Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

KUJTESA JONË MUZIKORE DHE UMBERTO ECO

(Si i përgjigjemi Umberto Eco’s kur na trazon me pyetjen: “Ç’farë na shkakton kujtesa muzikore?”)

Nga Eda Zari

 

“Brendazi muzikës, Zoti u la njerëzve kujtimet e parajsës së humbur.”

Hildegard von Bingen

Mjafton të dëgjojmë vetëm disa tinguj, tone, dy masa melodi – dhe përnjëmend e gjejmë veten duke udhëtuar në Saudade-n[1] e t’kaluarës sonë. Por, pse është pikërisht muzika ajo që rikëndell më fort kujtimet tona?

Në vitin 2004 Umberto Eco botoi romanin me titull “Flaka Misterioze e Mbretëreshës Loana”. Bëhet fjalë për një librar antikuarësh i cili ka humbur kujtesën e tij, pasi ka pësuar një goditje cerebrale. Por në tik-takun e kujtesës së Giambattista Bodoni-t – emri i personazhit- shihet se ka një kleçkë habitare! Megjithëse në kujtesën e tij ai mbart me saktësi të pashpjegueshme njohuri letrare, çdo poezi, varg, emra librash, përmbajtjen e tyre, datat, faktet…ai nuk njeh më gruan dhe vajzat e tij, asgjë s’i kujtohet nga fëmijëria, madje as vetë emri i tij s’i vjen ndërmend. Mirëpo, atë e lë kujtesa poaq kur bëhet fjalë për ndjenjat dhe gjendjen shpirtërore, moralin, empatinë, entuziazmin ose hezitimin.

Në këtë situatë, e shoqja (në përpjekje për të ripërtërirë kujtesën e t’shoqit) arrin ta bind që ai të kthehet në vendlindje, në shtëpinë e gjyshit – aty ku kish kaluar pushimet verore në vitet e fëmijërisë. Gjatë qëndrimit në finkën[2] – mes kodrave të Torinos dhe Milanos – Bodoni bën mund të vetëdijësohet duke u vënë në kërkim të çdo dëshmie që e lidhte me gjithë – Gjithçkatë – që meazallah se i kujtoheshin; aktivitetet e shkollës, ditarët e adoleshencës, vizatimet, comics (stripat vizatimorë)[3], skicat, himni fashist i partisë – “Giovinezza” – (të cilin e këndonin në shkollë tek ngrihej flamuri në apelin e mëngjesit) – versioni origjinal kishte thirrjen “Lavdi Duçes”- e që këndohej kurdo e kudo, dhe lista vazhdon!

A propos listat…

Arkitektura e listave është një ndër specialitetet e Umberto Eco-s (s’do mend që s’më soset admirimi për listat e pafundme të Eco-s), por në këtë roman ai i kushton një kapitull të tërë përshkrimit të sendeve muzikore dhe vendit ku pretendohet të rimëkëmbet kujtesa!

Vendi – Eco nuk i ndërpret asnjëherë alegoritë e tij – është një papafingo e bollshme në të cilën ruhen gjërat e panumërta të një fëmijërie dhe rinie të hershme përfshi dhe dy vitet e fundit të Luftës II Botërore. Nën çati, Bodoni gjen katalogë radiosh, radio, aparatura, pllakate artistësh, madje ai gjen regjistrimet më të njohura të viteve të fundit të luftës dhe periudhës së hershme të pasluftës, muzikën e preferuar të gjyshit të cilën e dëgjonin bashkë mbrëmjeve. Është pikërisht çasti kur Bodoni gjen muzikën e Glen Miller “Moonlight Serenade”, muzikë që pat shoqëruar tronditjen e tankeve amerikane në veri të Italisë, albume me këngë fashiste, këngën partizane “Bella Ciao”, ose “As Time Goes By” – një këngë që edhe njerëzve me aspak vesh ose memorie muzikore u kujtonte Ingrid Bergman dhe Humphrey Bogart tek “Casablanca”, apo fokstrotin[4] “Mille lire al mese”. Sigurisht, mes gjithë këtij bollëku sendesh do të ketë patur edhe revista ose literaturë pikante të asaj kohe, por ato qenë më pak interesante, sepse duhet të themi se “L’Éducation sentimentale”[5] (Gustave Flaubert) e djalit të dikurshëm dhe gjithë brezi i tij, u zhvillua duke patur si bazë edukimin katolik dhe ndjesinë e fajit.

Heroi i Eco-s (një dubël autobiografike – vetë e kam pagëzuar – Eco Bodoni) duhet të humbasë kujtesën për të rizbuluar botën e një kohe të shtrenjtë, aty ku jetonte dashuria e parë, muzika e fëmijërisë, pa lënë jashtë meditimin finok mbi vetëdijen njerëzore. Përbrenda kufizimeve të aftësive dhe rrëmimeve të Bodoni-t, Eco krijon larushi befasish dhe kënaqësish në të njëjtën kohë përmes përshkrimit të muzikës, pllakat e gramafonit – albume mbi të cilat shkëlqenin emrat e shtëpive diskografike legjendare; Odeon, Columbia, RCA Victor, Parlophon, Decca, Disco Grammofono etj.

Personalisht librin do e rilexoja si një letër dashurie adresuar letërsisë biografike, ose si një gërmim kulturor-muzikor të viteve 40. Por, teksa përmend më lart kapitullin me listat e pafundme (emra artistësh, këngë, muzikë), më josh ideja të ngre poaq një  fragment personal të muzikë-kujtesës sime, për t’iu avitur më pranë trazisë por dhe dehjes që më shkakton pyetja e Eco-s, dhe zjarrtisë që mbart tema në vetvete.

Zemra ma thotë se kujtesa muzikore është një institucion darovitës, qerasës! Madje duket se bëhet gjithnjë e më bujare me moshën.

Për shumicën e njerëzve, kujtimet muzikore shkojnë më thellë se gjurmët e lëna nga librat, filmat ose fotografitë. Fjalët dhe fotografitë cilësojnë diçka që është jashtë vetvetes. Ndërsa tonet dëftejnë veten e tyre, tingullin. Tonet e kujtuara janë abstrakte, si ëndrrat, të paprekshme, por mbartin një intensitet të madh. Kjo është arsyeja pse ato njëkohësisht marrin trajta brenda nesh, dhe na shpalosen gjallërisht në sytë e mendjes.

Kushdo që ka “shkelur” rregullat e PPSH-së dhe tinëz ka ndjekur stacionet televizive jugosllave, në fillim të viteve 80’të, për të parë ndër të tjera emisionin Crtani film[6] (mënyrat janë të njohura), nuk u ka shpëtuar pa parë “Pink Panter”[7] – si dhe dëgjuar temën instrumentale prej një xhazi “detektiv”- luajtur në saksofon tenor. “Padum – Padum”… !

Nga një re e mbushur plot pluhur yjesh, ja behte Pantera aristokrate, duke mbajtur një çibuk të gjatë prej nga dilte tymi i stilizuar i cigares. Natyrisht televizori “Iliria” përcillte veresie bardh’e zinë, që edhe Revistën Televizive e bënte të dukej elitare si intervistat televizive të Hannah Arendt me Günter Gauss në vitin 1964!

Në atë kohë, nuk dija kush qe Henry Mancini as Plas Johnson[8], por njihja Rozën, një gjitone grekofone, doktore e shkencave ekzakte që banonte një kat sipër meje – për mua (12 vjeçaren) Roza qe gruaja më e bukur e 21 dhjetorit në Tiranë. Buzët i kish mishplote – bojë si vet’emri saj, lëkurën ngjyrë gruri, këmbët e saj në taka – një poezi prej Safoje, floku i derdhej si atllas i zi, ndarë më dysh mbi gjinj. Kur përshëndeste dikë, fjalët i dilnin jo me përtesë, por prej natyre fliste në “slow motion”. Ajo i ngjasonte tipit të gruas që përshkruan Çehovi tek “Zonja me kone”!

Pink Panter s’kish asnjë lidhje me Rozën, por çdo herë përballesha me këtë grua, ecja e saj përgatiste – TTS-ën (tritone substitution)[9] më alarmante në sytë e mëndjes sime. Tema e Pink Panter-it i rrinte hapit të saj, “prerë” fiks për të! Dita sot kur dëgjoj “Pink Panter”, si me sustë më përhitet Roza, takat më hirplote dhe me titull akademik që patën njohur shkallët e hyrjes sonë, modeli femëror i vajzëris’sime!

Shumë ngjarje, vende, njerëz, ndjesi, empati të fëmijërisë por dhe adoleshenca ime pjesërisht është shoqëruar nga muzika e Morricone-s dhe Henry Mancini-t. Mancini dhe repertori i tij, radhitet në panteonin e kompozitorëve të lëvduar, që shquheshin për vokabularin sparkativ muzikal: nga swing, jazz, deri tek muzika filmatografike!

Përmend kolonat zanore të filmave më të njohur apo “jazz standards” si psh.; “Feelings”, “Love story” – këngë që luheshin në tavernën e hotel Dajtit, ku kitarist i grupit ishte dajua im; po të njëjtat këngë i dëgjoja (përtej pogonishteve) në mbrëmjet festive te 28-29 nëntorit në “SHQUP”[10] – ku ishim të ftuar për meritat e tim eti (si tankist dhe djagaçist i dalluar – por i degraduar nënoficer), apo “Moon River” – këtë pjesë e luanin shpesh duke e justifikuar si vals!

Jo rastësisht e sjell muzikën e Mancini-t si shembull, (s’do guxoja kurrsesi ta degradoja atë duke e pagëzuar me emrin “muzik’kujtuese”), sepse aktualisht repertori i tij më tërheq.

I mëshoj faktit se memoria nuk konsiston doemos në rikonstruktimin e të kaluarës. Ajo ngjallet vetëm kur ngreh relatë me të tashmen, dhe gjithçka varet nga mënyra si e rinojmë kujtesën tonë – parë sidomos nga fokusi i muzikantit!

Friedrich Nietzsche nuk kursehet kur shkruan në vitin 1872 (ndikuar nga libri i Eduard Hanslick[11] “Vom Musikalisch-Schönen” – Prej së bukurës muzikale) një kontribut mbi çështjet e estetikës muzikore dhe artit tonal), një kritikë ndaj muzikës së Wagner-it, teksa ky i fundit kish kompozuar një vepër bazuar edhe mbi elemente të një kujtese romantike. Ama, sipas Hanslick dhe Nietzsche-s ishte restauruar aq keq, sa as si parodi nuk ia vlente: “Ajo çka ka mbetur tani nga muzika është sëkëlldia ose përkujtesa muzikale – përndryshe tanimë muzika është mjeti stimulues për nervat e shurdhuara e të lodhura ose thjesht një bojaxheshë e toneve”.

Më atë kohë filozofi nuk mund të imagjinonte se veprat muzikore më të njohura të jetës së tij prej pesëdhjetëvjeçari (domosdo dhe “hitet” e mëdha të muzikës klasike), do bojatisnin pafundësisht memorien tonë, përmes qarkullimit të tyre në rrjetet dixhitale. Sidoqoftë, në lidhje me marrëdhënien e kujtesës muzikore por dhe estetikës Nietzsche-ja ka të drejtë – sepse muzika është dizajnuar si një përllogaritje sistematike për t’na kujtuar të kaluarën (paçka se estetikisht duket si një mbivendosje e standardizuar e imazhit emocional), e cila me gjasa – o na deh me rum sentimental, në mos po na kushton gulçe estetike të reja.

Por vërej se memoria ose kujtesa muzikore përthith më tepër muzikën tradicionale sesa muzikën klasike, apo le ta quajmë atë më të sofistikuar. Ka një arsye, të cilën mbase duhet ta themi me kujdes, por që ka njëfarë rëndësie për trajtimin e kujtesës muzikore. Folklori është përzierja e të gjitha stileve që afron e ngjiz – xhazin e klubeve, fyejt bukolikë, violinën e salloneve, klaviçembalin moxartian, madrigalët e Rilindjes, daullet e luftës, nina-nanat e djepit – në një pasuri të vetme prej kujtese të gjallë. Me fjalë të tjera: muzika tradicionale është premtimi i memories muzikore për publikun e gjerë.

Në marrëdhënie me kujtesën muzikore, nga pozicioni i artistit personalisht prirem dhe synoj të fitoj (përtej nostalgjisë, melankolisë që fal muzika në llojin e saj) një përvojë komunikuese estetike nga e kaluara e kujtesës sime muzikale me të tashmen. Do ishte triviale nëse volumi i kult-kujtesës muzikore do furnizohej me papastërti profesionale estetike tonale!

Siç e do zakoni njeriu vete po tek fillimi kur sos në fund!

Eco vdiq në shkurt të vitit 2016. Dy nga shokët e tij, fizarmonicisti Gianni Coscia – me të cilin Eco pat’ shkuar në shkollë në Piemonte, dhe klarinetisti Gianluigi Trovesi kanë realizuar një album që nuk është thjesht një lloj rrëmimi për të rikthyer shokun e humbur të fëmijërisë, por këngët e tyre formojnë një shtojcë muzikore të romanit të tij “Flaka Misterioze e Mbretëreshës Loana” (ECM Records, Qershor 2019).

E që ti vëmë kapak të florinjtë temës, sërisht citoj Umberton që na mbudh: “Nuk ka kujtesë, po s’pati harresë në të njëjtën kohë”.

(c) 2020 Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Koncepti galician i Saudade-s mund të përkthehet afërsisht si trishtim malli, melankoli, dëshirë bredhjeje në një të shkuar lumturake – dashurore.

[2] Finca nënkupton një vilë mes një pronë bujqësore, zakonisht e përrethuar me pasuri: shpesh me pishinë, plantacione pemësh, me fermë e kodrina përngjitur. Gjithmonë larg qytetit.

[3] Comics është një emërtim që përfaqëson një sekuencë fotografike apo grafike. Si rregull, librat vizatimorë dhe personazhet e tyre kombinohen me tekst brenda një flluckë me – bam / bume -onomatopeike. Nuk hamendësoj kur them se kjo literaturë e ka shpënë Eco-n tek Semiotika.

[4] Fokstroti është një vallëzim romantik, i cili kërcehet në çift duke kombinuar endjen dhe pendë-hapat. Praktikohej në ballo-sallonet e viteve 20’të. Shpesh luajtur nga big bande bazuar në taktin 4/4, me ritëm rreth 120 deri 136 rrahje në minutë.

[5] Edukimi ndjesor – një ndër librat moralistë më të përfolur të vitit 1869, në të cilin Gustave Flaubert tregon mbi ndjenjën e edukimit dhe zhgënjimin e një brezi të tërë.

[6] Filma vizatimorë-multiplikativë, me shumë potere muzikale e fjalë – të konceptit onomatopeik.

[7] Karakteri vizatimor Pink Panter, u shpik nga Friz Freleng – krijuesi i figurave të Looney Tunes (si Bugs Bunny, Speedy Gonzales, Tweety Bird) dhe David DePatie:

[8] Johnson, saksofonist dhe multi-instrumentalist amerikan i veglave frymore (saksofon tenor dhe bariton, klarinetë dhe disa lloje flautesh. Përtej interpretimit të tij legjendar tek tema e muzikës së filmit “Pink Panter”, ai njihet në skenën e jazz-soul dhe hardbop për kontributin e tij instrumental.

[9] Akordi tritone substitution (term i vështirë por lehtësisht i kuptueshëm), ofron një gamë të gjerë mundësish për “dizajnimin emocional” tonal brenda një fraze apo melodie – duke zgjeruar mundësitë harmonike të kadencave standarde. P.sh. akordi G7b5 mund të zëvendësohet me C#7b5.

[10] Në Tiranën e viteve 30 ekzistonte Shtëpia e Oficerëve (ish Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve në vitet 70-80-90; ish Ministria e Kulturës në 2015), më vonë për ushtarakët nevojitej diçka më “reprezentative” dhe u ndërtua SHQUP-i -Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore, sot selia e PD-së.

[11] E. Hanslick – pionieri që dha kontribut të pashembullt për rishikimin e estetikës dhe artit muzikor në vitin 1854. Ai është vlerësuar jo vetëm si brisku më i mprehtë i kritikës së artit; edhe sot njihet si esteti që guxoi të kritikonte Richard Wagner-in (për të cilin ky i fundit u hakmor përmes figurës së Beckmesser-it, në Meistersinger), si dhe vendosi reformat e reja në akademitë e teatrit dhe operës gjermane. Gjithë veprat e tij janë sot program për estetikën tonale. Ai gëzon simpatinë time mbi të tjera sepse Eduard preferoi muzikën e J. Brahms, dhe kundërshtoi veprën e A. Bruckner (sidomos simfonitë).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin