Sipas rregullores së drejtshkrimit të gjuhës shqipe (§37) “Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes”. Ky rregull i përgjithshëm shoqërohet me shënimin: “Në shfaqjen e parë të një emri të kësaj kategorie mund të shënohet në kllapa edhe shkrimi i tij sipas grafisë së gjuhës nga buron.” E formuluar kështu, rregulla është jo vetëm e padobishme, por edhe e pavlefshme.
Dhe ja pse. Që në krye kërkohet që shkrimi i emrave të përveçëm të huaj të mbështetet në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse, çfarë presupozon që përdoruesi ta njohë këtë shqiptim – p.sh. ta dijë si shqiptohet, në polonishte, emri i shkrimtarit Seweryn Goszczyński; çfarë do të thotë, në thelb, të njohë gjuhën përkatëse. Po ashtu, rregulla nuk thotë asgjë, për ata emra që burojnë nga gjuhë që nuk përdorin alfabetin latin, p.sh. armenishtja: si do të shkruhet emri i poetit Hovhannes Tumanyan dhe, sidomos, si mund të shënohet në kllapa, në këtë rast, emri i tij në grafinë e armenishtes (Հովհաննես Թումանյան)? Më tutje, si do të bëhet “përshtatja sipas sistemit grafik të shqipes”, dhe kush do ta bëjë këtë? Në gjendjen e sotme të standardit, sfidat për të shkruar emra të huaj u dalin para së gjithash gazetarëve, publicistëve, redaktorëve, përkthyesve, bibliotekarëve, arkivistëve etj., por edhe kancelarive në institucionet publike, si ato të marrëdhënieve me jashtë dhe të protokollit shtetëror, të cilët përgjithësisht nuk e kanë ekspertizën për të marrë vendime autonome se si ta shkruajnë një emër të përveçëm të huaj – por këta ende nuk kanë një manual reference dhe as një kuadër ligjor që t’i udhëzojë si të procedojnë; dhe Rregullat e Drejtshkrimit më shumë u prishin punë, se ç’i ndihmojnë.
Por vështirësitë dalin edhe për gjuhët më të njohura – p.sh. anglishten. Si ta shkruash një emër si Leicester, në qoftë se nuk e di paraprakisht që ky shqiptohet léstër? Dhe e kundërta – nëse ti vendos të ndjekësh rregullën dhe ta shkruash këtë emër Lestër, sa vetë do ta lidhin dot mendërisht zgjidhjen tënde grafike me emrin Leicester? Praktika që ndjekin edhe sot e kësaj dite disa përkthyes nga anglishtja në shqip, edhe të dokumenteve zyrtare, që shkruajnë Kentaki (për Kentucky) dhe Uajoming (për Wyoming) është antiprofesionale dhe duhet të marrë fund menjëherë: tek e fundit, qëllimi i dokumenteve të përkthyera nuk është që t’u mësojë përdoruesve si ta shqiptojnë anglishten; por më tepër që t’i ndihmojë këta të orientohen në një realitet dhe kulturë tjetër, kur nuk e njohin gjuhën.
Tradita në shqip dhe gjetiu
Kundër rregullës ekzistuese të drejtshkrimit për shkrimin e emrave të përveçëm të huaj mund të sillet edhe një argument tjetër: ai i traditës drejtshkrimore të gjuhëve europiane që, sikurse shqipja, përdorin alfabetin latin. Kështu, emri i shkrimtarit Charles Dickens shkruhet pikërisht kështu, ose duke ruajtur grafinë e origjinalit anglisht, jo vetëm në gjuhët e mëdha perëndimore, si frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja, italishtja, etj., por edhe në shumë gjuhë të tjera europiane që përdorin alfabetin latin, nga turqishtja te estonishtja, nga hungarishtja te kroatishtja; bëjnë këtu përjashtim letonishtja, që përdor formën Čārlzs Dikenss dhe ndoshta lituanishtja. Përkundrazi, gjuhët europiane që përdorin alfabete jo-latine (alfabetin grek ose cirilik) zbatojnë, në mënyra të ndryshme, jo vetëm transliterimin por edhe një kriter fonetik – p.sh. greqishtja Κάρολος Ντίκενς (e shqiptuar Károlos Díkens) ose rusishtja Чарльз Диккенс (e shqiptuar Çarlz Dikens ose serbishtja Чарлс Дикенс (e shqiptuar Çarls Dikens), e kështu me radhë.
Nëse zgjedhja për t’i shkruar emrat e huaj të përveçëm në shqipe “ashtu si shqiptohen në gjuhët burimore” mund të duket sikur rrjedh, logjikisht, nga parimi i ashtuquajtur “fonetik” i drejtshkrimit të shqipes, ka të ngjarë që rol vendimtar, në këtë mes, të ketë luajtur ndikimi sovjetik (ose i kulturës ruse) në kulturën shqiptare, gjatë viteve të kristalizimit të normës drejtshkrimore.
Ekziston në fakt një relacion i Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i datës 24 gusht 1951, me titull “Mbi shkruarjen e fjalëve të huaja ashtu siç fliten në gjuhën shqip” i bashkëlidhur me një relacion tjetër me titullin ““Relacion për fjalët dhe emrat e huaja që të shkruhen ashtu siç lexohen” i nënshkruar nga Drejtorja e Drejtorisë së Agit-Prop-it Nexhmije Hoxha dhe Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së Bedri Spahiu, dhe një vendim përkatës që e miraton propozimin e bërë në relacion[1], në të cilin thuhet sa vijon:
Në shtypin tonë fjalët dhe emrat e huaja nuk shkruhen siç është shqyptimi i tyre, por ashtu siç shkruhen në fjalët gjuhët e huaja. Kjo gjë sjell që nga shumica dërmonjëse e lexonjësve të mos bëhet një shqyptim i drejt dhe të mos marrin vesh kuptimin e tyre. Prandaj duke marrë parasysh këtë propozojmë që të gjitha fjalët dhe emrat e huaja të shkruhen ashtu siç lexohen. Shtojmë se edhe në B.S. emrat dhe fjalët e huaja i shkruajnë simbas shqyptimit dhe germave në gjuhën ruse.
Për këtë çështje kërkuam dhe mendimin e shokëve t’Institutit të Shkencave të cilët janë dakord me mendimin tonë.
Siç e kam vënë në dukje te një analizë që ia kam bërë dokumentit këtu e dhjetë vjet të shkuara (Drejtshkrimi i madh sovjetik):
Së pari, autorët e këtij relacioni pranojnë se deri atëherë emrat me prejardhje të huaj, “në shtypin tonë[2],” janë shkruar sipas grafisë që kanë në gjuhët burimore (p.sh. Schwarzwald, jo Shvarcvald); duke ndjekur kriterin e ruajtjes së njësisë së formës grafike, përkundrejt variacioneve të mundshme në shqiptim.
Së dyti, autorët besojnë se ruajtja e grafisë së origjinalit, e pazakonshme për shqipen, ka bërë që këta emra të mos shqiptohen mirë dhe për rrjedhojë “të mos merret vesh kuptimi i tyre” – edhe pse nuk është e qartë se çfarë lidhje mund të ketë “kuptimi” i këtyre emrave ose fjalëve me shqiptimin që u bëhet.
Së treti, autorët propozojnë që emrat e huaj dhe në përgjithësi fjalët e huaja të shkruhen, sa i përket shtypit, sipas parimit fonetik; ose “ashtu siç lexohen” (p.sh. Shvarcvald, jo Schwarzwald), edhe pse një propozim i tillë përmban një kontradiktë, sa kohë që, vetëm një rresht më lart, është thënë se emra të tillë lexohen në gjithfarë mënyrash dhe keq; ndoshta duhej thënë “ashtu siç shqiptohen në gjuhët e origjinës”.
Së katërti, autorët e mbështetin propozimin e tyre duke iu referuar autoritetit politik dhe ideologjik dhe duke vërejtur se kështu veprohet edhe në Bashkimin Sovjetik, ku emrat dhe fjalët e huaja “i shkruajnë sipas shqyptimit dhe germave në gjuhën ruse”.
Së pesti, autorët nuk e fshehin se këtë çështje e kanë shqyrtuar vetë, por duke kërkuar “dhe mendimin e shokëve të Institutit të Shkencave”; çka lë vend të supozohet se sekretariati i K.Q. çështjen e drejtshkrimit të emrave të huaj e konsideronte më parë si ideologjike, dhe vetëm më pas si gjuhësore-teknike.
Nga pikëpamja mirëfilli linguistike, krahasimi me rusishten çalon; ngaqë, ndryshe nga shqipja e Kongresit të Manastirit, rusishtja shkruhet me alfabet cirilik, jo latin. Shkruesit e rusishtes, kësisoj, janë të detyruar nga alfabeti i gjuhës së tyre që t’i transkriptojnë dhe/ose transliterojnë emrat dhe fjalët e huaja, sipas një sistemi rregullash kaotik dhe kontradiktor. Autorët e relacionit i referohen praktikës normative ruso-sovjetike për arsye vetëm ideologjike, duke e përdorur si gozhdë për të varur përgjegjësinë e arbitraritetit; përndryshe drejtshkrimi i emrave të përveçëm në shqipe do të kërkonte, logjikisht, një qasje po aq teknike sa edhe qasja që i ka bërë rusishtja vetë (të dhëna të mëtejshme mund të gjenden në zërin e Wikipedia-s kushtuar cirilizimit). Kompleksiteti i rregullave dhe tabelave të transliterimit për rusishten e bën edhe më absurd propozimin e autorëve të relacionit më sipër, për të ndjekur, në drejtshkrimin e emrave të huaj, praktikat e miratuara prej “shokëve sovjetikë”, të cilët përndryshe gjuhën e tyre, rusishten, e trajtonin me shumë më tepër dashuri e kujdes se tanët shqipen.
Nga ana tjetër, nuk ka gjuhëtar dhe jurist që të mos e dijë se forma e shkruar e një fjale është shumë më e qëndrueshme se forma e folur; duke siguruar identitetin dhe njësinë e fjalës edhe në ato raste kur shqiptimi varion sipas parametrave gjeografikë, socialë dhe individualë; dhe aq më tepër vlen kjo, në rrethanat kur kemi të bëjmë me emra të përveçëm, të cilët nuk kanë “kuptim” në vetvete, por vetëm shenjojnë arbitrarisht objekte individuale, të tilla si persona ose vende; rrethana që marrin rëndësi kritike në fusha të tilla si ligji, historia, e drejta ndërkombëtare, diplomacia, shkencat bibliografike dhe sistemet e referencës, standardet ndërkombëtare, etj.
Tërheq vëmendjen edhe indiferenca e autorëve të atij relacioni ndaj traditës së drejtshkrimit të këtyre emrave në shqipe, ose lehtësia me të cilën ata marrin një vendim i cili, në thelb, lidhet me një aspekt tepër teknik të drejtshkrimit. Duke u lëkundur midis parimit të drejtshkrimit “ashtu siç lexohet” dhe drejtshkrimit “ashtu siç shqyptohet”, këta autorë njëkohësisht konfirmojnë gatishmërinë për të marrë vendime arbitrare në fusha delikate si kjo e standardizimit të shkrimit; të cilat vendime u mjafton që t’i mbështetin me retorikë populiste, ose duke përmendur “shumicën dërmonjëse të lexuesve”; si për të theksuar se vullneti për këtë ndryshim vjen nga poshtë ose nga populli, dhe këta vetëm sa bëhen interpretë dhe, më pastaj ekzekutorë, të vijës së masave.
Zgjidhja e mundshme
Sot për sot, shumë përdorues të shqipes e kanë marrë në sy t’i shkruajnë emrat e përveçëm – kryesisht të gjuhëve perëndimore si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, etj. – ashtu siç shkruhen në gjuhët burimore, duke ua shtuar pastaj mbaresat e lakimit me vizë ndarëse: p.sh. “Kur isha në Itali, pashë në një restorant Giampiero Mughini-n.” Kjo duket më e saktë si zgjidhje, por funksionon vetëm për pak gjuhë. Përndryshe, nuk mund të presësh nga një përdorues normal i shqipes që të shkruajë dhe aq më pak të shqiptojë drejt një emër si Wojciech Szczęsny, portieri polak i Juventusit të Torinos; ose si László Lőrincz, shkrimtar hungarez. Një zgjidhje do të ishte heqja e diakritikëve, p.sh. Laszlo Lorincz, por pastaj do të duhej mbajtur qëndrim edhe për diakritikët në gjuhë si italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Për shembull, Sørensen është mjaft i përhapur, si mbiemër, në vende si Danimarka dhe Norvegjia; dhe teknikisht, shqipja e shkruar sot nuk duhej të kish problem për ta gjeneruar këtë ø; por edhe varianti Sorensen mund të shihej si i pranueshëm.
Sfida drejtshkrimore vjen e bëhet e papërballueshme, kur është fjala për emra që vijnë nga gjuhë të cilat përdorin alfabete jo-latine: greqishtja, disa gjuhë sllave (rusishtja, serbishtja, bullgarishtja), gjeorgjishtja, armenishtja, arabishtja, persishtja, gjuhët e nën-kontinentit indian, e kështu me radhë. Këta emra nuk i shkruan dot ashtu siç shkruhen në gjuhët burimore, sepse kjo nuk do të ishte as tipografikisht praktike. Për greqishten dhe gjuhët sllave ekziston në shqipe një traditë shkrimore, e cila vlen ende për emra të njohur – të gjithë dimë si të shkruajmë emra si Herakliti ose Turgenjevi; por kjo traditë nuk na ndihmon për të shkruar emra të rinj që na dalin përpara (për shkak të një përplasjeje traditash mes Shqipërisë dhe Kosovës, ne nuk po merremi dot vesh nëse do të shkruajmë Çosiç apo Qosiq, Karaxhiç, Karagjiq apo Karaxhiq). Për të sjellë një shembull nga rusishtja, si do të shkruhet emri i shkrimtares Людмила Евгеньевна Улицкая? Ludmila Evgjenjevna Ulickaja? Ludmila apo Ludmilla? Apo Ljudmilla? Pse anglishtja e shkruan këtë emër Ludmila Ulitskaya, frëngjishtja Lioudmila Oulitskaïa, italishtja Ljudmila Evgen’evna Ulickaja dhe gjermanishtja Ljudmila Jewgenjewna Ulizkaja?
Edhe më problematikë janë emrat nga gjuhë që ndjekin sisteme shkrimi jo-alfabetike (silabike ose logografike), si japonishtja, koreanishtja dhe kinezishtja. Ai emër që në shqipe ishim mësuar ta shkruanim Mao Ce Dun, sot shkruhet në anglishte Mao Zedong, por edhe Mao Tse-tung (Mao Tsê-tung) – këto diferenca lidhen me atë sistem të romanizimit që është zgjedhur për t’u përdorur. Deri më sot, në tekstet publike të shqipes, emra të tillë shkruhen sipas grafisë të përdorur në gjuhë të mëdha reference (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht), por askush nuk di cilin sistem romanizimi parapëlqen shqipja për kinezishten, koreanishten dhe të tjera gjuhë jo-alfabetike (ka disa sisteme të tilla).
Këto kokëçarje drejtshkrimore nuk janë thjesht teorike: duke qenë sot dija gjithnjë e më tepër e organizuar në formatin elektronik (online, etj.) dhe e varur nga motorët e kërkimit, ka rëndësi që edhe shqipja t’i shkruajë emrat e huaj në mënyrë të tillë që këta të njihen edhe nga softuerët përkatës. Prandaj nevojitet ngutshëm një zgjidhje e tillë që t’i kapërcejë kufizimet foshnjore të rregullës së drejtshkrimit ekzistuese dhe t’u japë përgjigje të gjitha llojeve të vështirësive që u dalin përpara përdoruesve të gjuhës në këtë fushë. Pa qenë nevoja të përmend, pastaj, telashet e mëdha që u hapi sistemi i mangët i transliterimit të toponimeve dhe mungesa e një marrëveshjeje përkatëse, të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që donin të rregulloheshin me dokumente në Greqi. Çështja nuk mund t’u lihet në dorë gjuhëtarëve – duhet bashkëpunim mes gjuhëtarëve, diplomatëve dhe specialistëve të standardeve ndërkombëtare.
Disa emra të përveçëm të huaj – njerëzish, vendesh dhe të llojeve të tjera – ndjekin tashmë një traditë solide në shqipen e shkruar dhe do të vijojnë ta ndjekin edhe në të ardhmen: p.sh. Vjena, Stambolli, Moska, Londra, Zvicra, Shekspiri, Dekarti, Servantesi, etj. Këta janë pasqyruar dhe trajtuar mirë te rregulla drejtshkrimore që cituam më lart.
Emrat e përveçëm nga gjuhët që përdorin alfabetin latin do të shkruhen ashtu si në origjinal, për gjuhët referencë të kulturës shqipe, si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja, etj. Emrat e përveçëm nga gjuhë të tjera që përdorin alfabetin latin, si turqishtja, hungarishtja, gjuhët skandinave, gjuhët baltike, etj., do të shkruhen ashtu si në origjinal, por duke i thjeshtuar diakritikët, sipas rastit (kjo duhet përcaktuar në hollësi): p.sh. Mevlüt Çavuşoğlu nuk do të shqipërohet në Mevlut Çausholli dhe as do të transkriptohet si Mevlyt Çavushol(l)u, por edhe jo gjithnjë mund të shkruhet si në turqishte, me të gjithë diakritikët e nevojshëm – për këtë duhen hartuar dhe miratuar, gjithsesi, rregulla transliterimi – që nuk do të jenë dhe kaq shumë. Në mungesë të këtyre, shkruesit ose ndjekin intuitën, ose kopjojnë zgjidhjet e gjuhëve të tjera, por pa ndonjë kriter sistematik.
Emrat e përveçëm nga gjuhët që përdorin alfabete të tjera do të shkruhen sipas rregullave të transliterimit, veçanërisht për greqishten, gjuhët sllave dhe arabishten. Meqë rregulla të tilla transliterimi janë hartuar dhe ndiqen prej kohësh për gjuhë të tjera referencë, si p.sh. për anglishten ose për italishten, mund të merren si shembull dhe të adoptohen edhe nga shqipja – nuk ka nevojë të krijohen nga e para.
E njëjta metodë do të ndiqet edhe për emrat e përveçëm nga gjuhë që përdorin sisteme shkrimi jo-alfabetike: të ndiqen sistemet e romanizimit në fuqi që janë adoptuar nga një gjuhë perëndimore e njohur, p.sh. anglishtja ose italishtja. Për shembull, për anglishten në SHBA, një vepër referencë e këshilluar është ALA-LC Romanization Tables, e botuar nga The Library of Congress, e cila gjendet edhe online te kjo faqe.[3]
Transliterimi dhe romanizimi sot mund të bëhen online dhe falas; por shqipja zyrtare ka nevojë ta formalizojë drejtshkrimin e emrave të përveçëm që kërkojnë romanizim nëpërmjet një ligji dhe pastaj një manuali të transliterimit – meqë nuk mund të presë kush që këto operacione komplekse t’i kryejë një redaktor ose bibliotekar ose punonjës i gjendjes civile çfarëdo, dhe aq më pak një shkrues çfarëdo i shqipes. Pavarësisht nga sistemet e romanizimit që do të zgjidhen, kjo duhet specifikuar dhe miratuar me ligj – dhe ashtu mund edhe të ndërtohet një sistem i thjeshtë që ta bëjë këtë online, edhe për shqipen. Për shembull, sistemi i romanizimit për emrat e përveçëm të bullgarishtes është miratuar me ligj, në vitin 2009; nuk na mbetet veçse që këtë ligj ta përfshijmë në rregulloret tona të posaçme të drejtshkrimit për emrat e bullgarishtes, gjithë duke pasur parasysh se nuk bëhet fjalë për rregulla që duhet t’i mësojnë përdoruesit e zakonshëm të shqipes, por vetëm specialistët e drejtshkrimit dhe të standardit.
Për gjuhëtarët specialistë të normës dhe të standardit, ky është edhe momenti kur duhet të pranojnë se parimi që shqipja “shkruhet ashtu siç shqiptohet” është folklorik dhe nuk i përgjigjet as realitetit as praktikës gjuhësore të përditshme, të miliona shqiptarëve anembanë, të cilët e shkruajnë shqipen ashtu siç e kanë mësuar në shkollë (në thelb: ashtu siç e kanë shkruar më parë). Në rrethanat ku shkrimi ka përparësi ndaj shqiptimit (formës së folur) në njësimin e ligjërimit publik, ka më shumë rëndësi që emrat e huaj të shkruhen drejt dhe saktë, se ç’ka që të shqiptohen mirë; aq më tepër që alfabeti i shqipes mund ta përballojë grafinë e huaj shumë më lehtë se ç’mund ta përballojë sistemi fonetik i shqipes shqiptimin e huaj. Në çdo rast, pikënisja duhet të jetë njësimi i drejtshkrimit të emrit të përveçëm, jo i drejtshqiptimit të tij; tek e fundit, verba volant, por scripta manent.
(c) 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
[1] Falënderoj me këtë rast edhe një herë Elidor Mëhillin, që pati mirësinë të ma jepte këtë dokument.
[2] Nuk kuptohet mirë nëse ky orientim ose vendim synon të zbatohet dora-dorës ndaj gjithë botimeve rishtas në shqip, meqë teksti flet vetëm për “shtypin tonë”; por, duke pasur parasysh mënyrën si funksiononin botimet në Shqipërinë e asaj kohe, çdo vendim i marrë lart për shtypin do të adoptohej menjëherë edhe poshtë.
[3] Herët a vonë duhet hartuar edhe një rregullore a ligj për transliterimin e emrave të përveçëm të shqipes në gjuhët që përdorin alfabetin cirilik, grek dhe arab (të paktën) dhe ky të përfshihet në marrëveshjet dypalëshe me shtetet përkatëse.