Autori dhe kritiku Christopher Bray prezanton, për The Critic, një përkthim të veprës History and Imperialism, nga filozofi i njohur frëng, Louis Althusser (Inveterate ignoramus).
Stanford Encyclopedia of Philosophy e quan Althusser-in “një nga filozofët marksistë më me influencë të shekullit të 20-të”.
Prandaj u habita kur lexova, te Bray, që Althusser-i, pavarësisht reputacionit dhe famës së tij, nuk kish ndonjë bagazh filozofik për t’u admiruar. Bray citon, nga autobiografia e Althusser-it, se ky “njihte mirë veprën e Descartes-it dhe të Malebranche-it” dhe pastaj “pak nga Spinoza, asgjë nga Aristoteli… asgjë nga Kanti, pak nga Hegeli.” Me Gaston Bachelard-in mbrojti tezën për Hegelin, ku edhe sajoi ca citate nga ky i fundit, që Bachelard-it i shpëtuan.
Bray shton edhe se Althusser-i nuk e njihte as pjesën më të madhe të veprës së Marksit. Një tip që fitoi famë me libra të tillë si Pour Marx dhe Lire le Capital [por edhe, do të shtoja unë, A.V., të një parathënieje të volumit të parë të Kapitalit, botuar nga Garnier-Flammarion në 1969], pat lexuar nga Marksi “jo më shumë se ç’kish lexuar Margaret Thatcher-i.”
Sipas Bray-t, nga Marksi ai pat lexuar vetëm ca gjëra të botuara para Ideologjisë Gjermane.
E kotë të shtoj se këto fakte bibliografike më bëjnë ta shoh Althusser-in në një dritë të re; madje edhe më të re, se ç’e pata parë kur mësova se ky kish mbytur me duart e veta të shoqen, por pa kuptuar mirë se ç’po bënte – për çfarë edhe i shpëtoi burgut, sepse u diagnostikua si i sëmurë mendor.
Kisha pyetur atëherë nëse ia vlen të merresh me një filozof, i cili ka vrarë gruan e vet; dhe kisha arritur në përfundimin se ia vlen, meqë krimin në rastin e tij e paskësh bërë marrëzia, jo subjekti.
Por tani më duhet të them se e kam të vështirë të marr seriozisht një filozof marksist, që nuk ka lexuar ndonjë gjë të madhe nga mësuesi i vet, dhe që njihte veç pak nga Hegeli (dhe që ka sajuar citate nga ky i fundit, për tezën e doktoratës). Mund – mbase duhet – respektuar dhe lexuar si filozof, por si marksist…
(Përveçse po ta përfytyrosh marksizmin si një lloj shkolle të filozofisë, ku dishepujt inkurajohen fort që të mos i lexojnë dhe as t’i njohin mjeshtrit dhe mësuesit e tyre.)
Meqë e kam librin me “autobiografitë” postume të Althusser-it (L’avenir dure longtemps, suivi de Les faits, STOCK/IMEC 1992), munda t’i verifikoj vetë, një për një, të gjitha ato që shkruan Bray – deri më sot, librin e pata lexuar vetëm ngaqë isha kurioz si e rrëfente, ky i gjorë, vrasjen e së shoqes; pa e vrarë mendjen shumë për burimet e filozofisë së tij.
Gjithsesi, tani po ia lejoj vetes të shkoj më tutje se artikulli i Bray-t dhe të jap më poshtë, në përkthimin tim, një fragment nga autobiografia:
Sapo kisha dalë nga euforia e botimit të Pour Marx et Lire le Capital, në tetor [të vitit 1965, A.V.]. Dhe atëherë më kapi një tmerr i pabesueshëm, ndaj idesë se këto tekste do të më tregonin krejt lakuriq, përballë publikut më të gjerë: krejt lakuriq, në kuptimin ashtu siç isha, një qenie e gjitha me artifice dhe mashtrime dhe asgjë tjetër, një filozof që nuk njihte pothuajse asgjë nga historia e filozofisë dhe gati asgjë nga Marksi (të cilit i kisha studiuar nga afër, natyrisht, veprat e rinisë, por që nuk i kisha studiuar pastaj seriozisht veçse Librin I të Kapitalit, po atë vit 1964 kur mbajta seminarin që pastaj çoi te Lire le Capital). Ndihesha “filozof” i lançuar në një konstruksion arbitrar, të huaj edhe ndaj Marksit vetë. Raymond Aron-i nuk e pati krejt keq, kur foli për mua, si edhe për Sartre-in, si praktikues të një “marksizmi imagjinar”… (f. 139).
Më tej, me po aq sinqeritet çarmatosës, ai pranon se kish qenë
[I]njorant për gjithçka [që ndodhte jashtë Francës, A.V.], Carnap-i, Russell-i, Frege-ja, pra pozitivizmi logjik; dhe Wittgenstein-i dhe filozofia analitike angleze. Nga Heidegger-i nuk kisha lexuar veçse, vonë, Lettre à Jean Beaufret sur l’humanisme, që pati një farë ndikimi tek tezat e mia për antihumanizmin teorik të Marksit…
Megjithatë, Althusser-i ngushëllohet me bindjen e vet se Sartre-i, kjo “mendje brilante” autor romanesh filozofike të jashtëzakonshme… “nuk kish kuptuar kurrë asgjë as nga Hegeli, as nga Marksi dhe, natyrisht, as nga Freud-i. Shihja tek ai një nga ata “filozofë të historisë” post-kartezianë dhe post-hegelianë, që Marksi i kish tmerr…” thotë.
Njëlloj si Sartre-i, edhe Kojève, edhe Lacan-i nuk paskëshin kuptuar gjë nga Marksi dhe Hegeli [f. 168]. Dhe kështu me radhë…
Tani mësoj rastësisht se Lucien Sève, komunist dhe filozof marksist, e paska qortuar ashpër Althusser-in, duke i vënë në dukje se nuk i pat lexuar tekstet e Marksit.
* * *
Për Marksin thonë se pat vërejtur dikur që “nuk jam marksist.” Versioni radical chic i kësaj batute do të ishte “Jam marksist, por pa e lexuar Marksin.”
Shënim cinik: Ndoshta Althusser-i mund të kish provuar të martohej me Thatcher-in – ja një sugjerim për një histori alternative të Perëndimit, në fund të shekullit XX.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Mirë e kanë, sepse vetëm po s’e ke lexuar Marksin mund të jesh marksist… Sikur ta kishin lexuar dhe sidomos sikur ta kishin kuptuar Marksin, ata nuk do të ishin më marksistë, kështu që me mos-leximin janë në rregull ata! 🙂
Seriozisht, stili i Marksit është fare i pahonepsshëm, kunfuz, përsëritës, me fjali të stërzgjatura, nga ai stil që lexohet me dhëmbët shtrënguar dhe me të cilin duhet të kesh durim dhe vullnet shumë për tu mësuar njëherë, që të mundesh pastaj të përqëndrohesh te të kuptuarit e asaj që shkruan ai. Përveç vëllimit të parë të Kapitalit shumë të paktë janë ata që i shkojnë më tej veprës së Marksit; dhe nga ata që lexojnë të parin vetëm një pakicë e kuptojnë dhe akoma më pakicë janë ata që marrin mundimin t’i bëjnë një lexim kritik asaj që qëndron aty. Nuk them se është i pavlerë, por i mbivlerësuar – nga e majta – dhe i tejkaluar intelektualisht dhe historikisht (Vëllimi I, se për të tjerët nuk mund të flas pa i lexuar).
Marksin vetem nje grusht njerezish ne kete planet e kane lexuar .Njerezit gjykojne nga ato qe degjojne second apo third hand nga ata qe e kane lexuar apo pretendojne se e kane lexuar .Marksi vete deklaroi se nuk eshte marksist kur mesoi per gjerat qe beheshin ne emer te tij .
Marksizmi nuk ka si te jete filozofi, perderi sa vete Marksi mendonte se filozofia eshte nul nese ajo nuk kthehet në perberese imanente dhe te pandashme te praktikes revolucionare.
Në Francë kishin edhe Maon, që ua zëvendësonte Marksin. Aq më tepër që Maoja i kishte shkrimet më të shkurtra.
Vazhdon te me habise se sa lehtesisht levizjet e majta, ne cdo fushe te aktivitetit njerezor kjo, kulture, politike, shkence,administrim etj, etj, e kalojne cdo lloj deshtimi dhe e justifikojne ate si dicka normale, si dicka qe ” edhe..? e cfare pastaj?..” Kur eshte kepuca ne kemben e tjetrit, dhe ai rreshqet, kerkojne gjak. Kur eshte kepuca ne kemben e tyre edhe ajo rreshqet, te bejne gjak.
Para ca vjetesh duke bredhur neper internet, hasa ne traskriptin e nje diskutimi ne parlamentin italian ne kohen kur Antonio Gramshi ishte anetar i tij. Nje nga pjestaret e qeverise i spjegonte parlamentit arsyet e dhunes se policise ndaj pjesemarresve te nje demostrate. Mbas tij e merr fjalen Gramshi, dhe kur ne nje moment i vihet ne dukje nga krahu i kunder politik se edhe partia (levizja) e tij ishin po aq te dhunshem ne mos me teper, pergjigja e Gramshit ishte se dhune nga keta te fundit ishte e vlefshme, dhe ne parim dhuna proletare i sherbente te mires se pergjithsme.
Edhe Althusser shkruan me kompetence mijra faqe per nje teme ku njohuria e tij eshte tek me e shumta, e manget, dhe when he is called to task, ai thjesht ngre shpatullat. ” E ca pastaj…”
Kjo mund të ketë ndonjë farë vlere për të majtën radikale; por pastaj njëlloj vlen edhe për fashizmin vetë – sepse është më shumë karakteristikë e radikalizmit dhe ekstremizmit, sesa e së majtës (apo së djathtës). Gramsci më është dukur gjithnjë serioz, edhe si filozof edhe si politikan – por Althusser-i nuk mund të krahasohet me të. Nuk dua të hyj në gjynah, por më duket sikur këta të kallëpit të tij gjithnjë i shkelnin syrin shoku-shokut; ndërsa Gramsci vdiq (praktikisht) si i burgosur politik i regjimit të Mussolinit. Nuk di pse kam frikë se edhe fashistët, në Itali, e mendonin dhunën që vinte prej tyre si në shërbim të së mirës së përgjithshme.