Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

MUSSO I FUNDIT E KA ME NE!

Këto ditë, në mediet më të mëdha të botës frankofone, po bëhet paraqitja e romanit të fundit të Guillaume Musso-s, La vie secrète des écrivains (Jeta e fshehtë e shkrimtarëve). Autori është 45 vjeç dhe prej vitesh librat e tij shtypen me tirazhe që shkojnë në qindra mijëra kopje. Dhe siç ndodh rregullisht në raste fenomenesh të tilla letrare, për të dëgjon të thuhen të gjitha, Musso ka mbështetës të zjarrtë, por nuk mungojnë edhe  ata që janë dyshues ndaj tij. Ai vetë mbrohet me optimizëm duke thënë se në fillim dyshime të tilla ka patur edhe ndaj idhullit të tij, G. Simenon-it.

Nga ana ime, nuk është se kam pozicione kategorike, vërejtjet mbetet në nivel shijesh. Për të mos shkuar më tej, po them vetëm se i shoh disi të tejkaluara ato lloj marifetesh letrare që f.v.j., ndërsa jep dialogun e tensionuar e dramatik të dy personazheve, autori kujdeset të përshkruajë një atmosferë me qiell të ngarkuar me re, me shpërthime bubullimash e shtrëngatë shiu etj.. Dhe kur argumentet shkojnë në favor të personazhit tjetër, ai nuk ngurron të ndërrojë edhe vetë drejtimin e erës, duke thënë : Le vent commençait à changer de direction… Paralelizma të tilla për herë fundit mbaj mend t’i kem lexuar te një roman i Mihal Gramenos (që nuk është i keq).

Gjithsesi, te librat e Guillaume Musso-s ka më shumë elementë që më pëlqejnë se nga ata që nuk më bindin shumë. Dhe për të mos e lejuar dyshimin të më privojë nga ndonjë libër i mirë, e lexoj sistematikisht, kur mundem. Në mos për gjë tjetër, më pëlqen për ndërfutjen e realitetit, të kronikave rozë e të zeza, të aktualitetit politik etj., në korridoret rrëshqitës të subjekteve të tij. Nuk është gjësendi aq e thjeshtë sa duket. Pa folur pastaj për stisjen interesante të intrigës, rrjedhshmërinë e të shkruarit, stilin, ritmin, dialogun etj. Ka shitur më shumë se tridhjetë milionë kopje dhe nuk je shumë i besueshëm po të thuash se lexuesit e tij janë vetëm gratë shtëpiake, se nuk bëhen dot aq shumë.

Në këtë libër të fundit, Musso flet për shkrimtarin e famshëm Nathan Fawles, që papritur ndërpret krejt veprimtarinë krijuese dhe tërhiqet në ishullin Beaumont. Por narratori është fans i çmendur i Fawles-it dhe bën çmos që të zërë vendin vakant të shitësit në një librarie në ishullin Beaumont për t’iu qasur autorit të tij të dashur, por edhe për t’i lënë në dorë ndonjë dorëshkrim të tijin, meqë aspiron të bëjë një jetë shkrimtari.

Një përpjekje e parë për t’iu afruar dështon. Sapo ndodhet pranë vilës së tij, narratori sheh se po rrezikon jetën ngaqë shkrimtari i tij i madh e qëllon me pushkë, që të mos e lërë t’i qaset më shumë.  Kësaj situate i shtohet një ngjarje e kronikës së zezë. Në ishull gjendet një grua e vrarë. Kuptohet pra, nuk kemi një roman që na tërheq në të fshehtat e suksesit të një shkrimtari, por me një polar, siç njihen ndryshe librat policorë në Francë.

Pas një filli ngjarjesh ekscentrike, bixarroide të thuash, nga fotot e një aparat fotografik që kishte humbur në ishujt Havai e që u gjet andej nga Tajvani, i shtyrë nga rrymat detare, e që pastaj do të përfundojë te ankandi i sendeve të humbur në Atlanta (në fund të librit Musso, betohet se është diçka që ka ndodhur me të vërtetë), ku do ta hapë dikush që do të gjejë në të disa fotografi të cilat do t’i nisë pastaj në Evropë, dyshohet se gruaja e vrarë në ishull është implikuar në vrasjen e kirurgut të njohur Aleksandër Verneuil, që punonte për organizatat humanitare franceze që vepronin kudo në botë.

Edhe pse disi i precipituar në mënyrën e të rrëfyerit, pa folur për faktin se si me magji të gjitha erzat që i japin shije e kuptim romanit ndodhen çuditshëm në afërsi të narratorit, romani, megjithatë është shkruar rrjedhshëm dhe ka ritëm. Pa folur pastaj për një detaj të rrëfimit që më shtyu ta këqyr më me vëmendje: kur më në fund narratori arrin t’i afrohet e të krijojë një farë miqësie me Nathan Fawles, vëren se arma me të cilin e ka qëlluar javë më parë, ka të gdhendur në qytën e saj një lloj përbindëshi.

-Djalli? pyet narratori

– Non, c’est le Kuçedra : un dragon femelle à cornes du folklore albanais, i thotë Nathan-i.

Supozoj se është e njohur për të gjithë domethënia e shfaqjes së një arme në rekuizitën e një  vepre artistike. Përshkrimi dhe funksioni i saj nuk do të mbyllet aty, aq më tepër kur është fjala për një pushkë me simbol funebër nga mitologjia shqiptare.

Pra, ja edhe një shtysë tjetër bindëse për të shkuar më tej në leximin e Musso-s së fundit, por nuk kam për qëllim të bëj këtu recensionin e tij. Do të kufizohem të ndjek vetëm fillin e linjës së tij « shqiptare », se them se ka interes për të kuptuar si na shohin të tjerët.

Me kohë do të marrim vesh se arsyeja e tërheqjes së Nathan Fawles nga krijimtaria është dëshpërimi i thellë që ka pësuar pasi një grua që ka njohur diku, Soizic, mjeke 30 vjeçare, është vrarë gjatë luftës në Kosovë. Askush nuk i jep shpjegime dhe duke mos e duruar këtë gjendje, ai do të niset vetë në terren për të kuptuar se çfarë ka ngjarë.

Kjo na  jep të drejtën të kemi një paraqitje pak a shumë korrekte të historisë tragjike të Ballkanit të kohëve tona, të dëgjojmë të flitet për Rugovën (Gandi i Ballkanit, thotë ai) dhe masakrat më të fundit të luftës. Por mbi të gjitha atij i intereson e vërteta e vrasjes së të dashurës së tij. Dhe duke shkuar në gjurmë të saj, anketa e tij zbulon Nathan-it edhe aktivitetin e UÇK-së “që i kishte bazat në Shqipëri”.

Ndërkohë, një koleg fotograf i së dashurës së tij që gjen në Kosovë (të cilin për të na siguruar se kalimthi Soizic nuk e ka tradhtuar Fawles-in me të, Musso nuk ngurron ta paraqesë si homoseksual, sikundër këtë skemë do ta keni vënë re në dhjetëra filma dhe romane para tij), ndërkohë pra, ky kolegu shpjegon se dikur ata dëgjuan fjalë edhe për “Shtëpinë e djallit”, një fermë e vogël në malësinë e Shqipërisë që dyshohej se shërbente për trafik organesh.

Dhe e gjitha kjo qe e organizuar nga një grup mafiozësh të përgjakshëm shqiptarë që quhej Kuçedra. Për shkak të tmerrit që ata mbillnin gjithandej, askush nuk guxonte të fliste se çfarë ndodhte aty. Autori gjen rast t’i kthehet përsëri kësaj krijese mitologjike për një përshkrim më të imët: Dans le folklore albanais, c’est un dragon maléfique à cornes. Un monstre femelle démoniaque à neuf langues, aux yeux d’argent, au long corps difforme recouvert d’épines et alourdi par deux ailes gigantesques. Dans les croyances populaires, le Kuçedra réclame toujours plus de sacrifices humains, faute de quoi il crachera sa flamme et mettra le pays à feu et à sang.

Në të vërtetë, këtu m’u bë se Musso nuk i kishte shpëtuar stereotipit të shqiptarit mafioz e të dhunshëm që të vret për hiçmosgjë (jo se nuk ekziston, të kuptohemi), me të cilin do të shpjegonte vrasjet që kishin ndodhur, sigurisht pasi e dashura e Nathan-it do t’i ishte afruar pak si shumë sekreteve  të asaj “Shtëpisë së djallit” që me sa di nënkupton një shtëpi në afërsi të qytetit shqiptar të Burrelit, për të cilën u fol shumë e me sa më kujtohet quhej “Shtëpia e verdhë”. Pra, duket se e dashura tij do të ishte sakrifikuar në themelet stereotipike të sekreteve të saj.

E megjithatë, nuk kisha asnjë ndjenjë zhgënjimi ndaj G. Musson-s. Ngjarja është e jashtëzakonshme dhe do të intrigonte çdo shkrimtar. Një përshkrim fare i shkurtër i asaj që përflitej se kishte ndodhur aty, do të rindërtonte në imagjinatën e lexuesit horrorin në gjendjen e tij më apotetike. Hiçkoku do të rrotullohej nga pezmi aty ku është.

E dimë të gjithë se imazhi i shqiptari të tillë ka qenë shpella e Ali babait për mjaft libra e filma që trajtojnë subjekte të banditizmit ndërkombëtar. Por vazhdimi i leximit tregoi se subjekti nuk shtjellohej kësisoj.

E vërteta ashtu është, trafiku i organeve ekziston në roman, por autori korrekton diçka ne shtjellimin e tij. Atë që bëhej aty, trafikun e vdekjes, e zhvendos te një klinikë në Kosovë dhe më tej shpjegon se kreu i gjithë këtij trafiku nuk janë shqiptarët, por një francez. Madje një francez i shquar, ai për të cilin flitet gjatë gjithë kohës në roman, Aleksandër Verneuil, figurë e nderuar e qarqeve intelektuale parisiane, që i përkiste “të majtës rolex” (këtu me sa duket Musso ka dashur të evitojë emrin e saktë të kësaj të majte të ditëve tona, të së “majtës kavjar”, që kur erdhi në pushtet, sipas autorit, e kishte emëruar mjekun e famshëm në krye të institucioneve e shkollave të larta mjekësore). Dikush nga elita e vendit, pra!

Dhe Kosova nuk ishte rasti i parë, thotë Musso. Ai kishte ngritur një sistem të tërë transplantimesh ilegale, kudo ku kishte qenë në misionet e tij humanitare.

E ndjej për detyrë të them se realisht kjo nuk ka ndodhur kurrë. Mjekët pa kufij dhe misione të tjera humanitare të “French doctors”, u janë përgjigjur krizave më të thella të shekullit të shkuar dhe kanë shpëtuar mijëra jetë kudo që kanë vajtur nëpër botë.

Po personazhet tanë? E, pra, duke ndjekur gjurmët e të dashurës së tij, Nathan Fawles mëson se duke zbuluar rolin e mjekut Alekasandër Verneuil në një punë të tillë të ndyrë, ajo kishte afruar fundin e jetës së saj. Ky, nuk mund ta linte të kthehej gjallë në Paris.

Nuk po vete më tej, se vetëm kaq kisha marrë përsipër të them, duke ju siguruar se në këto shënime nuk kam prekur asgjë nga surprizat e tjera të shijshme që ruan ky rrëfim i fundit i G. Musso-s. Nuk e di a njihet në Shqipëri, por ky lloj libri ka lexuesin e tij edhe aty dhe ia vlen të përkthehet, sikundër mjaft romane të tij të tjerë. Madje, besoj në atë që thotë Kadareja, në rolin pozitiv të shkrimtarëve mesatarë (ai thotë mediokër, por mendoj se termi është zgjedhur gabim), ne ruajtjen e lidhjeve të lexuesve me letërsinë.

Po a ka gjësendi që mund të kritikohet? Se diçka duhet thënë, për të prishur syrin e keq!

Kam përshtypjen se në roman ka një një problem të diskutueshëm strukture.

Siç shpjegova më sipër, ai rrëfehet në vetën e parë nga narratori që ka edhe emrin dhe mbiemrin e tij e që, më falni për këtë shpjegim të tepërt, nuk është autori i romanit. Mirëpo ky, narrator, duke u përpjekur të zhbirilojë sekretet e personazheve të ndryshëm, gjë për të cilin e kishte ngarkuar idhulli i tij, Nathan Fawles, vritet diku te treçereku i librit.

Kur mbylla faqen e tij të fundit, madje disa çaste më pas, befas u kujtova për një gjë të tillë dhe pyeta veten; po kush ishte ai që vazhdoi të tregojë historinë, pas vdekjes së narratorit?

6 Komente

  1. Ja vlen te besh nje tregim me kete qe me ndodhi mua para ca ditesh. Kisha bere nje denoncim per mashtrim ne internet. I kisha paguar njerit ca para me paypal ne Ebay dhe me grabiti. Me therrasin ne polici. Por denoncimi ishte bere ne ne qytet tjeter, te themi Berlin, e une jetoj ne Hamburg. Polici i frankfurtit me therret ne cilesine e… nuk e dinte se une isha thirrur nga policia e Berlinit ne cilesine e deshnitarit dhe jo te akuzuarit. Besoj se jo vetem per indiference ndaj rastit, mashtrim online, por edhe Vse isha huaj, nuk e kishte lexuar fare dosjen e derguar nga Berlini, e kish menduar se i huaji patjeter i akuzuar. Pasi i denoncuari ishte gjerman.

    E imagjinoj tregimin si nje dialog ku dy persona flasin per te njejten gje sikur e kane te qarte, por nuk takohen asgjekundi. Por lexuesi ngelet gjithe kohes konfuz mbi te akuzuarin dhe deshmitarin. Madje kjo nuk zgjidhet fare ne histori.

    1. Pergjegjesi e madhe. Por kam pershtypjen se kjo ide te ka lindur pasi ke lexuar nje teme te mepareshme, Codex Calixtinus.

      1. Quel dommage que Alain Delon et Jean Paul Belmondo sont deja vieux…

        Lyss.

        Jam betuar qe nuk do lexoj me letersi te pas 1990-tes. Dhe bindja, thone, eshte me e keqe se sa edhe vete genjeshtra. Po mjere ai qe fillon e dyshon ne bindjet e veta… tha.

  2. Megjithate, jam i sigurte se do te behet film. I ka brenda te gjitha erzat e nevojeshme.

  3. Nga leximi i shkrimit tuaj më erdhi menjëherë në mendje emrin i Bernard Kouchner! Bëni shumë mirë që na sillni këto të dhëna rreth standardeve europiane të “fake news” dhe penës së baltës! Me sa duket shkrimtari ka harruar të thotë për Kushnerin së është edhe me origjinë hebreje!
    Me lejoni të sjell fjalët tija që nuk i përtypin dot këta lloj propagandistësh:

    …”Ata qe flasin për shtëpinë e verdhë kanë nevojë t’i drejtohen psikiatrit”- Bernard Kouchner.
    “Ata e kërkonin një shtëpi të verdhë dhe gjetën një të kaltër”- Bernard Kouchner.

    Ja edhe video:
    https://www.youtube.com/watch?v=EMOtjnpDG78

    https://www.facebook.com/guillaume.musso.fanpage/videos/367387460593692/

    1. Argjon, ose nuk ju kam kuptuar une, ose ka nje keqkuptim interpretimi ku mund tju kete shtyre edhe titulli i shenimit tim per librin ne fjale. Musso nuk me duket se e ka trajtur ne menyre abuzive ate ngjarje, as nuk i bashkohet ndonje opinioni “antishqiptar”. Ai sjell atmosferen e asaj qe u tha ne ate kohe, se mbushi jo vetem gazetat e huaja por edhe ato shqiptare, por nuk fokusohet te shtepia ne fjale. Ngjarjet vendosen gjetiu dhe ne romanin e tij ai “zbulon” se ne krye te trafikut te organeve nuk jane shqiptaret, por nja antar i elites me te larte intelektuale te Parisit, qe edhe kjo nuk eshte e verteta historike dhe as e verteta e thjeshte, por zgjidhja romaneske e ngjarjes qe ai trajton.

      Jashte kesaj, pastaj, me sa di une u arrestua nje kirurg turk. Po ç’rendesi ka? Nje veper artistike duhet gjykuar brenda asaj qe merr persiper te thote.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin