Koliqi dhe Camaj si autorë letrarë, përballë politikave kulturore totalitare në Shqipëri: Të dy të ndaluar, njëri i anatemuar në publik, tjetri i dënuar me harresë dhe heshtje, por sërish – cili do të ketë qenë më i rrezikshëm?
Aty për aty do të thoja: Koliqi, sepse ky ishte haptazi antikomunist, madje i angazhuar aktivisht kundër regjimit në Tiranë. Për më tepër, i shpallur armik dhe i dënuar në mungesë dhe letërsia e tij e hequr nga qarkullimi dhe, madje, e asgjësuar nga inkuizitorët e kuq. Ndërsa Camaj – mbahej gjithnjë i ndryrë përtej, pëshpërimë dhe hije.
Por mund ta mendoj edhe ndryshe: më kërcënues për regjimin letrar ka qenë shkrimtari Camaj, se shkrimtari Koliqi.
Ky i fundit, madje kish bërë emër në letërsinë shqipe të viteve 1930 dhe njihej prej shumë autorëve të hershëm të realizmit socialist në Shqipëri; madje jo vetëm njihej, por ishte përfshirë njëfarësoj në historinë e letërsisë shqipe, qoftë edhe si reaksionar, fashist, etj.
Ishte armiku i njohur. Madje jo vetëm: Koliqi ishte edhe armiku letrar i mundur, në mos “i tejkaluar”. Edhe pse vepra e tij në prozë ishte mbase po aq realiste sa shumë vepra të Realizmit Socialist në Shqipëri, këto të fundit përfaqësonin mohimin e atij lloj realizmi, që mëtonte Koliqi.
Ndryshe qëndron puna me Camajn: simbolist, modernist, hermetik… veprën e këtij nuk e orienton dot lehtë, brenda skemave të kritikës soc-realiste në Shqipëri.
Madje kritikët në Tiranë, të armatosur me instrumentet e vëna në dispozicion nga zhdanovizmi, nuk ishin në gjendje as ta analizonin Camajn si tekst. U mungonin këllqet.
Koliqi mund të trajtohej vërtet me përçmim, madje me tone prej editoriali në “Zërin e Popullit”; por Camaj ngjallte frikë. Koliqi ishte e shkuara e kapërcyer, por Camaj ishte një version i të ardhmes, i tillë që t’i nxirrte të gjithë këta jashtë loje.
Sepse Camaj i fliste lexuesit një gjuhë tjetër. Jo që nga podiumi politik, por duke e tërhequr mënjanë në një tryezë të veçuar. Aq më tepër që, me letërsinë e vet, ai nuk i shërbente kujt. Nuk ishte as i bardhë as i zi. Nëse duam t’i caktojmë një ngjyrë, ishte ultraviolet.
Edhe gegnishten e kish tjetërlloj.
Prandaj edhe reagohej ndaj tij duke mbyllur sytë dhe zënë veshët: heshtja nuk ishte efekt i ndonjë vendimi politik për ta injoruar, por pasojë e pafuqisë konceptuale për t’u rrokur me të.
Me “armiqësinë” e vet të deklaruar, Koliqi u jepte soc-realistëve një arsye (një shkas) për t’u ndier të shpaguar në intransigjencën e tyre. Ua përligjte llogoret ku ishin vetëgroposur.
Camaj u kujtonte, përkundrazi, se po sakrifikoheshin për një kauzë letrarisht të panevojshme: partishmërinë.
Me Koliqin, soc-realistët mund ta gënjenin veten dhe të thoshin se “jemi në krahun e drejtë të historisë”. Ose: “jemi fitimtarë.”
Me Camajn nuk mundeshin veçse të kthenin kokën në drejtim të kundërt.
Sot që na duket sikur realizmi socialist në Shqipëri e ka humbur përfundimisht davanë; dhe se janë krijuar rrethanat për kthimin në vëmendje të Koliqit, anulimi me ngut utopisë soc-realiste të progresit duket sikur implikon prapësimin.
Por kjo është më shumë pozë politikishte. Realizmi socialist, si abominacion letrar, do të zbythet mirë kur në teatrin letrar të vihet në skenë në mos Camaj vetë, të paktën modeli i angazhimit të tij artistik.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.