Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teatër

TEATRI I PËRKET PUBLIKUT

Po qarkullon një listë me emra “aktorësh” që mbështetin vendimin për prishjen e selisë së Teatrit Kombëtar, edhe pse ndonjë prej tyre ka saktësuar më pas se ka nënshkruar vetëm për nevojën e një teatri të ri; e gjithë kjo, në kundërvënie me protestën tashmë disavjeçare, në mbrojtje të selisë së Teatrit, e cila nga disa po paraqitet, edhe ajo, si një lëvizje “aktorësh.” Nuk do të çuditesha sikur kjo prirje, për ta përshkruar konfliktin e tanishëm në lidhje me të ardhmen e asaj ndërtese, gati-gati si një çështje të brendshme të atyre që punojnë atje – nga aktorët, regjisorët, piktorët, grimierët, kostumierët, suflerët dhe deri edhe rojat dhe pastruesit; ose si një gjë “sindikale”, që do të zgjidhet praktikisht me votë (a me firmë) nga të interesuarit vetë; nuk do të çuditesha, pra, sikur kjo prirje tinëzisht reduktuese t’i detyrohet një manovre propagandistike largvajtëse, për ta mbajtur të kufizuar impaktin e konfliktit.

Në fakt, aktorët dhe “artistët” e Teatrit kanë shumëçka për të thënë, për fatin e selisë së Teatrit Kombëtar; por pa qenë ndonjë palë e privilegjuar ndaj të tjerave. Teatri u përket para së gjithash qytetarëve; dhe pastaj edhe publikut që e ndjek – ndërsa aktorët që e luajnë dhe të gjithë ata që i japin skenës jetë, së bashku me agjencitë e tjera të interesuara, përfshi këtu edhe shtetin që e administron ndërtesën dhe u paguan rrogat punonjësve, e shumta mund të angazhohen në këtë punë dyfish: si të brendshëm dhe si të jashtëm. Të punësuarit te ndërtesa dhe të gjithë ata që e përdorin ose e kanë përdorur, për arsye pune (ose “arti”) janë zë i fuqishëm, kur vjen puna për të informuar publikun se kushtet materiale që ofron ajo ndërtesë nuk janë të përshtatshme, dhe aq më pak për një Teatër Kombëtar; por nëse kjo ndërtesë do të prishet ose do të ruhet, fjalën e fundit nuk e kanë dhe as mund ta kenë ata që punojnë aty, dhe as ata që mund të kenë punuar dikur, ose që punojnë në vende pune të ngjashme. Le të mos e ngatërrojmë kulturën me borderotë.

Dhe e vërteta është se lëvizja për mbrojtjen e Teatrit ka tërhequr jo vetëm aktorë dhe punonjës të atjeshëm, por edhe një numër të madh qytetarësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile dhe të politikës; të cilët nevojën për ruajtjen e Teatrit e argumentojnë jo nga ndonjë pikëpamje sindikale, por me arsye kulturore-historike dhe të ruajtjes së trashëgimisë, por edhe të politikave të urbanizimit dhe të raporteve mes restaurimit dhe rinovimit të mjediseve publike, në zona aq sensitive sa qendra e Tiranës. Të angazhuarit në këtë lëvizje janë një bërthamë optimale, për t’i vazhduar edhe nesër përpjekjet kundër arbitraritetit të pushtetit në çështje të jetës civile dhe qytetare, çfarë përfshin edhe përpjekjet kundër dinakërisë propagandistike për t’i paraqitur këto lloj protestash si mirëfilli “profesionale”. Punonjësit e Teatrit dhe të tjerë të fushës kanë shumë për të sjellë, edhe në këtë lloj debati; por jo më tepër se kaq. Këtë e provon edhe fakti i thjeshtë që aktorët, regjisorët dhe punonjës të tjerë të fushës, përfshi edhe artistë, kanë qëndrime të ndryshme ndaj çështjes; dhe kjo jo për shkak të ndonjë përçarjeje të sjellë nga politika, por sepse vetë çështja nuk ka natyrë profesionale, as sindikale; por mirëfilli kulturore.

Për arsye të ngjashme, nuk janë mjekët as infermierët ata që vendosin për të ndërtuar një spital të ri; dhe as mësuesit ata që vendosin për të ndërtuar një shkollë të re; dhe as këngëtarët e operës dhe balerinët ata që vendosin për të ndërtuar një teatër të ri të operës dhe baletit; dhe as gjykatësit dhe prokurorët dhe sekretarët e gjyqit, ata që vendosin për të ndërtuar një seli të re të gjykatës. Punonjësit në këto institucione mund të kenë opinione të mirinformuara për funksionimin e tyre dhe kushtet e punës, por vendime për shkatërrim selish ekzistuese dhe ndërtim selish të reja merren në marrëveshje mes shumë palëve (stakeholders) – përfshi këtu urbanistët dhe planëzuesit, kulturologët, intelektualët publikë, grupet e qytetarëve, përfaqësuesit e interesave ekonomike (p.sh. pronarët e truallit) dhe kështu me radhë.

Të mos na humbë sysh e vërteta elementare se selia e Teatrit Kombëtar është ai vend – le ta quaj “magjik” – ku publiku konsumon një pjesë të vënë në skenë nga trupa e teatrit; dhe do ta quaj “magjik”, sepse në atë vend realizohen edhe aktorët si aktorë, edhe regjisorët si regjisorë, edhe publiku si publik; dhe se, në këtë proces aktualizimesh, publiku është ai që ka përparësinë, sepse synimi i fundmë, i çdo produksioni teatral është që t’i ofrohet një publiku për shijim, konsum dhe dëfrim. Çdo synim tjetër, artistik ose filozofik, i aktorëve, regjisorëve dhe realizuesve të tjerë (piktorëve, skenografëve, autorëve të tekstit, kompozitorëve) nuk mund të realizohet, përveçse përballë këtij publiku. I cili publik, nga ana e vet, shkon në teatër me pritje të caktuara, estetike dhe kulturore, mes të cilave pritje përfshihet edhe përjetimi i teatrit vetë, si ndërtesë me historinë dhe “magjinë” e vet.

Nga ana e vet, edhe publiku i teatrit, që të konstituohet si i tillë, ka nevojë për skenën; në kuptimin që është shfaqja vetë, ajo që e sjell publikun në jetë dhe e ndihmon të riprodhohet dora-dorës, shfaqje pas shfaqjeje, nëpërmjet një vijueshmërie që sigurohet sa nga qasjet regjisoriale dhe loja e aktorëve të konsoliduar, aq edhe nga persistenca e ndërtesës vetë, e cila merr pjesë në procesin e ruajtjes, pasurimit dhe të transmetimit të vlerave kulturore, duke mbetur e barabartë me vetveten.

Teatri kthehet kështu në “tokë të shenjtëruar”, nëpërmjet marrëdhënieve që ka me traditën, publikun, kulturën së cilës i përket, vetë arkitekturën e ndërtesës dhe me qytetin përreth. Aktorët e teatrit, sado të njohur të jenë dhe të dashur nga publiku, nuk e kanë – dhe besoj as duhet ta pretendojnë – autoritetin e mjaftueshëm, për t’u imponuar si palë e privilegjuar, në zgjidhjen e konfliktit; njëlloj siç nuk e kanë – dhe as e pretendojnë – autoritetin për t’u imponuar në zgjedhjet artistike të regjisorëve ose në politikat kulturore të administratës përkatëse (p.sh. çfarë pjesësh do të shfaqen gjatë sezonit, etj.). Nëse aparati propagandistik i pushtetit po e vë theksin, në momentin e tanishëm, te “vullneti i aktorëve” dhe firmat e tyre, këtë do ta konsideroja më shumë si një lloj abuzimi me statusin e aktorit, në një shoqëri si jona, që aktorët e mirë gjithnjë i ka dashur dhe i ka ndjekur me pasion.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Sot te djelen ne mengjez, 17.5.2020, kulla e barit u dogj! Tashme oratoria e Ardianit do te kerkoje “betejat” e reja te se ardhmes. Si gjithnje, duke u marre here me njeren e here me tjeren dege te pemes, sa jo vetem qe e ka harruar c’do te thote “pyll”, por kam pershtypjen se as “peme” nuk e di c’do te thote me.

    1. Të ka të bësh përahëndetjen romake por edhe atë zëre se e ke bërë virtualisht.

  2. Nuk u Shemb Teatri si institucion por thjesht ndertesa ne te cilen beheshin shfaqjet e cila ra me nje prekje te lehte te fadromes e zoti e di se si nuk I ka zene njerezit brenda,kur ne te beheshin shfaqje.Nga ato qe shihen pas shembjes se saj duket si nje ndertese e ngritur shpejt e shpejt per perdorim te perkohshem e nuk besoj se projektuesi ka patur ne mendje per ta patur ne sherbim per 80 vjet .
    Qeveria duhej te kishte hartuar e botuar nje ekspertize teknike me te gjitha variantet e fizibiletit teknik e financiar .Keshtu si ka vepruar I ka lene vend spekullimeve .

    1. Alba,

      S’dua të bëj statikën e ndërtimeve këtu tek P.F. por Teatri nuk ishte ndërtim me strukturë të rëndë. Nuk ishte ndërtuar as për t’i rezistuar bombave as fadromave. Ishte një ndërtim i “lehtë” dhe e ka statikën të ndryshme nga ndërimet e rënda prej betoni apo murature mbajtëse. Por e ka edhe rezistencën më të lart ndaj tronditjeve sizmike, të cilat janë faktor kryesor (primar) në llogaritjet e stukturave në Shqipëri. Për shembull, Shqipëria nuk ka erëra të forta, uragane, tornado. Pra nuk kishte ndonjë mundësi që të zinte njëri brenda, përveçse në mëndjet e atyre që nuk i kuptojnë këto gjëra, por që gjithësesi e ndjejnë për detyrë të flasin për gjëra që nuk i dinë. Këto janë llojet e ndërtimeve më efikase për Shqipërinë, por nuk i applikojmë dot sepse kërkojnë njohuri dhe infrastrukturë në përpunimin e lëndëve të para. Në Shqipëri, lëndët e para, dhe të fundit, janë vetëm hekuri dhe betoni.

      Sa për institucionin e teatrit, ai kishte kohë që kishte rënë së bashku me shumë institucione të tjera, duke filluar nga ato të ligjit, parlamentit. dhe me radhë. Përndryshe Shqipëria sot është de jure dhe de facto diktaturë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin