Kur krahason gjuhën me shahun, Saussure-i shkruan mes të tjerash:
Çdo pozicion në një lojë shahu është i pavarur nga ç’i ka paraprirë; nuk ka rëndësi se me ç’rrugë është arritur atje; dikush që e ka ndjekur gjithë lojën nuk ka as avantazhin më të vogël ndaj kureshtarit që sapo është afruar ta shohë lojën në momentin kritik; për ta përshkruar këtë pozicion, është krejt pa vlerë që të kujtosh se çfarë po ndodhte dhjetë sekonda më parë.
Këtu duhet shtuar se, për ta kuptuar se ç’po ndodh në fushë, duhet jo vetëm të shohim pozicionin, por edhe të dimë se kush e ka radhën për të luajtur – i bardhi apo i ziu. Radha e lëvizjes është, si të thuash, po aq pjesë e pozicionit sa edhe koordinatat e gurëve në fushë.
Në pozicionin më poshtë, i bardhi fiton menjëherë pavarësisht nga kush e ka radhën për të lëvizur.
Përkundrazi, në pozicionin më poshtë fiton kush ka radhën për të lëvizur:
Sepse i bardhi mund të fitojë menjëherë me Fd4, ndërsa i ziu mund të fitojë menjëherë me Dg7.
Përndryshe, fjalët e Saussure-it vlejnë – si në rastin e pozicionit më poshtë, të nxjerrë nga një lojë e matçit për titullin botëror Spasski-Fissher, në vitin 1972:
Lëvizjet që kanë sjellë në këtë pozicion nuk ngrenë asnjë peshë, për të kuptuar dinamikën e lojës; mjafton të dimë që pozicioni u arrit pasi i bardhi (Spasski) lëvizi filin në f8 dhe tani e ka radhën i ziu të lëvizë.
Megjithatë, ka raste kur lojës i duhet “kujtesa”, për të funksionuar.
Në pozicionin më poshtë,
ku e ka radhën i bardhi për të lëvizur, nuk mund t’i japim një vlerësim pozicionit dhe as të marrim me mend çfarë mund dhe çfarë duhet të lëvizë i bardhi, pa e ditur se çfarë ka lëvizur menjëherë më parë i ziu. Në fakt, sikur lëvizja e mëparshme e të ziut të ketë qenë ushtari f7-f5, atëherë i bardhi ka opsionin e një lëvizjeje të quajtur en passant, duke e marrë ushtarin e zi me ushtarin e vet në g5, i cili shkon pas kësaj në f6. Por i bardhi ka vetëm një shans për ta shfrytëzuar këtë – duhet ta bëjë menjëherë.
Përkundrazi, në pozicionin e ngjashëm më poshtë (lëviz i bardhi):
Mundësia për en passant nuk ekziston për ushtarin në g4, sepse ushtari i zi, nëse ka lëvizur, vetëm mund të ketë lëvizur f5-f4. Nga ana tjetër, po ta kish radhën i ziu, atëherë ushtari i tij në f4 do ta kish (hipotetikisht, ose për spektatorin që sapo ka mbërritur) opsionin për en passant, meqë i bardhi edhe mund sapo të ketë luajtur g2-g4; dhe ashtu do të ktheheshim në situatën e përshkruar në pozicionin 4.
Rregulla e marrjes en passant lidhet mënyrën e veçantë si lëviz ushtari: kur është në pozicion fillestar (në radhën 2 ose 7), një ushtar mund të lëvizë një ose dy kuti përpara, sipas interesit të lojtarit përkatës.
Një situatë e ngjashme krijohet me rokadën. Në pozicionin e mëposhtëm (luan i bardhi):
I bardhi mund ta fitojë lojën duke bërë rokadën e madhe:
Mirëpo, sipas rregullave të shahut, rokada – edhe e madhja edhe e vogla – mund të bëhen me kusht që as mbreti, as torra përkatëse, të mos kenë lëvizur më parë.
Në pozicionin më lart, e vetmja mënyrë për spektatorin që ta marrë në konsideratë rokadën si lëvizje të mundshme (të ligjshme), është që të dijë nëse torra në a1 ose mbreti i bardhë kanë lëvizur apo jo më parë gjatë lojës. Mund të ketë ndodhur, për shembull, që torra të ketë shkuar gjetiu dhe pastaj të jetë kthyer sërish në a1; por nuk ka asnjë mënyrë për ta kuptuar këtë nga pozicioni. Duhet ditur historia e lojës.
Të shohim, më në fund, pozicionin më poshtë:
Që mund të duket i rëndomtë, por nuk është. I bardhi ka dy fila kuti-zinj, gjë që mund të ndodhë vetëm me kusht që, në rrjedhë të lojës, i bardhi të ketë graduar disi një ushtar si fil-kutizi. Kjo sepse, në fillim të lojës, çdo lojtar ka vetëm një fil kutizi, dhe një fil kutibardhë; dhe fili, për nga mënyra si lëviz, nuk e ndërron kurrë ngjyrën e kutisë. Megjithatë, ky informacion që mund të nxjerrim nga analiza e pozicionit, nuk është relevant për tensionin e pozicionit – meqë ky mbetet i ligjshëm.
Ndryshe nga, të themi, pozicioni më poshtë, i cili është i paligjshëm, sepse nuk mund të arrihet gjatë një loje të luajtur sipas rregullave:
Pse? Ja një pyetje për lexuesin (kam frikë se, o është e pakuptueshme, o është shumë e thjeshtë për t’u përgjigjur).
Për ta përmbledhur: ndryshe nga modeli i përgjithshëm i shahut, që përshkruan Saussure-i te Kursi, shahu kërkon që, në pozicione të caktuara, vlerësimi të marrë parasysh se çfarë është luajtur më parë, si në rastin e marrjes en passant, ashtu edhe të rokadës.
E megjithatë, të dyja këto rregulla janë artificiale (ad hoc) në raport me rregullat e tjera dhe, siç dihet nga historia e shahut, u shtuan dikur në Mesjetë për ta bërë lojën më të zhdërvjellët; shahu fare lehtë mund të përfytyrohet pa to, çfarë ia ruan analogjisë sassureane vlerën.
© 2020, Peizazhe të fjalës™.
Pergjigje: Ne kete konfiguracion i bardhi ka dy fila kutizi, por nuk mund te kete pasur promovim sepse i bardhi i ka te tete ushtaret.
Desha te shtoj se edhe ne historine e njerezimit sa ka pozicione a situata qe varen ne menyre kruciale nga cka ndodhur me pare, po aq ka edhe te tilla qe jane krejtesisht te pavaruara nga cfare ka ndodhur nje instant me pare. Sigurisht eshte me e nderlikuar, sepse skakiera eshte tereisht arbitrare.
Po! 🙂
Përgjigjen e pozicionit 9 e ka dhënë vetë autori më lart. 🙂
Pozicioni 3 sjell më tej fitoren e të ziut, siç del në lëvizjet e tjera.
Sa i takon Pozicionit 8, edhe pse plotësisht i ligjshëm, ai nuk duket i arsyeshëm, pasi vështirë që i ziu të ketë graduar fil të zi të dytë në vend të mbretëreshës.
Gjithsesi, duket se në pozitat e dhëna i ziu ka epërsi të lehtë ndaj të bardhit. Fitorja e të ziut mund të afrohet me avancimin e ushtarit në vertikalen f, çka sjell detyrimisht sakrificën e filit me F:f4, si dhe me avitjen e mbretit të zi në horizontalen 4 dhe 3.
Mirëpo mbreti i bardhë do të përpiqet ta bllokojë futjen e kundërshtarit në ato horizontale, gjë që sjell nevojën për kërcënim me torre në horizontalen 3 dhe ndofta 2. I ziu, pra mund të krijojë idealisht rrethanat për matin klask me torre dhe me mbret, por i bardhi do të përpiqet ta kundërshtojë me çdo kusht përmes filit të tjetër të zi.
Në fund mund të mbahen parasysh edhe rrethanat e zeitnot, çka mund ta çojnë lojën në remi bazuar në rregullin III.4 ose III.5 të FIDE-s.
Përndryshe, pohimi i Saussure relativizohet bindshëm me shembujt e sjellë bukur nga autori. Thua këto shembuj janë shterues, d.m.th. nuk ka pozicione të tjera ku është e domosdoshme njohja e lëvizjeve të përparshme ?
Nuk më rezultojnë rrethana të tjera ku, për ta thënë me Saussure-in, diakronia ngre peshë në sinkroni (për shahun). Tani që e mendoj, mund të shtohet edhe se është pjesë e çdo loje vetëdija se kush ka lëvizur dhe kush e ka radhën për të lëvizur; në kuptimin që një lojtar nuk mund të lëvizë dy herë me pretekstin se diakronia nuk ka punë me sinkroninë. Por kur duam të vlerësojmë një pozicion, radha e lëvizjes është “e dhënë” (pjesë e pozicionit, ose e sinkronisë).
Për t’u shënuar që të dy rastet e cekura në shkrim, si marrja “en passant” ashtu edhe kushti i rokadës (që mund të kryhet vetëm po të mos kenë lëvizur mbreti dhe torra më parë) lidhen me lëvizje të cilat i janë shtuar shahut më pas. Marrja “en passant” ka të bëjë me lejen që i jepet ushtarit, për të lëvizur dy kuti përpara, kur gjendet në pozicionin fillestar. Disa historianë të shahut e shohin këtë si leje që i jepet ushtarit për të bërë dy lëvizje të njëpasnjëshme (me ç’rast, rregulla e marrjes “en passant” i njeh kundërshtarit që të kundërpërgjigjet pas gjysmë lëvizjes së parë të ushtarit). Edhe rokada, që është lloj unik lëvizjeje, parakupton dy lëvizje të njëpasnjëshme (të mbretit dhe të torrës, madje njëra me kapërcim ose jump). Nëse kjo qëndron, atëherë diakronia vepron në sinkroni – në shah – për ato fare pak raste (përjashtime) që kanë të bëjnë me lejen për lëvizje të njëpasnjëshme (konsekutive).
Tema nuk është triviale, as e parëndësishme. Jo aq për shahun, sa për filozofinë e gjuhës dhe gjuhësinë teorike. Saussure-i është marrë me të, por edhe Wittgenstein-i dhe të tjerë më pas.