Në esenë e parë në lidhje me kullën Downtown One Tirana shpreha shqetësimet e mija në vija të përgjithshme për sa i përket qasjes konceptuale të arkitektëve në dizajnin e ndërtesës. Në këtë ese dua të përqëndrohem tek ato që për mua janë probleme më konkrete të realizimit të projektit nga pikëpamja e integrimit urbanistik dhe arkitekturor në hapësirën ku po ndërtohet në Tiranë. Në fillim do të shikoj atë që autoriteti shtetëror nëpërmjet planeve vendore sugjeron apo rregullon (nëse kjo ndodh) për ndërtim në këtë parcelë ku po ngrihet kulla specifikisht, dhe në atë menjëherë ngjitur saj në lindje, ku tashmë është instaluar njëfarë parku, që mjerisht mendon të zëvendësojë parkun e lojërave 7 Xhuxhat. Më pas do të kritikoj zgjidhjen e ofruar nga arkitektët për të evidentuar që agjencia dhe ekspertiza e tyre, sado subjektive qofshin këto në lëmin e dizajnit, për mendimin tim, nuk janë ushtruar kritikisht, por vetëm formalisht, si një përgjigje gatitu ndaj dëshirës së zhvilluesit. Kjo vë në dyshim edhe arsyen e zgjedhjes së një firme kaq të mirënjohur, për aq kohë sa ajo nuk ofron zgjidhjen inovative që emri i saj premton. Them zgjedhjen dhe kërkoj ndjesë nëse gaboj kur mendoj se për të vendosur se ç’do duhej bërë me një bllok kaq të rëndësishëm në Tiranë, e aq më tepër për të ndërtuar kullën më të lartë në një vend, do t’ishte e arsyeshme ftesa në konkurs e disa urbanistëve, arkitektëve, e inxhinjerëve.
Duke qenë se nuk jam i përfshirë nga afër dhe nuk jam i njohur me kodin e ndërtimit në Tiranë, dokumentet që po përdor si referencë janë ato që lehtësisht munda të gjej në faqet publike të Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Dokumentet janë paketat e udhëzimeve për hartimin e një plani të detajuar vendor (PDV) dhe plani i përgjithshëm vendor i Tiranës (PPV). Bashkëngjitur në fund të shkrimit mund të gjeni vendndodhjen e tyre. I lutem çdokujt që ka referenca më të sakta të më korrigjojë.
Po e filloj nga plani i përgjithshëm vendor i Tiranës (PPV). Plani tregon qartësisht njësitë strukturore në të cilat është ndarë Tirana dhe stadin e tyre të zhvillimit. Gjithashtu për çdo njësi strukturore, ndër të tjera, na thotë nëse nevojitet apo jo një plan i detajuar vendor (PDV) dhe funksionin e ndërtesave të propozuara aty. Sipas këtij plani (PPV), dy parcelat, për të cilat po shkruaj, janë të trajtuara si një njësi strukturore e vetme e quajtur TR97, gjë që do të sugjeronte zhvillimin e tyre të përbashkët. Kjo njësi strukturore duket të ketë nevojë për një plan të detajuar vendor (PDV), i cili parashikon me më shumë detaje ndërtimin në njësinë strukturore. Gjithsesi këtë PDV për njësinë strukturore TR97 nuk arrita ta gjej, as në këto faqe e as në ndonjë tjetër, dhe nuk e di nëse është hartuar nga një instancë publike apo private. Sido që të jetë, duket që të gjitha palët e përfshira të jenë marrë vesh dhe të kenë vendosur që Po! ky PDV me kullën me të lartë në Shqipëri dhe, si për t’i amplifikuar madhështinë kullës, parkun më të vogël në botë, të jetë çka zë vend më së miri në njësinë strukturore TR97.
Megjithatë, vetë bashkia e Tiranës, nëpërmjet udhëzuesve të saj, sugjeron mënyra të ndryshme të ndërhyrjes në territor, dhe për të mos hyrë më thellë në kushtet teknike, që pa dyshim mund të jenë përmbushur mjaftueshëm për të legjitimuar projektin, po citoj një paragraf nga udhëzuesi i bashkisë mbi tipologjitë hapsinore (udhëzuesi PDV Faza II, fq. 46):
“Tipologjia hapsinore konsideron njëtrajtshmërinë e llojit dhe volumit të strukturave në territor, si dhe organizimin e tyre në parcela apo përgjatë skemave rrugore duke gjeneruar tipologji strukturash dhe hapësirash që ndikojnë në hapësirë publike dhe volumetri urbane të unifikuara për nga forma dhe përmbajtja e tyre.”
Me aq sa e kuptoj gjuhën e drunjtë që përdoret, jam dakord me këtë paragraf që na sugjeron të konsiderojmë njëtrajtshmërinë e llojit dhe volumit të strukturave dhe volumetritë urbane të unifikuara për nga forma dhe përmbajtja. Para ndërhyrjes, në këtë njësi strukturore ekzistonte parku për fëmijë 7 Xhuxhat dhe anash tij, një parking i hapur. Në njësinë ngjitur në perëndim ishte dhe vazhdon të jetë ndërtesa me logon e bankës Raiffeisen, e cila gjithashtu është relativisht e lartë në krahasim me çfarë ka rreth e rrotull. Pra, për mua, dhe idealisht edhe për autorët e paragrafit më lart, problemi fillon që me ndërtesën me logon e bankës. Për aq kohë sa nuk e di saktësisht qëllimin pas dizajnit të asaj godine, ashtu siç edhe nuk di qëllimin pas Downtown One Tirana, për sa i përket arsyeve të formës së tyre dhe veçanërisht lartësisë, mund të gjykoj vetëm nga ajo që shoh. Nëse i hedhim një sy hartës së Tiranës, në këtë zonë do të shohim që këto njësi strukturore (TR596 dhe TR97) janë të vetmet njësi në jug të lumit të Lanës dhe në lindje të rrugës Papa Gjon Pali II që strehojnë ndërtesa në disproporcion me shkallën e stofit urban të parcelave rrethuese. Lana dhe kjo rrugë mund të lexohen si vijat ndarëse natyrale midis parcelave në juglindje, që kanë pak a shumë njëtratshmëri lloji dhe volumi, dhe janë pak a shumë të unifikuara për nga forma dhe përmbajtja, dhe njësive në veriperëndim të lumit dhe rrugës, që janë përgjithësisht ndërtesa me funksione publike me një dendësi tjetër, të përziera me zona të gjelbra, të cilat, gjithsesi, janë të lexueshme si të njëtrajtshme. Atëherë kur këto dy karaktere qartësisht të ndryshëm janë qartësisht të ndarë nga këto dy arterie, përse ndryshohet shkalla e TR596 dhe TR97 në mënyrë kaq drastike? Mund të hamendësojmë që këto ndërtesa duhet të jenë të larta sepse kështu, më në fund, edhe Tirana do të fillojë të ketë downtown-in e vet apo skyline-n e saj. Por dhe në qoftë kështu, ngritja e kësaj kulle, si veshka mes dhjamit, është një ndërhyrje artificiale. Ca më shumë, kur vetë ndërtesat stonojnë edhe mes vedit për nga proporcionet. Një ndërhyrje e tillë fragmentarizon jo vetëm karakterin e dy njësive strukturore fqinje por edhe uniformitetin e të gjithë zonës në juglindje të lumit dhe rrugës Papa Gjon Pali II.
Më tutje, mënyra tragjike e trajtimit të parkut të lojërave më lë pa fjalë. Si fillim, parku 7 Xhuxhat ishte shumë më i madh nga ajo çka është ndërtuar tani në vend të tij. Me sa mbaj mend nga frekuentimet e mija të parkut, si fëmijë 10 vjeçar i Tiranës, ai ishte i mbrojtur nga një kanape e dendur pishash, poshtë së cilës, ndër të tjera, mund të gjeje edhe një pellg të vogël ku lundrohej me makina notuese dhe mbikalohej aty këtu me ura të drunjta. Ky park ishte i mirëizoluar nga pluhuri mbytës dhe zhurma dhe egërsia e makinave në kryqëzimin përbri. Ofronte njëfarë paqeje që me sukses mposhtte kakofoninë e krijuar në këtë nyje kaq të dendur të Tiranës. Por tani, pas ndëryhyrjes së ideuar nga firma e mirënjohur dhe mirëvlerësuar hollandeze MVRDV, parku është shndërruar në asgjë më shumë se një tapet rripa-rripa pllakash e bari që lë, jo vetëm fëmijët, por edhe këdo që merr guximin të shpjerë fëmijët aty, në mëshirën e egërsisë së kryqëzimit, i cili për nga karakteri i përbindshëm as nuk ka ndryshuar fare. E gjithë kjo merr nota akoma më dramatike, kur shikoj që po të njëjtët arkitektë në projektin Markthal në Rotterdam kanë arritur poetikisht të përkulin një godinë banimi përmbi një markatë, duke harmonizuar të dy funksionet pa dashur të sakrifikojnë njërin prej tyre. Kam dëgjuar kryeministrin Rama të thotë se qytetarët e Ballkanit nuk janë qytetarë të kategorisë së dytë. E nëse është kështu, atëherë pse privohen këta qytetarë të Tiranës nga produkte arkitekturore të së njëjtës cilësi me atë të qytetarëve të Rotterdamit? Përse, këta arkitektë, mbajnë një qëndrim në Rotterdam dhe një tjetër në Tiranë? Ndoshta pasi kanë rishpikur rrotën për rrafshin e vendeve të ulëta, kanë vendosur që në shkëmbijtë e vendeve të larta, aty ku realisht një rrotë katrore mund të bënte punë, të mos e vrasin shumë mendjen. Nga ana tjetër, ofiqarët shqiptarë sedërpërkëdhelur i ofrojnë me zell të madh starkitektëve ndriçimtarë të planetit një llokmë të mirë sheshi në mes të kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve për të bërë një përshesh që shumë shpejt do i rrijë Tiranës si huri i radhës në gardhin e mosarsyes.
MRVDV Markthal: https://www.mvrdv.nl/projects/115/markthal
Këto dy parcela dhe këto dy funksione do të ishin një mundësi e jashtëzakoshme për cilindo arkitekt për të krijuar diçka kontekstuale, të aftë për të dialoguar butë, njëlloj siç është Tirana vetë, me çatitë e kuqe të vilave përreth, gjithnjë duke trupëzuar në vetvete, dhe pse jo amplifikuar, parkun e lojërave. Çfarë do duhej bërë (duke marrë të mirëqenë që vendimi për të bërë kurban parkun e radhës është marrë)? Përgjigja e kësaj pyetjeje do të duhej të na vinte nga një konkurs i hapur arkitekture. Gjithsesi shembuj të tjerë ka plot. Broadgate – Exchange House është një ndërtesë në Londër e dizenjuar nga amerikanët e SOM.
SOM Broadgate-Exchange House: https://www.som.com/projects/broadgate__exchange_house
Që kur përfundoi së ndërtuari në 1990, kjo godinë-urë prej 10 katesh zgjatet 78 metra përmbi platformat e shinave të trenave. Nëse i njëjti problem dizajni do të ishte ngritur në Tiranë, ne tashmë e dimë se cila do të ishte zgjidhja. Shinat e trenave do duhej të spostoheshin pak djathtas që të bëhej një bythë vend nga ku të dilte një kullë. Unë mendoj se mikro-parku në atë pozicion është një lëvizje e gabuar sepse mungesa e një ndërtese aty (theksoj: tashmë që parku 7 xhuxhat nuk ekziston më) humb shansin për të ankoruar një godinë ikonike, pa qenë nevoja për të qenë e lartë, në cepin e një rruge, që kur kryqëzohet me rrugën e Elbasanit, ka nevojë për një vazhdimësi të qartë të të famshmes urban edge. Me këtë dua të them që aplikimi i një rule of thumb-i të thjeshtë të profesionit, siç është krijimi i një sipërfaqeje të vazhdueshme ndërtimi, përgjatë hapësirës publike të vijës së qarkullimit (rruga dhe trotuari), që të sigurojë shërbime dhe funksione të ndryshme, do të ishte më e pakta që mund të konsiderohej. Kjo do ta bënte cepin më të lexueshëm jo vetëm nga krahu i lumit, por edhe nga rruga e Elbasanit, dhe njëkohësisht do të kundërpeshonte dinamizmin e kryqëzimit. Një shembull klasik për të ilustruar çfarë dua të them është ndërtesa Flatiron në New York, dhe një shembull akoma më i ri Ginza Place në Tokyo (nga Klein Dytham). Megjithatë ndoshta një arsye për ta lënë atë cep bosh ekziston. Përballë këtij boshllëku, në anën tjetër të lumit, ndodhet xhamia sulltanike, dhe një ndërtesë përballë saj, fatkeqsisht, do ta bllokonte korridorin e shikimit të xhamisë nga rruga e Elbasanit. Nëse ky korridor nuk është lënë qëllimisht i hapur për ta shndërruar xhaminë në një ikonë përfaqësuese të Tiranës, kur i qasesh qytetit nga rruga e Elbasanit (përderisa kjo është lehtësisht e shqueshme që nga Fakulteti Ekonomik), atëherë nuk është e qartë, të paktën për mua, pse cepi vetmitar është lënë i ngërthyer nën kafshimin e kullës nga njëra anë dhe kryqëzimit nga tjetra. Situata do të ishte absurde sikur ky konfigurim i krijuar të ishte vetëm pasojë e pavetëdijëshme e pakujdesisë gjatë planifikimit urban të projektit.
PDV Faza II:
https://tirana.al/uploads/2019/5/20190521145000_udhezuesi_si-te-hartosh-aplikosh_pdv-faza-ii.pdf
PPV Tiranë:
https://www.arcgis.com/apps/webappviewer/index.html?id=ff270e99f5be45f19c7b7a1e3e618b27
Duhet thene qe MVDRV, si perfaqesuese e denje e shkolles hollandeze te mendimit, ushtron arkitekturen si koncept teorik ne rastin me te mire dhe si gjest ne rastin me te keq. Ne te dyja rastet behet fjale per nderhyrje josubtile, jo ne shkallen e njeriut po te qytetit si teresi.
Karakteristika kryesore eshte optimizmi ne konceptim: arkitektura ia del te krijoje nje qytet, me elemente te ndryshme, por ama te bashkuar ne nje teresi, thjesht duke sherbyer si sinjal.
Ajo qe ngelet rruges gjate ketij shperthimi optimizmi eshte, me te drejte sic thuhet ne artikull, krijimi i nje lidhjeje direkte me ambjentin perreth.
Duket tek fakti qe ndertesa ngelet, edhe ne perpunimin e metejshem, prape abstrakte. Relievi i fasades nuk perdoret si ne arkitekturen e qytetit europian per te krijuar ritem ne hapesiren ku levizin njerezit, po fillon nga kati i, bie fjala, dhjete. Biles ky reliev nuk trajtohet ne nivelin e vet elementit te veçuar po ka kuptim vetem si nje teresi (kur krijon imazhin e hartes). Prandaj nuk eshte cudi qe edhe renderat vijne nje kendveshtrim te larget dhe ne lartesi, a thua se subjekti ideal, ata qe do ta perjetojne ketr strukturr, nuk jane banoret e qytetit po dronat apo pronaret qe do levizin ekskluzivisht me helikopter.
Kaq per tani per kete ndertese.
Ajo markata ne Rotterdam eshte, ne rradhe te pare, tipologji dhe funksion tjeter, e ngjashme (dhe kushuri, meqe ra fjala) me qendren Toptani: origjinalisht nje projektide e MVRDV po qe pronarit i doli me lire per ta vazhduar me arkitekte me pak te njohur.
Keshtu qe, nga kjo ane, duhet thene, krahasimi eshte i padrejte.
Se dyti, ne veshtrim te metejshem, edhe tek markata pershkohen te njejtat ide baze qe kane zene rrenje edhe te Downtown One (D1). Arkitektura perdoret si sinjal nepermjet mjetit te formes (tunel ketu, kulle te ne), mjetit te madhesise (120m e gjate ketu, 100m e larte te ne) dhe mjetit te imazhit( veper arti gjigande ne tavan ketu, harta gjigande te ne). Pertej kesaj e njejta varferi e te detajuarit. Nuk ka materialitet pervec nje xhami te pasqyrte; nuk ka as haptike, as variacion. Ndertesa, njesoj si D1 ben kuptim vetem kur shihet nga larg.
Lind pyetja: pse kemi “fatin” te gezojme kete arkitekture kaq koncepcionale? Mendimi im eshte se Rama, Luigji XIV i yni, sado i deshtuar te jete ne artin e tij (art i popullarizuar vetem prej pozicionit specifik politik), prape ngelet dhe levron ne nje sfond artistik. Arti modern, si percues mesazhi, leviz pothuajse ekskluzivisht ne nivel konceptual. Ndryshe eshte arkitektura e individit, e cila eshte pjese e kultures se qytetit, me rrenjet thelle ne kendin ku ze vend. Arkitektura e individit lahet nga valet e kohes dhe si pasoje nuk pyet per egon e ndonjerit per te lene gjurmet e veta. Perkundrazi, ajo funksionon ne solidaritet me simotrat e veta.
Po i përgjigjem paragrafit të dytë meqë nuk jam dakord me pjesën e parë të tij. Mendova se insinuata që kulla mund të përkulej mbi parkun siç përkulen banesat mbi markatën ishte e qartë. Gjithsesi, po e shtjelloj idenë pak më shumë.
Nuk jam dakord që krahasimi është i padrejtë. Pa dashur ta mbivlerësoj Markthal, mendoj se ka një qasje ndaj arkitekturës (hapësirëbërjes) më kreative sesa DT1. Nuk mendoj se situatat dhe tipologjitë janë të ndryshme (aq më tepër kur flasim për “shkollën hollandeze të mendimit” që, me aq sa e njoh në rastin MVRDV, më duket se i shkrin tipologjitë sipas nevojës. Zotësia e arkitektit, sipas meje, duket pikërisht në situata të tilla, ku arrin të nuhasë dhe të shikojë diçka që zhvilluesi i cili vjen me një ide të paracaktuar (kullën) nuk e ka menduar (meqë këtu nuk u zhvillua ndonjë konkurs). Në rastin e Markthal kemi një markatë dhe banesa; në rastin e DT1 kemi një park lojërash dhe banesa e zyra. Në rastin e Markthal, nëpërmjet gjestit arkitektonik (përkulja e banesave), markata (hapësira publike) shndërrohet në zemrën e projektit dhe nuk injorohet apo nuk trajtohet si një afterthought. Në rastin e DT1 parku (hapësira publike) lihet mënjanë dhe as nuk duket të jetë pjesë fare e projektit. Kjo më duket të jetë standard i dyfishtë. Fare mirë, e njëjta zgjidhje (ose një e ngjashme po aq kreative) mund të propozohej dhe këtu. Për shembull, kulla mund të përkulej sipër parkut dhe kështu parku mund të bëhej zemra e projektit.