Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Libri Shqip / Media

LETËRSIA E SOTME SHQIPE NË RRJET (II)

Pyetja ime e parë, për autorët të cilëve u shkrova, ishte se çfarë i shtynte për të botuar online.

Virion Graçi

Gati përditë e hedh ndonjësend në hapësirën time në FB. Llogari të tjera elektronike nuk kam. Më vjen mirë që shkrime të miat të FB-s merren edhe si krijimtari letrare e mirëfilltë, pasi, rrallë kam hedhur në portale e rjete sociale krijimtari të shkruar sipas zhanreve të njohura si: tregim, poezi. Llogaris se duhet të kem hedhur jo më tepër se 4-5 tregime dhe kanë qenë postime në kuadër të ilustrimit të fotove të mia nga pjesëmarrja në festivale poezie a proze; për poezitë e postuara, arsyeja është vetëm shpirtërore. Sikurse një këngë e dashur na vjen papritur në mendje dhe e mërmërisim a fishkëllejmë vijën e saj melodike, ashtu më kanë ardhur tek-tuk vargje të miat të botuara para çerek shekulli, të paktën – dhe i kam hedhur duke i rikopjuar nga kujtesa duke shënuar vitin kur janë shkruar a botuar së pari. Më tepër se krijimtari artistike e hedhur online, për mua poezitë kanë qenë menduar si shpërfaqe e asaj që përjetoj a përkujtoj në atë çast. Në postimet e mia në fb mund të vërej dy shtresa: përdhesi, – përbërë nga shaka, komente komike të rastit, e për rrjedhim edhe të përcipta, me afat skadimi 24 ore; kam pasur dhe rrëfime të tjera, ‘mbi nivelin e trotuarit, mbi nivelin e përdhesit,’ po ashtu, shënime rrethanore, por me gjetje më serioze si mikrokomedi, si skica reale nga vëzhgime të drejtpërdrejta ose aforizma pa pretendime globale. Postimet e grupit të dytë janë më të pakta në numër e kalojnë pa rënë në sy; ndersa të parat, si mall gabi rishpërndahen e komentohen më shpesh duke i keqperdorur madje nga gazetarë përtacë që duan ngjarje, ndeshje, kacafytje, provokime. Përse shkruaj në FB? Për t’u dukur ashtu si jam: i zakonshëm, nevrik, sarkastik, inatçor, njeri i gjallë, me miq e të afërm si puna ime. Nuk shkruaj të shtohet vëmendja ndaj meje por të jem në bisedë çlodhëse, si në një kafene pa shërbim e pa shpenzime monetare, me miq të moshave e interesave të ndryshme, me kolegë, me njerëz me të cilët më lidhin e kaluara, e tashmja, interesa shpirtërore e intelektuale.

Si autor gjerësisht i botuar dhe i njohur për lexuesin, Graçi gjen, në hapësirën virtuale të rrjetit social, mundësinë për të eksperimentuar – ose për të shkruar përtej zhanreve tradicionale dhe, si me thënë, të ngurtësuara të botimit tradicional. Me ç’mund të nxirret nga përgjigjja, detyrimisht e kufizuar, Graçi nuk provon aq veprën e vet të botuar, sa figurën e vet si shkrimtar të gjallë dhe (virtualisht) të pranishëm në jetën e miqve të vet në Facebook dhe gjetiu. Rrjeti social ia suplementon komunikimin letrar me një përmasë më të butë, më intime, gati-gati më njerëzore, duke i mënjanuar pengesat e natyrshme midis autorit tradicional dhe lexuesit tradicional. Nga kategori abstrakte e gramatikës tekstuale, autori plotësohet me rolin e ri të personazhit që dhuron veprën e vet.

Poete e botuar dhe me prani të konsoliduar në Facebook, Alma Braja pyetjes se çfarë e motivon të publikojë i përgjigjet kështu:

Arsyeja më e thjeshtë e para fare, është të shoh si duken krijimet e mia dhe kjo më jep një shtytje. Tanimë nuk është se kam arsye tjetër, por është se ka ndryshuar disi e njëjta. Domethënë ‘njoh’ më mirë pasigurinë time.

Tek e fundit, edhe vetë folja botoj, që pastaj ka dhënë emrin foljor botim, lidhet etimologjikisht me botë – të botosh është, në thelb, t’ia tregosh tekstin tënd botës; akt që shpesh kërkon një farë guximi, një farë gatishmërie për ta kapërcyer distancën që të ndan nga Tjetri, por edhe për t’u vetëdijësuar se krijimi yt, teksti që deri dje ishte në duart e tua dhe mund të bëje me të ç’të doje, tanimë nuk të përket më ty, por botës. Ja edhe një virtyt i papritur i rrjetit social – të lehtësojë aktin e dhurimit, ose të parit e Tjetrit në sy.

Edhe Miranda Shehu-Xhilaga, poete dhe përkthyese, ka një mendim të ngjashëm:

I botoj për të njëjtën arsye, të krijosh është një anë e procesit, të lexohesh është tjetra […] Është një shtysë, mësohesh me kënaqësinë e bashkëndarjes me miqtë dhe ke dëshirë të vazhdosh.

Dhurimi i tekstit dhe leximi vijnë kështu si dy momente, të bashkëlidhura, të komunikimit jo vetëm letrar por edhe social, me gjithë kënaqësitë e nevojshme që sjell ky i dyti.

Manjola Nasi, poete:

Për sa i përket arsyes së motivimit, them se është e njëjtë me atë të çdo lloj komunikimi tjetër: dëshira për të thënë diçka dhe për të ndarë me njerëzit një botëkuptim ose arritjen e formës.

Ajkuna Dakli, prozatore, e ilustron nevojën për komunikim me metaforën e jehonës:

Mendoj se e shkruara përmban në vetvete jo vetëm dëshirën për të thënë diçka po edhe dëshirën për ta ndarë atë me të tjerët. Kur shkruaj kam parasysh dy anë : mua që flas dhe dikë që dëgjon. Është si një zë që duhet të përplaset diku që t’ia dëgjosh jehonën. Ndyshe humbet. Rikthimi ia jep jetëgjatësinë, e cila është në thelb edhe qëllimi i të shkruarit.

Që diçka e shkruar të përcjellë atë që dua unë, duhet të lexohet. Facebook-u është një lloj komoditeti që të jep mundësinë ta marrësh një jehonë përnjeherë, dhe për më tepër edhe të njohësh lexuesin më afër, duke bërë kështu edhe një përzgjedhje statistikore më të saktë të mënyrës si është pritur ajo që ke shkruar.

Çdokush që i flet Tjetrit, ka të paktën dy dëgjues: bashkëfolësin përballë dhe veten. Kur e nxjerrim një krijim tonin në Facebook, ne vetë jemi të parët që “e dëgjojmë” ndryshe – duke e vënë veten, dashur pa dashur, në pozitat e Tjetrit, të bindur tashmë se kjo do të ndodhë. Jehona, e cila gjithashtu nuk vonon, përbën një element të tretë në këtë kontekst – si zëri i mirëfilltë i Përtej-it. Paniku i lehtë që kap ndonjëherë autorin, kur e kupton se tashmë i ka ikur kontrolli ndaj tekstit të vet, ka të bëjë edhe me këtë pretendim të Përtej-it, ndaj atij teksti. I njëjti shtjellim qëndron edhe po ta përfytyrojmë rrjetin social si një lloj pasqyre: imazhi që shohim atje është edhe pamja që na dërgon pasqyra për të na treguar si i dukemi botës, edhe pamja që gjejmë ne vetë te vetja, kur e shohim “me sytë e botës.”

Entela Tabaku, poete:

Mua më motivon largësia nga lexuesi shqip. Pa FB, poezia ime nuk do ta takonte lexuesin. Me kalimin e viteve më lëshuan lidhjet që do të ma kishin mbajtur në sipërfaqe të lexueshme poezinë, po të mos kisha ikur. Prej kendej e mbërrij lexuesin shqip vetëm nëpërmjet FB. Por publikimi në FB nuk është botim në sytë e mi, është si ajo kafja pranë universitetit në Shkodër ku dikur ulesha dhe diskutoja poezinë me miqtë e atëhershëm.

Në fakt, rrjeti social dhe komunitetet virtuale në përgjithësi mbledhin bashkë njerëz përndryshe të ndarë nga gjeografia – një e vërtetë të cilën e kam përjetuar dhe çmuar edhe unë. Tradicionalisht, shkrimtari sa ka nevojë për izolim, aq ka nevojë edhe për shoqëri; sepse shoqëria e ushqen me vetëdijen e të qenit për të tjerët: që këtej, edhe leximi i një poezie, brenda një rrethi miqsh, nuk është akt i barasvlershëm me leximin e librit nga dikush që e ka blerë në librari – sepse në kontekstin e parë nuk e ndan dot tekstin nga njeriu. Interneti në përgjithësi dhe rrjeti social në veçanti nuk e sjell dot njeriun, si prani fizike; por të paktën mundëson iluzionin e një subjekti tjetër, përballë, të pranishëm si tekst: edhe letrar, edhe personal. Shto këtu edhe që malli gjithnjë e ka ushqyer artin; dhe letërsia ka shërbyer si urë për të negociuar distanca gjeografike dhe njerëzore përndryshe të pambyllshme.

Kliton Nesturi:

Për mua, letërsia është një pasion që më pas u kthye në qëllimin e jetës sime. Që nga 1997 jam i pranishëm në letersi me librat e mi dhe sot numëroj nëntë libra (i fundit del nga shtypi këto ditë). Përfshirja në rrjetet sociale i jep mundësinë çdo autori të komunikojë me lexuesin, të zgjerojë auditorin e tij, dhe të shohë se ku është ai në raport me të tjerët. Personalisht, rrallë kam publikuar online poezi të reja, të cilat nuk janë publikuar në ndonjë vepër të botuar. Më shumë publikoj në faqen time të blogut dhe më pas në rrjetet sociale ese, refleksione, shkrime publicistike, etj. Ndërsa sa i përket krijimtarisë artistike, si tregimet edhe poezitë, me disa përjashtime të vogla, janë të botuara më herët. Kjo gjë është bërë siç e thashë edhe më lart për të zgjeruar rrethin e lexuesve të mi. Sot, fuqia e rrjeteve sociale është rritur shumë dhe kjo është diçka e mirë për çdo autor.

Qasja e Nesturit, autor i mirëbotuar, është tjetër: rrjeti social si një mundësi më tepër, për ta ekspozuar veprën te një shtresë e re lexuesish – të brezit të ri, që nuk kanë informacionin e duhur për librat dhe autorët bashkëkohorë, por që e njohin, e duan dhe dinë ta vlerësojnë letërsinë e mirë. Si shumë autorëve të tjerë në këto pozita, Nesturit i duhet të gjejë një ekuilibër mes dy kategorive të lexuesve të vet: atyre të librave të botuar, dhe këtyre të rrjetit; çfarë e synon duke përzgjedhur dhe ofruar tekste që tashmë i kanë kaluar filtrat e editorisë standard.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin