Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KORTEZI BASHKËSHORTORE

Një titull tjetër (pretencioz) i këtij shkrimi do të mund të ishte: “Kontribute për fenomenologjinë e plagjiaturës.”

Të dhënat më poshtë i kam nxjerrë nga një ese e Len Gutkin, me titull A Tale of Two Plagiarists, botuar në The Chronicle Review.

Një Philip Rieff, sociolog dhe kritik kulturor amerikan, e pat nisur karrierën si autor me librin Freud: The Mind of the Moralist (1959). Gjatë kohës kur e shkroi librin, Rieff ishte i martuar me Susan Sontag, kritike e njohur amerikane; një biografi tani së fundi e Sontag-ut, nga Benjamin Moser, ka risjellë në vëmendje rolin e kësaj autoreje, në hartimin e librit të Rieff-it; që kur të dy nuk ishin martuar ende. Me gjasë, pjesën më të madhe të librit të Rieff-it e ka shkruar Sontag-u; çfarë edhe vetë Rieff e ka pranuar gjysmë-publikisht, duke e quajtur ish gruan e vet “bashkautore”, tek autografi i një kopjeje të librit që ia dhuroi Sontag-ut në vitet 1990.

Thuhet se ishte kusht i marrëveshjes së divorcit midis Sontag dhe Rieff, që nga libri i këtij të hiqej çdo referencë ndaj kontributeve të Sontag-ut.

Mirëpo tani del në shesh se, të paktën disa pasazhe në libër, nuk janë as të Sontag-ut, as të Rieff-it por janë kopjuar – plagjiarizuar – nga një vepër e një M. H. Abrams, e vitit 1953. Len Gutkin e provon këtë në artikullin e tanishëm, duke i vënë pasazhet përbri njëri-tjetrit: janë praktikisht identike, përfshi edhe pikësimin.

Nëse kemi të bëjmë me plagjiaturë të mirëfilltë, apo thjesht pakujdesi, këtë nuk e themi dot: kopjimi nga vepra e Abrams-it nuk ka qenë aq i domosdoshëm, për strukturën, mesazhin dhe suksesin e librit të Rieff-it. Megjithatë, thotë Gutkin, sa kohë që Rieff-i nuk e pati problem që të mos i jepte Sontag-ut asnjë kredi për librin e botuar në emrin e vet, atëherë çfarë na pengon ta akuzojmë sot edhe si plagjiarist?

Nga ana tjetër, vëren sërish Gutkin, nëse librin e ka shkruar Sontag-u, i bie që edhe plagjiaturën ta ketë bërë Sontag-u, jo Rieff-i, i cili thjesht i ka besuar së shoqes. Po a mund të jesh plagjiator, në emër të një tjetri? – pyet Gutkin. Apo mos vallë ky akt plagjarist i Sontag-ut duhet parë si një lloj hakmarrjeje e fshehur, ndaj shfrytëzimit që ia bëri punës së saj Rieff-i?

Për ta përmbledhur: Rieff-i boton një libër me emrin e vet, pa i njohur asnjë rol autorial Sontag-ut; e cila megjithatë e ka shkruar praktikisht të gjithë librin vetë – në frymë bashkëpunimi a solidariteti me të shoqin, a kushedi për ç’arsye tjetër. Por, duke e shkruar librin, Sontag-u ka kopjuar nga një libër i një autori të tretë. Kush mban përgjegjësi për plagjiaturën?

Sontag-un e kanë akuzuar edhe atë për plagjiaturë, në një kontekst tjetër: me sa duket, një numër pasazhesh në romanin e saj In America ishin kopjuar nga libra të tjerë. Aso kohe Sontag u mbrojt me argumentin se përdorimi i burimeve nga një shkrimtar në fiction është tjetër gjë nga plagjiarizmi, dhe se “gjithë letërsia është një varg referencash dhe aluzionesh.”

Morali i kësaj historie kurioze është alarmant për plagjiaristët: nëse ti vjedh nga një vepër, e cila ka vjedhur vetë nga një vepër e një autori të tretë, atëherë do t’i ekspozohesh dyfish rrezikut për t’u zbuluar. Madje jo vetëm: nëse inspektimi anti-plagjiaturë i zbulon të dyja burimet, atëherë do të ndihmojë për të diskredituar edhe një plagjiator më të hershëm, të një kohe kur kontrolle të tilla ishin më sporadike dhe më pak profesionale.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Komente

  1. “Aso kohe Sontag u mbrojt me argumentin se përdorimi i burimeve nga një shkrimtar në fiction është tjetër gjë nga plagjiarizmi, dhe se “gjithë letërsia është një varg referencash dhe aluzionesh.”

    nje te drejte e ka, perndryshe Eco-ja me intertekstualizmin e vet do quhej kryeplagjator

  2. Me shtimin e autorve dhe botimeve, (perfshi edhe ato kompjuterike), do te shtohen edhe kopimet. Keto nuk kane nevoje te jene kopime fjale per fjale, por thjesht ne ide dhe permbajtje. Dhe, edhe me shume kane sot sukses keto kopime, per faktin se masat e gjera te njerezve jane sot edhe me pak te ngarkura me dije te ndryshme. Materializmi eshte e kunderta e dijes.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin