Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

PËR SHNDËRRIMIN E ARTIT NË MALL

nga Erlind Sulko

Arti në botën kapitaliste e ka humbur autonominë e vet: arti nuk ka më fushën e tij të vetëpërligjur. Vetë dëshira për ta përligjur jetesën e artit vazhdimisht nëpërmjet fushave të tjera e shpreh këtë vdekje të artit si një fushë e mëveçme dhe e papërkthyeshme e shprehjes. Arti sot është një paqartësi që rrezulton e dyzuar: art si një shprehje e vetëpërligjur e njerëzimit dhe arti si një mall për t’u shitur.

Nuk ka shoqëri njerëzore që mund të mbijetojë pa art: dëshira e njeriut për ta rikrijuar, për ta rishpirtëzuar gjithësinë është e brendshme. Siç ka thënë edhe Wittgenstein: kur syri shikon diçka të hijshme, dora vetë do ta vizatojë. Udha e gjatë bëhet e padurueshme pa ia nisur një kënge. Mëngjesi është i mangët nëse nuk e fillon duke kërcyer në mënyrë të pakuptimtë. Gjuha, pa poezi, është veç një zhurmë që thellon etjen.

Por ky kuptim i artit si një shprehje thelbësore pa të cilën njeriu nuk mund të mbijetojë është duke u zhdukur në botën bashkëkohore. Në vend të saj, kemi kthimin e artit në një mall për t’u prodhuar, marketuar, shitur, ngrënë, hedhur, jashtëqitur dhe, më në fund, po pati fat, të kalojë nëpër tubacionet e ujërave të zeza për t’u qetuar në dhomën e fundit: në bodrumin e ndotur të ndonjë galerie apo arkivi. Hegeli kishte të drejtë që e parashikoi vdekjen e artit, por e kishte gabim kur mendonte se artin do ta zëvendësonte filozofia. Arti sot është zëvendësuar nga tundimet dhe joshjet e marketingut: sa më pak kohë të dojë përfundimi i veprës dhe sa më shumë bujë të bëjë, aq më e vlefshme është vepra. Ndërkohë artisti është shndërruar në biznesmen: si pasqyrim i vetë frymës së kapitalizmit, ai duhet të jetë sa më shumë eficient, t’i bëjë mirë përllogaritjet e investimit edukativ, t’i llogarisë mirë se ku do t’i shesë, si do t’i shesë dhe sa do t’i shesë veprat. Përndryshe, ai e ka të pamundur të jetojë. Dhe më e trishtueshmja është se kjo gjendje përligjet thjesht me një ngritje të zakonshme supesh: kjo është koha, ç’të bëjmë.

Një nga arritjet e filozofisë bashkëkohore amerikane të artit ka qenë pikërisht shqyrtimi i artit jo si një vepër e veçuar dhe e krijuar nga artisti, por si një sistem i tërë. Nga kjo rrymë mendimi, do veçoja dy përfaqësuese kryesorë: Arthur Danto dhe Georgie Dickie. Ndikuar nga ata, mund të themi se arti nuk është një send me një trajtë të caktuar: koha e ka treguar se arti vazhdimisht i tejkalon përkufizimet formaliste të vetvetes. Mënyra më e mirë për ta kuptuar artin është si një ndërveprim i ndërlikuar i artistëve, muzikantëve, poetëve, dëgjuesve, vëzhguesve, kritikëve të artit, lexuesve të thjeshtë, shtëpive botuese, institucioneve artistike si galeritë, vendeve ku luhet muzikë apo vallëzohet, e shumë faktorëve të tjerë. Arti nuk është një poezi e shkruar në një letër. Arti, në këtë rast, është ndërveprimi i tërë faktorëve: poezisë së shkruar në letër, poetit, lexuesit, shqyrtuesit dhe botuesit.

Arsyeja pse e përmend këtë qasje ndaj artit është sepse sot mund të kemi një faktor artistik, por sistemi i artit ka vdekur. Mund të kemi poetin, por në vend të lexuesit kemi një blerës. Mund të kemi kritikun letrar, por poeti është shndërruar në shitës. Ose mund të kemi edhe poetin dhe lexuesin, por botuesit janë shndërruar në vegël partiake. Por, poezia e mirëfilltë shfaqet vetëm kur i tërë sistemi lëviz.

Arti sot, si çdo gjë tjetër, është vetëm një pikë brenda hartës së botëkuptimit kapitalist: jo një hartë e mëveçme. Me anë të këtij procesi, çdo gjë gjykohet nëpërmjet rregullave të paraqitjes brenda kësaj harte. Faji nuk është asnjëherë i hartës, pasi harta është ajo që përligj vetë rregullat e shfaqjes: faji është përherë i veprës që shfaqet dhe marrëdhënies që ajo ka me vlerat, rregullat dhe veprat e tjera brenda hartës. Kështu që nëse dikush ankohet për regjimin e “bestsellerave”, atëherë kundërpërgjigje e menjëhershme është: po ti pse nuk i bën marketing diçkaje tjetër që ta kundërsulmosh? E kur e bën këtë gjë, ti, si pasojë, ke rënë pikërisht në lojën e tyre: ti e shndërrove artin në një kafshë marketingu që duhet të mbijetojë në pyllin e egër të tregut.

Pikërisht këtë shndërrim të artit në mall, shfaq punimi i mëposhtëm i Artan Hajrullahut i vitit 2018.

 

Në mes të një tregu zarzavatesh e frutash, shohim edhe vetë piktorin e këtij punimi duke peshuar veprat e artit. Ai duket i zhytur tërësisht në botën e tregut dhe përllogaritjes: sa duhet ta shesë kilen e artit të tij? Si do konkurrojë me shitësin e shalqinjve? Si do t’i bëjë veprat e tij më joshëse për blerësin se sa shitësi i preshve? Çfarë teknikash do përdorë për ta bërë blerësin për vete? Ai nuk shfaqet si zakonisht: një piktor i përqendruar në përballjen me veprën e tij apo duke ju shpjeguar veprën e tij të tjerëve. Jo, aspak. Ai sytë i ka të drejtuar vetëm tek peshorja – jo tek vepra e tij, apo tek të tjerët.

Vdekja e artit në këtë vepër të Hajrullahut shfaqet në vetminë e artistit: arti është kthyer nga një ndërmarrje shoqërore në një veprim vetjak. Artisti qëndron i vetëm: jo vetëm që ai po i shet punimet e tij me kile, por aty nuk duket as edhe një blerës. Nuk shohim as edhe ndonjë shqyrtues të veprave të tij. Por edhe nëse do kishte “kritikë arti”, çfarë do shqyrtonin? Veprat e artistit janë bosh. Siç duket, nga shpejtësia për t’i shitur veprat e për të përfituar sa më shpejt, artisti harroi që duhet të krijonte diçka. Është pikërisht kjo dëshira për ta kthyer veprën në sa më shumë të shitshme që e ka bjerrë atë nga çfarëdolloj përmbajtjeje: ajo është kthyer në një hiç të pavlerë.

Si pasojë e prishjes së tërë sistemit të artit, aty nuk kemi më as edhe “artistin”. Në vepër na shfaqet thjesht një tregtar që po i shet vetes punime të pakryera.

Duhet theksuar se në këtë punim krijuesi dhe vepra janë të pandashëm: Artani është edhe piktori i veprës, por edhe personi brenda pikturës që po shet vepra me kile. Besoj se ky punim do ishte krejtësisht ndryshe nëse aty do shfaqej një piktor tjetër. Atëherë akuza do ishte kundër artistëve të tjerë, atyre “jo të vërtetëve”, ndërkohë që vetë krijuesi i veprës do qëndronte përsipër atij realiteti. Por, jo: edhe vetë krijuesi këtu e pranon që ai është po aq i ndikuar nga ky realitet sa gjithë të tjerët. Ai është vetë aty, si gjithë të tjerët, duke zbatuar shndërrimin e pashmangshëm të artit në mall për tregti.

 

© 2019, autori.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin