Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim / Urbanistikë

TË LEXOSH NË URBAN

A lexohet në urban? A lexohet në urban në Tiranë?

Unë që jetoj në një qytet me shërbim transporti urban shumë më të mirë se Tirana, në autobus nuk lexoj dot – ngaqë dridhet dhe tundet, ngaqë ka zhurmë, ngaqë nuk jam mësuar… Gjithsesi, në Tiranë, së cilës urbanët unë ia kam parë edhe pse nuk ia kam ngrënë, nuk më duket autobusi vend ku mund të lexohet. Kam parë të kalojnë në rrugë autobusë urbanë me udhëtarët të rrasur keqazi pas njëri-tjetrit (“si sardele” është krahasimi klishe); kam parë urbanë që nuk i mbyllin dot dyert nga presioni i mishit dhe i afshit; kam parë njerëz të dalin nga urbani duke vrapuar kuturu, si nga kinemaja ku ka rënë zjarri; kam dëgjuar histori tmerri, me vapë prej furre, me kutërbim prej paraburgimi, me pasagjerë që e ndezin (dhe e fikin) sipas qejfit, me zënie dhe plagosje me armë të ftohta; dhe ashtu kam krijuar përshtypjen për autobusin urban në Tiranë si një dhomë torturash, ku pakkujt do t’i shkonte në mendje të lexonte. Mund ta kem gabim. Nuk hipi në urban në Tiranë, sepse më mbajnë larg këto rrëfime të së tjerëve; preferoj të eci me këmbë, ose të marr një taksi, sa herë që duhet; dua të them, mbase nuk jam vëzhguesi më i përshtatshëm për të gjykuar urbanët.

Përndryshe unë lexoj në metro. Dikur, që më duhej ta merrja metronë rregullisht për të shkuar në punë, gjeja një vend, ulesha dhe lexoja; edhe pse jo rrallë e mbyllja librin dhe merrja një sy gjumë, ose dëgjoja muzikë me kufje. Kjo, sepse udhëtimi im i përditshëm me metro zgjaste të paktën dyzet minuta – dhe atyre dyzet minutave, dy herë në ditë, për dhjetë vjet, u detyrohem për shumë libra që kanë zënë vend tek unë. Ndryshe nga autobusi, treni i metrosë është më i rehatshëm, më komod (ajër i kondicionuar në verë, ngrohje në dimër) dhe ndalon më rrallë; sidomos në mëngjes pasagjerët nuk kanë shumë ngé as oreks për muhabete – jeta në vagon ngadalësohet.

Kjo është eksperienca ime; dhe e shumë të tjerëve si unë. Prandaj më tingëllon pak si tepër “lojcake” a “pe gjasme” nisma për të nxitur leximin në urban, e tipit “tregoji librin faturinos dhe nuk ke nevojë të presësh biletë”, etj. Të kesh një libër me vete nuk është njëlloj si të lexosh. Shumë prej nesh, kudo që gjenden anembanë botës, sot lexojnë në telefon – madje unë njoh nga ata që lexojnë vetëm në telefon; ka edhe të tjerë që mbajnë me vete një libër shkolle, një tekst, jo për ta lexuar por sepse u duhet. Ka plot ç’mund të bëhet, për ta përmirësuar eksperiencën e qytetarëve me transportin publik – duke investuar drejtpërdrejt në infrastrukturë; por libri dhe leximi, hë për hë, duhen lënë jashtë këtyre muhabeteve. Koha e kaluar në urban, nga qytetarë që nuk kanë opsion tjetër përveçse të presin që autobusi t’i çojë nga A në B, është po aq e vdekur sa edhe koha intersticiale që kalojnë (dhe shijojnë) disa prej nesh në nevojtore – edhe pse këtu, larg syve të botës dhe ngacmimeve e distraksioneve nga palë të treta, mund të ndërmerren, dhe gjithnjë janë ndërmarrë, lexime epike. Vetëm se nuk mund t’i sugjerosh dikujt që të marrë me vete një libër në nevojtore, me premtimin se për atë dhitje do ta ketë letrën higjienike falas.

Po të isha nga ata që nuk lexojnë, përfshi edhe ata që nuk lexojnë në urban, do ta merrja për keq çdo ftesë, aq më tepër publike, “për të lexuar”. Kjo lloj ftese është gjithnjë padronizuese, sepse vendos një raport vertikal midis atij që fton (dhe që “lexon” dhe ia ka di përfitimin leximit) dhe atij që ftohet (dhe që “nuk lexon”). E shumta që mund të bëjë politika dhe administrata bashkiake, është t’i afrojë qytetarët me librin duke ia ulur këtij çmimin; të tjerat janë llogje. Në vend që t’u thuash njerëzve të lexojnë në autobus, kur shumë prej këtyre në autobus duhet të luftojnë që të mos u përvishen pantallonat e të mos u këputen sutjenat, mund t’ua mundësosh këtyre që ditën e librit a të leximit a të çfarëdo sebepi tjetër kulturor, t’i blejnë librat me gjysmë çmimi. Jo t’u tregosh se KU të lexojnë, por t’i ndihmosh që të kenë libra.

Ka një angazhim të politikës sot, të ushqyer nga Ministritë e Kitsch-it, për të pompuar leximin si aktivitet publik – ku gjithfarë personalitetesh, përfshi këtu edhe politikanë, vihen t’u lexojnë masave (konstituencave) me zë; edhe pse në aktivitete të tilla si rregull nuk promovohet aq leximi, as libri, sa vetë këta performues të leximit, që përfitojnë si gjithmonë për të dalë në kryet e vendit. Pjesë e kësaj manie, besoj të studiuar, për të promovuar leximin si aktivitet publik, është edhe kjo e tanishmja e të lexuarit në autobus, e cila do parë si një marifet vetë-promocional i atyre që e ndërmarrin, pa efekt të mirëfilltë në raportin e qytetarëve me librin. Përndryshe, autobusi urban, jo aq si mjet transporti sa si hapësirë ku një numër zakonisht i madh qytetarësh detyrohen të kalojnë kohë së bashku në rrethana shpesh të padurueshme, të papranueshme, që bien ndesh edhe me dinjitetin minimal të individit, shpesh shërben si vendi ku ngjizen protesta spontane ndaj administratës bashkiake; sepse njerëzit ankohen dhe shfryjnë dhe e shoqërojnë mendërisht shërbimin publik të transportit me sikletin, në mos torturën; ose vendin ku u shkelet brutalisht distanca e sigurisë me Tjetrin e panjohur. Këto lloj protestash, edhe pse ndizen dhe shuhen shpejt, nuk janë dhe aq të pangjashme me format më elementare të protestës së punëtorëve ndaj shfrytëzimit të paskrupullt; le të mos harrojmë se mundimi i përditshëm i udhëtarëve në autobus, detyrimi madje shtrëngimi për të duruar të shtyrat, duhmat, praninë e padëshiruar të Tjetrit afër teje, shqepjen e kufijve të egos (mikro-krizat proksemike) dhe shkeljen e hapësirës private individuale nga të panjohur e kështu me radhë, ky mundim dhe kjo sfilitje e përditshme nuk është veçse një lloj pune (labor) e papaguar, sa kohë që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e mos-investimit të autoritetit përkatës, në përmirësimin e kushteve të transportit, për të gjithë ata qytetarë që përdorimin e urbanit nuk e shmangin dot.

Herët e fundit që kam qenë në Tiranë, kam shëtitur me kuriozitet të madh tek ai mega-instalacion urbanistik, që është i ashtuquajturi “bulevard i ri” – një lloj piste për avionët e fantazisë, që të çon drejt periferisë së qytetit, dhe që me siguri një ditë do të shërbejë si arterie zhvillimesh dhe spekulimesh të reja urbane. Dhe kur kam shëtitur kështu dhe kam parë shenjat butaforike të trafikut dhe stacionet për autobusët imagjinarë dhe të tjera sajesa surreale (përfshi këtu edhe tabelat me emrat e bimëve të mbjella në lehet), kam menduar sa lehtë do të kish qenë, për ndërtuesit, që t’i kishin shtuar këtij “bulevardi” një linjë trami. Tirana ndoshta metro ende nuk gërmon dot, por një tram mund ta përballonte… Pa folur për librat që mbase në tram mund të lexohen më lehtë dhe më qetë. Nëse hapësirat sociale që përftohen brenda mjeteve të transportit publik janë edhe kontekste ku përftohet vetëdija qytetare, trami do t’i shtonte shumë përjetimit të Tiranës prej qytetarëve të saj sot, duke i shërbyer deri edhe kultivimit të qytetarisë.

Sido që ta rrotullojnë specialistët e spin-it dhe të kitsch-it politik, leximi mbetet veprimtari individuale, që kërkon tërheqje, shkëputje dhe privatësi, për të ndërmjetësuar kalimin e lexuesit nga njëra botë në tjetrën; dhe e shumta që politika e institucioneve mund të synojë, është t’u japë qytetarëve mundësinë për të ushtruar lexuesinë si synim dhe si të drejtë, çfarë nuk është e njëjta gjë me promovimin e librave, të autorëve të librave, të figurave publike përfshi edhe politikanët dhe, aq më pak, të transportit publik. Përtej ndotjes së mjedisit dhe të ushqimeve, përtej helmimit të ajrit social nga politika dhe mass mediat, vështirësive të ujit të pishëm dhe të higjienës, transporti publik mbetet një nga hallet e mëdha të qytetarëve, në Tiranë dhe gjetiu; dhe duhet të jetë njeriu pragmatist i pashembullt, që të shpresojë ta përdorë edhe këtë hall e këtë mundim prej sizifi, për të promovuar një të mirë kulturore, siç është leximi, për hir të mirëmbajtjes së një fytyre pozitive në komunikimin publik.

(c) 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi, pa lejen eksplicite të një administratori të faqes.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin