Nuk jam dakord me çfarë thoni, por do ta mbroj me jetë të drejtën tuaj të fjalës.
Këto fjalë i atribuohen Voltaire-it, por janë shkruar, në të vërtetë, nga një autore angleze, Evelyn Beatrice Hall.
Në një libër të Hall, The Friends of Voltaire (1906), kjo përshkruan një përplasje të supozuar të filozofit frëng, me kolegun e vet Claude-Adrien Helvétius. Voltaire-it nuk i kish pëlqyer teksti, por edhe nuk ishte pajtuar me sulmet ndaj këtij teksti dhe autorit.
Më pas, Hall shpjegoi se çfarë kish shkruar, synonte të përcillte një “parim volterian”.
Thënia apokrife e Voltaire-it citohet shpesh në kontekste ku debatohet për fjalën e lirë dhe për censurën.
Si botues te Peizazhe të fjalës, e njoh mirë dilemën midis miratimit (dakordësisë) dhe respektit për fjalën e lirë të Tjetrit. Sikurse njoh – këtë herë pa hezitim – DALLIMIN mes A.V. si drejtues reviste dhe A.V. si shkrimtar dhe publicist aktiv në hapësirën e mendimit shqip.
Nuk shkoj dot aq larg sa Voltaire-i, personazh i Hall-it, që të them se do ta mbroj të drejtën e Tjetrit për të folur me jetën time – sidomos sa kohë kur e drejta e Tjetrit për të thënë diçka nuk varet ekskluzivisht prej meje.
Por dua ta përsërit, dhe këtë herë me forcë, se respekti im për fjalën e Tjetrit, me të cilën mund të mos bie dakord madje mund të mos kem ARSYE për të rënë dakord, është po aq i fortë sa edhe besimi që kam në drejtësinë e ideve dhe të pozicioneve të mia.
Na qëllon, në revistë, që të refuzojmë të botojmë shkrime – por vetëm ngaqë këto nuk pajtohen me natyrën e revistës, janë të dobëta, ose shkelin normat elementare të komunikimit dhe të debatit.
Asnjëherë nuk pretendojmë që një shkrim të pajtohet me pozicionet tona si autorë kryesorë në revistë, për ta botuar. Sikurse nuk kemi asnjë detyrim botimi ndaj askujt.
Na ka qëlluar, në rrjedhë të kohës, të nxjerrim edhe gjëra me natyrë kontroversiale, për të cilat na kanë qortuar dhe sulmuar by association, duke na kërkuar që të censurojmë.
Kërkesa të tilla ne i konsiderojmë në keqbesim dhe i hedhim në koshin e plehrave, të bindur se askush nuk ia don të mirën revistës sonë, se ne që i kushtojmë mund dhe që rrezikojmë reputacionin tonë intelektual me të ditë e natë.
Të vetëdijshëm se gjërat që botojmë mund të jenë të kritikueshme, dhe për disa edhe të dënueshme, nuk kemi asnjë simpati dhe as mirëkuptim për concern trolls, të cilët mbijnë si këpurdhat pas shiut, sa herë që një shkrim yni ngjall debat, pakënaqësi dhe indinjatë.
E kemi të qartë se, jo rrallë, shkrimet që trazojnë ujërat dhe priten me protesta, madje korale, janë edhe ato që prekin çështje të cilat u kish ardhur koha të prekeshin, sepse ishin mahisur.
Nuk jemi këtu për të treguar përralla, as për të zbavitur të ngeshmit, as për të kultivuar kultet surrogato të së tjerëve. Përkundrazi, do ta vazhdojmë aktivitetin tonë dhe do ta ndjekim vizionin tonë edhe sikur një lexues i vetëm të na mbetet. Nuk kërkojmë klikime, as simpati, as duartrokitje.
E kuptojmë edhe se prestigji i revistës sonë, Peizazhe të fjalës, tashmë i ka tejkaluar mundësitë tona materiale për t’iu përgjigjur. Ajo çfarë na shquan haptazi prej simotrave – pavarësia financiare – na kthehet edhe në pengesë, për t’u siguruar teksteve që botojmë disa shërbime teknike ndonjëherë të domosdoshme.
Gatishmëria jonë për të pranuar kontribute nga autorë të tretë edhe ajo vjen me koston e vet. Por e kemi të qartë se shkrimet më kontroversiale, që janë refuzuar ballazi nga një pjesë e lexuesve, nuk e kanë pësuar kështu ngaqë kanë pasur probleme teknike, por sepse kanë trazuar vargonjtë e mendjeve.
Përballë nevojës për të respektuar ndjeshmëritë partikulare dhe krahinore, tabutë e momentit, modat intelektuale, idhujt e disave dhe mitet e disa të tjerëve, ne si revistë gjithnjë do të zgjedhim respektin për pluralizmin dhe debatin.
© 2020, Ardian Vehbiu, drejtues i revistës Peizazhe të fjalës™.