Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (XLV)

(nga Stanislaw Lec*)

Njerëzit bëjnë edhe pa artin, por censorët jo.

Heretikët marrin zjarr lehtë. Kujdes nga turrat e druve.

Kur fjalët me dy kuptime e humbin njërin, nuk kanë më kuptim.

Pasionet janë shumë të forta, në momente dobësie.

Shumë e kanë të shkruar në ballë misionin e tyre, por vetëm pakëve mund t’u lexohet.

Ç’hyn në punë ta njohësh të vërtetën? A nuk mjafton fakti që e jetojmë?

Kur nuk kemi asgjë për të thënë, u drejtohemi të tjerëve.

Të ndershmit e mbajnë veten si pasardhës të Abelit, i cili vdiq pa lënë fëmijë.

Jo të gjithë kanë fatin të jenë viktima, disa duhet të kënaqen me fatin e xhelatit.

Ca kanë nuhatje të jashtëzakonshme. Po të jetë nevoja, nuk e ndiejnë duhmën e keqe.

Një fëmijë rri ulur në breg të detit, me një kallam peshkimi: “Dua të peshkoj një pirat!”

Një thërrime shqetësim rëndon më shumë se disa ton lumturi.

Përjetësia është një sistemim i përkohshëm. Para se të përcaktohen fillimi dhe fundi.

Do të kujtonin se Zoti nuk ekziston, sikur t’u shfaqej dhe t’ua konfirmonte.

Kush nuk ka kokë, duhet të mbajë të paktën një protezë.

Këngët e masave lejojnë të të ngatërrohet goja lirisht.

Stili i kohës: autoritetet thonë fjalitë kryesore, populli fjalitë e varura.

Forca e demonit qëndron në durimin e tij ëngjëllor.

Kur doli, gjestet e tij mbetën në dhomë edhe për shumë kohë.

Janë zhdukur njollat e bardha nga hartat gjeografike. Janë zhvendosur në faqet e historisë.

Oreksi vjen duke ngrënë, por nuk ikën duke agjëruar.

Kur njerëzit nuk flasin dot për të, sendi flet vetë.

Besoj, megjithatë, se edhe një shoqëri pa klasa duhet të ketë pak klas!

Kur Zoti krijonte botën, mos i bindej gjë imperativit kategorik?

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin