Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori / Shkencë

SHQIPJA PA MOSHË

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kish zgjedhur ta kremtonte “Ditën Europiane të Gjuhëve”, në Facebook, me kopertinën e librit të Shaban Demirajt, Gjuha shqipe dhe historia e saj, të ilustruar me parullën “Gjuha shqipe një nga gjuhët më të vjetra të Europës.”

Zgjedhja m’u duk e gabuar, dhe parulla naive.

Gjuha shqipe është gjuhë indo-europiane, edhe pse e dokumentuar vonë. Ta quash “e vjetër” ose “nga më të vjetrat” mund të pranohet si mistifikim për ligjërimin ideologjik ose kombëtarist-religjioz, por jo për atë shkencor. Shqipja nuk është as e vjetër as e re – ose është po aq e vjetër sa indo-europianishtja e fillimeve, dhe po aq e re sa fëmija që foli sot për herë të parë shqip. Ka moshën e të gjitha nënave, që nga errësira e parahistorisë, që u kanë folur foshnjave në gjuhën e nënave të tyre.

Libri i Shaban Demirajt, me natyrë divulgative, jo vetëm që nuk e konfirmon që “gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Europës”, por edhe jep një datë të përafërt, për formimin e shqipes: midis fundit të ndikimit latin dhe fillimit të kontakteve me sllavishten, ose dikur nga shekujt V-VI të erës sonë.

Autori flet atje lirisht edhe për “nënën” e shqipes, ose për atë gjuhë e cila e “lindi” shqipen, njëlloj si latinishtja italishten ose spanjishten. Kjo e nënës, edhe pse metaforë, ndihmon për të kuptuar se, të paktën për Demirajn, shqipja jonë e sotme është cilësisht e ndryshme, si gjuhë, nga paraardhësja e saj në lashtësi.

Demiraj argumenton, në librin e vet, se shqipja e sotme është një kombinim unik i tipareve të ruajtura dhe i risive të përftuara në kohë; dhe se nuk ka ndonjë dallim “vlerash” midis çfarë është ruajtur dhe çfarë është rinovuar.

Ky është edhe qëndrim prej albanologu profesionist, me integritet dhe solid në pikëpamjet e veta; siç edhe ka qenë Demiraj, nga të rrallët.

Shqipja është gjuhë europiane jo për nga mosha e saj e supozuar, por për nga struktura e saj, funksionimi dhe kultura që ka ndihmuar të përcillet në shekuj.

Argumenti i “moshës” së gjuhës shqipe nuk ka asnjë lidhje logjike me debatet për autoktoninë e shqiptarëve, as për çështjen e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja a ndonjë gjuhë tjetër e Ballkanit të lashtë.

I vetmi kontekst, ku mund të flitet me ndonjë farë baze shkencore, për “vjetërsinë” e shqipes brenda gjuhëve indo-europiane ka të bëjë me kohën kur është “shkëputur” shqipja nga “trungu” indo-europian; por vetë modeli i pemës së gjuhëve nuk është veçse vegël metodologjike (dhe jo e vetmja); dhe koha e ndarjes së një gjuhe të dokumentuar aq vonë sa shqipja është tejet e vështirë për t’u përcaktuar; aq më tepër që vetë konceptet e shkëputjes dhe të degëve a të degëzimeve, ose modeli dendrologjik, mbeten metaforike; dhe jo gjithnjë metodologjikisht të shëndosha.

Përkundrazi, mund të flitet brenda shqipes për vjetërsi relative të elementeve nga leksiku, gramatika dhe fonetika/fonologjia – në kuptimin që një fjalë e trashëguar ose një huazim latin janë më të vjetra se një huazim sllav; ose që nyja e pasme është më e vjetër se nyja e përparme; e kështu me radhë. Ose në kuptimin – elementar – se një fjalë e prejardhur si punëtor është më e re se tema e saj, punë.

Shqipja përndryshe meriton totalisht vëmendjen tonë – të shoqërisë, të institucioneve, veçanërisht të shkollës, të qytetarëve; por jo ngaqë është “nga gjuhët më të vjetra” dhe as ngaqë ka ndonjë karakteristikë tjetër sublime. E meriton këtë vëmendje sepse është gjuha jonë, e vetmja që kemi; gjuha që i jep formë kulturës sonë dhe që na riprodhon si aktorë në teatrin e komunikimit, publik dhe privat; që na shquan si shqiptarë mes popujve të tjerë të Europës dhe që realizon bashkërinë tonë si shoqëri dhe si popull; dhe që ruan, në trupin e saj, gjurmët e historisë shumë-shekullore të popullit shqiptar, të kulturës së tij materiale dhe shpirtërore, të ekonomisë dhe të jetës sociale; të kontakteve të tij me fqinjët dhe të tjerët; madje i ruan shumë më mirë se dokumentet historike dhe gërmadhat arkeologjike që kanë mbijetuar.

Më duket pa vend, që edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, praktikisht bastioni i fundit institucional në përpjekjet për të ruajtur arsyen publike në çështjet kombëtare dhe të albanologjisë, të zgjedhë të pozicionohet me mburrje të tilla folklorike. Shpresoj të ketë qenë lajthitje e ndonjë personi të rastit.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Shënim: një version pak më të shkurtër të këtij shkrimi e lashë si koment te faqja e Akademisë së Shkencave në Facebook.

17 Komente

  1. Akademia e Shkencave TE Republikes se Shqiperise?
    Kjo ne nje liber per gjuhen shqipe?
    Fotografi “fake” do jete, nuk mund ta besoj qe qesimlleku yne te kete arritur aq larg.

  2. Nuk eshte ‘fake’. Te gjitha botimet e Demirajt pas ’90 e kane; ato te meparshmet jane nen ‘universiteti tiranes’, me ndonje perjashtim si libri per Cabeun. Shtepite botuese jane te ndryshme.

  3. nuk eshte pak ironik fakti qe sipas kopertines se librit fjala “gjuhe” e nje nga gjuheve me te vjetra te evropes dhe te natos mund te jete nje huazim nga greqishtja?

    1. Një etimologji do të ishte ajo nga latinishtja “veterem” (kallzorja e vetus, veteris, me të njëjtin kuptim; të njëjtën rrënjë e gjen sot në huazime të reja, si “veteran”). Janë dhënë edhe të tjera, që e nxjerrin si fjalë vendëse, të lidhur me “vit-vjet”. Unë – për aq sa vlen – anoj nga e para.

      1. A ekziston mundësia që të jetë huazuar fillimisht nga latinishtja dhe pastaj të jetë interpretuar me etimologji popullore si e prejardhur nga “vit-vjet”, e sipas këtij modeli të jetë krijuar “e motshme” nga “mot”?
        A njihen gjuhë të tjera ku “e vjetër” vjen nga “vit”? Sepse nëse jo, më duket e habitshme që në shqip të ketë ndodhur dy herë.

        1. Mundësinë nuk e përjashton dot – por duhet parë nëse ka ndonjë “rregullsi” më tepër, te mënyra e supozuar e formimit. E kam fjalën që nuk më rezulton ndonjë prapashtesë -(ë)r për formim mbiemrash në mbarë shqipen – dhe normalisht, një formim i tillë në gegnishte, do të kish dalë si i vjetën (“i vjetër” në toskërishte): khs. i shkurtën/i shkurtër, i shurdhën/i shurdhër, i verbën/i verbër, etj; por në fakt del edhe në gegnishte si i vjetër.. Në fakt, Cabej as që e trajton këtë etimologji (“i vjetër” nga “vit/vjet”).

  4. Nuk ka ndonje kriter shkencor per vjetersine e gjuhes, perpos moshes se shkeputjes nga gjuha meme.

    Ne te tilla kushte, i vetmi kriter shkencor per te matur vjetersine e shqipes eshte shkeputja e shqipes nga proto-indoeuropianishtja, qe do te thote nja 5 mije vjet, duke pare kronologjite qe ofrojne indoeuropianistet.

    Terminologjia bije e ilirishtes per ta futur ne aradhen e gjuheve neolatine, ku dihet se jane bija te latinishtes, te cilen e perdor Akademia e Shkencave dhe Demiraj eshte shkencerisht e pasakte.

    Po ashtu eshte vetem nje prej hipotezave teoria e nje dialekti ilir i ndare me dysh ne gegerisht e toskerisht, gjate shekujve 4-6. Ne zhvillimet dialektore me shume sesa teoria e pemes vlen teoria e valeve, te cilen eshte perpjekur Renfrew e gjuhetaret qe e mbeshtesin ta zbatojne edhe per perhapjen indoeuropiane. Fare mire mund te vleje edhe teoria se nje prej dy dialekteve eshte mema e tjetrit ose qe disa dialekte te vjetra te shqipes jane shkrire per te dhene 2 dialektet qe njihen sot.

    Keshtu qe e vetmja garanci ose siguri shkencore qe perdorin gjuhetaret anembane botes eshte qe shqipja apo protoshqipja ( ketu terminologjia ska ndonje vlere te veçante) eshte shkeputur nga (proto-)indoeuropianishtja diku tek 5 mije vjet me pare.

    Kete unanimitet te gjuhetareve anembane botes duhet te perhape Akademia e Shkencave, te behet zedhenese e unanimitetit akademik boteror, jo te perhape hipoteza pas hipotezash.

    Keshtu qe cdo te thote nje nga gjuhet me te vjetra te Europes ? Nuk do te thote asgje. Faktet e mbledhura nga me cdo metode qe perdoret per kronologjine gjuhesore thone se eshte me e vjetra nder gjuhet e sotme europiane dhe indoeuropiane bashke.

    Te gjithe gjuhetaret indoeuropiane qe merren me kronologjine e gjuheve thone albanian per epoken para krishtit, por askush nuk thote italian apo serbian per periudhen para krishtit, sepse keto gjuhe kane qartazi gjuhet meme ne ate epoke. Askush nuk flet dot per gjuhen serbo-kroate apo bullgarishten para vitit 1000 sepse ndarja e gjuheve sllave ne shekujt 8-10 ka ndodhur dhe psh sllavishtja kishtare eshte nje prove e qarte per kete.

    Keta akademike te gjuhesise qe kane menduar me shume si historiane sesa si gjuhetare duhen rishikuar nga brezi i ri, i cili duhet ti sjelle publikut shqiptar dijen shkencore perendimore. Sot nuk ka asgje urgjence kombetare per vijueshmerine iliro-shqiptare, qe te thuren teza bijesie, duhet zgjidhur çështja e bijesise se shqipes prej indoeuropianishtes. Na duhen indoeuropianiste, nuk na duhen ideologe.

    1. Eshte foregone conclusion se shqipja eshte gjuha me e vjeter apo nje nga me te vjetrat .shkencetareve tane apo te huaj iu duhen te gjejne vetem faktet .

      1. Te huajt i kane gjetur me kohe e me vakt, jane tanet qe nuk i perhapin. 3 dorsalet ne shqip jane hedhur si hipoteze qe prej Joklit e jane mbeshtetur me prova nga Hampi e vete Demiraj. Enciklopedia e Mallory-Adams thote tekstualisht qe argumentet e ruajtjes se 3 dorsaleve ne shqip jane te pakten po aq te mira sa ato te ruajtjes se dorsaleve ne luvisht. Keshtu jo vetem mbeshtet karakterin para centum/satem te shqipes, por me stil perqesh edhe kundershtaret e kesaj teze. Dhe Mallory eshte patriarku boteror i hipotezes stepore, nuk eshte nje shvajncstajger dokudo.
        Mjafton kjo pa u futur fare tek laringalja h4, qe shqipja te jete nga pikepamja kronologjike gjuha qe eshte shkeputur me heret prej protoindoeuropianishtes nga gjithe gjuhet e familjes indoeuropiane qe fliten sot ne bote.

      2. Por nuk thuhet kurrë cilët janë gjuhët më të reja.

      3. Më duket mua apo e kam gabim që konkluzioni vjen pas fakteve dhe jo anasjelltas? Se kështu si e thotë Alba këtu, mund edhe të riformulohet si: “i ka vdek nona atij muhabeti prandaj k’ta shkenc’tarët t’na e vërtetojn içik”
        Unë do kisha menduar që konkluzioni bëhet foregone atëherë kur faktet janë të qarta e të mirëinterpretuara, ose kur janë mjaftueshëm rrethanore për të sjellë nje deduksion logjik.
        Të paktën procesi shkencor ndjek këtë radhitje. Konkluzioni pason faktet dhe jo faktet konkluzionin.

        1. Po te ndjekim faktet mund te arrijme ne konkluzione qe nuk na e ka enda ti degjojme .Historia ne Shqiperi studiohet per te ngjallur krenarine kombetare e jo per te mesuar te verteten.

        2. Alba leri muhabetet e pergjithshme e permbledhese, sikur je prof. dr. ne 7 disiplinat shkencore qe merren me shqiptaret.
          Fakt eshte qe ne indoeuropianistike prej 1850 deri me sot, qe shqipja eshte nga gjuhet me te vjetra indoeuropiane eshte perfundim i konsoliduar ne ate qe quhet mainstream. Pastaj ka minoranca te ndryshme ideologjike qe kryejne punen e kontestimit ose inkuadrojne kete fakt brenda qellimit kryesor ideologjik.
          Tek keto minoranca ideologjike hyn edhe akademia jone e shkencave, e cila e perqendruar ne lidhjet iliro-shqiptare e ka anashkaluar fare problemin kryesor, ate te origjines se vertete te shqipes. Gjithe gjithe akademia mund te shpjegoje ekzistencen e dy dialekteve aktuale, gegerisht e toskerisht, me periudhen e vonet latine, por nuk mund te shpjegoje dot prejardhjen e ketyre dy dialekteve.

          Indoeuropianistika e ka ceshtje te dores se dyte, nese dialektet gege e toske burojne nga nje apo shume dialekte ilire apo trake apo dake, sepse problemi i dores se pare eshte kontributi qe jep shqipja ne kuptimin e indoeuropianishtes.

          Ne 30 vitet e fundit, te gjithe flasin per shkeputjen e pare protoanatolike, me vone e ndare ne tre gjuhe hitite,luvike,palaike. Biles ka hipoteza per nje moterzim mes indoeuropianishtes dhe protoanatolishtes.

          Thelbi i kesaj perparesie ne shkeputje qendron ne dy arkaizma te gjetura ne luvisht dhe hititisht, perkatesisht karakteri para kentum/satem i luvishtes dhe laringalja h ne hititisht ( saktesisisht h2 dhe h3), nderkohe qe elemente te tjere arkaike , si psh struktura gramtikore e reduktuar e hititishten ka 2 interpretime.

          Pra, thelbi i shkeputjes me te hershme gjendet ne dy arkaizmat e luvishtes dhe hititishtes, te cilat vertetojne se gjuha e tyre meme, protoanatolishtja, paraqiste largingalet dhe karakter para kentum/satem.

          Keto 2 karakteristika te protoanatolishtes i ka edhe shqipja.

          Enciklopedia e Mallory-Adams gjuhet indoeuropiane i ndan ne 4 kategori:

          1- kentum
          2- satem
          3- luvisht
          4- shqip

          Hititishten e fut tek gjuhet kentum per shkat te kentumizimit qe pesoi me vone dhe ky kentumizim ka hapur debate te pafundme dhe eshte nje prej shtyllave argumentuese te C. Renfrew.

          Pra, ne kushte te tilla, nuk mund te flitet ende me reaksionin e keltomanise ndaj shqipes dhe ilirishtes, te cilen e perqafuan gjithe ideologet e mundshem neper akademi te ndryshme, te cilet jo qe jane minorance, por edhe tashme te bejne per te qeshur.

          Sot debati indoeuropian ka ngecur ne kete pike, ne nje konference te kokave indoeuropianiste te vitit 2013

          https://www.proto-indo-european.ru/ie-cradle/_pdf/clouds-over-ie-homelands-nallory.pdf

          Kushdo qe e lexon, se nuk jane shume faqe e sheh, se indoeuropianistika ka nevoje per nje maxi-teori te re, pra duhen rikonsideruar gjithe faktet prej 1850 e deri me sot.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin