Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Semiotikë

GRIMCA SEMIOTIKE

  1. Napoleoni i shqiptarëve

Një mik më dërgoi një artikull ku rimerrej legjenda e origjinës “shqiptare” të Napoleon Bonaparte-it – legjendë që, ç’është e vërteta, prej kohësh lëvrin në periferitë e mendimit tonë patriotik. Tani, duke qenë se Napoleoni vetë e mbante veten për “më shumë italian a toskan se korsikan,” dhe se prejardhja e tij prej një familjeje fisnike nga San Miniato e Toscana-s të ardhur në Korsikë nga Sarzana e Liguria-s në shekullin e 16-të, gjasat për origjinën shqiptare vijnë e zvogëlohen, siç edhe mund të pritej; dhe në fakt, ky grupim i Napoleonit me të tjerë burra shteti dhe komandantë ushtarakë të shquar, si Aleksandri i Madh, Pirroja e ndonjë tjetër flet më shumë për natyrën e fantazmagorive tona kombëtariste, se për gjenetikën e personazheve në fjalë; dhe është në vetvete banal. Përkundrazi, më tërheqëse do të ishte të ndiqje arsyet e kësaj “teorie”, që nuk më duken pa lidhje me të ashtuquajturin régiment albanais, të ushtrisë së Napoleonit dhe që u përfshi në fushatën joniane të këtij; dhe që, për nga natyra dhe emri vetvetiu do t’i referohet edhe regjimentit real macedone, mercenarë që u shërbyen shumë monarkëve në Europë gjatë shekujve XV-XVIII, dhe që njiheshin ndryshe si stratiotë (stratioti), mes të cilëve edhe një numër i madh shqiptarësh; dhe që gëzonin respekt të madh në Francë, për aftësitë e tyre ushtarake. Më në fund, edhe vetë emri Napoleon do të ketë dhënë ndonjë kontribut te legjenda e Bonapartit shqiptar: ky emër i rrallë në kalendarin e krishterë, ndonjëherë është shpjeguar, me etimologji popullore, si “Leone di Napoli”, por edhe shpjegimet e tjera, më “shkencore,” nuk është se bindin shumë; çfarë dihet me siguri, është se emri përmendet në Italinë qendrore që në shekullin XII dhe se, nga të gjitha propozimet etimologjike, lidhja me emrin e Napolit bind më shumë. Edhe një herë, Napoli dhe lidhjet e njohura të kësaj mbretërie me Skënderbeun, stratiotët shqiptarë, regjimenti “albanais” në shërbim të Napoleonit – të gjitha këto sikur i hapin rrugë vetvetiu dëshirimit për një origjinë shqiptare të kondotierit të madh nga Korsika.

  1. Hundët e statujave

Çdo fëmije që viziton për herë të parë një muze arkeologjik, do t’i tërheqin vëmendjen hundët e thyera të shumë statujave: mua, kur kam pyetur, më kanë shpjeguar – mbase me të drejtë – se hunda, duke qenë e dalë përpara, është edhe më e ekspozuar ndaj dëmtimeve, njëlloj si krahët, vetë koka, dhe ndonjë shtesë tjetër formidabël, si flatrat. Një shfytyrim si të thuash aksidental, i krahasueshëm për nga efektet me bardhësinë e mermerit të skulpturave antike, që shpjegohet, edhe ajo, me veprimin e kohës – që i ka shpëlarë ngjyrat. Por hundë të thyera nuk kanë vetëm statujat e artit klasik; sepse të tilla i gjen me shumicë në artin e lashtë egjiptian. Deri edhe Sfinksit në Giza ia kanë shkatërruar hundën; madje, sipas një legjende, këtë e ka urdhëruar Bonaparti, i cili e goditi hundën me artileri; madje sipas një shpjegimi afrocentrik (Louis Farrakhan por jo vetëm), kjo ngaqë gjeneralit nga Europa nuk i pëlqeu që hunda e Sfinksit ishte “afrikane” dhe dëshmonte për origjinën “zezake” të qytetërimit egjiptian. Gjithsekujt legjendën e vet. E megjithatë, për shumë statuja egjiptiane teoria e hundës së shkatërruar në rrjedhë të shekujve për shkaqe natyrore nuk qëndron; meqë ca prej tyre, edhe pse pa hundë, nuk kishin luajtur nga vendi, kur i zbuluan në kohët moderne. Prandaj më e besueshme tingëllon hipoteza që statujave në Egjipt ua shkatërruan hundët plaçkitësit e varreve, të cilët besonin se këto statuja ende banoheshin nga shpirtrat e të vdekurve; dhe se, duke ua hequr hundët, shpirtrat nuk do të merrnin dot më frymë dhe ashtu do të zhdukeshin (humbisnin, mbase vdisnin?); dhe ashtu, edhe plaçkitësit do të shpëtonin nga hakmarrja për përdhosjen. Me një fjalë, shkatërrimi i hundës si një lloj ekzekutimi simbolik i frymës që ende fshihej brenda statujës. Arkeologët që e mbështetin këtë hipotezë, përmendin edhe faktin që hundët janë shkatërruar edhe në bareliefe ose në piktura. Edhe ikonoklastët, që Egjiptit nuk i kanë munguar, do ta kenë përligjur vandalizmin njëlloj; duke parë në këto vepra arti thjesht imazhe njerëzish të vdekur.

  1. Maska maska maska

Dhe meqë flasim për frymëmarrjen: këto ditë mediat veç përcjellin pamje njerëzish me fytyrat të mbuluara me maska, në përpjekje për t’u mbrojtur nga koronavirus-i; por rasti e solli ta shihja një nga këto fotografi kinezësh të maskuar përbri një fotoje tjetër, ku të maskuarit ishin jelek-verdhët e Francës; të cilët i mbulojnë fytyrat jo ngaqë i druhen ndonjë virusi a infeksioni, por për të mos u identifikuar nga kamerat e policisë (çfarë nuk përjashton shkaqe të tjera, p.sh. nevojën për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës, ose edhe simbolizmin politik të maskave tip Guy Fawkes ose Joker). E megjithatë, maskë për maskë, ngjashmëria nuk mbetet në sipërfaqe. Në të dy herët, bëhet fjalë për t’u izoluar nga “ajri” i hapësirës publike – që shërben si vektor edhe i virusit, edhe i vështrimit identifikues të pushtetit; duke qenë, edhe virusi edhe kamera, një çarje, në mos një tradhti e paktit që kemi të gjithë me “ajrin”, ose me hapësirën që na bashkon; dhe ku gjithnjë shpresojmë, madje pretendojmë, liri për të qenë vetvetja, ose “paprekshmëri” nga kalimtaria e dhunës. Në fakt, edhe virusi, duke e përcjellë nga i sëmuri tek i shëndetshmi dhe duke i shpërthyer mbrojtjet imunologjike të këtij të fundit, aktualizon kalimtarinë (tranzitivitetin), të cilën e ka aq të domosdoshme për të mbijetuar; njëlloj edhe vështrimi i kamerës, duke i shpërthyer mbrojtjet anonimizuese që individi shpreson t’i gjejë te rruga, i duhet me doemos pushtetit të tanishëm survejues, për të mbijetuar; dhe i “prekuri” nga kamera, duke u bërë i njohur për pushtetin, merr një status jo të pangjashëm me atë të një të infektuari me koronavirus, të cilin herët a vonë do ta shoqërojnë në “karantinë”. Maska në fytyrë është edhe muri që ngrihet mes frymëmarrjes sime dhe tëndes; duke shënjuar simbolikisht izolimin nga bota, ose vetëgjymtimin si një lloj vdekjeje të pjesshme, për Tjetrin; çfarë vjen dhe i ngjan shkatërrimit të hundës, në artin e lashtë të Egjiptit. Siç do ta thoshte edhe vetë Napoleoni, ose jelekverdhët e tanishëm, plus ça change

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Nuk jam shumë i sigurt për statujat egjyptiane, por ato klasike në Athinë janë shpërfytyruar në mesjetë për shkak të katakterit të tyre pagan.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin