nga Albert Riska
(Rindërtimi fonetik i një fjale shqipe)
Dërdëng në gjininë mashkullore apo dërdëngë në gjininë femërore është një fjalë që përdoret në zonat jugore të Shqipërisë dhe, çka mund të jetë shumë e rëndësishme, kjo shtrirje e fjalës mund të jetë përcaktuar nga një rrethanë interesante me natyrë etnologjike.
Në fjalorët e gjuhës shqipe tregohet se fjala përdoret për të shënjuar një njeri që është “ i shëndoshë, i mbushur e i ngjeshur nga trupi”.
Fjala është trajtuar edhe etimologjikisht dhe në veprën e fundit të etimologjisë shqipe me pak fjalë shpjegohet: Dërdëng, m. “njeri me trup të madh e të ngjeshur, por jo të hijshëm”. Fjalë e toskërishtes. Formim i brendshëm me parashtesën tër- dhe emrin deng / dëng “thes i madh i mbushur plot”.
Ekzistenca e rrënjës dëng në gjuhën shqipe nuk mund të vihet në dyshim, edhe motivimi semantik i derivatit dërdëng nga “thes i madh i mbushur plot” mund të jetë i përligjur, po ashtu edhe parashtesa tër– mund të veçohet në gjuhën shqipe në fjalë si tërheq, tërboj etj. Në këtë mënyrë një shpjegim i tillë nuk është për t’u hedhur poshtë, vetëm se do të duhej të përligjej zhvillimi i bashkëtingëllores në ballë të fjalës, /t/ > /d/.
Megjithatë, duke ndjekur normat fonetike të zhvillimit të shqipes, në mënyrë retrospektive, do të përpiqemi të bëjmë një tjetër rindërtim.
Duke nisur nga fundi i fjalës:
- bashkëtingëllorja e zëshme /g/ në pozicion fundor mund të na vijë nga një /k/ (pjesë e prapashtesës) dhe qëndron si e tillë sepse paraprihet nga e tingullta /n/, për më tepër /g/ e /k/ mund edhe të ndërkëmbehen në të folur (dërdënk);
- zanorja e theksuar /ë/ mund të vijë nga një /e/, si në shpjegimin e mësipërm (deng > dëng), por normalisht /ë/ e theksuar e toskërishtes vjen nga një /a/ hundore (dërdank);
- zanorja /ë/ në rrokjen e parë është rezultat i errësimit të një zanoreje të patheksuar dhe mund të supozohet normalisht se vjen nga një /a/ (dardank).
Siç ka sugjeruar me të drejtë një specialist i shquar i fushës, në rindërtimin e kësaj fjale mund, a ndoshta duhet, të përfshihej edhe shndërrimi i /d/-së së dytë në /dh/ (në përputhje me normën e zhvillimit të grupit /-rd/ në /-rdh/) për të arritur në një tjetër trajtë të pritshme, dërdhënk.
Veçse, mungesa e këtij zhvillimi mund edhe të përligjet prej natyrës rrokjesore të fjalës, dar–dan, ku sikur zhbëhet grupi /-rd/, si edhe me ndodhjen e /d/-së para zanores së theksuar të fjalës, sikur të ishte në pozicionin nistor ku shndërrimi i /d/-së në /dh/ nuk para ndodh.
Nga ana tjetër, do pasur parasysh edhe fakti që në një pozicion të tillë nuk mungojnë rastet e zhvillimit prapavajtës, d.m.th. që fonema /dh/ të kthehet në /d/, si në disa fjalë të formuara nga gardh apo i bardhë.
Në këtë mënyrë si bazë të fjalës dërdëng mund të pranonim një dardank, për të cilën mund të bëhen edhe dy vërejtje të natyrës morfologjike:
- fjala mund të jetë formuar nga dardan me prapashtesën –kë, me vlerë afektive;
- fjala duhet të jetë burimisht e gjinisë femërore.
Në aspektin semantik fjala dërdëngë duhet të ketë pësuar gjatë kohës një zhvillim jo të parëndësishëm, duke qenë se sot përdoret me një ngarkesë emocionale negative.
Ky zhvillim semantik dhe, sidomos, prania e zanores /ë/ e theksuar do të dëshmonin se kjo fjalë nuk mund të jetë e re në gjuhën shqipe. Është fakt i njohur se zhvillimi i zanores /a/ hundore në /ë/ është ndërprerë herët dhe nuk ka prekur huazimet sllave të shqipes, kështu që fjala jonë mund të na vijë që para se të nisin kontaktet gjuhësore shqiptaro-sllave.
Një fjalë greke me burim nga shqipja
Në greqishten e sotme gjendet një fjalë për të cilën vetë grafia greke do të tregonte një moshë relativisht të re, νταρντάνα (dardana), që shënjon sipas fjalorëve të asaj gjuhe “ψηλή, εύσωμη και ωραία γυναίκα” (grua e gjatë, trupmadhe dhe e bukur).
Për etimologët grekë fjala është një huazim nga italishtja tartana “anije e madhe”.
Nëse kjo fjalë greke është e huazuar, dhe për traditën shkrimore të greqishtes identifikimi i saj nuk dot krijonte aq vështirësi, nuk do të ishte e papritur të identifikonim një tjetër gjuhë dhënëse, pra, një tjetër burim për fjalën.
Në aspektin fonetik supozimi se fjala greke mund ta ketë burimin te forma e rindërtuar e shqipes dardana (pa prapashtesë) nuk do të paraqiste asnjë vështirësi.
Në aspektin morfologjik është e qartë se fjala duhet të jetë huazuar në greqishte para se në gjuhën shqipe të zgjerohej me prapashtesën –kë.
Gjithashtu duhet menduar se fjala është huazuar para se të fitonte në gjuhën shqipe ngarkesën negative (megjithëse këtë ngarkesë ajo e shfaq edhe në gjuhën greke). Sidoqoftë, edhe me këtë shmangie semantike fjala shqipe dardana do të motivonte fjalën greke më mirë se fjala italiane tartana.
Në qoftë kështu, normalisht do të mendonim se fjala greke do të përbënte një mbështetje të mirë për rindërtimin e supozuar më sipër të fjalës shqipe. Duhet të kemi parasysh se këtu nuk bëhet fjalë thjesht e vetëm për një huazim leksikor, diçka normale për dy gjuhë në kontakt, por është fjala për hetimin e historisë së pashkruar të një fjale shqipe me vlerë të veçantë.
Në përfundim do të thoshim se fjala dërdëng mund të lidhet shumë mirë me emrin e fisit ilir dhe është përdorur si apelativ për të shënjuar tiparin fizik që ata mund t’i karakterizonte. Ky fakt mund të shpjegojë edhe shtrirjen e kufizuar të fjalës, përdorimin vetëm në jug, duke qenë se dardanët (veriorët) nuk mund të vetëkarakterizoheshin. Historia e kësaj fjale përbën një fakt të rëndësishëm, sepse emri i fisit ilir dhe një veçori fizike e atij populli nuk na vijnë nga të dhënat dokumentare apo historike, por na vijnë nëpërmjet kujtesës popullore.
(c) 2020, Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Ka disa gjëra që nuk më bindin te kjo etimologji, duke filluar nga hipoteza se greqishtja e sotme νταρντάνα (dardana) mund të vijë nga shqipja – duke gjykuar nga forma e saj fonetike, i bie që të jetë huazim relativisht i ri (është ruajtur plozivja d), por ndërkohë një fjalë e mundshme dardan në shqipe do të kish përfunduar tashmë në *dërdën ose diçka të ngjashme.
Në dialektin e Gjirokastrës përdoret turtunë, me kuptimin “grua e gjatë, trupmadhe dhe e bukur”, e cila i përgjigjet greqishtes νταρντάνα edhe në formë edhe në kuptim; sërish, unë anoj nga shpjegimi përmes italishtes (venecianishtes) tartana, një lloj anijeje me vela, të cilën Treccani e përkufizon si “Imbarcazione da pesca originaria di Chioggia, in uso un tempo nell’Adriatico, con scafo caratteristico a forme piene e prua ricurva”, duke shërbyer pjesa e theksuar prej meje si bazë për metaforën dhe kalimin nga anije në grua. Kjo drejtpërdrejt, ose me ndërmjetësimin e greqishtes.
Të kihet parasysh se në Gjirokastër, dhe ndoshta edhe gjetiu, edhe lundër përdoret për të shënjuar gra të bukura, trupmadhe, të bëshme (Fjalori i GJSSH, te LUNDËR II (zool. “vidër”, italisht lontra) jep edhe kuptimin “u bë si lundër – u ngjall a u majm shumë”; kjo është dhënë, për mua, gabim, sepse i përket lemës LUNDËR I, mjet lundrimi. Nuk do ta përjashtoja edhe një ndikim të dërdëng, dhe kushedi edhe të turtunë, edhe fonetik edhe kuptimor, nga turqishtja turtun “breshkë”. Etimologjia e Çabejt (nga dëng) për mua mbetet e besueshme, por duhen shtuar edhe gjasat e një kontaminimi nga tartana dhe kushedi edhe nga turqishtja turtun.
Fjala e greqishtes nuk ka ndonjë paqartësi, etimologjia është e qartë, e pranuar dhe fjala ka një përhapje të gjerë dhe jo thjesht dialektore. Po ashtu fjala e italishtes “tartana” është e mirëdokumentuar në përhapjen e saj në Mesdheun Lindor (shih Kahane).
Krahaso edhe fjalën e greqishtes φρεγάτα (fregatë) me po të njëjtin kuptim, “grua trupmadhe, e ngjeshur”.