Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Politikë

BEJA E MUNGUAR

Shkrimtarit disident rus Aleksandr Solzhenjicin ia hoqën shtetësinë sovjetike dhe e dëbuan nga Bashkimi Sovjetik në shkurt të vitit 1974. Megjithatë, kur në qershor të vitit 1985 iu dha mundësia për t’u bërë qytetar i SHBA-ve, ai u step.

Ja si e rrëfen këtë ngjarje shkrimtari, në kujtimet e veta, që po i botohen së shpejti edhe në anglisht.

Pas shumë peripecish me vizat që u duheshin për udhëtimet e tyre anembanë botës, bashkë me të shoqen, Alja, të dy e kuptuan më në fund se pasaporta amerikane do t’ua kursente shumë kokëçarje, duke i lejuar të udhëtonin lirisht në Perëndim.

Aplikuan; dhe siç pritej, zyrat e shërbimit të imigracionit në Vermont u dërguan formularët përkatës, të cilët Solzhenjicini as e vrau mendjen për t’i shqyrtuar me kujdes. E dija, shkruan ai, që kur të vinte momenti, do të më duhej të ngrija dorën dhe të bëja një si tip betimi – siç e kisha parë në fotografi; por a nuk e bëjnë të gjithë të njëjtën gjë, kur betohen mbi Bibël, pa e vrarë shumë?

Pas ca javësh, çiftin e thirrën në zyrën e imigracionit, për intervistën e detyruar. Solzhenjicinit i bënë disa pyetje për Kushtetutën, të cilave iu përgjigj lehtë. Pastaj nëpunësja i tha: “A jeni i gatshëm të merrni armët, në emër të Shteteve të Bashkuara?” Shkrimtari u kap gafil. Absolutisht jo! “Po unë jam gjashtëdhjetë e gjashtë vjeç!” – belbëzoi. “Po prapë, në parim…?” Në parim? Ç’na qenka ky parim? Ju keni ca të rinj këtu në SHBA, mendoi ai, që i djegin fletë-thirrjet për ushtar dhe nuk iu preket as qimja, dhe doni të më ngjishni armët mua? Kur pa habinë e tjetrit, nëpunësja i kujtoi se Sholzhenjicini se këtë e kish pranuar tashmë, kur kish nënshkruar formularin.

Si më kish shpëtuar kjo? – pyeti veten. E paskësh marrë me mendjelehtësi të pafalshme, një çështje kaq serioze.

U kthyem në shtëpi, vazhdon ai, dhe e rilexuam formularin, mes të tjerave edhe tekstin e betimit, të cilin gjithashtu na e kishin dërguar:

“Unë heq dorë, në mënyrë absolute dhe tërësore… nga çdo aleancë dhe besnikëri ndaj çdo princi të huaj, potentati (terma të shekullit XVIII), shteti ose sovraniteti, ndaj të cilit kam qenë deri më tash nënshtetas ose shtetas…”

Po cilit shtet po ia refuzoja unë besnikërinë? Shtetit sovjetik? – pyet Solzhenjicini. Shtetësinë sovjetike ia kishin hequr që para 11 vjetësh! Dhe shteti rus nuk ekzistonte në këtë botë.

E megjithatë, shkruan ai, betimi nuk po i tingëllonte mirë.

“… Unë do të mbështet dhe mbroj Kushtetutën dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara kundër çdo armiku, të jashtëm dhe të brendshëm…”

I shkoi në mend se prej vitesh i paralajmëronte amerikanët për armiqtë që kishin në shtëpinë e tyre, për shtypin e çartallosur majtas dhe politikanët e korruptuar, por ata nuk ia kishin vënë veshin.

“… se do të ngjesh armë në emër të Shteteve të Bashkuara…”

Ja pra, ku e thotë haptazi, mendoi ai. Se mua do të më duhet të luftoj kundër vendit tim. Ju që nuk keni këllqe të luftoni komunizmin si të tillë, ju i paskeni shpallur luftë “Rusëve”…

“… dhe unë e marr këtë detyrim përsipër lirisht, pa ndonjë rezervë mendore dhe as synim për t’i bishtnuar…”

Por unë ja që e kam një rezervë të madhe, thotë Solzhenjicini; unë nuk do të shkoj të luftoj kundër rusëve.

Po çfarë pastaj? – vazhdon ai. A nuk kemi thënë gjithfarë gënjeshtrash në mbledhjet sovjetike? A nuk pati bërë ai vetë një betim solemn besnikërie dikur, në Ushtrinë e Kuqe, pa e identifikuar veten me komandantët e Stalinit?

Por prapë, diçka nuk e lë të qetë. Thotë Solzhenjicini: beja është lojë për budallain, por tmerr për të urtin.

U ndie shumë i turbulluar; iu duk sikur e kish futur veten në qorrsokak dhe i kish bërë dëm kauzës së vet.

Ndërkohë, i kishin lajmëruar për datën dhe orën e ceremonisë, dhe për vendin ku do të mbahej.

Jo! tha Solzhenjicini. Refuzoj! Nuk dua të shkoj!

Dhe ashtu bëri. Nuk shkoi.

Së brendshmi, u ndjeva pastaj i çliruar, shkruan ai, që nuk i isha betuar Amerikës. Se çfarë lloj vendi është ky – naiv, që tradhton veten çdo ditë përmes një klike politikanësh profesionistë, për të marrë herë pas here flakë si kashta?

Sovietikët rrëzojnë një avion të linjave civile koreane dhe këta shkojnë dhe i thyejnë dritaret një kishe ortodokse ruse, për t’u hakmarrë. Në Beirut hedhin në erë kazermat e ushtrisë amerikane dhe në Vermont ngrihet njëri dhe shkon të vrasë, me një plumb ballit, një imigrante ruse në dyqanin e vet.

Mbase unë do ta shkel dot më dheun e Rusisë edhe për shumë kohë akoma, mendon Solzhenjicini; mbase edhe do të vdes pa u kthyer dot atje – por dheun e Amerikës nuk e ndiej dot si timin.

Nuk kam tokë nën këmbë, përfundon ai. Nuk kam aleatë të besuar. I kapur mes dy Fuqive të Botës si mes dy mokrave, pres që të më grijnë për së gjalli.

Shënim: Kjo copëz është përshtatur nga artikulli The Meaning of An Oath, botuar në The American Conservative, sipas një ekstrakti prej librit me kujtime Alexandr Solzhenitsyn, Between Two Millstones, Book 2, Exile in America, 1978-1994.

© 2020, Peizazhe të fjalës™, për përshtatjen. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Mos e vidhni.

Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.

1 Koment

  1. Unë heq dorë, në mënyrë absolute dhe tërësore… nga çdo aleancë dhe besnikëri ndaj çdo princi të huaj, potentati (terma të shekullit XVIII), shteti ose sovraniteti, ndaj të cilit kam qenë deri më tash nënshtetas ose shtetas…”
    Ka apo ka patur plot deputete ministra apo zyrtare te larte shqiptare te 30 viteve te fundit qe kane bere nje be te tille .Shtrohet pyetja se si jane lejuar ne detyra ku ligjerisht behet betimi per besnikeri ndaj Shqiperise kur kane be te tilla se heqin dore nga besnikeria ndaj saj ?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin