Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Lojëra

ZDROMSI NË JETË DHE NË LOJË

Një diskutim i vyer u hap tani së voni në faqen e Blendi Salajt në Facebook, rreth fjalës zdroms në dialektin e qytetit të Tiranës, si term i lojës me kopsa (me kopaca) dhe si epitet përçmues për djem dhe burra. Po sjell pjesë nga diskutimi më poshtë, për të sqaruar si origjinën dhe përdorimet e fjalës, ashtu edhe disa rregulla të lojës me kopsa, që ka qenë aq popullore dikur, mes çunave anembanë Shqipërisë.

Blendi Salaj:

Zdromsat janë kopsa të çrregullta, pa formën aerodinamike për të patur (goditur në shenjë) kopacin tjetër. Zdromsat ishin pra kopsat, me më pak vlerë në arsenalin e një lojtari kopacash. Si rrjedhojë zdroms ishte vlerësim negativ, për një njeri pa vlerë, pa talent.

Në vitet 80 çunat në Tiranë luanin me kopaca (kopsa të mëdha palltosh kryesisht), ku objekti i lojës ishte të godisje kopacin e kundërshtarit nga distanca. Kopaci vendosej në pëllëmbë dhe gjuhej me dorën tjetër me një “flick”. Disa çuna ishin nishontarë të paparë dhe admiroheshin në lagje dhe lagjet fqinje. Nuk duhej të luaje me ta se humbisje dhe të merrnin kopacat, gjuanin në shenjë si personazhet e Clint Eastwood.

Në varësi të formës, zdromsat dhe kopacat e tjerë kishin edhe identitete si sumkapuç apo tas (ky ishte shumë i mirë për të luajtur). Trelekëshat dhe gjashtëlekëshat ishin shumë të preferuar për të luajtur dhe ishin njësoj në formë por ndryshonin në madhësi. Kishte dhe nëntëleksha, por këta ishin të sheshtë dhe buzëmprehtë.

Loja nuk luhet më tani, por mbaj mend se dikur përfshinte shumë djem të vegjël në Tiranë. Burimi i kopsave ishin palltot, kryesisht ato të burrave që kishin tasa dhe gjashtëlekësha. Kurse palltot e grave kishin zdromsa. Në autobusët e ngarkuar, rrufjanë të vegjël me fleta brisqesh Astra u prisnin pensionistëve kopacat nga palltot, pa u ndierë.

Flurans Ilia:

Në varësi nga aerodinamizmi i lëvizjes dhe goditjes, fjala zdroms nënkupton një kopsë, pullë (komçë) palltoje a xhakete në kontekstin e Lojës me Pulla.

Fëmijëria jonë nuk i ka njohur lojrat elektronike. Luanim pranë dheut dhe jashtë mureve të shtëpisë. Vizatohej një trekëndësh në tokë, i quajtur buxhaku ku vendosej buxheti që kishte gjithsecili në xhep. Kopsa të vogla këmishash – çikërrima, kopsa ushtarake – vlerë dizenjoje, pullalinjtë – me ornamente, më famozja prej tyre, legjenda e quajtur Gjaçe. Kush kishte gjaçe ishte mbret. Kjo e fundit shërbente për goditje (në Tiranë quhej kupac) nga pëllëmba e dorës me gishtin e dorës tjetër. Nishanllinjtë ishin të rreshtuar në një vijë të drejtë pak metra larg buxhakut. Kishte nga ata që e godisnin objektivin nga kjo largësi. Këta ishin mjeshtrat që fitonin dhe zotëronin arsenalin më të madh të kopsave, pra hierarkia e lagjeve të fëmijërisë. Zdromsi ishte në vetvete një gjaçe jo perfekte qysh në gjenezë dhe kur gjuhej, në vend të ikte drejt objektivit, fluturonte “zdrënkthi” pra ishte më tepër si tip elipsi, rreth i shtypur, “gjuajte si zdroms”, “të shkoi goditja zdrënkthi”, thuhej atëherë. Kur përdorej si epitet përçmues, zdroms kishte pak a shumë kuptimin e anglishtes loser.

Pozicioni social i lojtarëve me gjaçe qysh në atë kohë i kishte ndarë prioritetet e veta me një largpamësi mahnitëse. Kishte parashikuar dhe vënë në zbatim mu nën hundën e shtetit totalitar, principin e tregut te lirë. Mekanizmin për t’u pasururar. Ndarjen në oligarkë dhe mëditës në Lojën e madhe të Pullave! Konkurenca bëri që rrugët tona të ndaheshin. Një pjesë e jona me brisqe Astra ndër duar u prisnin pensionistëve kopsat e palltove nëpër lulishte dhe autobusa. Pjesa tjetër për të mbijetuar shpiku, duke vjedhur, renovatoren e famshme të epokës: “Xhakartën e Kombinatit”! Kjo ishte një rondele e cila për të qenë sa më efikase i zihej vrima me një kopsë të vogël dhe bëhej njish në trup dhe flatrim. Kishte një efikasitet mahnitës në goditje. U përmbysën shumë mite dhe legjenda, kampionë dhe patriarkë, oligarkë dhe të fortë. U ndamë në xhakartistë dhe pullalinj, ndërsa pas nesh vinin zdromsat. Kështuqë lufta për fitore dhe pasuri ka pas qenë e ndezur qysh në atë kohë, nuk filloi sot. Me ndërrimin e pushteteve dhe rrënien e sistemit në vigjilje të viteve ‘90, Loja me Pulla doli jashtë Loje!

Denis Dyrnjaja:

Më lejoni një saktësim. Zdroms quheshin kopacat që u ishin thyer buzët. Dhe brenda trekëndëshit ku vendoseshin kopacat që do humbje ose fitoje [batit, buxhakut, A.V.], pra para se të fillonte loja, binim dakord për këtë këmbim: një 3-lekësh me dy zdromsa që ishin po 3-lekësha me buzë të thyera. Shprehjen “këtë e kam 3-lekëshin e fundit të dorës” besoj se e mbajnë mend ata që kanë pasë luajtur. Unë kisha një 6-lekësh me brirë dhe një normal. Atë me brirë (që ishte një kopsë e madhe buzëtrashë palltoje me ngjyra të përziera si të ujëshme p.sh ngjyrë krem qumështi me damarë kafe) e kisha për të bërë namin. Ishte 6-lekëshi i dorës. Kisha një qese plot me 3-lekësha. Pa modesti kisha shumë nishan dhe në arsenalin tim nuk kishte zdromsa. Zdromsat i kishin zakonisht ata që nuk kishin kopaca dhe për të hyrë në lojë sajonin dy zdromsa dhe kishin vetëm 3-lekëshin e fundit që zakonisht pasi e humbnim të thonin a do ma falësh se e kisha 3 lekëshin e dorës.

Ergys Mërtiri:

Me kujtohet tani që kopacat e palltove të grave, në përgjithësi quheshin tavëll, kishte dhe disa të tjerë që quheshin flutur.

Loja me kopaca ishte vërtet burim dinjiteti në hierarkinë e autoritetit fëminor të kohës. Kishte brenda elemente të dueleve kalorsiake, por edhe elemente të tregut të lirë (madje, më shumë të tregut të zi), konkurrencës, kompeticionit. Pasuria e kopsave ishte status dhe të jepte një pozicion shoqëror, një farë rangu ne botën e vërtetë. Në një farë mënyre ky lloj aktiviteti përbënte botën tonë të disidencës fëminore, edukimin privat me “virtytet e rrugaçërisë” dinjtoze përballë edukimit steril e patetik të Partisë, që rriste tuhafë konformistë.

Gëzim Çakërri

Fjalën ZDROMS/ZDROMSA në Tiranë e kemi përdorur kryesisht për të përcaktuar një shok ose dikë që nuk ishte i aftë ose një ekip më të dobët. Ndërkohë që në grindje me dikë, kjo fjalë merte kuptim keqësues dhe shërbente si shkak për shkallëzim të grindjes (Ik mër ZDROMS dreqi). Përdryshe fjala ZDROMS përdorej në kuptim të gjerë për gjithçka që nuk ishte e mirë, si fj.vj kur thoshnim: Pse? Mu m’keni lon mo ZDROMSËT? ZDROMS dhe ZGJEBS ishin të njëvlefshme. Fjalën ZGJEBS e përdorim edhe sot për qentë me sëmundje lëkure. QEN ZGJEBS.

Lojën me kopaca e kam luajtur me seriozitet në vitet 70-74 në lagje. Ishte kryesisht lojë dimri. Loja konsistonte në një trekëndësh barabrinjës 15-20 cm (bati) dhe tre-kater metra më larg vija. Kopsat vendoseshin brenda batit (nuk duheshin ngjeshur) dhe sipas madhësisë vlerësoheshin si një, dy dhe tre-lekëshe. Dy dhe tre-lekëshet pasi nxirreshin, rivendoseshin ne bat dhe duhet të nxirreshin dy dhe tre herë jashtë me kopac që të fitoheshin. Kopsa duhet të kishte dalë plotësisht nga bati për t’u fituar dhe kopaci që prekte vijën e batit dilte jashte loje. Goditja direkt në kokë e kopacit të kundërshtarit/ve çonte në fitimin e kopsave pa patur nevojë që t’i nxirrje nga bati. Kopacët fshiheshin pas gurëve për të vështirësuar goditjen direkte dhe afrimi drejt batit bëhej me shumë kujdes. Loja vetë ishte spekulative dhe hileqarët si rregull fitonin gjithnjë. Burim sherri ishte vija e batit dhe shtyrja/afrimi i dorës në gjuajtje. Kopacat ndaheshin në pallapet, i frrujt, pesë-lekësh (i blenim në Mapo) dhe buzbardh. Buzbardhi ishte i rrallë dhe fantastik. E kishin pallto të vjetra italiane që ishin akoma vërdallë. Dor Keko kishte një të tillë dhe na batërdiste. Rregullat e lojës me bat funksiononin në të njëjtën mënyrë edhe për lojën me arra dhe zarat (thyenim kushinetat). Loja me arra luhej vetëm ditët e Vitit të Ri dhe i merrnim fshehurazi. Nuk mbaj mend që fjalën ZDROMS ta kemi përdorur specifikisht në lojën me kopaca.

Ardian Vehbiu:

Nga fëmijëria ime, e mbaj mend fjalën ZDROMS, por të përdorur me përçmim për njerëz: nuk e them dot saktë se me ç’kuptim, por kështu si në mjegull më vjen ideja e rreckamanit dhe e pisanjosit (siç e sqaroi Flutura Açka). Dhe nga ana e formës, kjo përfshihet bukur në një klasë me DHITS (DHJAKS), VDEKS, ZGJEBS, QYRRS, GUNGS, SHTREMS, SHURRS, ZHULS e kështu me radhë, si fjalë tipike për dialektin e Tironës. Nuk e dija kuptimin që kish në lojën me kopaca, nuk e kam luajtur, edhe pse mbaj mend që ia pata prerë një herë me thikë një kopac tim eti nga palltoja sovjetike në dollap, për t’ia falur një shoku që luante me komça gjithë ditën…

Por gjithsesi, tani që u përmend prapë kjo ZDROMS, u bëra kurioz të gjej se nga mund të vijë, dhe shfletimet tek Etimologjitë e Çabet më çuan te fjala ZDRAMË, “plaga që i bëhet kafshës në kurriz nga samari”, që në disa të folme të gegnishtes del edhe si ZDRAM (mashkullore), me kuptimin “lym, ndyrësi”, gjermanisht Schmutz; dhe në Mat (jo larg Tiranës) ZDRAMË del si “emër përbuzës që i vihet ndonjë gruaje me fytyrë të prishur”, në analizë të fundit, të vrarë lije. Sipas Çabejt, kuptimi primar i fjalës është ai i një plage të shkaktuar nga të vrarit e lëkurës, dhe ky autor e afron etimologjikisht me DREGËZ.

Për historinë e kuptimit të fjalës ZDROMS në Tiranë nuk di ç’të shtoj, përveçse që nuk do të habitesha sikur t’i referohej një personi jo vetëm të palarë (ZHULS) por edhe me dregëza dhe puçrra në fytyrë, për shkak të ndonjë sëmundjeje lëkure dhe, logjikisht, edhe të vrarë lije – duke qenë lija një nga ato sëmundje që, po të kishe fat dhe ta kaloje, të mbetej E SHKRUAR në fytyrë. Gjithnjë Çabej e krahason ZDRAMËN edhe me ZDRALË, fjalë e gegnishtes që përdor edhe Migjeni, me kuptimin ZHUL, por edhe ZHELE. Mund të përfytyrohet një ZDRAMS që pastaj, sipas rregullsive fonetike të së folmes tironse, kaloi në ZDROMS.

Po a të jetë kjo e njëjtë, si fjalë, me emrin e kopacit të çrregullt? Mbase ZDROMA kanë qenë quajtur imperfeksionet e kopacit, dhëmbëzat dhe pjesët e thyera (në analogji me vrimat që linte në lëkurë lia), sipas edhe shpjegimit nga Denis Dyrnjaja.

më lart, kur thotë që “ZDROMSA quheshin kopacat që u ishin thyer buzët”? Edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe jep, për ZDRËMË që është forma toskërisht, kuptimin “Vend ku është rrjepur një copë lëkurë te bimët; vend ku ka rënë boja, suvaja a diçka që vesh një send. Zdrëmat e drurit.”). Nëse është kështu, atëherë ZDROMS = ME ZDROMA… dhe kuptimi ZDROMS, për njerëzit, ka lidhje me linë dhe ndonjë sëmundje tjetër që të linte ZDROMA në lëkurë.

Eda Derhemi:

Në Tiranë fjalën zdroms e kam hasur gjithnjë për të karakterizuar një sipërfaqe, si ‘e parregullt’ ‘me gunga’, ‘e papastër’, ‘e palëmuar’, ‘e pabukur’, ‘pa simetri’, ‘e ashpër’ – përdorej sidomos për fytyra njerëzish të papastra, të parregullta dhe me deformime nga puçrrat apo edhe “probleme” asimetrish ose dukjesh të forta muskujsh në ballë, mjekër a mollëza që konsideroheshin joestetike. Sido që nuk luaja me kopaca, më duket tejet e mundur (madje, jam e bindur) që përdorimi në lojë me kopaca të jetë kuptim i dytë apo i tretë, figurativ dhe joparësor, ardhur si ngjashmëri me formën e parregullt, me cepa të këtij të parit. Duke qenë se loja zhvillohej në Tiranën e lagjeve atëherë mbushur me tironas, është normale që emri i këtij kopaci të bartte dialektin e vendit. Një shprehje shumë e përdorur me këtë fjalë ka qenë  ‘zdroma-zdroma’. P.sh. surrat zdroma-zdroma; mur zdroma-zdroma (në të dy rastet, po të pyesje nonën time ta shpjegonte kështu: “domethonë mush me bëllunga” “i shëmtut”). Gjithnjë kam menduar se nuk kish lidhje direkt me zhulin apo zhelet, por kuptimi ish zgjeruar që të përfshinte edhe ‘zhuls’ apo ‘zhels’ që nuk donin të thoshin vetëm që personi ishte i pistë ose rreckaman, por ishin të dy me komplekse duke përfshirë mungesën e formës së duhur, stilit, prejardhjes së mirë etj. Pra, në këtë zgjerim, nuk më duket çudi edhe që ‘zdroms’ dhe ‘zhuls’ a ‘zhels’ të takoheshin. Por në kuptimin që lidhet me lëkurën e malësuar ose me dregëza e gunga pune të kafshës (zdrëmat e mushkës – ndër toskë) duket të gjejë amën e vet. Më duket i përligjur shpjegimi i Çabejit të cilit i referohet Vehbiu më lart. Këtë kuptim unë në fakt nuk e dija, por e pashë tani në fjalor. Kuptohet qe s’kish pse ta dëgjonim me këtë kuptim në Tiranë, kur s’para shihnim kafshë përreth, dhe aq më rrallë u diskutonim plagët. Unë s’e kam dëgjuar kurrë për qen të sëmurë a me dregëza që në Tiranë nuk mungonin. E kam hasur edhe në një shprehje rruge që besoj se përdorej si sharje veç për hir të aliteracionit: “t’i zdrugoj zdromat!”, që gjithashtu më lidhet me kuptimin gungat, bëllungat ose bëlldungat, deformimet etj. Nga sinonimet që Vehbiu konsideron si të një kategorie me të, më duket më afër me ‘shtrems’.  Por, sido që përdorej kryesisht për meshkuj, e kam dëgjuar të përdorej edhe për femra: “dava zdromsje!”. Besoj se kjo ishte lagje-lagje.

 

© 2020, për përmbledhjen, Peizazhe të fjalës™. © Secili nga autorët më lart, për tekstet e cituara, të cilat i kam redaktuar nga pak, sipas rastit, por pa i prekur në thelb.

Shënim: Falënderoj nga zemra të gjithë kolegët që më lejuan t’ua citoj të plota ndërhyrjet e tyre. Nuk arrita dot të lidhem me Denis Dyrnjanë për t’i marrë leje; po ia nxjerr komentin, me shpresë se do të më mirëkuptojë. Gëzim Çakërri ma dërgoi materialin veçan, pasi ia kërkova unë. AV

8 Komente

  1. Hmm, te ishe nishanlli ne lojen me kopaca nuk ishte ndonje status social me sa mbaj mend une, kurse loja me pulla ishte per cunat e mamit. Status I pare ne lagje ishte kush rrifte kë, te tjerat me mbrapa.vlera e robit pastaj dukej kur ndaheshin skuadrat per cfare do loje: futboll, ngriva-shkriva, komançe etj. Ato qe zgjidhnin ishin gjithmone dy me te miret. Ato qe zgjidheshin gjithmone tw paret ishin ato me me vlere, kurse po te ishe gjithmone I fundit, edhe sikur gjithe pulla e shteteve te botes te posedoje, po mut muti ishe.
    Une per vete te preferuar kisha nje kopac “anglez” qe cuditerisht askush nuk e ka permen.

    1. Loja me kopaca dhe zara e ka zanafillen qysh ne fund te viteve 50. Sigurisht cdo brez e asocijon me kohen perkatese te veten. Nje loje tjeter qe per ca kohe qe e preferuar ishte edhe loja me “paqeta” dmth me kartonat e ballines se paketave te cigareve. me rregulla te peraferta me ate me kopaca, ku per “kopac” perdorej nje pete guri e holle dhe mundesisht sa me e rrumbullaket, qe hidhej me dore, kurse paqetat vendoseshin brenda batit,qe ne kete rast ishte ne forme rrethore.

      Nga terminologjia e lojrave me kujtohet qe kur kopaci gjuhej nga pellemba e dores quhej “flutrash” per ta dalluar nga kur kopaci goditej drejt nga trualli, kurse kur kopaci “llocte” brenda batit quhej “tumllas”, ose “tumllash”.

    2. Me duket se e thote Max Goldt diku, se politikane behen ata qe jane rrahur te vegjel, keta “mut-muterit”. Dmth. eshte interesante qe te tilla stereotipe ekzistojne ne shume kultura. Megjithate, kjo eshte nje qasje totalitariste ndaj adolishences apo grupimeve shoqerore. Ka disa nivele e grupe shoqerore (peer groups), sic edhe verehet ne ato filmat me adolishente ne SHBA (ne geeks, emos, punks etc.). Tre shoke qe mbledhin pulla e diskutojne per superfuqite e bombat e tyre, nuk e kane te rendesishme te dominojne lagjen apo te shquhen ne vjedhjen e vreshtit te kooperatives – fundja lagjen e dominonin gjithsesi cubat dhe grabitesit, as ata qe loznin mire futboll, e as ata qe luanin me kopace apo kepusnin ndonje koker rrush tek bahcja e Velos, megjithese mund te thirreshin nga keta per ndonje loje.

  2. Une nuk I shoh marredheniet shoqerore si totalitariste apo demokratike, vecanerisht ne adolescence. Instikti I dominimit eshte shkalla elementare qe njeriu ngjit instinktivisht ne rrugen e mbijeteses. Zakonisht kjo eshte tendenca e lidershipit ose e nenshtrimit qe ka cdo njeri ne karakter. Ndryshimi eshte ne rrugen dhe shkallen e suksesit. Ca mbeten prijes ne kope ujqish dhe perfundojne burgjeve, ca behen drejtora e ministra dhe ca behen barinj njerezish si Hitleri apo Jezusi. Te tjeret punetore dhe fshatare ose dhe libralidhes.

  3. Se ditkemi qe fjala zdroms vikeka nga loja me pulla. Ne dialektin verior eshte “zdram” qe ka kuptimin e e nje objejti te ngrene, te grisur qe s’eshte i plote. “Mos e zdram buken rruges”, na porosiste mami kur na conte me ble buke. ” i jan zdram rrobat krejt te shkretit” per dike te leckosur. Zdrams perdorej per “rob koti”.
    Pastaj, nje hierarki me lart se loja me pulla, ishte loja me lek. Si kaqol perdoreshin tapat e birrave. I merrnim zvarre nepr trotuar, si n je lloj zmerilimi te siterfaqes dhe per t’i bere me te rende nga brenda iu vinim nje lek me Duce, keshtu kaqoli nuk mund te deshtonte per t’ju kaluar lekeve siper dhe t’mos i nxirte nga trekendshi.

    1. Fjala zdroms nuk vjen nga loja me komça – si edhe terma të tjerë të asaj loje, është adoptuar atje si metaforë. Merita e lojës, nëse mund të shprehem kështu, është se e ka mbajtur fjalën të gjallë në dialektet urbane, gjatë një periudhe kur përdorimet e saj të tjera, përfshi edhe ato më “të vjetrat”, janë tkurrur. Për një hipotezë, se nga mund të ketë ardhur kjo fjalë (etimologjikisht), shih kontributin tim te ky diskutim, ku theksoj edhe lidhjet motivuese me fjalën zdramë.

  4. Ne Tirane, loja me kopaca ndali diku ne fillim te 1997, pra ndali me fillimin e trazirave. Veshtire te rrije ne rrugë kur te fluturonin plumbat kokes. Loja me shpata druri diku nga 1994-1995 (kujtime nga e fundit lufte mes lagjesh te 21shi).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin