Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Totalitarizëm

ARTISTI I RISHPIKUR

Në lexim njëra faqe është ftesë për faqen pasuese, dhe romani Injorancë, i Kunderës, nuk të lëshon lehtë. Te shkrimi tjetër pata vërejtur se nuk ka të mërguar, të viteve të Luftës së Ftohtë, që të mos e përjetojë romanin si personazh; tani po i lejoj vetes një koment të mëtejshëm, për artin “mërgues” dhe “të mërguar” në totalitarizëm.

Josefi, një çek që jeton në Danimarkë prej vitesh, kthehet në atdhe për pak ditë dhe atje takon të vëllanë, i cili ia ka ruajtur disa pak sende, nga ato që kish lënë pas kur mërgoi; mes tyre edhe pikturë. Shkruan Kundera:

“E vështroi kuadrin për një copë herë: një lagje punëtorësh, e varfër, e sjellë me atë vorbull ngjyrash të guximshme që të kujtonte artistët Fauve të fundshekullit të kaluar, si Derain. E megjithatë, kjo vepër nuk ishte pastiche: po të ish ekspozuar në 1905, në Salon d’Automne, krahas punimeve të tjera nga Fauves, vizitorët do të ishin tërhequr nga tëhuajsia e saj, intriguar nga parfumi enigmatik i një vizitori joshës, të ardhur nga një vend i largët. Në fakt, piktura ishte e vitit 1955, një periudhë kur doktrina e artit socialist nuk bënte lëshime, në lidhje me realizmin: ky artist, një modernist i apasionuar, do të kish dashur të pikturonte ashtu siç pikturonin njerëzit anembanë botës në atë kohë, domethënë në mënyrë abstrakte, por edhe donte që vepra t’i ekspozohej; prandaj, i duhej të gjente atë pikë magjike ku imperativët e ideologëve të takoheshin me dëshirat e tij si artist: barakat që evokonin jetën e punëtorëve ishin lëshim ndaj ideologëve, ndërsa ngjyrat egërsisht jo-realiste dhurata që ia bënte vetes.”

Cili artist i realizmit socialist nuk e gjen veten në këtë dramë transvestizmi? Miku i Josefit kërkon të pikturojë si fauvist – një stil i gjysmë shekulli më parë; ideologjia i imponon estetikën shabllone të artit stalinist; teksa “bota” është zhvendosur tashmë në lëndinat e artit abstrakt. Çfarë do të thotë që piktura kish qenë jashtë-kohore që në kohën kur u ekspozua, si përpjekje për të “modernizuar” realizmin socialist nëpërmjet kthimit mbrapa në fillimshekullin XX; dhe mbetej ashtu, jashtë-kohore edhe sot, sa kohë që “modernizmi” i saj kishte dhe ka natyrë reaksionare, konservatore, prapavajtëse. Dhe pse ndodh kështu? Sepse miku i Josefit, piktor “i apasionuar pas modernizmit”, kërkon njëfarësoj lirinë, edhe në kompromisin e tij me pushtetin në art; duke e gjetur pastaj në retrospektivë. Ai nuk dëshiron të konformohet; përkundrazi, presionin për t’u konformuar me realizmin socialist, e sfidon duke vështruar prapa.

Vazhdon Kundera:

Josefi e pat vizituar studion e këtij tipit në vitet 1960, kur doktrina zyrtare po e humbte pak forcën dhe piktori ishte tashmë i lirë të bënte çfarë të donte. Me sinqeritetin e tij naiv, Josefit i kish pëlqyer kjo vepër e hershme më shumë se të vonat, dhe piktori, që e këqyrte Fauvisme-in e vet proletar me një farë dhembshurie prej snobi, ia kish dhuruar hareshëm, madje edhe duke ia nënshkruar dhe dedikuar… Pak pas vitit 1989, në adresën e Josefit në Danimarkë kish mbërritur një pako me fotografi të pëlhurave më të fundit të mikut të vet piktor, tashmë të krijuara në liri të plotë. Ato ishin të padallueshme nga miliona piktura të tjera që po pikturoheshin anembanë planetit në atë kohë: piktori tani mund të mburrej për fitoren e vet të dyfishtë: ishte krejtësisht i lirë, dhe krejtësisht si kushdo tjetër.

Çfarë ndodhi? Teksa ideologjia staliniste u zbyth – në Çeki dhe gjetiu në Lindje, por jo në Shqipëri – artistët e përjetuan lirinë e fituar si mundësi “për të bërë çfarë të donin”; dhe mbas 1989-ës, kur Muri i Berlinit u shemb dhe bashkë me të edhe kufiri Perëndim-Lindje në Europë, miku piktor i Josefit, tashmë krejtësisht i lirë, kish përfunduar i konformuar me kolegët e vet, edhe ata njëlloj të lirë, dhe njëlloj “skllevër” të lirisë së tyre.

Kritikët e artit dhe të letërsisë, në vendet e Lindjes përfshi këtu edhe Shqipërinë, kanë vënë në dukje se, me rënien e barrierave, artistët shpesh e kanë gjetur lirinë duke u kthyer mbrapa në histori – aq sa shumë ekspozita, festivale dhe evente të tjera kanë marrë trajtën e dioramave retrospektive, ose të koleksioneve të rrymave estetike, shkollave dhe lëvizjeve në artin e shekullit XX. Çfarë të kujton njëfarësoj ligjin biogjenetik të Haeckel-it, sipas të cilit fazat e ontogjenisë të një organizmi pasqyronin ndryshimet e njëpasnjëshme, në formë, nga brezi në brez, të stërgjyshërve evolucionarë të atij organizmi. Ende embrional, arti post-stalinist rimerrte trajtat e përçudnuara të së parëve të vet gjetiu.

Josefit, që është edhe ai i lirë në marrëdhënien që vendos me pikturën, i pëlqen më shumë piktura e hershme e viteve 1950, kur mikut të vet i ish dashur të konformohej me doktrinën zyrtare, gjithë duke kërkuar të shprehte edhe tërheqjen e vet ndaj Fauvisme-it; sepse mu te kjo interferencë, mes dy konformimesh, gjente një lloj origjinaliteti, i cili më pas do të zhdukej sërish. Mbase do të ngutesha, po ta quaja këtë përsiatje të Kunderës si skicë për një teori të origjinalitetit artistik nën stalinizëm; dhe aq më pak si provë se liria absolute në art shtyn drejt një konformimi po aq absolut. Prandaj po mjaftohem duke vërejtur se gjej atje një ftesë për të reflektuar, rreth dështimit të artistit në post-totalitarizëm.

Çfarë lidhet me lirinë në krijim, në formën e një pyetjeje të përmbysur: Sa ndikon në art imponimi i kufizimit të lirisë krijuese? Si janë ndikuar, veprat e artit, nga shtrëngimet ideologjike, politike dhe gjithsesi jashtë-artistike? Te një pikturë mund të gjesh – po të duash dhe të kërkosh – krejt historinë e artit që i ka paraprirë; madje edhe te një pikturë e realizmit socialist; por a mund të gjesh atje edhe gjurmë të artit të së ardhmes? Fauvismi në realizmin socialist të mikut të Josefit mos paralajmëronte gjë edhe post-modernizmin?

Por ironia e këtij pasazhi, te Kundera, e tejkalon kornizën e faqes dhe përmasën narrative, për t’u shtrirë te vepra e Kunderës vetë – çfarë do të thoshim për një roman si La Fête de l’insignifiance, në krahasim me romane të hershme të këtij autori, si Shakaja ose Libri i të qeshurit dhe harresës? Ose edhe Lehtësia e padurueshme e qenies? A është transformimi i autorit i ngjashëm me atë të piktorit, tek Injoranca? Apo mos kjo “plakje” e shkrimtarit, kjo “zbehje” e tij, kjo “përgjumje” që disa e gjejnë te La Fête de l’insignifiance është më shumë pasojë e pritjeve të lexuesve? Unë vetë veprat që Kundera ka botuar pas vitit 1990 – me përjashtim të Injorancës – i kam gjetur të plogëta, të ftohta, madje artificiale; Kundera francez nuk më ka bindur, sikurse njëlloj nuk më ka bindur Kundera frëngjisht: ndoshta një pasardhës i Kafkës si ai ka gjithnjë nevojë për ankthin, që të përftojë art. Por e mendoj që kjo mund të jetë edhe efekt i thyerjes që pësoi jeta ime, si lexues dhe tjetërlloj, pas 1990-ës; sepse efektin e leximit të Shakasë dhe të Lehtësisë së padurueshme të qenies, para rrëzimit të sistemit në Shqipëri, nuk mund ta ndaj nga dëshira për subversion tek unë lexuesi dhe efekti subversiv i romanit vetë. E megjithatë, fati i piktorit mik të Josefit, tek Injoranca, sikur më jep zemër të pyes edhe një herë: a mund të jetë mburrur edhe Kundera shkrimtar për fitoren e vet të dyfishtë, si krejtësisht i lirë dhe krejtësisht si kushdo tjetër?

Po i mbyll këto shënime, me një pasazh nga Michelle Woods, në Translating Milan Kundera (Multilingual Matters Ltd, 2006):

Meqë [Kundera] e ka rishkruar bibliografinë e vet, fytyra bashkëkohore ‘autentike’ e tij mund të karakterizohet si ajo e dikujt që i ktheu shpinën Çekisë dhe si e një oportunisti në Perëndim. Kjo lëvizje prej kameleoni u theksua edhe më tej nga përqafimi që ai ia bëri Francës, të cilin përqafim disa e kanë parë si një zhvendosje oportuniste në qendër të diskursit letrar europiano-perëndimor dhe mohim të mëtejshëm i trashëgimisë së tij çeke […] Çështja këtu është nëse rishkrimi që ia bëri Kundera vetes ose bibliografisë së vet e bën atë vetë, ose veprën e tij, më pak autentike. Kundera ka luajtur me ri-shpikjen, në fiksionin e vet, duke e futur veten si personazh të romaneve dhe duke e demistifikuar nocionin e autorit autentik. Veç kësaj, duke e përdorur përkthimin si temë në fiksion, Kundera sugjeron se rishkrimi i së shkuarës është reaksion ekzistencial ndaj krijimit të vetes së tanishme. Në fiksionin e vet të mëvonshëm, të autorizuar, Kundera mbetet gjithnjë i preokupuar me problemet e temave dhe formave të veprës së vet të hershme, një pjesë e madhe e së cilës ështe hequr prej bibliografisë së vet zyrtare. Kundera nuk ka ndërmarrë ndonjë ‘harresë’ kontingjente të veprës së tij të shkuar (dhe të kaluarës së vet komuniste ose çeke); por, siç e ka argumentuar Jan Lukes, ai është një nga ata pak shkrimtarë çekë që i kanë përballuar pasojat e së shkuarës, duke e shndërruar atë në art. Rikonsiderimi i së kaluarës së vet origjinale, autentike si art është edhe inautentik (fiksion) edhe autentik (hetim ekzistencial). E kaluara e Kunderës është vepra e jetës së vet.

 

(c) 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Përkthimet janë të gjitha të miat, nga anglishtja.

Kopertina: André Derain, L’Estaque (1905).

5 Komente

  1. Procesi i vertete krijues ka nevoje per limite a pengesa te ndonje lloji per te prodhuar dicka te re, origjinale. Ka shume shembuj nga artiste te medhenj ne te gjitha fushat qe jane formuar dhe kane formuar vepra fantastike, brenda nje ngushtie fizike, a politike, a jetesore, a limitesh artistike qe i kane veteimponuar vetes. Me kujtohet filmi “The five obstructions” nga Lars von Trier. Eshte nje tribut per limitet ne procesin krijues, dhe rishpikjen!

  2. Në vend të Kunderës , vazhdimisht lexova Kadare dhe , e gjithë pêrsiatja, i qëndron atij, Kadaresë pra, si një kostum i qepur enkas për të.
    Kjo për faktin se të dy K, krijuan nën presionin e ideologjisë totalitare, Kundera në një atmosferë më relaksuese kurse Kadare nën një regjim më mbytës dhe, për pasojë, disidenca e tij estetike u përvijua përmes aludimeve dhe dykuptimësisë.
    Në postkomunizëm , Kadare (dhe kritika institucionale), ashtu sikurse thotë në vëzhgimin e saj të mprehtë Michelle Woods, me një zell të veçantë, retushoi dhe ri-interpretoi disa nga veprat e shkruara në totalitarizëm, duke u dhënë një theks më të dukshëm disidencës së tij letrare, ose daljes nga korrnizat shtërnguese të socrealizmit.

  3. Me kujton nje film qe pashe ne Netflix mbi nje shkrimtar gjermano lindor i cili pergjohej nga Stassi. Pas renies se murit ne nje event ai takon ish ministrin e kultures te ish RDGJ i cili i tha:”.. ke disa vjet pa botuar ndonje veper , si duket tani ne liri nuk ke se ndaj kujt te rebelohesh..” Kjo fraze me kujtoi Kadarene tone krijimtaria e te cilit pas renies se komunizmit took a nosedive ne sasi e cilesi.

    1. Ka te beje me aftesine per te perceptuar “armikun”, “kundershtarin”

      Ky mund te jete nje ide, nje njeri, nje realitet, nje ndjenje (ndjesi). Ose thjesht meskiniteti i jetes se perditshme, qe jo rralle , behet nje peshe me e rende se sa cdo gje tjeter.

      Choose your enemy. And you (may) have chosen your glory… tha

  4. …mendoj se Kundera eshte shume brilant ne te gjitha veprat e tij… ajo lehtesi e te shkruarit e perzier me mahnitjen dhe perkundjen neper perjetime., eshte unik ne letersine e sotme, duhet pranuar se ka nje renie te lehte te ‘Valsi’., por gjithe tekstet e tjera vallahi jane ubuubu…

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading