T’i kthehemi sërish, këtë herë shkurt, rrëfimtarit jo-të-besueshëm (ose të pavërtetshëm, angl. unreliable narrator), për të sqaruar raportin e tij me autorin (edhe tekstual, edhe juridik) të një teksti: Shvejku mund të thotë gjithfarë broçkullash, por Shvejku është personazh dhe si i tillë i përket universit narrativ të romanit përkatës; përkundrazi, Hasheku që e rrëfen këtë univers nuk është i pavërtetshëm, ose të paktën nuk e bëjnë të pavërtetshëm historitë ndonjëherë të sajuara të Shvejkut. Tek e fundit, lexuesi nuk pret prej Shvejkut që t’i thotë ndonjë të vërtetë, por më shumë që ky ta zbavitë me bëmat dhe rrëfenjat e tij; e vërteta qëndron gjetiu, ose në marrëdhënien mes Shvejkut personazh dhe Hashekut krijues të personazhit; me kusht që lexuesi të jetë në gjendje ta kuptojë. Dhe, në çdo rast, prania e Hashekut në tekst – qoftë edhe si parim organizativ i strukturës tekstuale – garanton që një personazh i pavërtetshëm të përçojë një vepër të vërtetshme (reliable).
Kjo sa për të ilustruar konceptin për tekstet fiction. Në historiografi, e cila operon me tekste non-fiction, autori i jep tekstit të vet vërtetësi duke ia ruajtur koherencën dhe duke e shoqëruar me aparatin përkatës (dokumente, citime, etj.), por edhe nëpërmjet autoritetit të vet si historian ase autoritetit të entit botues; kjo edhe sepse jo çdo lexues mund ta verifikojë vetë besueshmërinë e një teksti historiografik me rrugë “akademike”. Çfarë nuk përjashton edhe që çdo historian t’i shtojë rrëfimit historiografik subjektivitetin e vet, në kuptimin që Historia e Skënderbeut do të tregohet ndryshe nga Barleti, ndryshe nga Noli, ndryshe nga Kristo Frashëri, ndryshe nga Aurel Plasari dhe ndryshe nga O.J. Schmitt-i. Mund të themi se autori historian shfaqet në rrëfim pikërisht te këto diferenca në qasje; gjithë duke supozuar se nuk është nisur ta gënjejë lexuesin ose përdoruesin e tekstit. Kur unë marr në dorë një libër historiko-letrar të Arshi Pipës, e bëj këtë me pritje të caktuara, sa kohë që ia kam lexuar këtij edhe vepra të tjera dhe ia njoh pak a shumë profilin; dhe këto pritje që kam krijuar, në rrjedhë të viteve, ia rritin besueshmërinë (vërtetshmërinë) tekstit përkatës, madje edhe sikur unë lexuesi të mos bie dakord me qasjen (ideologjike, metodologjike) të autorit; meqë ky, duke e nënshkruar veprën, u del zot gjërave që rrëfen atje dhe frymës së rrëfimit.
Por si i bëhet, kur një vepër historiografike – madje madhore – botohet pa autor? Dhe kur nuk është fjala për fragmente anonime a dorëshkrime të rikuperuara nga gërmadha manastiresh; por për tekste të hartuara dhe të botuara në shekullin XX? I tillë, pa autor, është teksti i Historisë së Partisë së Punës të Shqipërisë, i botuar disa herë në Shqipërinë e viteve 1960-1980 (botimi i parë në vitin 1968) dhe që ka shërbyer si bazë, ndër të tjera, për historiografinë e periudhës së Luftës NAÇL dhe më pas, të viteve të regjimit të Hoxhës (1945-1990); sikurse ka shërbyer si bazë për gjithfarë tekstesh shkollore të historisë, gjatë asaj periudhe.
Ky tekst, pra, nuk ka autor. Në faqet e para, lexuesit i jepet sqarimi se “Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë është përgatitur nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste dhe botohet me vendim të Komitetit Qendror të PPSH”; emri i Institutit të Studimeve M-L “pranë KQ të PPSH” del edhe në footer-in e faqes së 3-të të kopertinës, pa çka se botimi i atribuohet “Shtëpisë botuese 8 Nëntori”. Ndryshe nga botime të tjera kolegjiale – që janë normative në raste të tilla – emrat e autorëve të kapitujve nuk i sheh gjëkundi; dhe jo për modesti. Gati-gati, sikur i kërkohet lexuesit të besojë se teksti nuk është rrëfim, por vendim (akt performativ); ose më mirë, rezultat i një vendimi që përcakton të vërtetat historike.
Kjo bëhet më e qartë, po të kemi parasysh se jo çdo tekst për përdorim publik e shpall haptazi autorin e vet. Orari i trenave ose numëratori telefonik nuk kanë autor. Tabela “NDALOHET DUHANI” nuk ka autor. Mbishkrimi në një pllakë përkujtimore nuk ka zakonisht autor. Parullat në fasadat e Shqipërisë totalitare, të tipit “LAVDI PPSH” ose “RROFTË SHOKU ENVER HOXHA” nuk kanë autor (njëlloj sikurse nuk kanë autor eksplicit reklamat që ato parulla i kanë zëvendësuar). E megjithatë, funksioni ligjërimor i këtyre teksteve “botore” është cilësisht i ndryshëm nga ai i tabelës ARTIKUJ TË PËRZIER, në një dyqan fshati; sepse kjo e fundit thjesht përshkruan destinacionin e një objekti shërbimi, ndërsa një tabelë si NDALOHET DUHANI parakupton për autor shtetin, ose autoritetin që ka juridiksion ndaj asaj hapësire dhe që i jep urdhrit përkatës performativitetin e duhur. Në rastin e mbishkrimeve me natyrë historiografike – si një pllakë përkujtimore ose një lapidar – mungesa e autorit pritet ta fuqizojë besueshmërinë (vërtetshmërinë dhe vërtetësinë), sepse largon madje përjashton subjektivitetin, duke e gdhendur tekstin në gur. Kur shteti është totalitar (monist), mungesa e autorit duket sikur sanksionon edhe formalisht vërtetësinë e çfarë thuhet në tekst.
Permanenca e një teksti të tillë, sado e dëshiruar, mbetet e brishtë: në tekstin e Historisë së PPSH-së që përmendëm, të vërtetat duheshin riformuluar, pas çdo “zhvillimi” politik të rëndësishëm: mjaft të krahasosh rrëfimin për Konferencën e Tiranës (të vitit 1956) në botimin e parë të vitit 1968, kur Beqir Balluku ishte akoma “shoku Beqir Balluku” (anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Mbrojtjes), në botimin pasi i njëjti Beqir u bë “armiku Beqir Balluku” dhe u
pushkatua; dhe më tej akoma, kur grupit të armiqve iu shtua edhe ish “shoqja Fiqirete Shehu”, që kish luajtur edhe ajo rolin e vet në atë Konferencë. Për t’u shënuar që rrëfimi i Konferencës së Tiranës, si ngjarje, duke ndryshuar nga një botim në tjetrin, lejon edhe një rrëfim paralel, të ngjarjeve “dramatike” në udhëheqjen e PPSH shumë vjet më pas – duke qenë çdo version i ri pasqyrë e çfarë kish ndodhur rishtas. E megjithatë, në fund të parathënies së botimit të dytë, lexuesit veç i thuhet, si pa të keq, se “botimit të parë i janë bërë një varg redaktimesh, që nuk prekin strukturën, as përmbajtjen në tërësi të tij. Redaktimet kanë lidhje me shkurtime e me disa saktësime, në bazë të dokumenteve.” Mirëpo një tekst si “Elementët antiparti, duke shpërdoruar demokracinë e brendshme të partisë e duke përfituar nga qëndrimi pasiv i të deleguarit të Komitetit Qendror, Beqir Ballukut […]”, në seksionin kushtuar Konferencës së Tiranës, qartazi është shtuar pas vitit 1975 (pas pushkatimit të Ballukut; kur ky ishte ende ministër dhe byroist, kjo shprehje as mund të imagjinohej në një historiografi zyrtare). Në fakt, studimi krahasimtar sistematik i dy botimeve, atij të 1968-ës dhe atij të 1981-shit, do të tregonte masën dhe natyrën e ndërhyrjeve, gjithë duke konfirmuar raportin e brishtë të këtij teksti me vërtetësinë historike.
Edhe një herë po pyesim: kush e ka shkruar këtë Histori të PPSH-së? Sado kolegjial të ketë qenë procesi i miratimit për botim, tekstet e kapitujve nuk mund t’i shkruajë një “Institut”; prandaj mospërmendja e autorëve tregon, në nivelin sipërfaqësor, se “Historia e Partisë” nuk kish nevojë për historianin-autor, për t’iu rrëfyer lexuesit, meqë rrëfimin e bënte “vetë historia.”
Këtë model të botimit të një vepre kaq themelore pa i dhënë rëndësi autorit (autorëve) regjimi i Hoxhës e pat kopjuar nga Bashkimi Sovjetik i periudhës staliniste, dhe pikërisht nga praktika e botimit të Historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (Bolshevikëve): Kurs i shkurtër (История Всесоюзной Коммунистической Партии (Большевиков): Краткий курс), në vitin 1938 (në atë rast emrat e autorëve të kapitujve nuk mbetën krejt të panjohur; mbase ngaqë Stalini vetë pat shkruar kapitullin për materializmin dialektik dhe historik)[1]. Por si edhe për Historinë e PPSH-së, rëndësi të veçantë kish pasur jo aq hartimi i tekstit, sa performativi i miratimit, që do të kryhej nga Stalini vetë, me ndihmën e udhëheqësve të tjerë të lartë të shtetit sovjetik dhe të PK të BRSS. Në analizë të fundit, nga një tekst i tillë pritej që “t’i jepte fund çdo arbitrariteti dhe konfuzioni në prezantimin e Historisë së Partisë” (nga rezoluta e Komitetit Qendror të PK të BRSS që shoqëronte botimin); si me thënë, qëllimi nuk ishte rrëfimi i së shkuarës, por sanksionimi i një versioni të së shkuarës si “i vërtetë”, përkundrejt përjashtimit të versioneve të tjera. Me fjalë të tjera, vërtetshmëria e tekstit (reliability) ishte sanksionuar me vendim të instancave më të larta të shtetit dhe të pushtetit; dhe prej historiografisë pritej jo të ndriçonte të vërtetën, por të stabilizonte. Për këtë arsye, edhe teksti u përfshi si lexim i detyruar në programet universitare dhe të shkollave të partisë (në Shqipëri, Historia e PPSH u fut edhe në shkollat e mesme).
Ndryshe nga çfarë kish ndodhur në Bashkimin Sovjetik të viteve 1917-1938 (vitet që i paraprinë botimit të Kursit të shkurtër), në Shqipëri nuk kish pasur shumë tentativa të mëhershme për ta shkruar historinë e PPSH-së, veç atyre zyrtare (p.sh. Raporti i Enver Hoxhës në Kongresin I të PPSH), prandaj edhe synimi i botimit nuk ish aq të stabilizonte, sa t’i jepte lexuesit një version stabël (të qëndrueshëm) të asaj historie, i cili të merrte parasysh dhe të shpjegonte – në mënyrë prapavajtëse – ndryshimet e mëdha në vijën politike dhe në kupolën e PPSH dhe të shtetit totalitar. Duke mos pasur autor, teksti u ofrua të përdorej si një lloj skripture e fesë së re enveriste: mjaft të shohësh sa herë përmendet atje emri i Enver Hoxhës, në vetvete, dhe në raport me emrat e tjerë të udhëheqësve. Kjo, pa çka se vetë figura e Enverit do të duhej ripërkufizuar, sa herë që modifikohej vija politike dhe ideologjike: miku i madh i Titos do të shndërrohej në denonciator të tij; miku i madh i Hrushovit gjithashtu dhe më tej me Maon & Co.; pa llogaritur armiqtë brenda Partisë, grupet komplotiste dhe puçiste, agjentët dhe poli-agjentët. Përballë këtij kaosi mjeran, historiografit (anonim) nuk i mbetej veçse ta (ri)shkruante historinë si të ishte “rregullore (policy) e kujtesës kolektive”, për t’u dhënë masave një tekst koherent, pa çka se të gjitha versionet kontradiktore të ngjarjeve do të vazhdonin të bashkëjetonin në kujtesën e protagonistëve, duke filluar nga Enveri vetë; madje jo vetëm – sepse edhe do t’i përkufizonin këta protagonistë në rrjedhë të viteve.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi.
[1] Pas denoncimit prej Hrushovit të kultit stalinist të personalitetit në 1956, Kursi i shkurtër e humbi prestigjin dhe besueshmërinë; për t’u zëvendësuar, në 1962, nga një Histori e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, këtë herë me autor: Boris Ponomarev.
“Por si i bëhet, kur një vepër historiografike – madje madhore – botohet pa autor? ”
nese nuk gabohem edhe veprat e (sipas gjuhes tipike) klasikeve marks-engels-lenin-stalin jane botuar ne shqip pa emrin e perkthyesve. dhe per dy te paret jo nga origjinali por nga seria e botimeve rusisht duke patur parasysh edhe perkthimin frengjisht. edhe ketu ka nje pikepyetje.
madje te shtoj se vepra e marks-engels “per ceshtjen lindore” eshte e botuar me redaktime pasi jane hequr disa komente te marksit qe ishin jo shume te favorshme per shqiptaret (i bazuar ne shkrimet e fallmereyer).