera takimesh mes Enver Hoxhës dhe sovjetikëve ose vizitorëve të tjerë jepen në këtë mënyrë – të vështruara nga Besniku. Megjithatë, vende-vende, fokusi i rrëfimit zhvendoset tek Enver Hoxha vetë dhe te monologu i tij i brendshëm, si në këtë pasazh:
– Ne mund të jemi njerëz të këqinj por nuk jemi pa tru, – tha [Mikojani]. – Përse do të dëshironim të prisheshim me ju?
(1) Enver Hoxha tundi kryet ngadalë. (2) Këto ishin fjalët e një njeriu të stërvitur me bisedime të vështira. (f. 137)
Nëse thënia (1) sërish mund të vijë nga Besniku, thënia pasuese (2) ia heq rrëfimin Besnikut, për t’ia kaluar, në formë të një ligjërate të zhdrejtë të lirë, Enver Hoxhës vetë: bëhet fjalë për diçka që ky e mendon dhe e thotë me vete, jo për diçka që ua thotë të tjerëve dhe ashtu e dëgjon edhe Besniku.
Pak më poshtë, në kapitull, kjo zhvendosje e fokusit eksplicitohet:
Enver Hoxhës iu kujtua turbullt se diçka ishte folur për plepat, por si e çfarë nuk i kujtohej. Plepat janë tani të zhveshur. Ky mendim i vetëtiu lodhshëm nëpër mend. (f. 139)
Por tani nuk kemi në vetëm ligjëratë të zhdrejtë të lirë (monolog të brendshëm: “diçka ishte folur për plepat”), por edhe zërin e rrëfimtarit të gjithëdijshëm: thënia “ky mendim i vetëtiu lodhshëm nëpër mend” nuk vjen as nga Besniku, as nga Enver Hoxha vetë, por nga rrëfimtari heterodiegjetik i romanit, i cili është i vetmi që mund t’i thotë lexuesit se çfarë ndodh në mendjen e Hoxhës nga syri i një vrojtuesi abstrakt.
Një pasazh tjetër, nga skena e bisedimeve me Hrushovin:
(1) Enver Hoxha përsëri tundi kokën. (2) Ky njeri me fytyrë babëloku që kishte përballë, pasi i kish bërë ca kohë më parë kërcënimin e urisë, tani po e kërcënonte me vetmi. Ç’ishte ky shtrigan i shkurtër i përrallave, që donte të vetmonte një vend? A është e mundur kjo? thirri ai me vete, duke u përpjekur me vështirësi të mbyste valën e zemërimit dhe (3) për të tretën herë bëri “jo” me kokë. (f. 163)
Frazat (1) dhe (3) e rrëfejnë personazhin nga jashtë, ose nga veprimet që bën, çfarë mund të vihet re edhe nga Besniku, që është i pranishëm në bisedë dhe mbetet në fokusin e rrëfimit; përkundrazi, teksti (2) vjen pjesërisht si monolog i brendshëm: “ky njeri me fytyrë babëloku” i referohet një mbrese që Hrushovi lë te Hoxha; “pasi kish bërë ca kohë më parë kërcënimin e urisë” është një kujtim që i vjen Hoxhës në mendje; pyetjet: “Ç’ishte ky shtrigan i shkurtër i përrallave, që donte të vetmonte një vend? A është e mundur kjo?” janë pyetje që i përkasin sërish monologut të brendshëm dhe përcillen në trajtën e ligjëratës së zhdrejtë të lirë; më në fund, pjesa “thirri ai me vete duke u përpjekur me vështirësi të mbyste valën e zemërimit” është e rrëfimtarit të gjithëdijshëm (heterodiegjetik).
Kjo teknikë e kombinimit të monologut të brendshëm me zërin e rrëfimtarit të gjithëdijshëm do të përdoret pastaj gjerësisht, në pasazhet që kanë të bëjnë me Enver Hoxhën. Si të thuash, pasi e ka prezantuar këtë nëpërmjet syve të Besnikut, autori nis t’ia lejojë vetes një lloj rrëfimi më nga afër, duke u futur drejt e në mendimet e personazhit.
Një zhvendosje e tillë e fokusit ka rëndësi, sepse ia ndryshon tipologjinë tekstit, duke e shndërruar nga kronika në roman shumëzërësh (polifonik) dhe duke i lejuar tekstit tone epike si ky i pasazhit në vijim:
[Enver Hoxha] e kishte ende në sy pamjen e rrafshnaltave të Shqipërisë para disa ditësh, ndërsa avioni fluturonte sipër tyre. Që poshtë mjegullave, malet dukej sikur pyesnin: ku je nisur e po vete në këtë të ftohtë? (f. 142)
Tashmë Besniku del krejtësisht nga fokusi, dhe rrëfimtari heterodiegjetik ia rrëfen lexuesit Enver Hoxhën drejtpërdrejt, ose në mënyrë të pandërmjetësuar, siç do të bënte, për shembull, një poet popullor.
Kreu i nëntëmbëdhjetë i romanit, ku Enver Hoxha shfaqet sërish si protagonist dhe reflekton në zyrë për pasojat politike të krizës në marrëdhëniet me sovjetikët, i vjen lexuesit i tëri në trajtën e këtij kombinimi të monologut të brendshëm dhe rrëfimit heterodiegjetik: aty nuk ka më asnjë gjurmë të ndërmjetësimit nga Besnik Struga. Te ky krye do të kthehemi më pas, në vijim të analizës.
Disa studiues të romanit historik modern i kanë vënë në dukje vështirësitë e rrëfimit “psikologjik” të një personazhi historik, madje Gasiorowska ka shkuar deri aty sa të thotë se “një romancier historik nuk duhet të përfshihet në studimin psikologjik në thellësi të banorëve të botës së vet fiksionale”, duke e përligjur këtë me argumentin se personazhet historike janë “tepër të largët për empati të plotë.”[8]
Një tjetër studiues, Harry Shaw, e përshkruan kështu vështirësinë e dhënies së personazheve historike në fiksion: “Me gjasë, neve nuk ka pëlqen futja, në mendjet e figurave historike reale, e mendimeve që ne dyshojmë janë vendosur aty ngaqë u shërbejnë nevojave ideologjike ose moralistike të autorit. Ne duam, me fjalë të tjera, jo më shumë informacion se ç’mund të nxirret nga dokumentacioni historik”. Sipas Shaw-t, për shumë personazhe fiksionale, paraqitja e botës së brendshme është dëshmia më e rëndësishme për personazhin, dhe në shumë romane vetëdija e personazhit është personazhi; por “për figura historike reale, përkundrazi, portretizimi i drejtpërdrejtë i vetëdijes kurrë nuk mund ta marrë këtë domethënie. Praktikisht, ai shërben si një përmbledhje (pasqyrim) e asaj çfarë mund të mësojmë për personazhin me çdo mënyrë tjetër.”[9][10]
Pyetja që duhet bërë, në këtë rast, është sa i përgjigjet Enver Hoxha dokumentacionit historik që ka përdorur Kadareja dhe sa është ai krijim fiksional, ose sa “i shërben nevojave ideologjike ose moralistike” të këtij autori; ose, për ta thënë ndryshe, sa “autentik” është Enver Hoxha personazh i romanit Dimri i vetmisë së madhe.
Siç e ka shpjeguar me hollësi Kadareja vetë dhe si mund ta konfirmojë krahasimi i kapitujve të romanit kushtuar Mbledhjes së Moskës me materialet arkivore dhe librin memuaristik Hrushovianët të Enver Hoxhës vetë, romani e rrëfen përplasjen e Moskës pak a shumë besnikërisht, duke rimarrë deri edhe batutat specifike nga takimet, të ruajtura në procesverbalet. Në rrethanat kur u shkrua romani, as që mund të ndodhte ndryshe. Të kihet këtu parasysh edhe se Dimri ia rrëfeu në detaje dramën e përçarjes lexuesit shqiptar para se të bëheshin publike dokumentet zyrtare, si Vepra 19 e Enver Hoxhës (botuar në 1975) dhe pastaj libri Hrushovianët (botuar në 1980). Historia si autori i Dimrit kërkoi, në instancat më të larta, akses në arkivin sekret të KQ të PPSH dhe ky akses iu miratua tashmë njihet.
Megjithatë, pjesët e romanit ku përshkruhen përplasjet me sovjetikët nuk rimarrin mot à mot dokumentet në dispozicion dhe as i riprodhojnë ato: dokumentet i hedhin tekstit themelet dhe, njëfarësoj, caktojnë limitet e tij, duke i diktuar Kadaresë deri ku mund t’i japë vetes liri në rrëfimin e ngjarjeve dhe ndërtimin e personazheve.[11] Me siguri ka interes të studiohet se çfarë pikërisht ka gjetur rrugën, nga arkivi i KQ të PPSH, te romani; por ka më shumë interes të shihet se çfarë ka shtuar ose ka modifikuar autori në krahasim me arkivin, për arsye qoftë mirëfilli artistike, qoftë edhe ideologjike ose moralistike; po ashtu, edhe si e ka përzgjedhur autori materialin ose çfarë ka vendosur të lërë jashtë; gjithë duke pasur parasysh se Kadareja, në kohën kur e shkroi librin, mund të mos ketë pasur akses në krejt arkivin (p.sh. nuk e ka parë ditarin privat të Enver Hoxhës, i cili do të botohej shumë më pas). Në këtë kuptim, historia e ngjarjeve të Moskës pak a shumë e ruan konsistencën, në kalimin nga arkivi në roman, dhe pastaj nga arkivi në dokumentet publike të PPSH-së, përfshi edhe Historinë e PPSH-së vetë.
Por çfarë kuptimi ka pasur dje, dhe ka sot, konflikti shqiptaro-sovjetik dhe shkëputja e Shqipërisë nga sfera e influencës sovjetike; dhe ç’marrëdhënie ka domethënia historike e atij konflikti me ethosin e romanit Dimri i vetmisë së madhe? Pyetja na duket me rëndësi kritike, për t’ia gjetur romanit vendin e duhur, në historinë e letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe për t’ia identifikuar rolin që luajti, në kulturën shqiptare të viteve 1970.
Siç e ka shtjelluar edhe historiani Elidor Mëhilli[12], nga dokumentet e kohës, konflikti shqiptaro-sovjetik në vitet 1950-1960 duket sikur përqendrohet rreth disa pak temave të nxehta, si qëndrimi ndaj Stalinit, Kongresit XX të PK të BRSS dhe de-stalinizimit, mosmarrëveshjet në lidhje me Jugosllavinë dhe Titon, qëndrimi ndaj të ashtuquajturit “kundërrevolucion” në Hungari, çështja e rolit udhëheqës të partisë marksiste-leniniste në revolucion dhe e diktaturës së proletariatit, qëndrimi ndaj PK të Kinës, çështja e bashkekzistencës paqësore (pacifizmit), mundësia e kalimit paqësor nga kapitalizmi në socializëm, dhe, më gjerë, lufta e PPSH-së kundër revizionizmit modern.[13]
Arsyet e çarjes dhe të konfliktit pasues përvijohen kësisoj si ideologjike, të lidhura me parimet e marksizëm-leninizmit dhe të nevojës për të luftuar revizionizmin.[14]
A kanë qenë këto arsyet reale, a ka pasur arsye të tjera të një natyre më praktike (p.sh. përpjekjet e Enver Hoxhës për të qëndruar në pushtet), për këtë mund madje duhet të diskutohet. Në kontekstin e analizës sonë, ka interes të shihet si i pasqyron Kadareja këto arsye te Dimri, dhe sidomos ku i pasqyron; dhe sidomos, nëse a përvijon autori, midis rreshtave, ndonjë teori të vetën, për motivet e thella të konfliktit dhe të përçarjes, që nuk përkon me çfarë del në dokumentet arkivale zyrtare, të botuara dhe të pabotuara.
Kështu, gjatë një takimi me dinjitarë të lartë sovjetikë, Enver Hoxha duket i irrituar me idenë e Hrushovit, për ta pasur Shqipërinë model për vendet arabe në Mesdhe.[15]
“Nuk e kuptoj si mund të flitet për një vend si për një pavijon ekspozite ndërkombëtare,” thotë ai.
Dhe vazhdon:
“Ju besoj se e dini më mirë se unë që fatet e disa popujve të vegjël, për shkak të dramave të tyre, janë fate të rënda, ndaj ato s’mund të përdoren për vërtetime teorish të ndryshme.” (f. 140).
Fjalët janë të Enver Hoxhës, por diskursi merr ngjyra kombëtariste, me popuj të vegjël dhe dramat në fatet e tyre. Edhe pse Kadareja tregohet shumë i kujdesshëm me ligjëratën e drejtë të personazhit të vet, duke mos shtuar haptazi gjëra nga vetja dhe duke ndjekur procesverbalet dhe materialet arkivore, lexuesi nis ta dallojë zërin autorial (intertekstual), si ngjyrim në fjalët e Hoxhës personazh.
Në monologun e brendshëm të Enver Hoxhës, pak më tutje, tema rimerret:
“Dikush e kishte humbur Shqipërinë dhe dikush e kishte fituar atë. Kështu po flisnin zërat e largët. Ai buzëqeshi me vete… Një shtet mund ta mbulonin dimri dhe dëbora, ose murtaja ose lufta, por si mund të fitohej ose të humbej një shtet nga dy shtete të tjera që ishin larg prej tij dhe që s’takoheshin asgjëkund? (f. 141)
Dhe më poshtë, sërish në ligjëratë të drejtë:
– Është vështirë të përkthesh dialogët e kësaj drame, – vazhdoi Enver Hoxha. – Më vështirë se të përkthesh drama të vjetra. (f. 145)
Sërish, zëri i autorit (intertekstual) u bashkohet fjalëve të personazhit.
Më tutje, në kapitullin e nëntë, Enver Hoxha Hrushovit:
“Popujt kanë shumë fjalë të urta për miqësinë – tha Enver Hoxha. – Në qoftë se ju me miqësi nënkuptoni nënshtrimin, ne nuk e duam atë.”
Në vijim të kësaj bisede, pasi ka rreshtuar arsyet “doktrinare” që e ndajnë PPSH nga vija e Hrushovit, Enver Hoxha thotë:
“Kryesorja është se ne nuk pranojmë nënshtrimin në emër të unitetit. – Enver Hoxha tundi gishtin. – Kurrë.” (f. 159)
Theksi këtu është te “kryesorja”, çfarë lë të kuptohet se arsyeja më e fortë e përçarjes me sovjetikët, sipas Enverit personazh të Dimrit, është refuzimi i diktatit sovjetik, ose mosulja e kokës para një supershteti.
Më tutje, Enver Hoxha sërish Hrushovit:
“Në miqësinë tonë ndaj jush, ndoshta kemi qenë naivë, sepse kemi qenë të rinj dhe pa përvojë, por ne kemi qenë të sinqertë. Mirëpo ju me sa duket nuk e çmoni këtë lloj besnikërie.” (f. 160)
Sërish, këto elaborime të Hoxhës në roman nuk kanë lidhje as me marksizëm-leninizmin as me lëvizjen revolucionare botërore: argumentet e tij janë mirëfilli morale dhe u referohen vlerave njerëzore elementare.
“Mos kujtoni se ju mund të flisni me ne si Zeusi,”
i thotë Hoxha Hrushovit. Dhe më tej:
“Ju thoni shoku sekretar i parë dhe mendoni shoku vasal i parë.” (f. 161)
Dhe pastaj në monolog të brendshëm, brenda së njëjtës skenë:
“Enver Hoxha përsëri tundi kokën. Ky njeri me fytyrë babëloku që kishte përballë, pasi i kish bërë ca kohë më parë kërcënimin e urisë, tani po e kërcënonte me vetmi. Ç’ishte ky shtrigan i shkurtër i përrallave, që donte të vetmonte një vend? A është e mundur kjo? thirri ai me vete, duke u përpjekur me vështirësi të mbyste valën e zemërimit dhe për të tretën herë bëri “jo” me kokë.” (f. 163)
Dhe batutat në fund të monologut të brendshëm:
“Nuk do të kthehem te ju si djali plëngprishës. Të jeni të sigurt, – thirri Enver Hoxha.” (f. 163)
Po ashtu, pak më tutje:
“Nuk do të pranoj kurrë të bisedoj me ju si vasali me kryezotin! – tha Enver Hoxha dhe i ra tryezës.” (f. 165)
Atë mbrëmje, Besniku kalon nëpërmend pasazhe nga fjalimi që do të mbajë Hoxha në mbledhjen plenare:
“Krimi ynë i vetëm është se jemi një parti e vogël, e një populli të vogël e të varfër.” (f. 168)
Dalëngadalë dhe si pa dashur, temat e mëdha ideologjike të konfliktit – nga Stalini, te Titoja, bashkekzistenca paqësore, kinezët, etj., ia lënë vendin temave më universale të nënshtrimit, të rebelimit, të popullit dhe shtetit të vogël përballë arrogancës së të madhit, e kështu me radhë.[16] Një konflikt i nisur si ideologjik transformohet, në sytë e lexuesit, në diçka më universale, më “morale” – çfarë e bën Enver Hoxhën kalorës jo vetëm të marksizëm-leninizmit, por edhe të së mirës, përballë së keqes.
Këtë ide Kadareja e rimerr edhe në parathënien e veprës (të botimit shqip nga Onufri të vitit 2010), kur shkruan:
“Aventura e shefit komunist shqiptar për ta shkëputur Shqipërinë nga blloku komunist, pavarësisht nga motivet egocentrike prej nga u nis, ka qenë i vetmi aksion i tij, të cilin pjesa më e përparuar e Shqipërisë e ka përkrahur.[17] Në atë shkëputje, Shqipëria, e ndarë nga Europa prej komunizmit, vuri të vetmen shpresë për t’u kthyer në kontinentin mëmë.” (f. xvii).
Ashtu edhe Dimri i vetmisë së madhe, me gjithë kapitujt ku diktatori Enver Hoxha shfaqet si personazh pozitiv, do të mund të gjejë përligjje jo-ideologjike, sa kohë që drama e Moskës do të ri-interpretohet si rebelimi i një të vogli ndaj një të madhi dhe si përpjekje e një populli të vogël dhe të vuajtur për të ruajtur pavarësinë, përballë një super-shteti. Çfarë ndodhi midis Hoxhës dhe Hrushovit, midis PPSH dhe PK të BRSS, midis shtetit shqiptar dhe shtetit sovjetik, do të rrëfehet kështu jashtë kontekstit doktrinar, ideologjik të mërzitshëm, të luftës kundër revizionizmit modern dhe nevojës për mbrojtjen e idealeve komuniste dhe të mësimeve të Marksit, të Engelsit, të Leninit dhe të Stalinit.
Autori i romanit këtu ka krijuar e shpikur shumë pak; kryesisht ka zgjedhur, mes morisë së temave dhe tangjenteve, ato që i interesonin rrëfimit të tij.
(vijon) –
© 2020-2021 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë kopjimi dhe riprodhimi në mediat, e shtypura ose elektronike. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
[1] G. Nélod, Panorama du roman historique, Paris, SODI, 1969. Të gjitha përkthimet në citatet dhe parafrazimet përkatëse, brenda kësaj analize, janë të miat, A.V.
[2] G. Lukács, The Historical Novel, London 1962.
[3] X. Gasiorowska, The image of Peter the Great in Russian Fiction, Madison 1979.
[4] I. Howe, Politics and the Novel (Cleveland, Ohio and New York, 1957).
[5] A. Fleishman, The English Historical Novel: Walter Scott to Virginia Woolf, Baltimore, 1971.
[6] J.W. Turner, The Kinds of Historical Fiction: An Essay in Definition and Methodology, Genre, XII, Fall 1979.
[7] Të gjitha citimet nga romani në këtë ese janë nga botimi i Onufrit, 2012, për të cilin një parafjalë e panënshkruar (por me gjasë nga autori vetë) thotë kështu: “Versioni i tanishëm është kryesisht kthim te botimi i parë (i vitit 1972, A.V.). Disa retushe artistike, që autorit i janë dukur të vlefshme, janë ruajtur nga botimi i dytë (i vitit 1978, A.V.). Ndryshime të natyrës politike nuk ka.” Te ky version i tekstit mbështetet edhe analiza e tanishme, me ndonjë përjashtim të lajmëruar.
[8] Gasiorowska, vep. cit. ff. 6, 10.
[9] H.E. Shaw, The Forms of Historical Fiction (Ithaca, NY, 1983), f. 131.
[10] Literatura në shënimet 1-8 është cituar sipas pasqyrës së detajuar që jep Rosalind Marsh në Images of Dictatorship, Stalin in Literature, Routledge 1989.
[11] Le të mbajmë parasysh edhe që, nëse autori – Kadareja – do të ndërhynte ose do ta modifikonte rrëfimin, duke iu shmangur “së vërtetës” dokumentare ose disiplinës ideologjike, këtë do ta kish më të lehtë ta bënte në pasazhet e monologut të brendshëm, dhe më pak të lehtë atje ku fjalët e Enverit jepen në ligjëratë të drejtë.
[12] Elidor Mëhilli, From Stalin to Mao, Albania and the Socialist World, Cornell University Press, 2017.
[13] Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë, botim i 2-të, 8 nëntori, Tiranë 1981, kreu V.
[14] Enver Hoxha tek Titistët, botuar në vitin 1981: “Koha shpejt do të vërtetonte se edhe këtë radhë, ashtu si kurdoherë, ne s’ishim angazhuar kundër revizionizmit as nga diktati i Pekinit dhe as i Mao Ce Dunit, por nga diktati suprem i marksizëm-leninizmit. Me urdhër të ideologjisë sonë udhërrëfyese, në favor të saj, në mbrojtje pra të teorisë e të praktikës së revolucionit nga sulmet që i bënin revizionistët modernë, e kishte zhvilluar, e zhvillonte dhe do ta çonte më tej luftën e vet parimore Partia jonë heroike.” (ff. 529-530).
[15] Sipas Elidor Mëhillit, kësaj ideje promocionale Hrushovi i kthehet edhe te kujtimet e veta, duke folur sërish për nevojën që Shqipëria të tërhiqte pjesën tjetër të botës myslimane drejt komunizmit, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Por, vazhdon Mëhilli, elitat politike në Tiranë nuk e shihnin veten aq si myslimanë që ndërtonin socializmin, sa si komunistë europianë, dhe partnerë të barabartë me shtetet e tjera komuniste, pa çka se me një ekonomi më pak të zhvilluar. (vep. cit. f. 192)
[16] Kjo temë e shqiptarëve “popull i vogël” etj., shfaqet edhe në dokumentet zyrtare, p.sh. në Fjalën e Enver Hoxhës në Mbledhjen e 81 partive në Moskë; për të nxjerrë në pah arrogancën e udhëheqjes sovjetike që nuk i përfillte politikanët shqiptarë dhe objeksionet e tyre, por edhe për të tërhequr simpati, nëpërmjet mëshirës (“ne jemi të vegjël, ne nuk i bëjmë kujt keq”).
[17] Sa mund të qëndrojë kjo, që shkëputjen e Shqipërisë nga blloku komunist e përkrahu “pjesa më e përparuar e Shqipërisë”? Vetë shprehja “pjesa më e përparuar e Shqipërisë” lyp interpretim, sepse nga një pikëpamje, pjesa më e përparuar e Shqipërisë (ata që kishin studiuar në Perëndim, para Luftës), në ato vite, gjendej masivisht në burgje dhe në internime. Por edhe sikur Kadareja, me këtë shprehje, të ketë pasur parasysh shtresën e vet, ose elitën kulturore, sërish nuk mund të thuhet se kjo e përkrahu shkëputjen nga sovjetikët. Për elitën kulturore, teknokratike, administrative, manaxheriale në Shqipëri, që ishte formuar në universitetet e vendeve të Lindjes, shkëputja nga kampi socialist ishte traumatike në çdo pikëpamje, sa kohë që vinte me shkëputje të lidhjeve profesionale, universitare dhe sociale me kolegët në vende të tjera. Vështirë të mendosh që, bie fjala, një inxhinier i diplomuar në Moskë, dhe i martuar me një grua ruse, do ta përkrahte shkëputjen e pakuptueshme të Enver Hoxhës nga Bashkimi Sovjetik, dhe aq më pak do t’i kuptonte arsyet e sjella. Por kjo është çështje për t’u elaboruar nga historianët.