nga Giulio Mozzi
përktheu: Arben Dedja
[Marrë nga “Teoria e pratica”, 17 tetor 2017]
- Gjithçka që ju kanë mësuar në fillore mbi përdorimin e shenjave të pikësimit (që presja shënon një ndalesë të vogël, pika një ndalesë më të gjatë, pikëpresja një të mesme; që dy pikat përdoren vetëm për t’u prirë: citimeve, fjalive të folura, listave; që kllapat janë të shëmtuara; etjera) qëndronte bukur mirë kur jua mësuan, në fillore pra: po tani që u rritët nuk qëndron më. Apo doni të besoni akoma te Babagjyshi i Vitit të Ri?
- Pikësimi nuk është një plus i lidhur me tekstin (me fjalët dhe me fjalitë), nuk është stoli ose ojnë: pikësimi është pjesë e tekstit dhe së toku me fjalët dhe fjalitë rreket të bëjë atë që një teksti i ka hije: të shkaktojë një efekt të caktuar mbi atë që lexon. Dhe s’është aspak e vërtetë që dy pikat nuk mund të përdoren dy herë rresht, as që periudha nuk mund të fillojë dot me një ‘dhe’.
- Pikësimi nuk u nënshtrohet rregullave pos, në u dashtë, atyre të mirësjelljes ndaj lexuesit. Por mirësjellja është konvencion, dhe konvencionet edhe kundërshtohen, në u paskëshin arsye të shëndosha për ta bërë. Të përdorësh keq shenjat e pikësimit është si t’i prezantohesh një personaliteti të shquar duke i rrahur shpatullat dhe duke e përshëndetur me një: “Ç’kemi plako?” rrapëllimtare, por ka edhe situata kur ka kuptim vërtet t’i prezantohesh një personaliteti të shquar duke i rrahur shpatullat me një: “Ç’kemi plako?” rrapëllimtare. (Në disa raste e shtrirë në “ç’kemi plako, a ke bo’ gjo?”).
- Mungesa e shenjave të pikësimit është një formë pikësimi, ndoshta më e vështira.
- Tabiatet në pikësim ndryshojnë në kohë, në hapësirë dhe nga gjuha te tjetra. Po t’i hidhni një sy poezive të Emily Dickinson-it nuk mund të mos vini re që teksti ngjan i përbërë kryesisht nga viza. Të gjitha përkthimet nënkuptojnë edhe një përkthim të pikësimit, të gjitha botimet e teksteve të lashta (që shpesh kanë mungesë të plotë të pikësimit, ose që në dorëshkrime të ndryshme kanë pikësim të ndryshëm sipas gjendjes shpirtërore dhe shijes të shkruesve, ose që përdorin shenja pikësimi sot jashtë mode etjera) ofrojnë një pikësim të sajuar ose të shpikur kryekëput nga botuesi (në kuptimin: nga ai që redakton tekstin). Bëjini bisht leximit të Boccaccio-s për të zbuluar si i përdorte shenjat e pikësimit ky burrë i lartë, ndërkohë që ka kuptim të lexoni për këtë Manzoni-n – që kuroi personalisht, deri në detajet më të imta, botimin definitiv të romanit Të fejuarit (e bukur viza?). Por mjeshtrat rregulla nuk na kanë lënë, kanë bërë zgjedhjet e tyre: sot, të themi, shumëpikëshi… ka normalisht tre pika, Manzoni përdorte katër, kurse kurnaci Leopardi mezi dy.
- Gjatë Nëntëqindës shkrimtarët; i kanë nxjerrë ujët e zi pikësimit. Hiqeni nga mendja pra që qenkësh e mundur) të bëni ende, eksperimente: me! pikësimin – E shumta mund të shtijmë në dorë shembuj nga? ata që tashmë janë kthyer në Klasikë, të vegjël ose të mëdhenj, tip Mallarmé apo Céline a Joyce apo e e. cummings a Giuseppe Berto apo Sanguineti a kë t’ju dojë qejfi.
- Duhet shqyrtuar me vëmendje ana vizive e tekstit. Redaktorët e shtëpive botuese, për shembull, e dinë mirë sa e pabukur mund të ngjajë një faqe nëse hapësirat e bardha midis një periudhe dhe një tjetre (mes një pike dhe germës së madhe që e ndjek) formojnë shkallë ose greminëza, apo nëse në fund ose në krye të një faqeje mbesin rreshta të ve ose jetimë. Një faqe dëng me germa të mëdha është një faqe e ndryshme nga një me të tëra të vogla, një faqe dëng me kryeradha është një faqe e ndryshme nga një që ngjan plumb i derdhur (quhet prapë kështu, edhe pse plumbi ka kohë që s’përdoret), një faqe plot e përplot me fjalë të shkurtra është e ndryshme nga një faqe plot e përplot me fjalë të gjata, e kështu me radhë. Gjerësia ose dorërrudhësia e hapësirës së bardhë të faqes (hapësira e bardhë është kosto për kë boton), distanca ndërreshtore, mungesa ose prania e thyerjes në fillim të paragrafit, pa përmendur tipin e germës së zgjedhur për shtyp, përftojnë efekte të ndryshme. Guxoni të përfytyroni një poezi të Ungaretti-t, nga ato të luftës, ku të hiqen kryeradhët, dhe do ta kuptoni vetë. Pikësimi kontribuon në këtë anë vizive të tekstit, dhe fuqishëm. (Ah, po: edhe një rresht bosh, një ndryshim faqeje, e kështu me radhë, ngaqë janë shenja ndarëse të tekstit, janë – edhe – pikësim).
- Pikësimi shërben, edhe, për nyjëtimin logjik të ligjërimit. Pikësimi shërben, edhe, të caktojë ritmin në lexim – në leximin mendor, ama, se ai real, ai i një teksti të lexuar me zë të lartë, është krejt tjetër gjë. Pikësimi, gjithashtu, vihet në shërbim të sintaksës. Por kujtohuni që ekziston edhe një stil pikësimi. Nëse lexoni këtë dekalog timin, nëse keni lexuar edhe të tjerë, do ta keni vënë re që fjalitë e mia (mostjetër fjalitë e mia posaçe në këtë zhanër letrar që është dekalogu) janë bërë në një farë mënyre, dhe kjo farë mënyre e të bërit të fjalive është e pashqitshme nga, mënyra, ime, e posaçme, e pikësimit. Shikoni (mos u kufizoni vetëm në lexim: shikoni, ani) atë që shkruani, dhe pyesni veten cili është stili juaj i pikësimit.
- Heraherës ndonjë gazetar i kulturës shkruan një vaj mbi vdekjen e pikëpresjes (dhe/ose të lidhores). Mos kujtoni ama që pikëpresja (dhe lidhorja) janë përbërës fisnikërues të tekstit. Nuk është që meqë teksti juaj ka shumë pikëpresje dhe shumë folje në lidhore bëhet kësodore letërsi. Ta përgjithësojmë: çdo gjë që i bëni tekstit tuaj me qëllimin që ta bëni më letrar, është i destinuar ta shëmtojë atë.
- Dhe me fjalinë sipër ja që ia hoqëm doganën edhe presjes midis kryefjalës dhe foljes.