Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

FJALA E BUKUR SHQIP (I)

Purizmi leksikor dhe estetika, në angazhimin publik të folk-gjuhëtarëve

Para pak ditësh, po lexoja një koment te një faqe online, ku thuhej:

Të paktën fjalën guidë mund të na e kishin kursyer, meqë ne kemi fjalën e bukur shqipe udhëzim.

Komenti i referohej jo shkrimit vetë, por leksikut të përdorur në atë shkrim; dhe për nga struktura të kujtonte një numër relativisht të madh ndërhyrjesh të tilla, zakonisht nga lexues jo-ekspertë të fushës (që nuk janë gjuhëtarë), ku rekomandohet a predikohet mënjanimi i një fjale “të huaj,” qoftë edhe nëpërmjet zëvendësimit mekanik, dhe aktivizimi, në vend të saj, i një fjale shqip të barasvlershme.

U vura të kërkoj shembuj të tjerë në Google, dhe ja ç’gjeta, mes të tjerash:

Sa për fjalën injorant, është mirë të mos e përdorësh kur kemi fjalën e bukur shqipe i paditur.

Ju lutem përdorni fjalën e bukur shqipe pezullim dhe jo suspendim.

Ato zgjebet e […] përdorin shpesh fjalën spikerja e lajmeve në vend që të perdorin fjalën e bukur shqipe folësja.

Asistent – asistoj: këto dy fjalë të huazuara lehtë mund të zëvendësohen me fjalën e bukur shqipe ndihmë.

Ta zëvendësosh fjalën e bukur shqipe shëtitore me pedonale; apo bregdet me lungomare pa një pa dy është nënvlerësim i gjuhës tënde.

Ndesh emërtime hotelesh edhe me emra të tillë, si italisht Primavera! Kur mund të quhej me fjalën e bukur shqipe Pranvera.

E morën nga ne dhe krijuan gora-var dhe qytet, dhe anglishtja God…, porse nga fjala gur-i, lindi dhe fjala e bukur shqipe, si-guri, ose siguri

S’e kuptoj pse përdoret fjala Parlament me adresën parlament.al në vend që të përdoret fjala e bukur shqipe Kuvend me adresën kuvendi.al

Diasporë është ngulim etnik, kurse mërgata është diçka tjetër. Ne kemi mërgatë në Gjermani, Zvicër etj. e jo diasporë Pastaj, edhe po të ketë të njëjtin kuptim, pse ta përdorim një fjalë të huaj, kur e kemi fjalën e bukur shqipe – mërgatë.

Lehtë gjenden edhe shembuj të tjerë.

Çfarë përvijohet, në këto ndërhyrje, është një instancë tipike e asaj që e kanë quajtur gjuhësi folklorike (folk linguistics edhe këtu[1]); një term që përshkruan tërësinë e pikëpamjeve, bindjeve, besimeve, etj. që kanë dhe ushqejnë folësit jo-gjuhëtarë të një gjuhe, për gjuhën e tyre.

Dhe pikërisht, shembujt më lart, si shumë e shumë të tjerë që mund të sillen, dëshmojnë një parim të gjuhësisë folklorike, sipas të cilit një fjalë “e huaj” duhet zëvendësuar me një fjalë “shqipe” (“jo të huaj”); dhe kjo “duhet”, në kontekstin specifik, ka valencë jo vetëm kulturore, por edhe morale, patriotike; meqë krejt imperativi moral i zëvendësimit e merr energjinë dhe përligjjen nga patriotizmi, nevoja madje detyrimi “për të mbrojtur shqipen”, sikurse edhe vihet në veprim nga aftësia e folësit për të pikasur a identifikuar një fjalë të huaj dhe për të sugjeruar një fjalë të barasvlershme jo të huaj. Ndërhyrësit, si të thuash, e ndiejnë veten të aftësuar për të imponuar – qoftë edhe parimisht – atë që e kujtojnë për normë leksikore; duke promovuar çfarë, sipas tyre, duhet thënë dhe shkruar, sipas një doktrine ose ideologjie që nuk e kanë formuluar ata vetë, por që ata e pranojnë vetvetiu, ose pa vërtetim.

Më tej akoma, gatishmëria me të cilën ofrohen ndërhyrje dhe sugjerime të tilla tregon se autorët e tyre jo vetëm janë të bindur se mund të dallojnë fjalët e huaja ose që duhen zëvendësuar, por edhe se ashtu i shërbehet shqipes; meqë fjala e huaj (p.sh. parlament në vend të kuvend) njëfarësoj e “prish” gjuhën, aq më tepër kur ka një të tillë të barasvlershme në dispozicion; dhe se, më në fund, fjalë të tilla janë lirisht të ndërkëmbyeshme: hiq diasporë dhe fut mërgatë, hiq injorant dhe fut i paditur; sikurse janë të bindur se ky lloj komentari meta-linguistik mund të shoqërojë po aq lirisht çfarëdo shkrimi, që në fakt zakonisht nuk ka asnjë lidhje me çështjet e leksikut të shqipes[2].

Ndodh shpesh, në lëmin e gjuhësisë folklorike shqip, që ndërhyrësit të besojnë se kanë të drejtë jo vetëm “gjuhësisht”, por edhe se kanë të drejtën morale për të ndërhyrë; për këtë arsye, gjuhësia folklorike i bashkëlidhet një nevoje për ta artikuluar a përpallur atdhetarizmin në publik, shpesh në një kontekst ekzaltimi emocional, sinjalizimi të virtytit dhe lypjeje për simpati nga të tjerët.

Nga ana tjetër, edhe vetë struktura e këtyre ndërhyrjeve, ose forma me të cilën sillet argumenti, ndihmojnë për të kuptuar si funksionon mendja e folk-gjuhëtarit. Le ta shohim edhe një herë njërin nga shembujt:

Sa për fjalën injorant, është mirë të mos e përdorësh kur kemi fjalën e bukur shqipe i paditur.

Këtu folësi e nis argumentin nga një fjalë që ka gjetur te ligjërimi i “tjetrit”, dhe pikërisht injorant; e cila nuk i ka pëlqyer, sepse i është dukur e huaj, e tepërt, e panevojshme, e papërshtatshme, etj.; dhe pastaj e ka censuruar këtë fjalë post factum: është mirë të mos e përdorësh, me arsyen se shqipja e ka një fjalë me të cilën mund ta zëvendësojë, i paditur (çfarë nënkupton se injorant duhet zëvendësuar).

Dhe më hollësisht, na thuhet se i paditur ka epërsi ndaj injorant sepse është “fjalë e bukur shqipe.” Kjo e fundit, “fjalë e bukur shqipe”, vjen si klishe, ose bartet nga thënie (tekste) të tjera; por edhe ashtu, si klishe, sërish e referon argumentin tek estetika: i paditur rekomandohet ndaj injorant jo vetëm sipas parimit që fjala e huaj duhet zëvendësuar me një fjalë jo të huaj, kur ky zëvendësim është i mundshëm; por edhe për arsyen tjetër, se fjala e sugjeruar, i paditur, është fjalë e bukur shqipe.

Tani, këtu mund të luajmë sa të duash me kuptimet; dhe të themi se, për folk-gjuhëtarin, çdo fjalë shqipe është fjalë e bukur, sa kohë që është shqipe; ose që bukuria lidhet me esencën e fjalës; çfarë do të nënkuptonte edhe se fjala e huaj është e padëshirueshme jo vetëm si e huaj, por edhe si e pabukur (e shëmtuar), ose të paktën e tillë që, po të përdoret, ia prish bukurinë e vetvetishme shqipes. Nga ana tjetër, edhe folk-gjuhëtari më radikal do ta pranonte se të dyja fjalët, edhe injorant, edhe i paditur janë fjalë shqipe, sa kohë që përdoren nga folësit e shqipes dhe sanksionohen në fjalorët; por vetëm se e dyta është më shqipe se e para, qoftë edhe për arsyen e vetme se mund të luajë rolin e një fjale zëvendësuese (asnjë folk-gjuhëtar nuk do të ngrihej të rekomandonte se i paditur duhet zëvendësuar me injorant). Le të themi se, për autorin e këtij rekomandimi folk-gjuhësor, fjala i paditur ka konotacion metalinguistik pozitiv; përdorimi i saj duhet subvencionuar nga publiku.

Por a mjafton kaq, për ta bërë këtë fjalë “të bukur”? Për atdhetarin, shqipja është vetvetiu e bukur; por te ky vlerësim nuk bëhet fjalë për elementet e shqipes (p.sh. fjalët, ose nyjën e parme, ose përcjelloren), por për ligjërimin shqip si të tillë; ndërsa shprehja fjalë e bukur parakupton diçka tjetër, dhe pikërisht mundësinë që një fjalë të jetë më e bukur se një fjalë tjetër. Te shembujt më lart, bukuria lidhet me prejardhjen e supozuar të fjalës zëvendësuese (dhe, tërthorazi, me prejardhjen e supozuar të fjalës së zëvendësuar); po të ndjekim vijën e arsyetimit në ndërhyrjet, kjo zë fill me konstatimin a identifikimin e një fjale të pabukur (si fjalë e huaj), dhe vazhdon pastaj me sugjerimin për zëvendësimin e saj me një fjalë të bukur (shqipe, ose shqipe); pra bukuria e fjalëve zëvendësuese është edhe funksion i shëmtisë së fjalëve të zëvendësueshme (që meritojnë të zëvendësohen). Siç mund të merret me mend, shëmtia në këtë kontekst i referohet drejtpërdrejt prejardhjes së huaj të një fjale, të cilën folësi e njeh sepse e ka mësuar diku – sa kohë që fjalët zakonisht nuk bartin me vete informacion për prejardhjen e tyre; dhe, zakonisht, folk-gjuhëtarët që ngashërehen pas ndërhyrjesh të tilla i kanë disa njohuri për leksikun e gjuhëve që i kanë “dhënë” fjalë shqipes (italishtja, frëngjishtja, greqishtja, gjuhët sllave, turqishtja, tani së fundi anglishtja); dhe çfarë i shqetëson këta është ndotja (kontaminimi) i leksikut shqip me fjalë gjuhësh të tjera. Ideologjia që i mbështet këto ndërhyrje është purizmi leksikor, dhe jo vetëm – çfarë e kam trajtuar më gjerë gjetiu; këtu po dua thjesht të vë në dukje se imperativi për zëvendësim fjalësh shfaqet gjithnjë në një kontekst dy-gjuhësor, ku gjuha e dytë shërben për të identifikuar elementet që duhen larguar (pastruar) nga gjuha e parë; ai që nuk di gjuhë tjetër veç shqipes, mund ta identifikojë një fjalë si të panjohur, por jo si “të huaj”, dhe aq më pak si “të zëvendësueshme.”[3] Pa lënë pastaj mënjanë faktin tjetër që, frymëzimi ideologjik (purist) i këtyre ndërhyrjeve përligjet thjesht dhe lirisht nëpërmjet theksimit të estetikës së fjalës shqipe.

Përndryshe, në pjesët e tjera të kësaj eseje, do të përpiqem të jap një përkufizim më të hollësishëm të asaj çfarë e bën të bukur një fjalë të gjuhës shqipe; i nisur nga premisa se, për folk-gjuhëtarët, ca fjalë shqipe janë jo vetëm më shqipe, më praktike, më të lehta për t’u përdorur, më të kuptueshme, më të kuptimshme, etj., por edhe më të bukura se ca të tjera. Brenda kufijve të një eseje, dua të hulumtoj, me fjalë të tjera, rolin që luan vlera estetike (e bukura) në gjuhësinë folklorike.

(vijon)

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa leje. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

Kopertina – Flower Book: White Tea-Rose by Julie Cockburn, 2005. © Yale Center for British Art


[1] Teksti im referencë, për gjuhësinë folklorike, është Folk Lingustics (Mouton de Gruyter, Berlin, New York 2000), nga Nancy A. Niedzielski, Dennis R.Preston.

[2] Për ta kuptuar pse është kaq problematike kjo, le të përfytyrojmë një artikull ku flitet për, të themi, etimologjinë e fjalës kuvend, dhe ku pastaj komentuesit të fillojnë të vënë në dukje kontradiktat në rregulloren e kuvendit.

[3] Madje, klisheja zakonisht tingëllon kështu: kemi fjalën e bukur shqipe, ku veta e parë shumës e foljes shënjon jo vetëm zotërim dhe pasuri të përbashkët, por edhe nevojën për ta mirëmbajtur gjuhën, si detyrim publik.

2 Komente

  1. Kjo mania e puritanizmit linguistic me eshte dukur gjithmone idiote. Me kujton gjithnje fundin e viteve 70 kur na kerkohej qe acidit ti thonim “thartor” dhe bicikletes “dyrrotak”. Ne te njejten trage nuk di pse me mundonte aq shume perpjekje e vazhdueshme e Kadarese per ta quajtur oxhakun tymtar dhe jastekun nenekrejse.

    1. Shiko se kjo mania e purizmit linguistik eshte po aq idiote dhe jo rentabel sa edhe higjenizimi i detyrueshem qe aplikohet sot edhe me tankset e Diko Zeqos. Ky eshte sakte ideja qe kane ithtaret e teorise alternative te epidemive, qe besojne se viruset jane gjithnje te pranishem, dhe jane dora jone, jane te tere miq. Ne semuremi jo sepse infektohemi nga nje virus si qenie e huaj qe invadon kufijte e lekures se Republikes Popullore te Shqiperise, por sepse organizmi jone humb sistemin imunitar. Po njesoj nje pandemi perhapet jo sepse virusi kapitalist (ose komunist, sot ne mode si rrezik) te ben gjemen, por sepse organizmi i tere shoqerise ne momente te caktuara historike humbet imunitetin.

      Pra kerce andej, kerce ketej problemi reduktohet si politik, dhe majtas e djathtas tani, mbas higjenistit Enver, eshte kerce sa anej kendej ne nje kaos pa kuptim.

      (per te evitu çdo keqkuptim, me kete koment vetem kam pershkruar situaten, jo çfar mendoj vete, ose me sakte se çfar besoj, se kjo pune nuk eshte mendimi racional linguistik, politik, higjenik, por pune besimi irracional qe mund te shpjegohet ne menyre racionale)

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading