Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

MEGAFONI NUK ËSHTË E DREJTË E NJERIUT

Debatet e fundit për paketën antishpifje dhe raportet e pushtetit ekzekutiv me mediat e kanë risjellë në vëmendje të drejtën e fjalës (lirinë e shprehjes): deri ku mund të shkojë? Kush ose çfarë ka tagër ta kufizojë?

Mass mediat më parë dhe mediat sociale më pas kërkojnë riformulim të kësaj të drejte – e cila, në formën e saj elementare, nuk merr parasysh teknologjitë e amplifikimit. Për ta ilustruar: në sheshin ku janë mbledhur njerëz, atij që ka në dorë megafonin do t’i dëgjohet më shumë fjala.

Kjo kokëçarje nuk mënjanohet duke i pajisur të gjithë me megafonë: kakofonia e pengon fjalën e lirë po aq sa censura tradicionale. Kur të gjithë bërtasin, askush nuk flet dot dhe fjalës ia lë vendin pasthirrma.

Me promovimin e “paketës antishpifje”, pushteti në Tiranë reagoi gabim ndaj një problemi të mirëfilltë. Liria e shprehjes nuk mund të garantohet, përveçse duke u rregulluar me ligj hapësira e komunikimit publik; njëlloj siç ka nevojë të rregullohet me ligj çdo commons. Përndryshe, liria e skifterit nuk do të ketë të njëjtën vlerë me lirinë e pëllumbave, sidomos për pëllumbat. Për ta thënë ndryshe, kjo paketë nuk ka shans të japë efekt pozitiv në komunikimin publik; e shumta do t’i bëjë me hije të gjithë ata që nuk kanë gjetur (ende) vend nën sqetullat e majme të oligarkëve.

Dhe nëse e shohim nga kjo perspektivë, shkeljet më të mëdha të kësaj të drejte vijnë nga pushteti vetë – sa kohë që pushtetarët e lartë kanë monopolizuar ekranet dhe rrjetet sociale.

Nuk di nëse ka një institucion që t’ia numërojë minutat televizive kryeministrit Edi Rama; ose t’ia kufizojë daljet në publik, për hir të par conditio. Kjo edhe pa marrë fare parasysh ERTV dhe statusin e kësaj medie të çuditshme përkundrejt ligjit.

Ngjashëm mund të pyetet edhe për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe raportet e tij me ekranet dhe mediat sociale në rrjedhë të viteve.

“Emergjenca televizive” e pushtetarëve të PS-së e kthen deri edhe rutinën e ekzekutivit në element të një fushate elektorale permanente, ndaj së cilës opozita nuk ka asnjë shans.

Dëshira e shumicës së sotme për ta mbajtur pushtetin është legjitime; por hapësira e komunikimit publik është e kufizuar, e fundme; njëlloj si kullotat e bagëtive, në shembullin klasik të tragedy of the commons.

Dhe kjo prishje e balancës nuk mund të zgjidhet duke i dhënë më shumë hapësirë opozitës; por, përkundrazi, duke e kufizuar me ligj praninë publike të pushtetarëve në mass mediat.

Dhe ky ligj, për mendimin tim, do të duhej miratuar para “paketave antishpifje” dhe masave të tjera gjysmake, kundër patologjive të njohura në mediat, që mund dhe duheshin trajtuar me vetë-rregullim dhe mobilizim për dinjitetin profesional të gazetarit (temë tjetër; vetërregullimi nuk vjen në vëmendje thjesht në përgjigje të një kërcënimi të jashtëm).

Më bëri përshtypje që, gjatë një tubimi tani së fundi të një lëvizjeje politike të re, të njohur në Itali si “le sardine[1], një u kërkua me aklamacion përkora në sjelljet politike. Dhe pikërisht, për ta thënë me fjalët e njërit prej themeluesve të lëvizjes, Mattia Santori:

Kërkojmë që kush është zgjedhur, të bëjë politikë në hapësirën institucionale dhe jo në fushatë elektorale permanente.

Më tej:

Kërkojmë që çdo ministër të komunikojë vetëm në kanale institucionale. Kërkojmë transparencë në përdorimin që po ia bën politika rrjeteve sociale.

Më në fund:

Kërkojmë që të përjashtohet dhuna nga tonet dhe përmbajtja e politikës në çdo formë. Është koha që dhuna verbale të barazohet me dhunën fizike.

Kërkesat e “sardeleve” vijnë si reagim ndaj përdorimit, prej ish-ministrit të brendshëm Salvini, të televizionit dhe të mediave sociale dhe daljeve të tij të panumërta para publikut.

Por ato njëkohësisht provojnë se uzurpimi i mediave dhe teknologjive moderne të komunikimit nga politika nuk është as i majtë, as i djathtë në vetvete; dhe se, po nuk u pengua me mjete institucionale, ia dorëzon politikën populizmit.

Abuzimi i pushtetit të sotëm me mediat, shfrytëzimi shpesh i mençur por edhe më shpesh i paskrupullt i hapësirave të parregulluara me ligj dhe shpërfillja e filtrave institucionalë, në emër të kontaktit “drejtpërdrejt me popullin” – të gjitha këto e kanë rënduar shumë komunikimin publik, në Shqipërinë e viteve të qeverive Rama.

Ekspozimi mediatik i kryeministrit në ditët që menjëherë pasuan tërmetin e rëndë të 26 nëntorit madje tregoi se është në natyrën e pushtetit që të shfrytëzojë deri edhe fatkeqësitë natyrore, për t’iu imponuar publikut si i virtytshëm.

Unë nuk jam në gjendje të gjykoj nëse prania masive e kryeministrit Rama në televizion dhe në mediat sociale, pas 26 nëntorit, i shërbeu apo jo qetësimit të gjendjes dhe organizimit të ndihmave; sikurse nuk kam arsye të dyshoj se Rama vetë nuk u kursye, as fizikisht as mendërisht as emocionalisht, për t’iu ndodhur pranë të goditurve nga fatkeqësia dhe gjithë shqiptarëve të shokuar nga çfarë kish ndodhur.

Fëmija ka një bluzë tutash me “njeriun merimangë”. Por njeri merimangë u tregua, në ato ditë, vetë Rama.

Por janë pikërisht situata të tilla, kur edhe testohen institucionet dhe balancat e politikës. Dhe nëse është kështu, atëherë protagonizmi i kryeministrit, në mes të gërmadhave dhe të kaosit, nuk provoi veçse falimentimin institucional të shtetit shqiptar, përballë një katastrofe natyrore.

Në rrethana si ato që u krijuan pas tërmetit, tundimi nga ana e “të parit” për t’i marrë vetë gjërat në dorë duhet kundërpeshuar nga ligji. Përndryshe, çdo situatë krize e fuqizon demokraturën dhe dobëson institucionet që garantojnë të drejtat kushtetuese, përfshi këtu edhe të drejtën për shfrytëzim të paanshëm të hapësirës së komunikimit publik.

Në një Shqipëri ku sot opozita është tërhequr nga Parlamenti, rreziku që “pushteti të ketë gjithnjë të drejtë” është real dhe në rritje; aq më tepër kur ky pushtet nuk po e lëshon megafonin nga dora.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi nga media të tjera. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.


[1] Kjo lëvizje lindi në Itali për të kundërshtuar “retorikën populiste” të Legës dhe të Salvinit. Emri “sardelet” i referohet një mase njerëzish të mbledhur në shesh dhe të paketuar si sardelet në konservë, të cilët rrinë “të heshtur si peshqit”, për të ulur tonet e zallamahisë pseudo-politike në mediat sociale. Për më tej, lexoni artikullin ku iu çon lidhja më lart.

10 Komente

  1. Kundershtaret e ketij projektligji thone qe nuk ka nevoje per nje ligj te tille sepse RSH ka tashme ligj kunder shpifjes dhe gjykatat mund ta luajne shume mire rolin e ndeshkuesit.
    Ky argument vlen per mediat e shkruara dhe te thena (gazeta, radio apo tv) ku le te themi, “shpifja” artikulohet nje here.
    Por ne rastin e nje faqeje interneti, ku “shpifja” mbetet aty ngahera, cili organizem e detyron kete faqe qe ta heqe dicka?
    Nje person demtohet vazhdimisht dhe ne menyre te panderprere nese ndaj tij eshte shpifur.
    Ku te shkoje ky per ta ndaluar kete prani konstante te shpifjes ndaj tij?
    Ne gjykate?
    Po gjykata ka nie milion e gjysem raste te tjera per te zgjidhur, perpara ketij. Deri atehere ky person (pak a shume si ne rastin e atij qe kerkon “restraining order”) mbetet i demtuar.
    Besoj se po kuptohemi qe po flas per nderprerjen e lendimit te nje personi jo demshperblimi qe ky person do te mund te marre potencialisht nga demtuesi. Pardon per ritheksimin e dicka qe per shumekend mund te jete elementare.
    Megjithate, rastin e shpifjes kjo mbase nuk eshte ndonje hata!
    Por mendoni rastin e nje fotografie te nje te afermi te vrare apo bije te perdhunuar?
    C’mekanizem ka shoqeria shqiptare per ta detyruar nje faqe interneti qe t’a heqe nje foto te tille?

  2. “Hyp se te vrava e zdryp se te vrava” i thone kesaj : ne nje vend te BE, por te terhiqej opozita nga parlamenti, (meqe ky fakt eshte evokuar ne artikull), ajo do te ish penalizuar juridikisht (ndersa ne Shqiperi fajesohet pushteti meqe ka marre megafon ne dore).
    Po dé po !

    1. Opozita ka ik nga parlamenti, jo nga opozita. Kushtetuta njeh parti edhe ato jashte-parlamentare. Por kur je i zene tia hipesh, nuk sheh se ku zbret.

    2. Ju zoti Kinoditar jeni fare i thjeshtë me mënyrën tuaj të gjykimit. Nuk di, por kjo mua më pëlqen shumë. Ja, për të vërtetuar këtë, për ato që do them, unë po marrë hua mënyrën tënde të të konceptuarit të gjërave:
      Duan të thonë gojët e liga se në kohën e lavdishme të shokut Enver, nuk ka pasur liri shprehje. Merret me mënd, apo jo i dashur, se kjo nuk është fare e vërtetë. Në ato kohë të arta njeriu ishte i lirë të shante sa ti plaste t’ëmbli, bie fjala, anësorin, në një ndeshje futbolli. Por nëse edhe kjo nuk ishte e mjaftë për ta kënaqur, atëhere pa i marrë leje askujt ai mund ta ngrinte stekën duke vajtur tek arbitri kryesor i ndeshjes. Kjo, natyrisht, ja plotësonte me majë kënaqësinë për tu shfryrë ndaj një padrejtësie.
      Tani të vimë tek dëshira e papërmbajtur për të lavdëruar, si një ndjenjë e brëndëshe që e lartëson njeriun. Ja më thuaj zotëri, të gjentë gjë në atë kohë të lavdëroje me një zë deri në kupë të qiellit Partinë dhe shokun Enver? Nga pasioni për të lavdëruar Partinë ti mund edhe ti shkaktoje ndonjë dëm të përkohshëm kordos vokale, por merret me mënd, nja dy teke vodkë kishin ndikim të mjaftë për ta kthyer situatë në gjëndje normale. Atëhere, or mik i dashur, për çfarë lirie e kanë fjalën këta njerëz xhanëm, kur njeriu, sot, nëse do do të shaj opozitën nuk e ndalon askush dhe po ashtu nëse lavdëron rRilindjen s’të thot njeri plaç me gojë?

  3. Liria e shprehjes nuk ka kuptim, as nuk qëndron dot në këmbë pa liritë e tjera
    ekonomike, të drejtave të pronës, të drejtave civile dhe politike. Për fat të keq në gërrmadhën social-ekonomike, ligjore dhe politike ku ndodhet Shqipëria rregullimii i lirisë së shprehjes është gjëja e fundit që i shqetëson njërzit. Është LUX. Njësoj si ata sapunët që vinin nga jashtë në kohë te diktaturës, që përdoreshin jo për tu pastruar, por për të aromatisur dollapin.

    Dhe meqë ra fala për lirinë e shprehjes, vepron dot gjë ky ligji i ri mbi PF-në?

    1. Dhe meqë ra fala për lirinë e shprehjes, vepron dot gjë ky ligji i ri mbi PF-në?

      Sipas nje versioni te ligjit, nese ka ndonje shkelje, faqja bllokohet ne te gjithe territorin shqiptar, per nje kohe te caktuar. Nuk di per ndeshkimet e tjera, si ato financiare, te cilat nuk do t’i perballonim dot. Ky ligj, si dhe ca barra te tjera, jane arsyeja kryesore pse PTF nuk eshte regjistruar si OJQ dhe nuk gezon asnje status sot. Kemi nje regjistrim ne ISSN. Thjesht nuk kemi mundesi t’i ndjekim aspektet administrativo-ligjore te ketyre puneve.

        1. Kinoditari ka hallin e megafonit te qeverise. Por ushtria digjitale e PS qe sulmon cdokend ka edhe silenciator, jo vetem arme.

      1. Parrulla!
        Cilsia e briskut që ju keni zgjedhur lë për të dëshiruar. Sot ata që duan të përdorin censurë i kanë të gjitha mundësitë të zgjidhnin një brisk të markës “Gillete”, mjaft cilësor. Bile mund të mernin edhe shpërblim nga firma për reklamën që do i bënin briskut të tyre.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin