(nga Stanislaw Lec*)
Idealet nuk janë për idealistët.
Duhet jetuar me letër kopjative, për të provuar, në rast zhdukjeje, që ke ekzistuar.
I dënuari nuk është kurrë në lartësinë e trekëmbëshit.
Kur mund të themi se qëllimi ia arriti qëllimit?
Turma bërtet me një gojë të vetme të madhe, por ha me një mijë gojë të vogla.
A ka të drejtë një kanibal të flasë në emër të atyre që ka ngrënë?
Ka ca Robinsonë që, pasi janë larguar nga ishulli i tyre i shkretë, u është mbytur anija dhe janë gjendur tragjikisht në një vend të banuar.
Ikë tutje, Satana! Jam me djallushen.
Hallka më e dobët e një vargori është edhe më e forta. Ajo e këput lidhjen.
Ishte një herë një njeri i mençëm që, kur përkulej me nderim para sovranit, kujdesej që njëkohësisht t’u tregonte të pasmet lakejve.
Ca do të donin të kuptonin atë që besojnë, ca të tjerë të besonin atë që kuptojnë.
Ah, t’ia dish Zotit adresën e shtëpisë!
Ne, poetëve lirikë, nuk na e ha qeni shkopin! Ne shkruajmë mbi ujë me bastun, por përdorim letër kopjative.
Fol me mençuri, armiku të dëgjon.
Kërkojmë tetë-orëshin e të menduarit!
Është e lehtë ta popullosh botën. Është e lehtë ta shpopullosh botën. Atëherë, ku është problemi?
Ka qenë një kohë kur, për të pasur skllevër, duhet t’i blije ligjërisht në treg.
Mos i quaj gjërat me emrin e tyre, në qoftë se nuk ua njeh emrin e tyre të vërtetë.
As pleshtat nuk kërcejnë tamam nga gëzimi.
Në një moment gjenialiteti, zbuloi se nuk kishte talent.
Një mendimi gjenial mund t’ia heqësh të gjitha fjalët.
Ka edhe parodi gjërash që nuk ekzistojnë.
Vetëm gjenitë dhe budallenjtë janë intelektualisht të vetëmjaftueshëm.
Sezam, hapu: Dua të dal!
E kuptoni këtë zhaurimë? Janë koret e bashkëtingëlloreve, pas shfarosjes së zanoreve.
Me një varg zerosh mund të krijosh lehtë një zinxhir.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).
Pylli po pritej, ama pemët vazhdonin të votonin për sëpatën; sëpata ishte e zgjuar, ua kishte mbushur mendjen pemëve se m.q.s. e kishte bishtin prej druri, ishte një prej tyre. – Proverb turk.