SHKENCA DHE CERMA

Bie shi në New York dhe mua më ther supi dhe krejt krahu i djathtë, deri poshtë te kyçi i dorës. Pyes me vete: pse dhembin kockat, kur prishet koha? Pyes pastaj Google-in: pse dhembin kockat kur prishet koha? Why? Kapërcej një numër reklamash për analgjezikë dhe pomada gjithfarësh, dhe lexoj: “shkenca akoma nuk e ka sqaruar dot shkakun e kësaj dhimbjeje.” Me sa duket, duhet të jetë diçka shumë e koklavitur. Sa kohë që shkenca më tregon mua, me saktësi të frikshme, strukturën e atomit dhe identitetin gjenetik të koronavirusit; dhe Google-i, i njëjti Google, më ndjek hap pas hapi kudo që shkoj për të më dhënë sugjerimet përkatëse – p.sh., një bar kundër hemorroideve, kur shkoj në nevojtore; ose një bar kundër kapsllëkut, kur nuk shkoj në nevojtore…

Shkenca ka bërë shumë përpara, në këtë fushë. Ua ka kaluar edhe atyre qenve të rrallë, që thonë se mund ta dallojnë kancerin me të nuhatur. Para pak ditësh lexova se një analizë e thjeshtë e gjakut ose e pështymës mund të ta japë, me saktësi, probabilitetin nëse do të vdesësh brenda pesë vjetëve të ardhshëm. Sa bukur! Ke kohë që t’ua falësh të vobektëve të gjitha! Deri edhe të botosh veprën e plotë (dhe ta shesësh po ti vetë)! Tani madje mjekësisë po fillojnë t’i besojnë edhe mjekët… ti shkon për t’u gjetur derman lytheve, dhe mjeku: “duhet të lësh duhanin!” Dhe ti: “Po unë e kam lënë duhanin!” Dhe mjeku: “Jepi pak kohë trupit sa të mësohet…” Shkencës sot i mjafton një fije floku e jotja, për të gjetur nëse e ke kushëri të largët Çengiz Khanin. Ose Timurlengun. Ose Sharlëmanjin. Ose të gjithëve bashkë – nuk ke ç’i thua. Mirëpo këtë dhimbjen e kockave kur prishet koha dhe bie shi nuk po e ftillojnë dot. It’s all in your mind, do të thoshte Freud-i dhe tërë armata e psikosomatikëve. Po more, doemos, mbase edhe shiu që bie, thjesht është halucinacion imi, ngaqë i qullja shpesh pelenat, kur ende foshnjë. Dhimbja si ndëshkim për të pshurrurit në vete. Por këtu do të futej mjeku tjetër, ai prej vërteti: brenda një shkalle nga 1 në 10, ku do ta vendosje dhimbjen që ndien? Dhe pastaj: shkruaj këtu poshtë një listë të barnave që merr dhe që ke marrë këto 1 deri 10 vjetët e fundit. Të paktën nuk i akuzon dot që nuk përpiqen – se vetëm ashtu mund të shkojë shkenca përpara. Sërish, e dashur Google, pse dhembin kockat kur prishet koha? Më në fund, e gjej përgjigjen, nga ai tempulli i shkencës, që është Universiteti Harvard: Ja pra, që NUK QENKA E VËRTETË, që kockat dhembin, kur bie shi. Edhe pse njerëzit e kanë besuar këtë për mijëra vjet (dhe e kanë ndier dhimbjen, si me thënë, në palcë), shkenca e thotë tani qartë: kemi të bëjmë me një bestytni, një mit, një sajim mendjesh të paditura. Përkundrazi, mund të ndodhë, thonë këta shkencëtarë, që të bjerë shi, kur na dhembin kockat – por dermanin këtu duhet ta gjejnë meteorologët, jo mjekët. Ja kështu.

© 2020, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Ja kështu. Edhe mua me dhembin kockat keto dite qe u prish koha. Pastaj shkoj tek osteopati dhe ai me nje masazh te lehte m’i sjell kockat e vend.
    Kete testin e peshtymes s’e kam bere ende. Por me ritmet e breshkes, s’me mjaftojne 5 vite qe te bitis gjerat e paperfunduara.
    Me pelqeu rrefimi, mund te beje nje roman te tere me kete subjekt

  2. Ndoshta lidhja midis dhimbjes (së njeriut dhe tëndes në këtë rast) dhe shiut, ujit pra, mund të ftillohej disi duke u nisur nga fakti gjerësisht i njohur që tri të katërtat tona janë prej uji dhe – jo së fundmi – që ne natyrisht që ndërveprojmë me natyrën dhe ajo me ne gjithashtu. Por po më vjen zor ta shtjelloj më tutje përsiatjen, pasi këto janë gjëra që dihen.
    Personalisht kam të njëjtin problem me atmosferën, jo me dhimbje e me therje kockash, por me një gjëndje shpirtërore që vjen e më rëndohet deri në depresion, aq sa më bëhet se do të thyhem më dysh, gjersa – më në fund – zënë e bien pikat e para të shiut.
    Nëse bubulllin e shkrepëtin e shëmbet qielli me rrebeshe, aq më mirë: atëherë më bëhet se rilindem ato çaste, për t’u ndier i fare i shëlbyer, nëse qielli çlirohet i tëri nga retë.

    1. Une them se eshte dic me e thelle. Kokat tona jane lidhur me fije te padukshme, tipi i mekatit fillestar, e kur dikush ne Filipine i bie lavamanit me koke apo Xhaxhait i troket koka ne tubin mbajtes te metrose, mua me dhemb cacka sa nuk hapet dysh. Edhe kur trysnia atmosferike eshte e ulet, tavani i qiellit duket se me peshon siper kaptines e supeve. Nese vuaj per gjynahet e kesaj bote, bujrum! Vec te ndahet ca kjo bare, kerkoj.

  3. Hahaha me kujtove nje histori me kete.
    Shkon njeri tek doktorin dhe I ankohet se njera testikul I ishte bere blu. E viziton doktori dhe I thote qe kjo pune nuk ka sherim, ndaj me e mira eshte qe ta heq njeren testikul qe te shpetoje tjetren. Mbase dy javesh vjen I njejti pacient dhe ankohet se ka te njejtin problem edhe tek tjera dhe doktori ia heq dhe tjetren qe te shpetoje. Nje jave me pas vjen serish I njejti fakir.
    -Doktor – I thote. Une I hoqa te dyja koqet po prape me eshte bere blu vendi.
    U nxeh doktori.
    – Pa xhishu dhe njehere I thote. Dhe pasi e rrotullon dy tre here para mbrapa I kthehet: – Po ty te nxirrkan boje xhinset mor gomar!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin