Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Lexim / Media

LETËRSIA E SOTME SHQIPE NË RRJET (VI)

Pjesa e parë e kësaj parashtrese – në formë dossier-i – u kushtohej motiveve që i shtyjnë autorët dhe përkthyesit të publikojnë në rrjetet sociale. Pjesa e dytë këtu më poshtë do të merret me një temë të bashkëlidhur: sa ndikohet krijimtaria nga kjo lloj marrëdhënieje me lexuesin? Ku krijimet ose përkthimet origjinale – zakonisht poezi, tregime të shkurtra dhe skica – dalin “në pazar” pa kaluar në ndonjë filtër dhe shpesh pa u lexuar paraprakisht nga askush, me përjashtim të autorit vetë? Si ndikon feedback-u që merr autori nga komentet në krijimtarinë e mëvonshme?

Të tjerë para meje e kanë vënë në dukje se rreth një krijimi letrar të botuar në rrjetet sociale krijohet një atmosferë shpesh e sheqerosur, plot lëvdata dhe simpati për autorin, madje edhe sikur vepra e publikuar të mos vlejë shumë. Këtë shpesh e vënë re autorët vetë. Komentet e lexuesve, në raste të tilla, nuk janë aq feedback për tekstin sa mënyra për të riprodhuar një raport miqësie.

Manjola Nasi:

[A]jo që më duket interesante është akti herë-herë publik i leximit në rrjetet sociale, që nëpërmjet reagimeve të jep informacione që s’e ke luksin t’i marrësh shpesh nga lexuesit në kanale tradicionale të botimit. Megjithëse shumica e reagimeve tregojnë më shumë për lexuesin sesa për veprën, ndodh që mes tyre të ketë nga ato që vënë në dukje aspekte të veçanta të cilat me raste mund të hyjnë në punë gjatë procesit më të vonë të redaktimit.

Nasit nuk i shpëton që rrjetet sociale janë, para së gjithash, përçuese të narcisizmit dhe jo rrallë madje ushqyese të ekzibicionizmit: sikurse një autor që tundohet t’i nxjerrë krijimet e veta si të ishin selfies, edhe komentuesit shpesh do të kujdesen për mënyrën si paraqiten ata vetë.

Erlind Sulko:

Rrallë herë ndodh që të kesh një bashkëbisedim të mirëfilltë, pasi gati çdo bisedë personalizohet dhe banalizohet, por ajo më duket se ka më shumë të bëjë me individin në fjalë dhe kulturën e përgjithshme të debatit në Shqipëri.

Nëse është kështu, a mund të fillojmë të dyshojmë se edhe vetë akti i publikimit online është banal?

Kliton Nesturi:

Mundësia e publikimit të menjëhershëm, ka të mirat dhe dobësitë e veta. Ka të mirë që e publikon në kohë të shpejtë, por nga ana tjetër, jo gjithnjë dora e parë e është me sakta. Unë jam partizan i publikimit në mënyrë “të ftohtë”, që do të thotë që ai del pasi ka kaluar edhe në një filtër tjetër.

Edhe Nesturi, sado që e quan “të mirë” mundësinë e publikimit të menjëhershëm, gjithnjë dyshon mos kjo çastmëri e pengon procesin e lëmimit të veprës.

Në vija të ngjashme Sokol Çunga:

Mungon redaktori, mungon plani i të përkthyerit, ato pjesë që zgjedh janë çfarëdo që më bën përshtypje gjatë ditës, nuk udhëhiqem nga ndonjë strategji. Pastaj mungon korrektori gjuhësor. Ka herë që rilexoj gjërat e mia dhe gjej gabime. Fatmirësisht teknologjia të jep mundësi të bësh korrigjime edhe pas botimit, por kjo, gjithsesi, nuk duhet të ndodhë, sipas meje, dhe shanset janë që të mos kishte ndodhur, po të bëhej fjalë për një proces tradicional botimi in print, me kusht që për organin të punonte një redaksi.

Çfarë unë e kuptoj kështu: nëse krijimi letrar (përfshi këtu edhe përkthimin letrar) është veprimtari individuale, botimi ka qenë tradicionalisht ndërmarrje kolektive – që nga politika kulturore dhe editoriale e shtëpisë botuese përkatëse, te redaktimi letrar dhe korrektimi gjuhësor i librit, te ripunimi nga ana e autorit në bazë të feedback-ut profesional, dhe më tej te mënyra si shpërndahet, si reklamohet dhe si përcillet një tekst i botuar nga kritika. Ky proces kolektiv nuk mund të ngjeshet dhe as të përfshihet tek akti i publikimit online dhe në ato pak komente që zakonisht përgëzojnë autorin – prandaj letërsia në rrjetet sociale është për t’u trajtuar veçan nga letërsia e botuar me rrugë tradicionale: ajo përgatitet ndryshe, funksionon ndryshe dhe ndikon ndryshe në rrjedhat kulturore. Dhe këtu nuk është fjala thjesht për të dalluar midis letërsisë së lartë dhe asaj masive; por midis dy dukurive që jo gjithnjë janë të bashkëmatshme.

Armanda Kodra-Hysa

Personalisht kam dashur që njerëzit të lexojnë çfarë mendoj dhe si i analizoj ngjarjet e situatat. Me median e shtypur kjo do të qe e pamundur. Unë si Armanda arrij të shprehem e shtjellohem në një format komod për mua, që e lejon FB […] testi që kaloj nuk bëhet prej dy a tre redaktorëve profesionistë. Duke marrë kështu mendime të ndryshme unë arrij të përcaktoj çfarë duhet të ndryshoj, nëse dua të botohem më lart, në një revistë letrare apo të botoj një libër. Redaktorët profesionistë janë një domosdoshmëri për këtë fazë të dytë. Mendoj se nëse një shkrim, prozë apo ese apo poezi, kanë sukses në Facebook, autori do të gabohej rëndë nëse ato direkt do t’i përmblidhte për botim. Mos të harrojmë se leximi i njsë shkrimi në FB nuk është kurrë shumë angazhues, më parë njerëzit blinin një gazetë e e lexonin duke pirë kafen, tani kjo bëhet me shkrimet në FB e blogje, por libri është tjetër gjë, ka tjetër rëndësi, koha dhe vëmendja që i kushtohen atij ka tjetër natyrë, i shkëputet orëve që kërķush nuk i ka me tepricë. Nëse një shkrim nuk të pëlqen në FB, ul shigjetën tek postimet pasardhëse, ndërsa nëse e blen librin dhe nis ta lexosh me vëmendjen që ai meriton, nuk vepron dot si me facebookun. Ndaj dhe vetë nuk jam e sigurt nëse proza e poezitë e mia, po të dilnin botim më vete, do të ishin në nivelin e duhur për vëmendjen e lexuesit të përkushtuar.

Kodra lë këtu të kuptohet, mjaft qartë, se letërsia e publikuar në rrjetet sociale i përket një niveli të ndryshëm, më informal, se letërsia e botuar; meqë kjo e dyta u është nënshtruar filtrave profesionalë – idealisht. Kjo, edhe pse shpesh letërsia e botuar në libër nuk lexohet; dhe po aq shpesh, letërsia që sot realisht botohet në Shqipëri, jo rrallë nuk redaktohet, dhe sidomos nuk redaktohet nga profesionistë. Por këtu janë shtëpitë botuese që e kanë ulur stekën.

Flogerta Krypi:

Shoh shumë që dalin nga vetja për t’iu përshtatur banalitetit shoqëror. Ka dhe plot që tentojnë të kopjojnë stile të autorëve të mëdhenj. Apo persona që kanë me mijëra ndjekës thjesht sepse marrin thënie të gatshme nga librat dhe i shkruajnë në dialekt e papritur janë elita letrare. Kjo më duket akoma më e tmerrshme. Mendoj se popullarizimi në rrjetet sociale ndikon ndryshe në çdo njeri. Ka disa që sillen sikur janë të pakrahasueshëm.

Krypi sjell një shqetësim për mua me rëndësi të madhe: konformizmin që e rrezikon krijimtarinë letrare, për shkak të vetë natyrës së rrjeteve sociale, ku presioni i “normës” kolektive ndaj individit eksplicitohet çdo ditë, dhe jo thjesht nëpërmjet komenteve. Rrezikun, pra, që një krijues – i cili boton shpesh ta zëmë në Facebook – të priret ndaj një lloj letërsie që ai mendon se i pëlqen jo lexuesit ideal, as lexuesit masiv që kanë në mendje shtëpitë botuese komerciale; por atij lloj lexuesi “salloni” të kultivuar në rrjetin social – ku sundon ëmbëlsia, fjala e mirë dhe etiketa.

Evis Cerga:

Unë kur shkruaj mezi pres “ta nxjerr nga dora” skicën, apo tregimin dhe ta “hedh” në “arenën” e Facebook-ut, për tu përshëndetur apo komentuar nga facebook(dashësit).

Cerga është nga ato autore – tashmë edhe të botuara me sukses – që e ka nisur rrugën letrare online; dhe vetëm më pas ka menduar për t’i mbledhur tekstet e saj në një libër; edhe nxitur edhe – kjo ka rëndësi – nga lexuesit. Pa këtë nxitje nga rrjeti social nuk ishte e thënë që ajo ta shihte librin e vet në librari dhe në duart e lexuesve. Dhe kjo është diçka që Facebook-u mund ta bëjë: t’i japë dikujt zemër, për të vazhduar. Aq më tepër, kur ky dikush ka nevojë që t’i japin zemër. Përkrahja nga lexuesit online nuk është tamam kritikë letrare; por më tepër një duartrokitje dhe shprehje e simpatisë. E thotë njëfarësoj edhe Krypi më lart: një autor që i thotë lexuesit të vërteta të pakëndshme, ose e fut në siklet, vështirë se mund ta sigurojë këtë lloj përkrahjeje. Kjo për mua shpjegohet kështu: letërsi si ajo e Cergës, që i falet kujtesës dhe që i mëshon pozitivitetit, ka më shumë gjasë të përfitojë nga rrjeti social.

Ajkuna Dakli:

Nëse shkruan diçka që pritet mirë, shkakton emocione pozitive dhe kjo bëhet nxitje që të vazhdosh të shkruash. Të jep mbase një lloj vetësigurie dhe ndikon disi në cilësinë e të shkruarit.

Shumë autorë kanë, pra, nevojë për këtë lloj nxitjeje, sepse janë të parët që nuk binden me çfarë kanë shkruar. Ndoshta në rrethana të tjera, këta do t’i kishin dërguar tekstet e tyre për botim në revista letrare dhe do të kishin marrë feedback prej redaktorëve. Sot, të njëjtët autorë presin për reagime të ngjashme pasi i bëjnë shkrimet e tyre publike online; pa çka se kjo zakonisht nuk ndodh.

Sërish Sokol Çunga:

Kjo mënyrë botimi [online] është më e prekshme, pasi ndodh që edhe këmbej ndonjë koment me lexuesit, çka përveçse ledhaton egon (njeri jam, ndodh edhe kjo, në ndonjë rast), më ndihmon të korrigjoj, atëherë kur mendimet e dhëna nga lexuesi janë konstruktive. E kam mirëpritur këtë lloj kritike.

Eleana Zhako:

[Botimi online] ka ndikuar në përmirësimin e përkthimeve më shumë dhe më pas të krijimeve. Shumë herë më ndodh të vendos në timeline-in tim, përkthime gati të përfunduara ose që i mungojnë detaje të vogla për të qenë afër perfektes, pasi edhe faqosja e Facebook-ut më ndihmon t’u rikthehem disa herë, por edhe komentet e miqve dhe heshtjet kritike, ndikojnë në pjekurinë e tyre.

Vetëbotimin online Zhako e quan kështu:

një lloj ndjenje vetafirmimi ilegal. Them ilegal, pasi nuk është botuesi, as një person i ndërmjetëm, por vetë “krijuesi”, që vendos të vetëpromovohet dhe t’i imponojë lexuesit të Facebook-ut krijimet e tij, ose përkthimet në rastin e përkthyesve.

Edon Qesari:

Shkëmbimi i like-comments duket sikur më ndihmon ndaj njëfarë ndrojtjeje për çdo “salto al buio” që botimi i llojit më konvencional – revista, gazeta, apo vëllime – bart në vetvete. Besoj se kjo lloj arsyeje, ku ka siç e përmenda elemente të ndrojtjes, por edhe të njëfarë vaniteti (paçka se të përmbajtur në një rreth të ngushtë prej rreth 2000 friends-ash) mbeten subjektive.

Miranda Shehu-Xhilaga:

Komentet janë mbështetje. Mbështetja është ndjenjë pozitive e kështu është formuar një rreth virtuoz, krijo-posto-diskuto-mëso e krijo përsëri.

Këtu duket sikur jemi të gjithë të një mendjeje: ata që publikojnë tekste origjinale online zakonisht përfitojnë nga mbështetja që marrin në komentet dhe nga atmosfera përgjithësisht pozitive që i shoqëron krijimet. Duket sikur një tekst letrar, që u dhurohet miqve në rrjetin social, i shërben njëlloj sa kënaqësisë estetike të leximit, aq edhe riprodhimit të miqësisë ose socialitetit.

Pyetja që vjen tani vetiu është nëse ka ndonjë marrëdhënie feedback-u pozitiv midis socialitetit të amplifikuar dhe cilësisë (ose vlerës) mirëfilli letrare të një teksti; me fjalë të tjera, nëse ka arsye të forta për të shpresuar se qarkullimi i teksteve letrare origjinale online, me të mirat dhe kufizimet e veta që i cekëm këtu, i shërben vërtet letërsisë, dhe jo thjesht riprodhimit të miqësisë mes autorit dhe lexuesve të vet miq.

Disa nga autorët e intervistuar prej meje e kanë theksuar jo vetëm mbështetjen që marrin prej komenteve, por edhe ndihmën që u japin lexuesit, për t’i ndrequr ose përmirësuar krijimet e tyre. Kjo nëse ndodh është diçka e rrallë, ose të paktën jotipike. Jo çdo lexues mund të japë mendime me vlerë, për një krijim letrar, ose të shtyhet përtej një pëlqimi/mospëlqimi (ky i fundit edhe si heshtje), si mundësi që ta jep rrjeti social. Veç kësaj, vendi ose hapësira ku publikohet një tekst në Facebook a në një rrjet social tjetër nuk mund të shërbejë edhe për kritika ndaj këtij teksti; dhe jo vetëm ngaqë teksti ofrohet si dhuratë (dhe kalit të dhuruar nuk i shihen dhëmbët), por edhe ngaqë është e drejtë e lexuesit që ta përjetojë tekstin letrar pa u ndikuar atypëraty nga kritika që mund ta shoqërojë. Me fjalë të tjera, letërsia dhe kritika përkatëse duhet të takohen, por vetëm tërthorazi; jo të përplasen drejtpërdrejt; dhe duhet gjithnjë të lejohet një një distancë, një pauzë, midis këtyre dy llojeve të teksteve.

Mua do të më dukej shkelje jo vetëm e rregullave të sjelljes mes miqsh, por edhe e etikës së qarkullimit letrar, sikur dikush të linte një koment poshtë – të themi – një poezie të dobët dhe të thoshte se kjo “është pa vlerë” dhe “autori do të bënte mirë të merrej me ndonjë punë tjetër” ose “nuk ka talent” ose “nuk di të shkruajë shqip”. Pa llogaritur që një koment i tillë do të shoqërohej sakaq me zemëratën e komentuesve të tjerë dhe miqve të autorit, që do të rendnin t’i dilnin në mbrojtje “viktimës”. Është në natyrën e rrjetit social që të mos i mirëpresë reagime të tilla – ndoshta për të njëjtën arsye, Facebook-u deri më sot nuk ka pranuar që të shtojë një emotikon “thumbs down”, si baraspeshë ndaj “like”-it të kudogjendur.

Veç kësaj, le të mos harrojmë edhe se krijimtaria mund të jetë hobby dhe jo rrallë ashtu përjetohet, si hobby; ndërsa kritika letrare jo – është profesion. Pavarësisht se sot lexon poshtë e lart, në shtypin shqip, “kritika” dhe “recensione” të shkruara si qoka, nga njerëz jo-profesionistë, të cilët i kanë miq autorët ose kanë interesa të tjera jo-letrare për të mbrojtur. Duke qenë profesion, kritika letrare nuk mund të funksionojë pa u perceptuar kritiku si autoritet, çfarë parakupton edhe një lloj virtyti moral të çinteresimit. Që kritikë të tillë sot i mungojnë kulturës në Shqipëri, kjo nuk e normalizon gjë gjendjen e tanishme të mjeruar të qarkullimit letrar dhe as provon se këtij lloji kritike i ka kaluar koha. Çështja është, në kontekstin tonë, nëse mund të shpresohet që një ditë kjo lloj kritike të veprojë edhe për letërsinë e botuar në Facebook.

Një mënyrë për t’i aktivizuar cirkuitet e feedback-ut profesional do të ishte kontakti i drejtpërdrejtë, ose privat, i autorit me ata miq të kualifikuar me të cilët e ka vënë në lidhje rrjeti social. Një kritik mund të ngurrojë që t’i shprehë publikisht rezervat për një krijim të caktuar, edhe pse kjo do ta ndihmonte shumë autorin me kalimin e kohës; ai e ka të qartë se negativiteti, edhe kur është i çinteresuar dhe i arsyetuar mirë, nuk mund të dhurohet; por ky kritik mbase mund të japë të njëjtin feedback privatisht, po t’ia kërkojë këtë autori. Por jo të gjithë i kanë kohën dhe mundësitë për ta bërë këtë: siç e thashë, kritika letrare është profesion dhe profesioni kushton energji, kohë dhe disiplinim.

Mua më ka qëlluar të mbështet, publikisht, autorë tekstesh letrare në Facebook, që më kanë pëlqyer shumë. E kam bërë, dhe asnjëherë si qokë, me disa nga autorët e intervistuar në këtë dossier; sepse më kanë dhënë kënaqësi letrare të rrallë. Por një kritikë të hapur dhe publike, ndaj një krijimi të paarritur ose të dështuar, nuk do ta bëja dot gratis – dhe këtë nuk e them në kuptimin e honorarit, por në kuptimin që statusin prej kritiku letrar, të merituar a të pretenduar më kot, nuk do ta riprodhoja publikisht, jashtë një marrëdhënieje profesionale. Kritika letrare, përfshi këtu edhe redaktimin letrar të dorëshkrimeve, është një institucion në shërbim të krijuesve dhe të lexuesve, edhe kur ndërmjetësohet nga shtëpitë botuese, revistat e specializuara ose, fundja, edhe uebsajtet e specializuara.

Ka një asimetri themelore, midis publikimit në Facebook dhe feedback-ut nga lexuesi, e cila i nënvendoset një paradoksi: krijuesi motivohet nga dëshira për t’ia dhënë tekstin e vet lexuesit menjëherë, madje për t’ia dhuruar; por bash për këtë arsye, është “i dënuar” të marrë vetëm falënderime dhe lavde. Ky do të ishte edhe rreziku më i madh që i kanoset letërsisë në rrjetet sociale – edhe pse lexuesit gjithnjë e bëjnë dallimin mes autorëve të mirë dhe autorëve më pak të mirë, ky dallim nuk u përcillet mirë autorëve vetë. Ekonomia e dhurimit ende nuk e ndihmon dot kultivimin e vlerave dhe rritjen e autorëve siç e ka bërë këtë tregu i botimeve dhe kultura institucionale e bazuar në shitjen dhe në honoraret.

Në mbyllje të kësaj parashtrese, dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata miq dhe kolegë që iu përgjigjën ftesës sime për këtë anketë. U përpoqa t’i përcjell dhe t’i komentoj me paanësi mendimet e tyre; edhe pse disa nga interpretimet dhe përsiatjet e mia shoqëruese nuk është e thënë që të përkojnë me opinionet e tyre. Edhe unë që e përgatita materialin, i përjetoj të njëjtat probleme dhe jam në kërkim të zgjidhjeve, përballë luftës së ftohtë që i bën letërsisë shqipe bashkëkohore e përditshmja e institucionalizuar në Shqipëri. Natyrisht nuk i kam përgjigjet, por ndoshta përgjigjet që do të vijnë nesër, do të mbështeten edhe në pyetjet që u sollën këtu.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin