(përmban spoilers)
Shumëve nuk u shpëtoi ironia që i lakmueshmi Fron i shpatave, epiqendra e serialit televiziv shumëvjeçar “Game of Thrones”, përfundoi i zëvendësuar, në epilogun e kësaj sage, nga një karrige me rrota – meqë mbreti i kurorëzuar rishtas, King Bran I the Broken, i paralizuar që fëmijë për shkak të një aksidenti kritik, praktikisht e ka atë karrige gjymtyrë të vetën. Të tjerë do të kenë vënë re edhe që, me “zgjedhjen” e Bran-it mbret të gjashtë mbretërive, për herë të parë pushtetin e mori në dorë big data, sa kohë që ky është “kujtesa e botës” (memory of the world), në kontroll të kohës dhe të hapësirës; në thelb, një mega-fermë serverësh, diçka tej-njerëzore, që nuk do të lejojë tash e tutje kaosin stokastik, të shkaktuar nga padija.
Me karrigen e tij me rrota, Bran-i nuk është i vetmi cyborg mes personazheve; edhe Jaime Lannister (the kingslayer) e ka parakrahun prej floriri, që kur e humbi të vërtetin në sezonin 4; pa folur për The Mountain, të shndërruar në një lloj zombie dhe Jon Snow-n e ringjallur gjithaq nëpërmjet magjisë. Këtyre gjymtimeve u shërbejnë si kontrapunkt personazhet e tjerë, edhe ata të lënduar a të përçudnuar: që nga xhuxhi Tyrion, tek eunuku Varys, tek i kastruari Theon Greyjoy dhe armata e Të pandoturve (The Unsullied), te The Hound me fytyrën të djegur, te Shireen, e bija e Stannis Baratheon-it, edhe ajo e shfytyruar nga sëmundja Greyscale e më në fund krejt ushtria e të vdekurve; drama politike pasqyrohet, në mënyra të ndryshme, në biologji – e cila, në një rrafsh tjetër, falë linjës së pasardhjes (suksesionit) dhe të gjakut mbretëror, u jep edhe energji dhe motive në mos personazheve vetë, të paktën narrativës. Sërish, edhe ky pushtet i biologjisë dhe i gjakut në histori duket se merr fund, me zgjedhjen e Bran-it mbret; i cili, edhe ai, “nuk mund të bëjë fëmijë”. Një univers imagjinar, si ai i “Game of Thrones”, i afrohet edhe ai singularitetit – siç është parashikuar për tonin, gjithnjë falë ngjitjes në pushtet të inteligjencës së një lloji tjetër (për Branin prej kohësh na është thënë se “he is not Bran anymore”).
Publikut shumë-milionësh nuk i pëlqeu kjo mbyllje e veprës; madje u bënë përpjekje serioze për të financuar një zgjidhje narrative tjetër – mbase më në harmoni me logjikën e ngjarjeve në serial; logjikë që, këto dy-tre vjetët e fundit, ish larguar nga disiplina e romanit përkatës, për t’u improvizuar në mbledhje të tipit brainstorming mes skenaristëve, menaxherëve dhe specialistëve të opinionit publik. Që “Game of Thrones”, përveçse event televiziv planetar, u transformua edhe në diçka tjetër, më primordiale dhe më të frikshme, e provon edhe guximi i shumëve për të pretenduar që zgjidhjet narrative të pasqyronin, njëfarësoj, temat “e mëdha” politike dhe kulturore të momentit – që nga ngrohja globale, tek emigrimet e mëdha, te vëmendja më e madhe ndaj pakicave etnike dhe të tjera, te prania në ekran e “racave” të tjera (“Game of Thrones” u cilësua si i fundit spektakël “i bardhë”), te roli dhe agjencia e shtuar e gruas në jetën publike ose revolucioni feminist dhe, më në fund, deri edhe Brexit. Arsyeja që u nënvendosej ankimeve dhe kritikave të tilla lidhej me një dëshirë të masës së publikut për të vendosur, me rrugë “demokratike”, se kush do të mbretëronte tash e tutje në Westeros; a thua se universi imagjinar i serialit kish fituar të drejtën (e diskutueshme) për t’iu nënshtruar iluzioneve tona politike dhe kulturore të momentit. Nuk më kish qëlluar kurrë të ndeshja, në reagimet kritike të publikut Perëndimor ndaj një programi televiziv argëtues, një vullnet kaq këmbëngulës për t’i dhënë kuptimin e duhur (ose politikisht korrekt) linjës narrative; kisha shpresuar, me sa duket pa të drejtë, se kësi thagmash komike ndodhnin vetëm në periudhën tashmë të perënduar të Realizmit Socialist si art për masat. Kjo që ndodhi me “Game of Thrones” më konfirmon pra se seriali, që mund edhe të ketë nisur si vepër arti – ekranizim i një romani zhanri – i mbylli vitet e veta duke u shndërruar në diçka madhështore por gjithashtu strukturalisht po aq të gjymtuar sa edhe shumë prej heronjve të vet: drogë të imagjinatës kolektive, alegori të aktualitetit, cirk të korrektesës politike, videogame që producentët luajtën me pritjet e publikut shumëmilionësh.
Netflix ka eksperimentuar ndërkohë, nëpërmjet një episodi të Black Mirror, me narrativa interaktive, të cilat lejojnë publikun që të vendosë, njëfarësoj, se çfarë do të ndodhë me ngjarjen në ekran; një përftesë kjo e huazuar nga video-lojërat, ku jo vetëm multiple-endings janë standard, por edhe lojtarët kanë rol të madh në shtjellimin e ngjarjeve, sipas disa zgjedhjeve fillestare që bëjnë (role playing). Nëse kjo do të jetë edhe e ardhmja e spektakleve të tilla televizive ose e përjetimit narrativ në përgjithësi, mbetet për t’u parë; jo gjithnjë mundësia që i jepet publikut për të zgjedhur ka valencë estetike, madje në art, të paktën deri më sot, vlera e një vepre matet edhe me aftësinë e autorit për t’ia imponuar zgjedhjet dhe zgjidhjet e veta publikut. Prandaj edhe prirja e tanishme për t’i angazhuar “konsumatorët” e argëtimit televiziv në formën dhe formësimin e produktit ndoshta duhet interpretuar në kontekstin e aktivizimit gjithnjë e më të madh të përdoruesve në rrjetet sociale dhe “demokratizimin” maksimal të eksperiencës publike – siç është parashikuar, tek e fundit, nga distopistët e mëdhenj të fantashkencës.
Si ta pajtosh këtë me ngjitjen në “fron” të Branit në karrigen me rrota? Duke qenë ky i fundit i gjithëditshëm dhe duke e kompensuar brishtësinë e vet fizike me superfuqinë perceptive, që e lejon t’i shpërfillë pengesat dhe kufizimet në hapësirë dhe në kohë, Bran-i paralajmëron – sipas perspektivës së këtyre shënimeve – ardhjen në pushtet të teknokracisë së big data; çfarë do të thotë edhe se, paradoksalisht, producentët e serialeve të ngjashme me GoT në të ardhmen, të armatosur me teknologjinë brutale të analitikës, do të jenë gjithnjë në gjendje të parashikojnë dhe të adresojnë reagimet “demokratike” të publikut; gjithë sipas rastit duke programuar edhe konfliktet përkatëse. Tek e fundit, masat e rrjetëzuara të së ardhmes do të kenë gjithnjë nevojë për evente të tilla që t’i bashkojnë, për t’u dhënë edhe atë aq pak vetëdije të nevojshme për t’i manipuluar. Diçka si ushtria e të vdekurve, por me para në xhep.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Mendimet e mia rreth serialit po i nis nga fundi sepse besoj lidhen edhe me idene e artikullit.
1. Ajo qe po shohim prej ndoshta dy dekadash eshte renia e autorit (diktatorit) dhe zevendesimi me grupin e skenaristeve qe kryejne rrahje mendimesh (grupi konsultativ). Eshte ironike qe kjo te ndodhte me Game of Thrones sepse ai filloi si nje krijese e autorit dhe pastaj nga mesi i rruges i doli vetvetiu prej duarsh dhe kaloi tek grupi vendimarres i skenaristeve te cilet as vete nuk e dinin sesi do te mbaronte (me kujton Lost dhe Westworld ku skenaristet nuk e dinin se si do te mbaronte).
Ne kete prizem mund te merret edhe finalja e GOT, ku vendimi per te vendosur Branin si te pare u mor nga keshilli jo nga nje person i vetem. Dmth njefare alegorie e asaj qe po ndodh sot me vepra te tilla. Keshilli ishin skenaristet. Nuk ishte demokraci popullore. Madje mesazhi qe i kundert. Kur Semi propozoi qe mbretin ta zgjidhte populli direkt, te tjeret ne keshill e tallen. Tjeter sinjal se publiku nuk do e zgjidhte kurrsesi fundin. Ai i takonte grupit te keshillit, pra skenaristeve.
2. Por ironia eshte se as skenaristet nuk jane te shkeputur nga publiku. Kur zgjodhen Branin, njeriun qe shume pakeve u vente mendja se do zgjidhej, a e zgjodhen teresisht te lire apo e zgjodhen si kuntrapunkt i deshirave te publikut? Gjasat jane qe nese publiku nuk do te ushtronte presion tifozesh mbi skenaristet qe te zgjidhnin personazhet e tyre te preferuar, do te shihnim dike tjeter ne fron.
3. Pse kjo marrdhenie midis publikut dhe shikuesve? Disa prej arsyeve jepen ne shkrimin me siper. Me kryesorja eshte epoka e interaktivitetiti. Publiku nuk eshte me ai i para 30-40 viteve. Kontakti me autorin dhe mundesia e ndikimit ne veper eshte me e madhe. Autori RR.Martin ka nje blog te tijin. Ai sot mund te kontaktohet vetem me nje mesazh nga nje fshatar indian. Zhyl Vernin ne shekullin e 19-te do ta kishin shume here me te veshtire per ta kontaktuar e rrjedhimisht edhe menduar se mund t’ia ndryshonin vepren. Sot epoka e video-lojrave komplekse ka mesuar breza te tere ose se paku u ka dhene iluzionin se edhe ata vendosin ne loje. Kjo kombinohet edhe me permasat qe merr vepra. Pra sot nje veper popullore fale teknologjise se informacionit eshte shume here me popullore se veprat popullore te dekadave a shekujve te meparshem. Po keshtu eshte shume here me e prekshme e rrjedhimisht te krijon idene se ti je pjese e saj dhe rrjedhimisht ke te drejten ta ndryshosh pa shume mund.
4. Dinamikat e teknologjise se informacionit sot ia shkepusin vepren autorit. Autori sot me shume se kurre eshte viktime e suksesit te vet. Ne rastin e GOT teknologjia nuk mund te priste Martinin te mbaronte serine sepse ajo ishte me e shpejte, ia popullarizoi vepren shumefish dhe publiku nuk mund te duronte. Vepra nuk kishte asnje shans pervecse te shkeputej nga autori. Ky i fundit i vendosur ne presion sepse nuk mund te mbante ritmin pa prekur cilesine e shkrimit “dha doreheqjen” ne nje leter publike ne blogun e tij dhe zgjodhi rolin e shkrimtarit duke e shkruar vepren ne kohe. Nderkohe kultura kryesisht vizuale dhe pak letrare qe dominon sot vazhdoi me rritmin e saj te shpejte.
5. Mendimi im per fundin duke ju pergjigjur edhe pyetjes se Tannhauser tek tema e meparshme. Personalisht mendoj se ishte koherent me linjen e vet. Une vete do kisha preferuar tjeter zhvilim por kjo eshte tjeter gje. Pse ishte koherent? Sepse kam kohe qe mendoj se GOT eshte nje film me tendeca majtiste nese mund ta quajme keshtu. Ose mund ta themi ndryshe ne linjen e Hirushes. Pothuajse te gjithe personazhet qe mbijetuan ne serine e fundit ishin te paavantazhuarit, vegjelia, te pambrojturit, te tallurit, ata qe shikuesi ne sezonet e para mendonte se nuk e kishin te gjate. Keshtu qe kushdo prej tyre te vinte paradigma nuk ndryshonte. Vete emri Brani i Gjymtuari thote shume. The First of His name!
Fundi ishte kapsllek, dicka tejmase e sforcuar, nderhyri deus ex machina. Pikepyetja ishte cili nga Targarianet halla, nipi apo ndonje incest qe si valerianet e fundit, Targarianet e kishin kryer edhe me pare. Jo, befas na dalin ca kukulla qe kane me vete ushtri, ne nje mbledhje qesharake me Branin si profesori i X-Men. Ajo ishte shoqeri feudale dhe ngeli shoqeri feudale. Zgjedhja e monarkut me vota feudalesh ka ndodhur per shekuj ne Gjermani, kane qene pikerisht feudalet me titullin zgjedhes qe vendosnin se cili do ishte Perandori. Sistem zgjedhor qe u mor dhe pershtat nga Amerika e perdoret ende sot. Nuk kishte ndonje te keqe zgjedhja e monarkut, por jo nje fund pa lidhje fare. Nuk eshte suprize apo befasi per publikun eshte nje nonsens. Sidoqofte seriali maksimumin e kish dhene ne sezonin e pare, kishte kohe qe jepte shenja ‘skizofrenie’.
Nuk eshte cudi te jete nje AI qe i shkruan skenaret e HBO. Westworld kam dyshime te forta se po. Kane dicka nga kaosi e statistika e Bayes, apo ca me keq nga fizika kuantike: fillimi dihet, e fundi jo, ose vice-versa.
Nga ana tjeter cudi qe HBO te kete nje hark narrativ aq te tendosur sa te perfshije ne nje rrefim GoT, House of Cards, etj. Pas 25 do e marrim vesh. Une shoh nje fill…..
Ndoshta Stephen King ka të drejtë kur shkruan se pakënaqësia publike në masë nuk u prodhua nga fundi i keq i serialit, sesa nga fundi në vetvete – pasi jetojmë në një epokë ku serialet kinematografike në parim mund të vazhdojnë në mënyrë të pareshtur. Mund të vazhdojnë e të vazhdojnë… Vetë ideja e narrativës së mbyllur bëhet diçka e padurueshme.
Gjithë duke ruajtur masën e vlerësimit dhe kontekstin, këtë gjë jo vetëm e kam thënë, por edhe e kam argumentuar unë te pjesa e parë e këtij shkrimi: PËRRALLA NË LESH. E kuptoj që ndryshe është kur e thotë King (edhe pse me një tweet), por meqë ky diskutim po bëhet te Peizazhet…
(Për të shmangur ndonjë keqkuptim kalendarik, tweet-i i King-ut është i datës 16 maj, shkrimi im i datës 14 maj.)