PRIVATËSIA DHE LIRIA E POLITIKANIT

Nga Lorjan Agalliu

Vendimi i Ramush Haradinajt për tu dorëhequr nga posti i Kryeministrit të Kosovës është komentuar në opinion kryesisht në dy mënyra: si një vendim i sinqertë përgjegjshmërie qytetare, që duket se besojnë një shumicë në Shqipëri dhe në Kosovë, për rrjedhojë edhe e një “burri shteti” i cili vë interesat e kombit mbi ato vetjake; dhe, nga ana tjetër siç duan ta portretizojnë kundërshtarët e vet, si një vendim oportunist për të fituar pikë pikërisht nga ky lloj besimi, apo edhe nga viktimizimi për ta kthyer thirrjen në gjykatën e Hagës për herë të tretë, në favor të vet. Ka pasur edhe një qëndrim tjetër të Vetëvendosjes që ndonëse e ka përshëndetur dorëheqjen, a ka cilësuar atë “të vonuar dhe për arsyen e gabuar”. Ky qëndrim i Vetëvendosjes me gjasa i referohet së pari gjendjes ekonomike dhe korrupsionit në Kosovë, dhe së fundi legjitimitetit të vetë gjykatës ku Haradinaj kërkohet të paraqitet. Qëndrimi i Vetëvendosjes, ndonëse konsistent për një opozitë kritike ndaj qeverisjes, çuditërisht nuk ia njeh Haradinajt meritën për ruajtje, qoftë edhe formalisht, të sovranitetit të Kosovës përballë një gjykate të huaj por legjitime, (ndonëse të kontestuar nga Vetëvendosja) apo respektimit nga Haradinaj të ligjit, qoftë ky edhe ndërkombëtar.

E vërtetat është se çështja Haradinaj përmbledh në vetvete gjithë dramën e politikës Kosovare, por dhe Shqiptare, si në aspektin e administrimit publik, ashtu edhe vizioneve politike, të cilat kanë qenë dhe janë problematike në të dy vendet. Çka ka shërbyer edhe për kapjen e imagjinatës popullore, nëse mund të flitet kështu, për mundësinë qoftë edhe minimale se edhe nëpërmjet institucionit të dorëheqjes mund të identifikohen dhe hapen rrugë për zgjidhje të këtyre problematikave. Ndërkohë, mpleksen në këtë çështje sa dramat personale – kalvari i politikanit e qytetarit me ligjin – aq  edhe përpjekjet e shoqërisë kosovare për shtetformim. Kjo jo vetëm se Haradinaj ka qenë komandant i luftës çlirimtare në krye të UÇK-së, organizatë me një rol të padiskutueshëm për çlirimin e Kosovës, por më shumë edhe për rolin e tij në kohë paqeje, çka i bën ballafaqimet e Haradinajt me këtë gjykatë t’i kapërcejnë kufijtë e një përpjekje private dhe individuale, për ta kthyer në sprovë jo vetëm të ruajtjes së imazhit të luftës për pavarësi, përndryshe të drejtë, por të vetë legjitimitetit të pavarësisë.

Për të shqyrtuar pak më në thellësi dritëhijet e fenomenit Haradinaj si më sipër, do t’i referohem këtu Hannah Arendt dhe analizës së saj të një konceptit socio-politik të privates dhe publikes, tematika që janë prekur së fundi në disa shkrime këtu tek Peizazhet e Fjalës. Arendt vëren se dallimi midis privates dhe publikes korrespondon me atë të sferës së aferave dhe ekonomisë shtëpiake nga njëra anë, dhe politikës në anën tjetër. Kështu të ndara, sipas Arendt, kanë ekzistuar këto historikisht deri në shfaqjen e qyteteve-shtet.

Në të kundërt, lartësimi i sferës sociale, e cila në një kuptimin strikt nuk është as private dhe as publike, është një fenomen i ri që korrespondon me kohët moderne, dhe që ka gjetur formë politike në shtetin-komb. Për shkak të këtij fenomeni – pra të riformatimit të sferës sociale në politikë – ne sot e kemi të vështirë të bëjmë një ndarje vendimtare mes privates dhe publikes. Ndarje që, sipas Arendt, në antikitet merrej si e mirëqenë. Në kuptimin modern, thotë Arendt, ndarja midis privates dhe publikes është zbehur tërësisht, sepse ne e shohim grupin e njerëzve dhe komunitetin politik në imazhin e një familjeje të stërmadhe aferat e përditshme të së cilës duhet të zgjidhen nga një administratë mbarëkombëtare shërbëtorësh të shtëpisë së përbashkët, të një super-familje që quhet shoqëri, dhe që në formën e vetë politike quhet komb.

Dhe në fakt nuk ka ndonjë shembull më të mirë të politikanit në versionin modern që të përfaqësojë shtetin-komb se sa Haradinaj. Jo vetëm në kuptimin se ai ka kontribuar për krijimin dhe themelimin e këtij shteti, por edhe në kuptimin që i jep Arendt, se tek Haradinaj nuk e ndan dot kauzën e tij private nga publikja, as Haradinajn nga UÇK-ja dhe lufta e vetë shoqërisë kosovare për pavarësi, dhe të një grupi luftëtarësh që ka marrë përsipër edhe administrimin ekonomik të Kosovës. Çka mund të shpjegojë në një farë mase popullaritetin e tij deri në momentin para dorëheqjes. E megjithatë, kjo nuk shpjegon gjithçka. Sepse ky identifikim me shoqërinë përkatëse, më shumë se të veçantë, e bën atë politikan tipik. As nuk e shpjegon dot lehtësinë apo, edhe më shumë, lirinë me të cilën ai ka arritur të ndajë përgjegjësinë e angazhimit publik me përballjen private dhe individuale me ligjin.

Dhe këtu dua të ndalem në një tjetër aspekt të analizës së Arendt e cila e identifikon konceptin e lirisë me mundësinë dhe aftësinë e individit për të qenë pjesë e polisit, e publikes dhe e arenës politike.

Në antikitet, vëren Arendt, ndonëse fuqizimi i qyteteve-shtet me shumë gjasa duhet të jetë arritur në kurriz të privates, pra të ekonomisë familjare, ajo që e bënte të përmbajtur shtetin për të shkelur jetët private të qytetarëve të vet, dhe të ruante të shenjta kufijtë e pronave, nuk ishte respekti për pronën private në kuptimin që i japim ne sot, kushtetues apo ligjor, por fakti se pa pronë private, pa mjetet për mbijetesë dhe mirëqenie, dhe pa përmbushur së pari nevojat e jetës (necessities) dhe të qenit i lirë nga këto nevoja të jetës së përditshme dhe aferave familjare, qytetari nuk e kishte lirinë për të qenë pjesë e polis, dhe për të marrë pjesë në jetën publike. Në jetën private liria si koncept nuk ekzistonte, për sa kohë që ishte kreu i familjes që sundonte. Dhe po ashtu, një qytetar ishte i lirë vetëm sa kohë ai kishte mundësinë të lërë familjen dhe hyjë në arenën politike, ku të gjithë ishin të barabartë.

Por edhe koncepti i barazisë në aspektin politik, sikurse edhe ai i pronës, sipas Arendt, nuk ishte i njëjtë në antikitet me konceptin që kemi sot: si barazi përpara ligjit. Dikush ishte i barabartë vetëm duke marrë dhe dhënë si i barabartë midis njerëzve të së njëjtit rang (one’s peers) të lirë nga nevojat e jetës, dhe për më tepër presupozonte ekzistencën e të pabarabartëve, që ishin edhe shumica e popullsisë në qytetin-shtet. Sidoqoftë, sipas Arendt, barazia, larg së qenit e lidhur me konceptin e drejtësisë sikurse në kohët moderne, kishte të bënte me vetë esencën e lirisë, dhe kurajës së ekspozimit me Polis dhe me publiken si një nga karakteristikat më themelore të qëndrimit politik. Kështu barazia nënkuptonte se dikush ishte i lirë nga pabarazia që shkaktonte sundimi, dhe në një hapësirë ku mundësia e të qenit sundues dhe i sunduar nuk ekzistonte.

Në hapësirën shqiptare, qoftë në Kosovë apo në Shqipëri, më duket e tepërt të pretendohet se ka ndonjë derivate të saj ku mirëfilli nuk ekziston mundësia e të qenit sundues dhe i sunduar, si kusht paraprak për liritë politike. Partitë politike të cilat janë teorikisht më të përshtatshmet për të qenë hapësira të tilla nuk e luajnë këtë funksion (të paktën në Shqipëri, por besoj edhe në Kosove ndonëse e njoh përciptas vetëm nëpërmjet medias). Në këtë kuptim ato janë më shumë organizma shoqërorë sesa politikë. Shpesh funksionojnë në bazë të interesave private të anëtarëve dhe kryetarëve, më shumë si sindikata sesa kanalizuese te vizioneve politike, dhe vetëm atëherë kur nuk funksionojnë si organizata parapolitike.

Ndaj ideja e ekzistencës së ndonjë individi që kalon lirshëm nga privatja tek publikja si i barabartë mes të barabartëve, duket një pamundësi, sigurisht po qe se nuk matet me hijen e vet.

Është pikërisht fakti që në lirinë e vet si politikan, qoftë në Kosovë dhe në Shqipëri, Haradinaj ka për etalon matës vetëm veten e tij, që i befason (surprizon) jo vetëm kundërshtarët, por me sa duket edhe ndjekësit dhe përkrahësit e vet. Haradinaj është kritikuar edhe për një rrogë, pa i shkuar ndonjërit mendja, përfshi edhe autorin e këtyre rreshtave, se ai mund të ketë qenë edhe i sinqertë në këmbënguljen për të përmbushur nevojat e jetës së tij private si kusht për të qenë i lirë politikisht.

Natyrshëm, sipas logjikës së gjërave në terrenin e politikës moderne mbarëshqiptare, politikan i sinqertë është vetëm ai që mbahet vazhdimisht pas pushtetit, ose në rastin më të mirë një administrator i punëve publike nëse mundet. Sinqeriteti i përket vetëm politikanit administrator që ndjek pas shoqërinë, dhe që vetëm pasqyron çka nuk është as private dhe as publike. Ndaj kur ia përmendin oportunizmin Haradinajt, qoftë në Beograd, apo në Tiranë, ia thonë edhe ata veçse me bindje dhe me sinqeritet.

Ndërkohë edhe në Berlin Politico** raporton se vetë Emmanuel Macron i kishte ngritur zërin Haradinajt duke i thënë “You’re in no position to ask for anything.” Ndoshta edhe ky i bindur se një politikan, dhe jo çdo politikan, por një politikan shqiptar, mund të jetë ndonjëherë i lirë.

(c) 2019, autori

Reference:

The Human Condition, Hannah Arendt, The University of Chicago Press p.49-53

**Politico, Macron’s Balkan breakdown, Matthew Karnitschnig 5/3/19

https://www.politico.eu/article/merkel-macron-balkans-serbia-kosovo/

6 Komente

  1. Farse e Brukselit dhe ca politikaneve kosovare qe e tradhtuan me ndonje dosje shantazhuese.
    Haradinaj pavaresisht te gjithave, tha une taksen nuk heq dhe as shkembej territore. Kjo nuk falet kur jane te medhenjte qe te mbajne per fyti. Qe do ndodhte ishte e pritshme prej çastit kur e shpalli Mogerinin publikisht si armike te interesave shqiptare ne Kosove.
    Nuk eshte çudi qe Thaçi te behet me titistet dhe spiunet e LDK-se, kurse Haradinaj me gjystitistet e Vetevendosjes, edhe pse titiste, spiune e gjystitiste ka me shume gjasa te mblidhen bashke. Besoj se do te kete surpriza ne zgjedhjet e parakohshme, luhet integriteti territorial i Kosoves, do shikojme edhe integritetin e VV-se.

  2. Per pjesen e antikitetit dhe fuqizimin e qytet-shteteve, ne rast se e ke cituar sakte Arendtin, atehere do te thoja qe autorja nuk dinte gje si funksiononte qytet-shteti.
    Ne to nuk kishte taksa te pushtetit qendror, me perjashtim te tarifave te uleta doganore. Ekonomia ishte teresisht private, ashtu si ishte teresisht privat edhe armatimi dhe ne rast lufte pasaniket paguanin me parate e tyre anijet dhe rrogat e ekuipazheve, ne rast paqeje pasaniket paguanin per festat popullore. Ne Rome, te pakten ne nje rast lufte, grate romake i dhuruan shtetit bizhuterite e deri unazat e marteses.
    Aktiviteti kryesor i shumices se poliseve ishte bujqesia, njerezit dilnin ne 5 te mengjesit shkonin tek toka e tyre dhe ktheheshin ne darke.
    Ne Athinen e shek V p.l.k nga 35 mije me te drejte vote, zakonisht mblidheshin jo me shume se 3 mije vete, ne vendimet e rendesishme, si lufta apo zgjedhja e administrates kishte pjesemarrje masive.
    Administrata nuk kishte rroge, se shteti nuk kishte leke ne arke, prandaj kapej nga pasaniket.

    Kishin sensin e bashkesise dhe gjerat zhvilloheshin ne menyre te ngjashme me kuvendet e burrave apo mbledhjet fshatçe ne Shqiperi (te cilat vazhdojne), nga 1 burre per shtepi. Por kjo nuk eshte ndonje mungese privatesie qe ushtron shteti ndaj privatit, thjesht privati si i painteresuar per punet e shtetit quhej idiot (origjina e fjales). Nuk do ngaterruar çështja e barazise gjinore me lirine e privatesine, se hyhet ne kontekst krejt tjeter, se deri ne 1945 grate nuk kane pasur te drejte vote ne shume shtete bashkekohore e deri ne 1918 skane pasur pothuajse askund.

    Ne fakt shteti ne qytet-shtetet nuk kishte asnje takse mbi prodhimin, konsumin apo te ardhurat, thjesht ndonje tarife doganore apo takse per vendin ne treg, te cilat ishin te uleta ( 2-5%) dhe ndikonin shume pak ne formimin e çmimit ne treg.

    Sa per barazine para ligjit, nuk ka pasur ne dijenine time ne asnje qytet-shtet ndonje te drejte te pasanikeve ne lidhje me çështje te mprehta etike e ligjore, te cilat tu garantonin ndonje status. Qytetaret ishin te gjithe te barabarte perpara ligjit, kurse perieket, te huajt e sklleverit nuk kishin te drejta qytetare keshtu qe nuk llogariteshin fare. Nje qytetar i varfer kishte me shume te drejta sesa nje periek apo i huaj i pasur, gje qe eshte e vertete edhe sot, kur ne shtete te ndyshme numri i emigranteve te ligjshem e te paligjshem eshte i madh. Pavaresisht pasurise qe ka emigranti i ligjshem apo i paligjshem, qytetari me i varfer ka me shume te drejta.

  3. Nuk e di për kë pjesë të parafrazimit të Arendt është keqkuptimi, por po hamendsoj për paragrafin e shtatë në shkrim.

    Sipas Arendt, në disa shtete ne Greqinë e lashtë qytetatrët ishin të obliguar me ligj për t’i ndarë të vjelat dhe konsumuar si gjë e përbashkët, megjithëse secili kishte pronën (truallin) e vet të pakontestueshëm. Sipas Arendt, kjo nuk ishte kontradiktore sepse kuptimi për këto dy pronësi ishte i ndryshëm. Dhe me sa kuptoj unë pa pronësinë e tokës nuk kishte qytetatri (citizenship). Ndaj thotë se “është ngritur në kurriz të privates”, ndonëse shteti në të vërtet nuk taksonte.

    Po kaloj në një tjetër aspekt nga përfundimet e Arnedt, me interes për të vënë në perpektivë shkrimet e Ardianit rreth privacisë. Sipas Arendt, në antikitet e kuptonin privaten, sikurse dhe vetë fjala, si deprivim, ose edhe si ‘idiotic”. Sepse e kundërta e privates, e cila identifikohej edhe me jetën e skllavit, sipas Arendt, ishte polis, i cili identifikohej me lirinë. Kurse privacia moderne, që është e lidhur edhe me individualitetin, sipas Arendt, është rrjedhojë e kundërshtisë ndaj jetës sociale, jo jetës politike. Por edhe sepse privatja dhe socialja lidhen më natyrshëm (ose janë të së njëjtës natyrë) me njëra tjetrën, sesa të themi privatja dhe politikja. Çfarë shpjegon për mendimin tim edhe ngritjen e individualizmit në rangun e providenciales në protestanizëm.

    1. Po per ate paragraf , edhe vetem ne Greqi eshte informacion i paverifikueshem heperhe. Sparta qe kishte dicka te perafrueshme, kishte pagese per mensat e perbashketa te spartiateve ashtu si kishte pagese per rritjen e femijeve prej shtetit . Kush nuk kishte te ardhura per ti paguar edhe pse spartiat/qytetari e plote, as mund te ulej ne mense, as mund te sterviste femijen prej shtetit, sepse shteti duke mos pasur taksa nuk kishte si te paguante per keto sherbime.
      Ne qytet-shtetet antike per shkak te barres fiskale shume te ulet, ekonomise teresisht private (edhe minierat, kush kishte, jepeshin me koncesion), shpenzimeve ushtarake ne kohe paqeje pothuaj teresisht private, shteti vepronte me shume si organizem etiko-politik.

      Ky funksion etiko-politik i shtetit kerkonte impenjim konkret te indidivit ne bashkesi, dmth veteperjashtimi i individit nga ky impenjim ishte refuzim i bashkesise pra i vete shtetit. Meqe nuk e kalonte dot qytetarin, ne kete rast te papergjegjshem, ne rangun e periekut apo skllavit e perjashtonte moralisht si idiot.

      Perieku, i huaji apo skllavi duke mos qene qytetare nuk ishin as pjese e shtetit si organizem etiko-politik. Keta ishin te lire te ishin individe, per te mos thene qe u kerkohej pikerisht te ishin vetem individe, meqenese cdo forme organizimi e tyre do te ishte rrezik per qytetaret, pra vete shtetin.
      Si te thuash shteti perbej prej shtetasve/qytetaret dhe prej nenshtetasve/ perieke, skllever e te huaj, ku shtetasit ishin shteti, nenshtetasit vetem subjekte ekonomike qe ndihmonin mireqenien e shtetasve.

      Per ate qe thote Arendti per kohen e sotme jam dakort.

      Ne pergjithesi ne sistemet demokratike te sotme kerkohet angazhim konkret i shtetasit nepermjet votimit, qe individualizmi te jete vetem paraqitje e nje zgjedhjeje te natyres sociale e jo braktisje e politikes.

      Mirepo ka ndodhur gradualisht qe shtetasit zgjedhin te mos votojne fare ose te mos gjejne dot alternativa per te votuar . Po ashtu shtimi i emigranteve te ligjshem, ka shtuar numrin e periekeve moderne, ndersa shtimi i emigranteve te paligjshem ka shtuar numrin e sklleverve moderne.

      Nqs do te trajtonim fejsbukun dhe instagramin si eksperimente sociale do te thonim qe perfundimi i eksperimentit pas 10 vjetesh eshte qe njerezia -si idealtip weberian- nuk e duan privatesine.
      Si pasoje edhe mbrojtja e privatesise humbet permbajtjen per tu quajtur vlere, ngel nje e drejte formale e sanksionuar ne kushtetuta dhe ligjet e shteteve, por njerezia ia ka hequr statusin e vleres.

      Ne keto kushte edhe teprimi i shtypit, duke shkelur privatesine e çdo njeriu e politikani, behet problematik per tu ndeshkuar sepse opinioni publik duke mos e quajtur vlere eshte i gatshem te dale masivisht ne mbrojtje te shtypit.

      Sot po pervijohet mundesia qe te shkelet Kushtetuta e ligji mbi privatesine nga vete gjyqtaret, te cilet jane ne gjendjen me te sikletshme te mundshme, duhet te jene profesioniste, por nqs jane profesioniste mund te gjejne ndonje turme te dera e punes apo me keq poshte dritares se shtepise, qe shan para e prapa per vendimet jopopullore, por teresisht profesionale.
      Gjyqtaret perpiqen qe te jene sa me tolerante, qe edhe nje ndeshkim te vogel ta japin, edhe te mos pergojohen ne rrjetet sociale.

      Organet e sigurise se shtetit pastaj kane gjetur shesh e bejne pershesh, jane kohe te veshtira per privatesine.

      1. Edhe diçka per shtypin, se nuk eshte tema, por e lidhur me vargun e temave. Ne krahasimin me qytet shtetet antike, shtypi eshte duke vepruar si demagoget ose tribunet e popullit. Meqenese gjithçka duhet te dale ne shesh/agora qe qytetaret/shtetasit ta gjykojne e te japin mendimin dhe vendimin e tyre, atehere vete shtypi merr fuqi te madhe, pozicionohet jo vetem si pushteti i katert joformal, por si pushtet paralel ne mbrojtje te demosit/popullit/plebes dhe individe te caktuar te shtypit marrin fuqi te madhe ne negocimin e vete organeve te pushtetit.
        Sa me pak privatesi te kete, aq me i madh behet pushteti paralel i shtypit dhe gazetare qe dine ta mbajne mire me popullin e kane gati trampolinen politike kur te duan.
        Por keta kane zakonisht rroga te majme e prestigj shoqeror dhe nuk duan vete qe te kategorizohen si vartes te nje kryeministri, pasi nuk fitojne ndonje gje konkrete, as ne rroge e as ne prestigj.

        Pra vete shtypi per interesa e veta, le te themi si kategori, se klase nuk quhet dot, eshte duke goditur fort privatesine si vlere, e cila ne fakt i heq mundesine per nje prestigj e pushtet me te madh. Jane duke argumentuar vazhdimisht kunder privatesise dhe ndoshta ne nje te ardhme jo shume te larget ligjet per privatesine do te kthehen ne farse.

        Ndoshta kriza e perfaqesimit politik do te shkaktoje rrezimin e demokracive perfaqesuese ne favor te demokracive pjesemarrese. Kriza e perfaqesimit politik ka kohe qe debatohet ne politologji, por duket se elitat jane shume te ngadalta ne te kuptuarit e vertetesise se krizes dhe akoma me te ngadalta ne marrjen e masave praktike qe te ristrukturohen mbi parimin e meritokracise, i cili eshte i vetmi koncept qe i mban mbi uje.
        Ne kete rruge ku jane do te mbyten dhe shkelja e privatesise me te dyja kembet prej shtypit do ti jape ketij nje force shume te madhe ne negocimin e ndryshimit te sistemit baze.

  4. Zoti Haradinaj jep dorëheqjen, nisur nga një konsideratë fare e thjeshtë, ai është i bindur se e ka gjetur përfundimisht “çelsin e pafajsisë” në raport me gjykatën e Hagës. Është kjo arsyeja, pse ai e përjeton tashmë vajtjen në Hagë sikur shkon tek vjerra për të ngrënë petulla.
    Përpjekjet tuaja mbinjerëzore për të zbuluar shkaqet e dorëheqjes dhe raportet e tij me lirinë, moralin e më the e të thash, po ti binte rasti ti lexonte vet Haradinaj (gjë që mendoj kurrë nuk mund të bëjë vaki, pasi atij edhe sikur të merrte mundimin, do ti binte hemoragji cerebrale para përfundimit të shkrimit) do të reagonte njëlloj si ai hindiani i parë i amerikës kur pa vehten në pasqyrë. Ndaj, zoti Agalliu, duhet të jeni i bindur, se koha që ju shpenzoni për akrobacirat tuaja intelektuale, për zotin Haradinaj është shumë e çmuar, e mjaftë për të bërë nja dy a tre pazare, që mund ti siguronin nja 50 mijë euro. Dhe për mos tu zgjatur, ju duhet ta dini besoj, se tërë përpjekjet e klasës politike shqiptare, veçanërisht asaj në Kosovë, konsistojnë në qëllimin konstant, për t’ju afruar sa më shumë vlerës së pasurisë së zotit Pacolli.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin