Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Emigracion

FLOKË QË ZURI TELI ME GJEMBA

Ndodhia e një vajze mes kufijsh dhe emigrimit

 nga Ermelinda Xheza

 

Sipas një pohimi të filozofes italiane Adriana Cavarero, mundësia për t’u njohur me dikë dhe me atë që ky ka përbrenda na jepet fill pasi i kemi drejtuar pyetjen “cili je ti?”. Kësisoj, lejomëni t’ju rrëfej ndodhinë time, në mënyrë që të kuptoni se kush jam. Do ta bëj duke u përpjekur të rindërtoj të shkuarën, që do të thotë duke shkallmuar mosbindjet e kujtesës, e cila ende i bën qëndresë një përvoje që, në shumë drejtime, ka qenë tronditëse.

Ishte prilli i vitit 1991. Kishin kaluar vetëm dy muaj që kur vala e emigracionit shqiptar sapo kishte marrë të tatëpjetën, si dhe disa muaj më shumë nga rënia e komunizmit. Im at kishte shkuar në Greqi që në shkurt, pasi i kishte thënë nënës se do të kthehej. Gjërat, megjithatë, kishin vajtur si mos më keq. Më kujtohet nëna teksa i thoshte në telefon “Qëndro atje ku je! Do vijmë ne tek ty”. Nga njerëzit tanë, askush nuk donte që të iknim, edhe pse ne i kishim bërë gjërat gati ndërkohë. Hipëm në një makinë të madhe, unë dhe dhjetë të tjerë. Isha vetëm pesë vjeç.

Mëngjesi sapo kishte gdhirë kur iu afruam kufirit shqiptaro-grek, ndërkaq që e para gjë që duhet të bënim ishte t’i shpëtonim diktimit të ushtarëve shqiptarë. Nisëm t’i hipnim malit të Kakavijës, i cila nuk paraqitej as i madh e as mbresëlënës, pavarësisht se në sytë e mi dukej pikërisht si i tillë. Kisha pranë nënën dhe dy ungjit e mi; bashkë me ta, të tjerë persona të cilët nuk më kujtohen dhe për të cilët nuk pyeta asnjëherë se cilët ishin. Që nga ajo kohë, kam udhëtuar shumë herë të tjera, por veç atëherë mësova se ç’ishte frika. Më ishte thënë se do të shkonim në Greqi dhe e dija tashmë se fjala “Greqi” nënkuptonte “tjetërkund”, një vend të huaj, rruga drejt të cilit lypte që të ecnim pa bërë zë. Nuk më tha kush të mos bëja zë – por e para gjë që mëson kur ke frikë është që të heshtësh. Asokohe, ajo heshtje dhe ajo frikë më detyroi të isha, “disi ndryshe” nga ç’kisha qenë deri në atë moment; le të themi se shkuli prej meje “diçka” përgjithmonë. Dhe këto “disi” dhe “diçka” janë kategori që nuk mund të shpjegohen përmes mjeteve të zakonshme të gjuhës.

Para syve tanë u shfaq një mur teli me gjemba që ndante pjesën greke të kufirit nga ajo shqiptare. Gjendej një e çarë në të, e cila afërmendsh ishte hapur nga të tjerë që kishin kaluar atje para nesh. Nëna ecte para, ndërsa im ungj dhe unë e ndiqnim pas. Mbaj mend nënën që u orvat të kalonte, kur befas flokët e saj u zunë nga gjembat e telit. Ajo e shtyu me forcë – nuk kishte kohë të merrej me të – por unë e vura re dhimbjen që ndjeu. Vështrimi im u kthye nga flokët që kishin mbetur në tela, e që po valëzonin prej erës. Mandej, kalova dhe unë. U ktheva për një herë të fundit, duke dashur ta ngulisja në kujtesë atë pamje. Diçka prej saj kishte mbetur pas nesh – a nuk ndodh kështu për secilin prej nesh, që të lëmë diçka pas? Tani kam bindjen e patundur se sa herë largohemi për diku tjetër, diçka prej nesh mbetet pas. Diçka prej nesh mungon.

Rrugës përgjatë, hasëm në shumë armatime të lëna përtokë. Të braktisura ashtu, ato qenë dëshmi e kokëfortësisë së kufijve. Për vite e vite me radhë, kurrkush s’i kish cenuar ata kufij; askush nuk priste kënd që të vinte. Ishte e qartë se në atë trevë kishte sunduar disiplina, bindja dhe parashikueshmërie mes “këtu” dhe “atje”, mes “nesh” dhe “atyre”. Pasi ecëm ca, para nesh u shfaq im at, që kishte ardhur deri në kufi i shoqëruar me një grek nga Korinthi, për të cilin kishte punuar që nga dita kur kishte mbërritur në Greqi. Bashkë me ta ishin dhe dy ushtarë. Ne zbritëm nga mali dhe dolëm para tyre pa ndonjë plan paraprak, në mënyrë krejt të papritur e të paditur, njësoj si ata që s’e kanë parë kurrë botën që kanë përreth. Greku, z. P., u kishte thënë ushtarëve se po na priste dhe se mbante ai përgjegjësi për ne. E megjithatë, atij i ishte thënë se mund të merrte me vete vetëm gruan dhe vajzën.

Sjellja e atyre ushtarëve, të cilën na lanë të hynin në mënyrë krejt të paligjshme, ishte përkufizimi më i drejtpërdrejtë i mikpritjes. Kur është e vërtetë dhe e çiltër, mikpritja dëshmohet pikërisht në të tilla raste: kur lejon të hyjë në shtëpinë tënde dikë që është i paftuar. Nga ana tjetër, krejt në kundërshtim me këtë ndjesi të parë, para syve të tjetrit i cili do të vendoste mbi mua, unë u ndjeva e cënueshme. Pasi kishim kaluar pengesën kuptimore dhe materiale të kufirit, ne ndodheshim në pozitat e kujt është duke i kërkuar diçka tjetrit, brenda logjikës së një marrëdhënieje e cila nuk ka për të qenë kurrë e barabartë – por as e natyrshme dhe as e lehtë. Kur hymë në makinë, P. më zgjati një arançatë, duke ma hapur dhe duke më vënë një pipëz në grykën e shishes. Unë mbeta pa lëvizur duke e vështruar atë. Nuk dija as çfarë dhe as si përdorej një pipëz. Ai më tregoi sesi të veproja dhe kam përshtypjen se ajo ka qenë hera e parë kur buzëqesha. Para se të nisej makina, më kujtohet se nëpër mend më valëvitej mendimi se një ditë, kur të kthehesha pas, do t’u tregoja të gjithëve sesi përdoreshin pipëzat.

Përpjekja ime për t’i bërë një lexim të shkuarës që kam përjetuar, duke rrëfyer ndodhinë e mësipërme, është mënyra e cila, sipas meje, mund të na ndihmojë të përballemi me aktualitetin. Ky nxjerr në pah disa dilema etike tejet të rëndësishme. Ndaj, nëse unë pata një përvojë për të cilën kurrkush nuk u bë zëdhënës, ndjej se më përket mua detyra, pavarësisht pengesave që gjithsecili prej nesh has, e të folur për të tjerë, duke lidhur kësisoj shpërnguljen time me të tyren. Nuk ka rëndësi të merremi këtu me faktin se cila prej shpërngujve, e imja apo e tyre, ka qenë më e dhunshme, pasi, në fund të fundit, është e pamundur të matet masa e tronditjes që shkakton një shpërngulje. Përpos, kam bindjen se rrëfimi i ndodhisë time do ta lehtësojë kuptimin e një përvojë e cila, për shumë anë, vazhdon të tingëllojë si e çuditshme.

Do të linte përshtypjen e të qenit utopike apo distopike thirrja për një botë në të cilën përmasa e shteteve-kombe të humbte kuptim, apo vetë ndjesia jonë për to të niste të venitej. Ajo çka duhet të na shqetësojë, të gjithëve ne, pavarësisht nëse jemi dakord apo jo, është kërkesa për një trajtim serioz – përmes një rezolute – të çështjes së refugjatëve nga ana e autoriteteve greke, evropiane dhe ndërkombëtare. Duke pasur para syve tanë rrënimin, dëshpërimin, si dhe mjerimin gjithëpërfshirës të një mase njerëzish të përvuajtur dhe të poshtëruar, lypet që ne t’i kërkojmë njeriut të gjejë çelësin e kuptimit të gjithë çfarë po ndodh. Se vetëm njeriu është dhe mbetet fillesa dhe mbaresa e çdo ndodhie.

 

Ermelinda Xheza është doktorante në Universitetin e Amsterdamit. E lindur në Shqipëri dhe e rritur në Greqi, ajo ka studiuar për Shkenca politike në Universitetin Kapodistrian dhe Kombëtar të Athinës. Zotëron gjithashtu një Master në Komunikim politik nga ana e Goldsmiths College i Universitetit të Londrës. Interesi dhe veprimtaria e saj akademike janë të përqëndruar në paraqitjen mediatike dhe artistike të të ashtuquajturës “krizë refugjatësh” pas vitit 2015.

Shkrimi i mësipërm, i përkthyer në shqip nga Edon Qesari, u botua në vitin 2016 nga blogu Researching Sociology i The London School of Economics and Political Science.

2 Komente

  1. Ate perkthimin e Benjamin e kishte qare, por kete “migracioni kishte marre tatepjeten”? Ndoshta kishte marre tatmo-ne, se ne vitin 1992 po iknin macet e zogjte (keta te fundit ende nuk jane kthyer nga frika e ndotjes dhe jo e mungeses se ushqimit).

  2. Urime per shqipen, nqs eshte e jotja dhe urime per kujtesen, nqs eshte e jotja. Sa per ceshtjen e emigracionit ne BE keto jane punet e tyre, beisteve apo beoteve, vendosin popujt e tyre se ke do pranojne ne shtepi e ke jo. Ka pasur nja 10 vjet te mire, qe Italia mbante skafet e Guardia di Finanza ne ujerat tona territoriale per te mos lejuar emigrimin drejt Italise nepermjet skafeve. Asgje e re nga fronti i Perendimit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin