Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
1x10 / Letërsi

DIKUR KISHA NJI TITULL MA TË MIRË X 10

Titulli: Dikur kisha nji titull ma të mirë
Autori: Fjolla Spanca
Shtëpia Botuese: Logos A (2020)
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Fjolla Spanca


1.

Shumë terr ka thithë përroni jem
për me venerue ditën
dekën e andrrave e treta prej pragu
kur me tomel t’nanës
ia ktheva syve Dritën

2.

Mysafiri i Gjetun,
papritun
si shiu i nji stine të humbun
e lajti katundin e lëshuem
n’lutjet e qobanve t’nadjes

Muzgu losi me Dillin e u avit
menjen tinzare e bani prush
tue i shkund premtimet
si rrushi në dega kur rritet
e bahet musht

3.

TY t’kam dashtë tana herat n’paditunin teme
TY,
kurrë i sosun o andërrimi jem

4.

Ashik, malli
ashtë qilim ku përvëlohet balli.
Nji det’ i trazuem
në shehrin e praptuem,
gri.

5.

Shiu i rrëmbyeshëm që i përplasej fytyrës,  ja treti kujtimet. Më s’ndjente dhimbje!

Edhe mendja ndaloi së zhbiruari. U shkolit në letër se donte të shkruante fatin e pavdeksisë! Por një hi i shuar, u përshkund. Me një dorë shtrëngoi trishtimin, e me tjetrën u kacavjerr në majën e direkut të një anijeje të thyer.  Diku, atje larg … shënjoi shpresën.

“Kohë të stuhishme, kurrë të përsëritshme! ” – mendoi me veten.

6.

Të nesërmen, rrugët e mbytyra në terrin e natës, i ndriçoi veç hija e hënës. Heshtje e frikshme endej në errësirë. Tinëzisht, penjtë e qetësisë u këputën. Një shpirt i djegur nga malli për qiellin, u nis në rrugën e Pafundësisë.

Shpëtoi.

Shtegtoi.

Iku.

Rrezet e Diellit e shkrijnë akullin e përbotshëm edhe kur ndahen zemrat, fundosen anijet e ikin shpirtat.

7.

Vet TI m’ke thanë se me duru ashtë qiellnore
por jo lehtë
pra, me TY i kam msu tanat e i kam harru krejt

8.

Tue shtegtu,
nadje t’motit
ndër leqe nisi me u sos drita,
n’damar t’territ u turr dita.
krejt çka kisha e çka dijta,

I fala,
i shita.
veç nji shpi ngat Perenije e lypa!
me lshu shpirtin,
n’andrrim pa kripë.

..

Dashnija jote â e lehtë,
m’dhimbsen sytë nëse s’kanë me t’PA!

9.

Sot u ktheva, s’po duroj ma,
Bardhësinë Tande due me pa!
se jam lodhë s’shtegtuemi,
Prej hiç-it, n’kurrgja

.

Tash, du me fjetë,
Me harrue kush jam,
prej kah vij e çfarë zori kam…

10.

Dosti,
Çaji,
Malli
edhe do vija n’ball.

Dosti,
Fjala,
Andrra
edhe Dashnija,
po na majnë gjallë!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin