Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

CILI SHQIPTAR?

 

Për shënimet në vijim, jam mbështetur në monografinë Shqiptar dhe shqa: histori popujsh përmes dy emrave etnikë, të Bardhyl Demirajt (Naimi, Tiranë 2014), duke rimarrë edhe një fakt të sjellë nga M. Karagjozi-Kore, në shkrimin e saj këtu te Peizazhet para pak ditësh.

Do të ndalem në luhatjen midis emërtimeve shqipëtar dhe arbënuer/arbënor, në veprën e misionarit Francesco Maria Da Lecce, i cili është autor i dy veprave me rëndësi të madhe për historinë e shqipes së shkruar: Osservazioni grammaticali nella lingua albanese, botuar në Romë në 1716; dhe një fjalor italisht-shqip me titull Dittionario italiano-albanese të mbetur në dorëshkrim, të datuar si të vitit 1702 (botuar me shënime kritike nga G. Gurga, në 2009).

Te hyrja e gramatikës (1716[1]), Da Lecce shkruan kështu:

Arbenorit: Arbenùer i dashuni – Ket’ Gramatiken’ e shkrova për zotinī tande, që di ma fort…

Ndërsa te hyrja e fjalorit (1702), kështu:

Shqipëtārit: këte dikcionar, oh shqipëtāri i dashun, e shkrova jo për zotinī tande që di ma fort se unaj veç për vetëhe, qi jam për së largu e gjuhënë e shqipëtarëvet e kam posi një kafshë të huojë […] ti e di vet, sa fështīr na bie neve, me nkthyem gjuhënë tanë, mbë gjuhë t’Arbënë

Thotë Demiraj:

Ballafaqimi i këtyre dy burimeve, nga i njëjti autor, na vendos përpara një situate deri diku paradoksale: etnonimin shqiptar e hasim në një vepër të lënë në dorëshkrim, e cila i paraprin në kohë me 14 vjet botimit të veprës së dytë të autorit, ku ndeshim vetëm shënjuesin etnik arbënor. A kemi të bëjmë në këtë rast me një ndërhyrje “të vetëdijshme” redaksionale gjatë përgatitjes, përkatësisht dhënies së lejes për botim të një teksti të vjetër shqip? Kësaj pyetjeje vështirë se do t’i japim ndonjëherë përgjigje. Megjithatë, le të mjaftohemi me përfundimin – qoftë edhe të përkohshëm – se përgjatë kësaj periudhe të dy këta shënjues ishin në përdorim të barasvlershëm, atëherë kur përdoreshin me funksion të mirëfilltë, si emra etnikë, d.m.th. pa ngarkesa semantike shtesë si p.sh. shënjues edhe të përkatësisë fetare, të një shtrese të caktuar sociale, apo diçka tjetër.

Le ta përmbledhim sa më lart në dy rreshta: Da Lecce u vë nga një parathënie dy veprave të veta; te një nga parathëniet, i drejtohet “arbënorit”, ndërsa te tjetra “shqiptarit”. Po ashtu, te parathënia e fjalorit, e dorëshkruar, e quan gjuhën shqipe më parë gjuhë e shqiptarëve dhe më pas gjuhë t’Arbënë.

Dimë gjithashtu, nga një burim tjetër, se në fillim të shekullit XVIII (citoj Demirajn) “etnonimi shqiptar ishte në përdorim, krahas shënjuesit etnik arbën/r(-) të paktën në zonën veriore të trojeve etnike-gjuhësore shqiptare.”

Demiraj saktëson se këtë përdorim e konfirmon teksti shqip i akteve të Kuvendit të Arbënit (1703), të botuara në Romë në 1706 ku flitet për “giuhën e shqipëtarëvet”; përkthimin shqip të këtyre akteve nga latinishtja besohet ta ketë bërë françeskani P. Egjid Quinto d’Armeno (i cili kish punuar gjatë në trojet shqiptare) nën mbikëqyrjen gjuhësore dhe drejtshkrimore të Da Lecce-s.[2]

Le të kthehemi megjithatë, te Fjalori i Da Lecces, te hyrja e të cilit ky autor i drejtohet lexuesit si:

Shqipëtārit: këte dikcionar, oh shqipëtāri i dashun…

Për të shtuar se, në trup të fjalorit, fjala shqipëtār del me kuptimin:

shqipëtār: parlatore “gojëtar, ai që flet mirë”

(citoj nga M. Karagjozi-Kore); në një kohë që po Da Lecce, për d’Albania, ka “prej Arbënit; arbëneshë”.

Pyetja ime është: kur Da Lecce shkruan, në hyrje të fjalorit,

Shqipëtārit: këte dikcionar, oh shqipëtāri i dashun

Vallë e përdor këtë fjalë me kuptimin “parlatore, gojëtar, ai që flet mirë?”, apo si etnonim? Meqë, po ta ketë përdorur si etnonim, atëherë pse do të mungonte etnonimi, në trup të fjalorit?

Me fjalë të tjera: pse do të përdorte Da Lecce, në hyrje të fjalorit të vet, një fjalë të cilën fjalori vetë nuk e ka, me atë kuptim?[3]

Duket si e pagjasë, nga ana tjetër, që hyrja e fjalorit t’i drejtohet një “gojëtari” – po të ndjekim kuptimin që ka fjala shqipëtār në tekst. Duke u nisur nga ngjashmëria e spikatur, mes dy parathënieve, hipoteza se kjo shqipëtār në hyrje të dorëshkrimit është etnonim na duket më e arsyeshmja; çfarë e bën edhe më të çuditshme lënien jashtë të këtij kuptimi etnonimik, nga trupi i fjalorit (ku shqipëtār jepet si “gojëtar” vetëm).[4]

M. Karagjozi-Kore, në shkrimin e sjellë te Peizazhet, shkruan:

Parathënie Da Lecce e përdor drejt etnonimin tonë në togun “oh Shqipëtāri i dashun”, ndërsa në brendësi të Fjalorit kuptimin e jep ndryshe, e kjo tregon se Parathënien e ka shkruar ndoshta disa vite më vonë ashtu siç ndodh rëndom dhe sot kur shkruhet vepra më parë e parathënia pasi ka përfunduar ajo. Kjo na jep të kuptojmë se brenda pak vitesh, në fundin e shek. XVII, në trevat e Veriut të Shqipërisë, nuk ishte konsoliduar ende përdorimi i emrave etnikë të rinj.[5]

Disa hipoteza mund të sillen për ta shpjeguar këtë “discrepanza” – duke filluar nga ajo që sjell Karagjozi-Kore cituar më lart, e plotësuar me hipotezën tjetër se hartimi i fjalorit mund të ketë kërkuar shumë vjet, kohë gjatë së cilës Da Lecce do ta ketë mësuar më mirë shqipen; tek ajo tjetra se edhe ai, si të tjerë shqipshkrues të kohës, tundohej ndonjëherë për të krijuar fjalë (të shihet këtu edhe lëkundja mes arbënuer dhe arbëneshë); se Da Lecce nuk është autori i vetëm i atyre veprave; se fjalësin e fjalorit e kanë redaktuar pa dijeninë e Da Lecce-s; se shqipëtār në shqipen e atyre viteve përdorej (edhe) si fjalë nderimi a e stilit të lartë[6]; dhe, më në fund, se shqipëtār, në hyrje të fjalorit, shënonte banorin e truallit, ndryshe nga arbënor (arbëneshë) që shënonte – gjithnjë me gjasë – shqiptarin katolik (?).

Shtoj edhe se luhatje të tilla në leksik mund të ushqejnë, teorikisht, edhe dyshimin për ndonjë ndërhyrje të hershme nga një dorë e tretë, ose falsifikim – nuk do të ishte hera e parë, as e fundit, në historinë e teksteve të vjetra shqipe dhe në filologjinë arbëreshe; por besoj se këtë do ta kenë përjashtuar që në krye specialistët filologë, nga Mandalà-ja te Gurga, që janë marrë tani me dorëshkrimin e Da Lecce-s.

 

Shënim: Falënderoj M. Karagjozi-Koren, që më ndihmoi me disa referenca të rëndësishme, për këto përsiatje – vërtet të paplota, por që doja t’i ndaj me lexuesin.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Nga Demiraj, mësoj se G. Gurga ka zbuluar, duke hulumtuar në arkivat, që Da Lecce e kish përfunduar dorëshkrimin e gramatikës që në vitin 1701; pra dëshmia nga gramatika i paraprin asaj të fjalorit.

[2] Concili Provintiaali o Cuvendi i Arbenit, Botime Francescane, Rome 1706, Botim kritik nga Bardhyl Demiraj, Botime Françeskane, Shkodër 2012.

[3] Një tjetër luhatje do të ishte ajo midis trajtës arbënor, që del te Gramatika, dhe trajtës arbëneshë, që del te Fjalori, që mbase duhet trajtuar veçan, por që sërish dëshmon se ka diçka që mbetet ende për t’u sqaruar, te ky mish-mash emrash etnikë në veprat e Da Lecce-s.

[4] Kujtoj edhe se Fjalori i Da Lecce-s nuk e ka fjalën albanese, por vetëm d’Albania.

[5] Kjo hipotezë kushtëzohet nga hipoteza tjetër, se parathënia është shkruar “ndoshta disa vite më vonë”, kur Da Lecce mund të ishte njohur me kuptimin e ri, etnonimik, të fjalës “shqiptar”.

[6] Duke iu referuar trajtimit të kësaj fjale nga Da Lecce, në Fjalor, studiuesi Matteo Mandalà, në artikullin Shqip, shqipëtar, shqipëni në Fjalorin e pabotuar (1702) të Francesco Maria da Lecce-s, në “Vepra themelore në albanologji”, Q.S.A, “Botimet Albanologjike” Tiranë, 2019, f.149-162 (citoj sipas M. Karagjozi-Kore), shkruan: “Në këtë mënyrë të qenit shqiptar do të thotë anëtar me një status të lartë shoqëror dhe institucional brenda  bashkësisë…  Këtë e  dëshmojnë edhe  kuptimet e mbiemrit i pāshqip i pamoral, i pandershëm”.

1 Koment

  1. Duke lexuar nder te tjera komentet e mia ne temen para 7 vjetesh, ku me dukej e pamundur qe te kalohej nga shqip si troc tek Buzuku ne shqip si creanza, edukate tek.da Lecce, sepse jane dy botekuptime qe perleshen, praktikisht do te thoja se me creanza, Da Lece ka perkthyer shqipen si e folur troc, hapur, paster, pa hile kuptimore a nenkuptimore dhe jo ndonje kuptim edukate, miresjelljeje e diturie. Keshtu shqipetar si parlatore, dmth gojetar/orator, nenkupton ate qe flet troc, hapur, paster, pa hile. Do te shpjegonte edhe formen e humbur i pashqip si i pamoralshem, i pandershem, sikunder supozohet ne kuptimin e tradites ai qe nuk flet troc, por me hile ( pra mashtruesit i duhet te nos flase troc, kush eshte i vertete flet troc). Pra, nuk ka pse te kete ndonje kuptim te dyte; kuptimi shqip si creanza dhe shqiptar si parlatore, lidhen me kuptimin e te folurit troc, paster, qarte, me vertetesi, si ka qene kuptimi i fjales shqip edhe tek Buzuku. Gjuha shqipe ka zevendesuar gjuhen arberisht, fillimisht si gjuha e vertete, e paster, e qarte, troc (qe do perkthehej creanza e reverentia), mandej ka marre kuptimin e “lingua albanesca” apo “epirotica”, si eshte perdorur termi deri ne fund te shek 19. Pika kyce, eshte humbja e konceptit te gjuha arberishte, njehere qe humbet koncepti i gjuhes arberishte ( ketu, se arvanitet e arbereshet e ruajten) atehere edhe zevendesimi vjen me fjale te tjera, nder to koncepti i shqipes. Nuk eshte per tu perjashtuar ne rastin e le te themi implozionit te njetratshem qe humbja e konceptit gjuha arberishte, te kete dhene nje pafundesi percaktimesh ne te folur, sipas krahinave, ku koncepti i shqipes te kete fituar ngadale terren. Percaktori i pare qe i jepet nje gjuhe nga folesit eshte “gjuha jone”. Luften me te madhe kuptimi shqip e ka bere me siguri me gjuha jone. Megjithate ne kete persiatje me del qe eshte e pabesueshme si ka humbur me pare kuptimi gjuha arberisht ndaj percaktimit arber. Duket si proces si induktuar nga lart, populli thote gjithnje gjuha jone dhe nqs jemi arber gjuha jone eshte arberisht ( nqs shqiptare, shqiptarisht, nqs kosovare kosovarisht e came camerisht). Nuk mund te jete asnje cast qe populli te thote jemi arber, po flasim shqip. Diku eshte induktuar nga jashte humbja e konceptit te gjuhes arberishte dhe nuk do ishte per tu cuditur qe kush e ka induktuar ate humbje i ka gjetur edhe zevendesimin me shqip. Pra erdhi nje moment qe koncepti i gjuhes arberishte ishte per tu eleminuar. Ndoshta kemi nje operacion teresisht te ideuar dhe kryer nga kisha katolike, e cila kishte edhe arsyet edhe mjetet per ta kryer. Ne themi gjithnje gjuha e jone/ e tyre/ e huaj, prandaj e perkufizojme gjuhen ( dhe dialektet) sipas emertimit te banoreve. Kemi qartazi nje anomali te logjikes, pra kemi nja agjent qe ka shkaktuar anomaline. Ndoshta shkaku duhet pare tek Kunderreforma katolike me shume sesa pushtimi turk. Pushtimi turk thjesht do krijonte arber myslyman e arber te krishtere, si krijoi boshnjake myslymane e te krishtere apo serbe greke e bullgare myslymane e te krishtere. Pastaj do te ishte preferenca gjate Rilindjes r vecanerisht pas Pavaresise nese arberit myslymane do e quanin veten arber apo turq, si ndodhi ne gjithe Ballkanin. Pra pushtimi turk nuk eshte domosdoshmerisht agjenti qe shkaktoi lindjen e etnonimit, ( besoj condicio sine qua non) ngjarjet qe e shkaktuan duhen kerkuar ne boten katolike ( causa prima). Gjithe kjo zallamahi vjen edhe sepse myslymanet shqiptare per shkaqe numerike me shume, nuk e ndryshuan fene pas Pavaresise si shumica e serbeve, grekeve e bullgareve te myslimanizuar, pas pavaresive perkatese. Nga ketu edhe nevoja qe shqiptar te jete per efekt te islamit apo se ka ndonje ndryshim etnik ose rinovim etnik me islamizimin e gjera te tjera te kesaj natyre, derisa krizen fetaro-etnike qe nuk u zgjidh pas Pavaresise sipas modelit ballkanik e rregulloi Enveri me ateizmin, i cili eshte hapi me i rendesishem ne stabilizimin e shqiptarise ( Zogu e kishte te percipte kulturkampfin qe ndermori ne vitet 30).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin