Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

NË OBORRET E ARTIT

Më pëlqeu shkrimi i Ajkuna Daklit dhe vështrimi që ia bën ajo pikturës së Van Gogh-ut; më ngacmuan edhe komentet e Arjan Çelnikasit për qasjen e pafajshme ndaj një vepre arti. Mendova menjëherë se çfarë ndiejmë dhe pse tërhiqemi sot, ndaj veprave të artit që i përkasin kulturave të cilave shumë kode nuk ua njohim – dhe nuk e kam aq për Van Gogh-un, sa për, të themi, pikturën bizantine ose muzikën e Bach-ut.

Dhe këtu m’u kujtua, kushedi pse, një pasazh nga romani i Mark Twain-it, “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur” (A Connecticut Yankee in King Arthur’s court, 1889), ku rrëfehet historia e një mekaniku nga SHBA-të e shekullit XIX, i cili, pas një goditjeje në kokë, e sheh veten të transportuar në Kamelot, të rrethuar nga kalorës, princesha dhe magjistarë. Pas kësaj zhvendosjeje në kohë, përplasjet veç ushqejnë njëra-tjetrën, duke filluar nga ato kulturore.

Por këtu e kam fjalën për atë pasazh, kur Hank-u – kështu quhet yankee-u i Twain-it – përshkuan dhomën e vet madhështore të gjumit, në kështjellën mesjetare; plot salltanete të vyera, por pa komoditetet e përditshme. “Nuk kish as sapun, as shkrepëse as pasqyra,” thotë ai; “përveç një pasqyre metalike, aq të efektshme sa një kovë uji.”[1] Nga gjërat që i mungojnë Hank-ut, janë chromo-t, shkurtim për chromolithograph, një imazh me ngjyra, i stampuar me teknikën e litografisë, tejet me popullaritet në SHBA-të e shek. XIX, meqë kushtonte lirë dhe mund të prodhohej në masë. Aq ishin përhapur kromolitografitë (oleografitë) në Amerikën e pas-Luftës Civile, sa vetë periudhën e kanë quajtur chromo civilization. E varur në muret e sallonit të një familjeje të mesme të kohës, kromolitografia funksiononte si simbol rrezatues kulture dhe shijeje. Thotë Hank-u: “Isha mësuar me chromo-t në vite, dhe tani pashë se, pa e kuptuar unë, pasioni për artin ish gdhendur në indin e qenies sime, duke u bërë pjesë imja.”

“Në shtëpinë time në East Hartford,” vazhdon ai, “edhe pse pa pretendime, nuk shkoje dot në asnjë dhomë, pa gjetur një kromo të ndonjë kompanie sigurimesh, ose të paktën një ‘Zoti na e bekoftë vatrën”, në trikromi, sipër derës së hyrjes; ndërsa këtu, edhe në sallën e madhe të ceremonive, nuk gjeje asgjë që t’i ngjante një kuadri, me përjashtim të një gjëkafshe me përmasat e një jorgani, një pëlhurë e endur, ku asgjë nuk kish ngjyrën e duhur as format e duhura.”

Dhe këtu Hank-u nga Connecticut-i ia lejon vetes një digresion të hatashëm në historinë e artit të përbotshëm. “Sa për përpjesëtimet,” thotë ai, “as vetë Rafaeli nuk mund t’i kish katranosur më keq, me gjithë praktikën që kish pasur me ato makthe, përndryshe të njohura si ‘kartonat[2] e famshëm të Hampton Court-it’. Rafaeli,” vazhdon ai “ishte tip zanatçiu[3]! Ne kishim një seri nga oleografitë e tij; përfshi edhe “Mrekullinë e peshqve” (“Miraculous Draught of Fishes”, italisht “Pesca miracolosa”), ku ai shton edhe një mrekulli të vetën nga xhepi – duke futur tre burra në një kanoe që as edhe një qen nuk do ta mbante dot, pa u përmbysur. Gjithnjë e kam admiruar artin e Raffaello-s, ishte kaq i freskët dhe jokovencional”, përfundon Hank-u.

Një gjë s’ia mohon dot këtij Hank-ut: sinqeritetin në opinione. Rafaeli i pëlqen, ngaqë i duket “jokonvencional” – kush tjetër do t’ia hidhte paq, duke futur tre burra në një kanoe aq të vogël? Syri praktik i mekanikut nga Connecticut-i i shquan lehtë mangësi të tilla; tek e fundit, te ky virtyt themelohet edhe shpirti praktik, që dora-dorës do ta shndërronte Amerikën në fuqi të madhe botërore. E bukura, këtu, është se Hank-rregullisht ngushëllohet, në roman, duke gjetur te vetja gjithfarë epërsish, edhe kulturore, në raport me kalorësit e pagdhendur të Kamelotit, veçanërisht në kontrastin mes racionalitetit të tij dhe supersticionit të atyre. E megjithatë, ai “jorgani” në mur, të cilin ai e trajton me aq shpërfillje, do të vlente sot miliona, përballë litografive, statujave prej porcelani dhe çikërrimave të tjera që zbukuronin me “art” jetën borgjeze, në Amerikën e shekullit XIX.

Çfarë është, pra, arti i madh për njeriun e rrugës? Nuk është se kam ndonjë përgjigje për këtë pyetje kaq të rëndë, por dua të kthjelloj ujërat që në krye, duke dëbuar nga përgjigjja të gjithë ata poseurs a snobë, që e identifikojnë statusin e tyre social duke llapur poshtë e lart me kyltyr, për të treguar se kanë shije të hollë; edhe pse ashtu veç konformohen me normat më banale të vlerësimit estetik. Në fakt, arti klasik sot është mbuluar nga një kore kaq e trashë pozash, pordhësh dhe konformizmi, sa është shumë e vështirë të shohësh tej për tej kësaj, për ta shquar veprën siç është. Madje edhe vetë kjo “siç është” lë vend sa të duash për diskutim. Jam i sigurt se, sikur të më qëllonte ndonjë ditë që, si për mrekulli, të më dilte përpara një pikturë e panjohur ose pak e njohur e Da Vinci-t, e flakur në plehrat e lagjes, nuk do ta dalloja si të tillë dhe as do të ndalesha për ta nxjerrë që andej; sepse qytetërimi i sotëm na ka stërvitur që Da Vinci-n ta gjej dhe ta adhuroj vetëm në muze (fundja, edhe në ndonjë kishë në Romë).

Nga ana tjetër, është vendi, besoj, të përmend këtu shkarazi edhe një tregim të shkurtër të Dritëro Agollit, të quajtur “Sonata e 8-të”, ku rrëfimtarit i shkon për vizitë në shtëpi një i njohuri i vet, plak, nga fshati i lindjes; dhe i zoti i shtëpisë i vë për të dëgjuar, nuk di për ç’arsye, një pllakë gramafoni me Sonatën e 8-të të Beethoven-it. Plaku nga fshati, një bujk që e ka kaluar jetën arave, rri e dëgjon sonatën deri në fund, pastaj psherëtin thellë dhe thotë “E shkreta plakë, sa vuajti…”

Që këtej, do të mund të thuhej edhe se disa vepra arti të mëdha kanë forcë universale, sa t’u apelohen të gjithëve – edhe estetëve të rafinuar, edhe devollinjve që e pinë rakinë me gotëz prej speci; dhe se madhështia e artit fillon atje ku ty, estetit, të mbarojnë fjalët për ta përshkruar. Por ky do të ishte thjeshtim i madh. Njëlloj mund të thuhet edhe se Kameloti, ku katapultohet Hank-u i romanit të Twain-it, i kishte ca ndjeshmëri më të holla, se Amerika plebease e shekullit XIX, pavarësisht besëtytnive dhe prapambetjes teknike; mbase edhe duke e zëvendësuar këtë “pavarësisht” me “për shkak të”. Në të njëjtën mënyrë, kur dëgjoj disa kinofilë të flasin për kryeveprën e fundit që kanë zbuluar, pyes veten se çfarë më bën ende të guxoj dhe të ulem për të parë filma, i vetëdijshëm se nuk do të rrok asgjë nga çfarë kanë kuptuar ata. Por kjo nuk më pengon pastaj që të qesëndis të gjithë vizitorët që fotografojnë, me telefon, pikturat e Rembrandit në galeri të muzeut; gjithë duke e konsideruar si tallje me publikun edhe një pjesë të madhe të artit bashkëkohor miliona-dollarësh…

Ajkuna na sugjeron një rrugëdalje, nga pusia e snobizmit: ta rrëfejmë artin në mënyrë personale, ose duke hyrë me të në marrëdhënie kokë-më-kokë. Van Gogh-u është tashmë narrativë, para se të jetë piktor dhe etiketë e një numri tablosh pak a shumë të njohura; por narrativa jote, me Van Gogh-un, ndoshta ia vlen të sillet në vëmendje. Për të njëjtën arsye, edhe unë nuk duhet të kem turp të them se Bach-u, në pjesët e vet për instrumente solo, gjithnjë më kujton vallen e merimangës në spiralet e pëlhurës së vet in controluce: edhe njëri, edhe tjetra, më hipnotizojnë. Dhe më hipnotizojnë sepse, edhe muzika, edhe pamja e merimangës të varur pezull në rrjetë, janë përtej meje dhe më përftojnë në perceptim e sipër.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Romani i Twain-it ka qenë përkthyer bukur në shqip; por unë e kam humbur librin dhe, gjithsesi, nuk kam ku ta gjej tani; prandaj po jap këtu dhe më poshtë përkthimin tim, pa ndonjë pretendim të madh.

[2] Këta kartona ishin vizatime në madhësi reale, mbi letër të fortë, për t’u përdorur si model për piktura, vetrata ose qilima. Disa kartona nga Rafaeli ruhen në Hampton Court, në Londër.

[3] Raphael was a bird, thotë origjinali anglisht. Në italishte e kanë përkthyer Raffaello era un mestierante!

6 Komente

  1. “Nje amerikan ne oborrin e mbretit Artur”, me hapi prap pune me magazinen e harres-kujtesessi nje prej biblave te asaj kohe. Librat e Tuenit, kryesoret te perkthyer atehere, kane qene baza per te kuptuar me pas letersine e madhe amerikane. Ka edhe nje baze tjeter amerikane qe ndalohej, por kjo eshte tjeter çeshtje.

    Nje kuriozitet qe mund te iluminoje idene e shkrimit, lidhur edhe me shkrimin e Ajkunes, impresionistet ne pergjithsi, edhe vete Van Gogu (edhe letrare si vellezerit Gonkurt) adhuronin grafikat japoneze qe ne Orientin e Larget kishin te njejtin funksion dhe vlere si ne Ameriken e Tuenit. Zbulimi i grafikave japoneze ishte fare i rastesishem, keto grafika ne Japoni ne Orient nuk vlenin nje lek, ne Paris sherbenin si leter amballazi per te mbeshtjelle e mos u thyer porcelanerat qe eksportoheshin nga Orienti. Teknika e prodhimit te tyre ishte ne seri njesoj si litografite amerikane te Tuenit, dmth asgjesonin auren e origjinalit (bashke me auren e Benjaminit ). Impresioninstet i pane keto te habitur dhe mrekulluar, se pane te realizuar ate qe perpiqeshin me kot ta arrinin. Dmth shperthimi i artit klasik si dukuri e artit modern qe hudhi ne ere Rafaelin me shoke, kishte si kapsolle grafikat japoneze ne oborrin e perandorit Kung Fu .

  2. Edhe nje gje tjeter me rendesi qe me kujtua me pas lidhur me “qasjen e pafajshme ndaj nje vepre arti”, jo eksperte, e cila eshte perkufizimi i Avangardes se hereshme, dhe misioni i saj.

    Avangardistet e hershem me kete lloj qasje ishin kunder artit klasik, kunder Rafaelit me shoke, pra kunder muzeut dhe ekspertit qe i sherben si funksionar sacerdot. Dhe kjo jo si deduksion logjik i mepastajme, e kane shpallur ata vete pa perjashtim, pavarsisht se ekspertet i konsiderojne keto shpallje si kapriço te domosdoshme artistesh qe ju falet çfardo qe thone e bejne, meqe “keshtu e kane artistet” si tek filmi “Gruaja nga fshati”. Kurse ne te vertete jo, ne asnje menyre jo, shpallja e tyre, pavarsisht nga forma, ishte serioze sepse perbente thelbin e misionit te tyre. Te gjitha veprat e avangardes se hereshme jane krijuar, jo me qellim qe te bejne art te madh e te perjetshem qe do te habise boten (ambicja e çdo artisti), por perkundrazi te krijojne vepra me vlere te çastit, ku teksti dhe konteksti perputhen (dhe nje sere varg te tjera perputhjes dialektike). Ne plan te fundit ata kishin ambicje te krijonin si krijon jeta vepra te gjalla, e jo vepra qe myken neper muzera, tempujt e fundit sakrale te adhuruar nga njerzit (sigurisht nen udhezimet e eksperteve). Minimumi ata do ishin habitur me salton mortale qe bene ekspertet, te cilet perjetsuan neper muzera, ata qe e krijuan me qellim te perkoheshme, dhe me qellim te godisnin te konsideruaren te perjeteshme (klasiken), pa qene e tille, ndersa maksimumi i bie te ngriheshin nga varri dhe te sulmonin muzeun e Peterburgut me kosa, shata e lopata si dikur te avangardistet barkthate Pallatin e Dimrit.

    Klasikja eshte e perjeteshme vetem si e mumifikuar, e te shohesh mumje madheshtore si Rafaeli ne muze ka te pakten kuptim, por çfar kuptimi ka te shohesh “Katror i zi ne katror te bardhe” te Maleviçit perveçse duke e dekontestalizuar, duke e riestetizuar ate qe ishte bere ne origjine me qellim antiestetik? Sa here qe vizitoja, se tani nuk vizitoj me, muze te artit modern, shijoja estetikisht vetem arranzhimin e veprave, kompozimin e vendosjes se objekteve, harmonine e struktures e hapsirave arkitekturale te interioreve etj. Dhe vija re se kolege kisha vetem kalamajte qe behen derr posi une; kisha qar me teper se ata, vetem se jam aq ekspert sa te shijoj vleren arranzhuese estetike te bashkohesise.

    1. Qe te kuptohet me mire çfare kam shkruar ne 2 komentet me lart, ndoshta kuptohet, gjithmone ndoshta per fat te keq, se proçesi i te kuptuarit lidhet me qasjen e pafajshme ndaj problemit. Tamam çeshtja qe po diskutojme ne nje version tjeter.

      Çfar kam thene me lart eshte eksperience e jetuar, dmth eksperience e hidhur, nuk eshte teori, pavarsisht se mund te kete reminishenca leximesh ekspertesh brenda. Konkretisht i referohet ekspozites se pare kombetare qe u organizua kur kish marre fund komunizmi, ose po merrte fund, pak rendesi ka. Nje buje e madhe, sot eshte harruar, por une e mbaj mend mire. Per turp te zotit, çfar nuk gjeje aty te ekspozuar, gjithçka qe ishte e ndaluar me pare si moderniste: njeri kishte bere nje krisht kubist, tjetri nje nudo fauviste, nje tjeter nje dollap surealist gjysem Dali e gjysem Magritte, impresioniste, van gogiste, terre rrymat, nje Babel i vertete. Dhe te gjithe kujtonin se benin modernin me persone e rruma qe kishin cof te gjithe dhjetra e dhjetra vite me pare. Aty e kuptove se edhe une vete qe kisha qene kaqol me pare. Dhe ky ishte fenomen, jo vetem piktorik, por mbareartistik. Edhe ne letra ndodhte i njejti fenomen. Dhe vazhdon te ndodhe si fenomen, mbas 30 vjet bejne instalacione tip Duchamp, gje qe persone me te sofistikuar filluan t’i benin qe ateher mbasi kaloi vala e pare e haverdase. Kesaj i thone te besh modernin me kufoma. Dhe ne fakt nuk kan faj, ç’te bejne tjeter, çfar ka mbet pa bere?

  3. Ah, mos Bahun! Bahun mos ma luj or tim se derdhet zhaku lume! Bahu eshte alfa dhe omega. Bahu per kodikun shpirteror te perendimit eshte si Pitagora per gjeometrine, si Galileo per astronomine. Bile edhe me shume. Kuadratura matematike e Bahut eshte bere kaq e rrenjosur ne muziken e sotme sa edhe e shkruara nga e majta ne te djathte qe na dallon dhe na ndan mentalisht nga e shkruara nga e djathta ne te majte e arabeve apo poshte e lart e lart e poshte e kinezeve e japonezeve. Jo se jam ndonje studiues i muzikes, por fati i madh qe ma nguliti Bahun ne shpirt ka qene nje film i quajtur “Preludi i Lavdise” ne mos gaboj (se nga ana e kuadrove te filmit e ngaterroj gjithmone me “Burri me pantallona te shkurtra”) ku nje femije i vogel meson ti bjere ne perfeksion Tokata dhe Fuge te Bahut. Nuk e di se si ai filmi rrojti per dekada ne shpirt deri sa iu futa Bahut me themeli, dhe nuk jam penduar kurre. Anyway, me kujtohet njehere (duhet te kem qene rreth 5 vjec) kur dikush me kishte sjelle per ditelindje mbase nje kaleidoskop te varfer socialist te mbeshtjelle me nje karton jeshil si ngjyre batanije ushtrije. I mahnitur nga nderrimi i figurave gjeometrike dola jashte ne ballkon ku kishte me shume drite, u shtriva ne nje dyshek me lesh qe mamaja e kishte nxjerre per tu shkrifetuar ne ajer te paster e diell dhe kam kaluar atje nje nga pasditet me te bukura te jetes sime duke ndjekur ne pafundesi ngjyrat dhe format qe zevendesonin njera-tjetren me saktesi matematike. Ja ky eshte Bahu! 🙂

  4. ” … ndërsa këtu, edhe në sallën e madhe të ceremonive, nuk gjeje asgjë që t’i ngjante një kuadri, me përjashtim të një gjëkafshe me përmasat e një jorgani, një pëlhurë e endur, ku asgjë nuk kish ngjyrën e duhur as format e duhura.”

    “E megjithatë, ai “jorgani” në mur, të cilin ai e trajton me aq shpërfillje, do të vlente sot miliona, përballë litografive, statujave prej porcelani dhe çikërrimave të tjera që zbukuronin me “art” jetën borgjeze, në Amerikën e shekullit XIX.”

    fjala eshte per pikturen Rothko me titull Orange, Red, Yellow, qe eshte shitur per 45 milion dollare???

    https://www.youtube.com/watch?v=CtCCCK9QWY8

  5. Unë mendoj se gjithsesi vlerësimi i një vepre është subjektive . Jo çdokush e shikon njëlloj dhe merr të njëjtën mesazh prej saj. Ekspertët duke njohur më mirë nga vjen përpiqen mbase ti bëjnë një qasje më afër të vërtetës duke u bazuar mbi atë që dinë, gjë që nuk është domosdoshmërisht ajo çka ka dashur të thotë autori. Mendoj se duke qenë se një vepër arti ngjizet nga një shkëndijë që mund të jetë më shumë një emocion sesa një ide e formuluar qartë edhe autori mund të mos jetë në gjëndje ta formulojë qartë me fjalë mesazhin e saj.
    Po kjo është pikërisht bukuria e një vepre arti. Si reflektimet e ngjyrave të kaledoskopit më sipër :)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin