Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Narratologji

RADIOKRONISTËT E HISTORISË

Pavërtetshmërinë e rrëfimtarit të një teksti historiografik (të njohur konvencionalisht si “historian”) do ta ilustroj më poshtë me një shembull nga fusha e mediave: analizën narratologjike të radiokronikës së një ndeshjeje futbolli[1]. Shumë prej lexuesve këtu do ta dinë se ç’është radiokronika: është rrëfimi drejtpërdrejt, në radio, nga ana e një rrëfimtari të kualifikuar (radiokronisti) i ecurisë (kronikës) së një ndeshjeje, për të gjithë ata që nuk munden ta ndjekin ndeshjen në stadium ose në ekran (dikur, në epokën para-televizive, për të gjithë ata që nuk shkonin dot në stadium). Dëgjuesit e radiokronikës ftohen ta përfytyrojnë çfarë po ndodh në fushën e lojës thjesht duke e ndjekur këtë rrëfim.

Prej radiokronistit profesionist kërkohet një minimum virtytesh profesionale: ta njohë futbollin si lojë, rregulloren dhe historinë e futbollit, të njohë kontekstin futbollistik (kompetitiv) të ndeshjes që do të transmetohet, të flasë qartë dhe pastër (me diksion të mirë), të zotërojë standardin, të zotërojë stilin e komunikimit radiofonik, të njohë regjistrin e komunikimit radiofonik, të ketë aftësi për të përcjellë emocionin me zë, të mos mbajë haptazi anën e njërës palë, e kështu me radhë; pa përmendur disa kërkesa të tjera të nënkuptuara, si të dallojë çfarë është e rëndësishme nga çfarë nuk është, të mos flasë në vetën e parë “unë kështu dhe ashtu…” etj. Mes këtyre të fundit, është edhe ajo që të jetë i vërtetshëm (reliable) – meqë, në vija të trasha, ndjekësit e radiokronikës duhet të jenë të sigurt se rrëfimi i përcjellë nëpërmjet radios i përgjigjet asaj çfarë ndodh në fushën e lojës, çfarë nënkupton një pakt besueshmërie të publikut me radion që e mundëson teknikisht radiokronikën.

Në përgjithësi, dija narratologjike e artikulon vërtetshmërinë e rrëfimtarit në tri rrafshe: aleatike (besnikëria ndaj fakteve dhe aftësitë perceptive), interpretative (zotësia dhe sinqeriteti në interpretimin e fakteve) dhe aksiologjike (paanshmëria në vlerësimin e fakteve).[2] Gjasat që një radiokronist t’i raportojë faktet gabim, p.sh. të mos lajmërojë kur shënohet një gol, kur anulohet një gol ose kur arbitri nxjerr jashtë një lojtar me kartonin e kuq, janë shumë të ulëta; dhe bëhen edhe më të ulëta, nëse flasim për shtrembërime të qëllimshme: rrallë do të ketë ndodhur që radiokronisti të mos ketë lajmëruar për një gol, ngaqë kjo e ka mërzitur tej mase, ose ngaqë ai vetë beson se goli duhej anuluar. Megjithatë, vërtetshmëria aleatike mund të cenohet, dhe praktikisht cenohet tërthorazi: p.sh. duke mos u thënë dëgjuesve që njëra prej skuadrave ka epërsi të dukshme ndaj tjetrës, ose që njëri prej lojtarëve është dëmtuar dhe nuk po lëviz si duhet në fushë; ose kur ritmi i rrëfimit (kronikës) a shpejtësia e të folurit (fjalë/minutë) nuk i përgjigjet ritmit të lojës në fushë.

Më të lehtë e ka radiokronisti ta shkelë paktin e besueshmërisë me dëgjuesit (dhe punëdhënësin) në rrafshin interpretativ – ose atje ku i kërkohet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur. Për shembull, kur arbitri i akordon njërës skuadër një penallti, dëgjuesit duan të dinë jo vetëm që u dha, por edhe se pse u dha kjo penallti, çfarë u bë shkas; ose kur trajneri i njërës skuadër vendos të ndërrojë një lojtar, dëgjuesve u duhet sqaruar se pse po bëhet ky ndërrim. Në raste të tilla, radiokronisti mund t’ia lejojë vetes reticencën ose shtrembërimin, pa iu shmangur drejtpërdrejt fakteve. Edhe një shembull tjetër: nëse gjatë një loje njërës skuadër i mjafton barazimi (për t’u kualifikuar) ndërsa tjetrës i duhet fitorja, atëherë kjo e dyta do të sulmojë logjikisht më fort, të paktën derisa të kalojë në avantazh; dhe një radiokronist që e shpjegon këtë situatë duke thënë se skuadra që sulmon po manifeston epërsi të dukshme ndaj asaj që mbrohet, po jep një shpjegim të pasaktë. Një shembull i fundit: kur njëra skuadër është në avantazh minimal ndaj tjetrës, pritet që ta vonojë lojën gjatë minutave të fundit; por mund të ndodhë edhe që, kur njëri prej lojtarëve është shtrirë në fushë i dëmtuar, skuadra në fjalë ta nxjerrë topin përjashta; çfarë do të ishte e pasaktë të interpretohej si “vonim i lojës.” Ka radiokronistë që komentojnë gabim ngaqë nuk e njohin mirë futbollin, sidomos kur bëhet fjalë për situata komplekse, si ajo e dhënies së pozicionit jashtë loje; por më shpesh gabime të tilla bëhen për shkak të një anëmbajtjeje (bias) qoftë edhe të pavetëdijshme.

Gjithsesi, radiokronisti e ka më të lehtë t’i “gënjejë” dëgjuesit në rrafshin aksiologjik të rrëfimit, sepse atje ka edhe më shumë hapësirë për të komunikuar subjektivitetin e vet. Një gjuajtje drejt portës është gjithnjë gjuajtje; por i takon radiokronistit të zgjedhë nëse do ta quajë apo jo gjuajtjen “të shkëlqyer”. Njëlloj edhe për golin: kur shënon ekipi i zemrës, goli është gjithnjë “i bukur”, ose “eurogol”, ose “i pabesueshëm”, e kështu me radhë; ndërsa kur shënon ekipi tjetër, gjasat rriten që goli të ketë ardhur pas një gabimi “të pafalshëm” të mbrojtjes, ose që sulmuesi ta ketë shënuar pa dashur, etj. Nëse radiokronistit nuk i pëlqen ndonjëri prej lojtarëve, ku mund t’i minimizojë herët kur ia përmend emrin – dhe të krijojë, te dëgjuesit, përshtypjen e gabuar se lojtari në fjalë “nuk ka kapur top”; anasjelltas, radiokronisti mund të jetë i dashuruar pas një lojtari dhe t’i lajmërojë dëgjuesit në çdo moment se çfarë po bën i preferuari i tij, gjithë duke shpërfillur aksionin dhe vendin ku është topi.[3]

Një ndeshje futbolli, si lloj i ritualizuar konflikti, gjithnjë e ka elementin dramatik me vete: njëra palë humb, tjetra fiton; një lojtar humb një penallti, ose një rast të pastër; një mbrojtës shënon një autogol; një beniamin i tifozëve dëmtohet dhe detyrohet të lërë fushën. Loja shërben edhe si skenë ku shfaqen virtyte të çmuara si këmbëngulja, solidariteti, sakrifica, fair play: elementi etik është pjesë e spektaklit. Sikurse e ka edhe elementin estetik: gjestet atletike mund të jenë të bukura – dhe publiku gjithnjë do të reagojë me entuziazëm ndaj një gjuajtjeje të përsosur, një sprinti, një pritjeje të vështirë nga portieri, ose një ndërhyrjeje të shpëtimtare të mbrojtësit mu në vijën e portës. Prej radiokronistit pritet që t’ia përcjellë të dyja këto aspekte, dramën dhe estetikën, dëgjuesve – çfarë mund ta bëjë me fjalë, por vetëm fjala nuk mjafton: duhet edhe të përcillet emocioni përkatës, nëpërmjet modulimit të zërit, intonacionit, pauzave, ndryshimit në shpejtësinë e të folurit, etj. Shpesh emocioni që përcillet është i sinqertë; por radiokronisti profesionist duhet të jetë në gjendje të komunikojë, si aktori, një emocion që mbase nuk po e përjeton mirëfilli vetë.

Një radiokronist që mjaftohet me kronikën e thatë të ngjarjeve në fushë nuk po e bën si duhet punën e vet; prandaj parashtrimit të fakteve ai gjithnjë duhet t’i shtojë interpretimet e veta – në bazë të kompetencës futbollistike; sikurse duhet t’u shtojë vlerësimet emocionale dhe estetike. Tek e fundit, radiokronika bëhet për të informuar publikun, por jo vetëm; idealisht, ajo duhet ta zhvendosë dëgjuesin, duke ia ngacmuar imagjinatën, nga vendi ku ndodhet në stadium. Pas gjase, edhe vetë faktet lakuriqe të një ndeshjeje – rezultati, formacionet e skuadrave, ndërrimet e bëra, minutat kur u shënuan golat, golashënuesit, emri i arbitrit, etj., nuk do të ngrinin peshë, jashtë kontekstit emocional përkatës, meqë vetëm emocioni e ushqen imagjinatën dhe ashtu edhe shndërron radiokronikën në një eksperiencë edhe argëtuese. Prandaj, radiokronisti është njëfarësoj i detyruar ta shoqërojë kronikën e fakteve me interpretime dhe vlerësime; të lajmërojë që goli u anulua, por edhe të shpjegojë arsyen e anulimit; të thotë që topi u nxor jashtë nga mbrojtësi, por edhe të shtojë që kjo u bë për t’i dhënë ndihmë një lojtari të dëmtuar; të njoftojë që portieri e bëri një pritje, por edhe të përmendë që kjo pritje ishte e vështirë, ose e shkëlqyer.

Në vija të trasha, radiokronika e një loje – ose ajo situatë ligjërimore mediatike ku një person ndërmjetëson përfytyrimin e saktë të asaj loje nga ana e publikut të interesuar, duke ia rrëfyer lojën këtij publiku – gjithnjë përmban elemente të pavërtetshmërisë, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ndërmjetësimin. Në masën më të madhe, pakti i besnikërisë me dëgjuesit shkelet në rrafshin interpretativ dhe atë aksiologjik, por edhe rrafshi aleatik ndikohet njëfarësoj; në mos për tjetër, edhe për thjesht arsyen që radiokronistit gjithnjë i duhet të vendosë (të zgjedhë) se çfarë faktesh të rrëfejë dhe çfarë të lërë jashtë; kjo mund të jetë e lehtë për ngjarje madhore, si golat, ose penalltitë, ose një karton të kuq – por më tej vjen e vështirësohet. Për shembull, një lojtari i zgjidhet këpuca dhe ulet në fushë për ta lidhur: duhet përmendur kjo në radiokronikë? Fillon të rigojë një shi i hollë: duhet lajmëruar kjo? Dy lojtarë kundërshtarë shtyhen dhe shahen mes tyre në një cep të fushës, larg aksionit dhe vëmendjes së arbitrit: ia vlen t’i përcillet kjo publikut dëgjues? E kështu me radhë. Arbitrit anësor i ngatërrohen këmbët dhe rrëzohet, çfarë shoqërohet me hilaritet të madh nga tifozët – hilaritet që dëgjohet edhe në sfond të radiokronikës: por pa qenë, megjithatë, pjesë e lojës. Si duhet vepruar? Njëra prej skuadrave është në avantazh, të themi 2:0, por të pamerituar: ia vlen vallë që t’i thuhet përsëritshëm dëgjuesit, që ky avantazh është i pamerituar? Sa herë që merr një vendim, për të thënë apo për të lënë jashtë diçka, telekronisti i hap derën pavërtetshmërisë – dhe sa më profesionist të jetë (çfarë nënkupton edhe integritetin etik në raport me dëgjuesit), aq më kujdes do të tregojë në këto momente.

E kështu me radhë. Analiza mund të zgjatet edhe më, por ndoshta kaq mjafton, për ta përvijuar krahasimin e radiokronistit të një eventi sportiv, me historianin[4], i cili ia rrëfen historinë kryesisht atyre që nuk e kanë jetuar – duke i pajisur, si të thuash, me një përvojë sa të imagjinuar, aq edhe surrogato të kujtesës. Vështirësitë dhe sfidat e radiokronistit mbase ndihmojnë për të kuptuar se çfarë e kërcënon vërtetshmërinë (besueshmërinë) e historianit.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Shembullin e kam zgjedhur sepse radiokronika është njësi narrative vetvetiu e kufizuar nga rrethanat, me fillim dhe mbarim të caktuar; dhe ku rrëfimtari është ligjërisht “i detyruar” të jetë jo vetëm i besueshëm por edhe i vërtetshëm. Në rrethanat, përfshihet edhe ajo që një radiokronikë konsumohet drejtpërdrejt nga dëgjuesit dhe si rregull nuk ka vlerë dokumentare – çfarë do të thotë, për synimet tona, që ajo është univoke, nuk pritet të modulohet në rrjedhë të kohës dhe as të evoluojë a të degradojë në kuptim. Askush, ndoshta me përjashtim të ndonjë historiani të radios a ndonjë vlerësuesi profesional të radiokronistëve, nuk kthehet të dëgjojë një radiokronikë të regjistruar. Do të isha madje kurioz të dija nëse ka historianë futbolli, ose sporti në përgjithësi, që studiojnë radiokronikat e kohës – nëse ka të tilla të regjistruara.

[2] Kjo ndarje tri-pjesëshe ndjek atë të Uri Margolin, “Theorising Narrative (Un)reliability, A Tentative Roadmap”, në Nünning Vera (Ed.), Unreliable Narration and Trustworthiness, 2015, De Gruyter; edhe pse unë kam përdorur termin “interpretative”, në vend të termit “epistemologjike” që ka përdorur Margolin.

[3] Anëmbajtja përgjithësisht përligjet në ndeshje të skuadrave “tona” me “të huajat”; formalisht, kjo lidhet edhe me gjuhën e radiokronikës, në kuptimin që radiokronisti i shërben një publiku tifoz me skuadrën e kombit përkatës, prandaj edhe ka licencë ta shprehë haptazi subjektivitetin e vet.

[4] Radiokronisti do të duhej krahasuar drejtpërdrejt me kronikanin; por le të mbajmë parasysh se edhe historiani e mbështet narrativën e vet në kronikat e kohës. Nga ana tjetër, kronikani, sikurse edhe radiokronisti, nuk e di si do të përfundojë “ndeshja”: ndryshe nga historiani, i cili ka luksin që ta narrativizojë të shkuarën duke u bazuar tek e tashmja (çfarë e ndihmon, në çdo rast, për të dalluar të rëndësishmen nga e parëndësishmja). Në fakt, çdo ndeshje sportive, si konflikt, edhe është vetvetiu rrëfim, edhe bëhet i tillë kur rrëfehet nga dikush; nëse dëgjojmë që një ndeshje ka dalë 5:1, mund ta përfytyrojmë ecurinë e saj, të paktën në vija të trasha, pa ditur asgjë se çfarë ka ndodhur aty realisht. Veçori e rrëfimit live, ose të kronikës drejtpërdrejt, është se rrëfimtari nuk mund ta redaktojë rrëfimin, për t’ia spikatur kuptimin dhe dramën; ai na thotë se ç’po ndodh në fushë, pa e ditur se ç’do të ndodhë; dhe ashtu i ngjan – mutatis mutandis – korit në teatrin klasik grek, i cili ndërmjetëson mes personazheve të dramës dhe publikut; zëri i tij, si ai i korit, duhet të jetë rigorozisht kolektiv.

3 Komente

  1. [4] Radiokronisti do të duhej krahasuar drejtpërdrejt me kronikanin; por le të mbajmë parasysh se edhe historiani e mbështet narrativën e vet në kronikat e kohës. Nga ana tjetër, kronikani, sikurse edhe radiokronisti, nuk e di si do të përfundojë “ndeshja”: ndryshe nga historiani, i cili ka luksin që ta narrativizojë të shkuarën duke u bazuar tek e tashmja (çfarë e ndihmon, në çdo rast, për të dalluar të rëndësishmen nga e parëndësishmja).

    Po, radiokronisti mund të krahasohet shumë mirë me kronikanin ose me formën moderne të këtij, me reporterin ose me gazetarin e ngjarjeve.

    Analogjia mes radiokronistit – ose kronikanit, më në përgjithësi – dhe historianit është një pikënisje e mirë për të vlerësuar profesionalizmin dhe besueshmërinë e historianit.

    Por rrugët e dy profesioneve ndahen shpejt, me gjithë ngjashmëritë e padiskutueshme që shfaqin kur merret si kriter krahasimi interpretimi i ngjarjes dhe kur punës interpretuese të historianit i vihet përballë interpretimi që i bën radiokronisti/kronikani një ngjarjeje.

    Kronikani ka favorin e autenticitetit dhe disavantazhin e mosnjohjes së rezultatit dhe të pamundësisë së redaktimit, ndërsa tjetri, historiani, është në disfavor nga mungesa e dëshmisë okulare ose bashkëkohore të ngjarjes por njëkohësisht edhe në zotërim të avantazhit të distancimit dhe të njohjes së rezultatit, që i japin atij mundësinë e perspektivës (retro), të përzgjedhjes dhe të analizës.

    Të dy tregojnë për të njëjtën ngjarje, por ndërsa kronikani e përjeton atë direkt dhe e raporton ngjarjen siç e shikon – drejtpërdrejt – historiani mbështetet mbi atë që ka raportuar kronikani më parë. Nëse raportimi i kronikanit është derivati i parë i ngjarjes, tregimi i historianit është derivati i dytë ose i tretë i saj. Të dy kanë mundësinë e interpretimit por mundësitë e kronikanit këtu janë më të kufizuara, ndërsa historiani ka vetëm mundësinë e përzgjedhjes dhe të interpretimit. Kronikani raporton, historiani rrëfen.

    Dallimet shkojnë edhe më tej.

    Detyra – dhe merita e historianit kompetent – nuk qëndron vetëm te rrëfimi besnik, jo-ideologjik i një ngjarje por sidomos edhe te vendosja e saj në kontekstin historik dhe te zbulimi i pse-së së ngjarjes dhe i shkaqeve dhe rrethanave që çuan te rezultati i saj.

    Leximi dhe interpretimi – individual dhe kolektiv – i historisë bëhet zakonisht nga pozitat e sotme ose e thënë ndryshe, ne ia përshtasim historinë aktualitetit dhe botëkuptimit të sotëm; kur interpretojmë historinë ne projektojmë të tashmen mbi historinë, pra interpretojmë në fakt aktualitetin. Në epoka dhe rrethana të ndryshme ne bëjmë interpretime të ndryshme të së njëjtës ngjarje historike. Psh. luftës së arbërve dhe të Skënderbeut kundër osmanëve i është bërë tjetër interpretim nga Marin Barleti katolik, tjetër nga rilindasit e kombit dhe të pavarësisë, tjetër nga komunistët e autarkisë dhe tjetër interpretim nga elitat pro-perëndimore të tranzicionit të sotëm. E njëjta ngjarje por rrëfime që theksojnë aspekte të ndryshme të saj në epoka të ndryshme.

    Vendosja dhe përshkrimi i kontekstit në të cilin ka ndodhur ngjarja – e lidhur ngushtë edhe me shpjegimin e pse-së së ngjarjeve – është, për mendimin tim, puna e vërtetë e historianit, jo aq (vetëm) ritregimi mekanik-besnik i ngjarjes sipas kronikave të kohës, për të shmangur kështu sa të mundet këtë projektim të aktualitetit mbi historinë.

    Këtu mendoj se qëndron edhe një dallim thelbësor mes kronikanit dhe historianit.

    Kronikani ose radiokronisti nuk kanë nevojë që ta sqarojnë publikun mbi kontekstin në të cilën zhvillohet ngjarja pasi publiku është pjesëmarrës aktiv ose pasiv në ngjarje dhe konteksti për të është i vetëkuptueshëm. Historiani në të kundërt duhet ta rikrijojë nga arkivat dhe burimet historike këtë kontekst ku ka ndodhur ngjarja, madje në mënyrë të dyfishtë: njëherë për veten e vet dhe një herë që t’ia shpjegojë bashkëkohësve.

    Për ta ilustruar me shembullin e ndeshjes së futbollit (duke supozuar, përjashtimisht, që ajo ka vlerë historike): radiokronisti i finales së botërorit 1966 mes Gjermanisë dhe Anglisë mjafton që raportoi atë që ndodhi në fushë, por nëse një historian, le të themi pas 500 vitesh, do që të shkruaj historinë e kësaj ndeshjeje, atëherë ai do e ketë të nevojshme që ta sqarojë publikun se çfarë ishte futbolli pesë shekuj më parë, cilat ishin rregullat e atëhershme të lojës, të kampionatit, cila ishte tradita dhe fama e ekipeve që luanin, marrëdhëniet historike mes dy vendeve para dhe pas ndeshjes etj.

    [Disa mendime të shpejta mbi historianët dhe vërtetshmërinë e tyre, pa pretenduar pagabueshmëri ose një trajtim shterues.]

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin