LETËR ÇDO DJALI E BURRI NË SHQIPËRI

nga Blerim Gjonpalaj

Përpara disa muajsh u ndodha në një taksi në Tiranë, duke biseduar me shoferin. Më pyeti nëse kisha fëmijë dhe iu përgjigja se kisha dy vajza të vogla. “I paç me jetë të gjatë”, më tha dhe më bëri përshtypje që nuk shtoi “Me një djalë pas!”, sepse kjo është fraza shoqëruese e urimit që has kur jam në Shqipëri. Kur ia rrëfeva këtë, më tha se ai vetë kishte tri vajza. “Kur lindi e para nuk u mërzita, por kur lindi e dyta u mërzita pak. Kur lindi fëmija i tretë isha në maternitet. Infermierja doli me vajzën e tretë ne krahë dhe më përgëzoi. Unë ia lashë në krahë dhe ika.”, filloi të më tregonte. “Shkova u ula diku për të pirë cigare, çka e kisha lënë për 11 vjet. Piva aq shume cigare dhe isha aq i mërzitur sa më ra te fikët.”

Pse bën një baba një gjë të tillë? Cili është edukimi që marrim përsa i përket mënyrës se si i trajtojmë vajzat dhe gratë? Çfarë shembujsh kemi? Çfarë na formon ne si djem, baballarë dhe burra për atë se si sillemi me vajzat dhe gratë në shoqërinë tonë? Këto dhe shumë pyetje të tjera, kam frikë se nuk i kemi shtruar kurrë seriozisht, qoftë si shoqëri, qoftë individualisht. Ajo që kemi bërë për shekuj të tërë është normalizimi i partiarkalizmit, shtypjes, pabarazisë dhe dhunës kundër vajzave dhe grave. Kjo padrejtësi e ky diskriminim na janë bërë aq normale sa që shumica nuk arrin t’i dallojë më përveç se kur shohim shembuj të llahtarshëm në media, si rasti i vajzës 13-vjeçare në Kavajë, i vajzës 15-vjeçare në Malësi të Madhe apo vajzës 15-vjeçare në Drenas të Kosovës.

“Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë!”

Në Shqipëri e kemi zakon të pyetemi gjerë e gjatë kur takohemi. Ajo që mua më bën përshtypje është se çfarë themi gjatë këtyre takimeve. Në përgjithësi dëgjoj: “Si i ke djemtë?”, “Si i ke vëllezërit” ose “Si e ke babën?”? Duket sikur pjesa dërrmuese e burrave në Shqipëri nuk kanë nëna, vajza, motra apo shoqe! E nëse ato ekzistojnë, mbeten nën hije apo në shërbim të djemve dhe burrave. Shumica jonë është rritur me motra dhe nëna që na kanë ndejtur gati në shërbim. Diçka që ne e kemi marrë për të mirëqenë, si gjënë më normale në botë! Padyshim, pasi gatimin nuk e bëjnë burrat. As tavolinën nuk e shtrojnë burrat. Enët nuk i lajnë burrat. Shtratin nuk e ndreqin burrat. Rrobat nuk i lajnë burrat. Shtëpinë nuk e mbajnë burrat. Sikurse fëmijët nuk i rrisin burrat…

“Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë!… Moj e mjera grua, ç’e do burrë zinë që ftohet në krua dhe ti mban shtëpinë!”, shkruante Çajupi diçka si më shumë se një shekull më parë. Shifra nga Organizata Ndërkombtare e Punës për vitin 2018, tregojnë se gratë shqiptare shpenzojnë 270 minuta në ditë me pune shtëpie, kurse burrat 45 minuta. Statistikat tregojnë të jemi në vend të pestë në botë, përsa i përket kësaj pabarazie. Sa kemi ndryshuar në 100 vjet?

Ky diskutim nuk është thjesht çështje punësh shtëpie. Sa prindër kanë derdhur lotë vetëm sepse janë bërë me vajzë? Sa baballarë janë mërzitur a thua se u kish rënë ndonjë mort, vetëm e vetëm ngaqë fëmija i ardhur në jetë ishte vajzë? Sa të tjerë janë ngushëlluar për të njëjtën arsye? Sa herë u përsëritet vajzave në shoqërinë tonë se në jetë ato “lindin në shtëpi të huaj dhe shkojnë tek shtëpia e burrit”.

Sa ëndrra, talente dhe aspirata vajzash janë varrosur vetëm sepse ato ishin vajza? Sa herë bëhen dëshmitare vajzat në shoqëri si e jona, se si djemtë privilegjohen kurse ato shtypen e trajtohen si shërbëtore? Kështu i trajtojmë vajzat dhe gratë në Shqipëri, nga Vermoshi në Konispol.

Nuk kemi pse bëjmë sikur habitemi kur ato keqtrajtohen, shtypen, përdhunohen, madje dhe vriten. Ne kontribuojmë drejt kësaj dhune. Çfarë i shërben shoqërisë sonë e veçanërisht vajzave e grave habia jonë? Çfarë ndryshon për ato nëse e vetmja mbështetje ndaj tyre tingëllon e përçudnuar. “Duhet të sillemi ndryshe me vajzat tona sepse mund të ishin motra, gruaja apo nëna jonë?” Vajza apo gruaja para se me qenë motër, bashkëshorte apo nënë, është grua, një individ me liri dhe të drejta të barabarta me ne.

Ne si shoqëri nuk jemi askund dhe ka ardhur koha të vetëdijësohemi e te shohim gjithsecili prej nesh vetveten në pasqyrë. Ka ardhur koha që ne djemtë e burrat, ë kuptojmë që jemi pjesë e problemit dhe se kërkohet prej nesh jo vetëm të thyejmë heshtjen, por të reagojmë ndaj kësaj mynxyre.

Kurajo

Do të doja që ky shkrim të konsiderohej një letër e hapur për çdo djalë dhe burrë në Shqipëri. Ka ardhur koha që gjithsecili nga ne ta luftojë patriarkalizmin e pabarazinë, ta sfidojë këtë rend shtypës që na prek po aq sa vajzat dhe gratë, paçka se preferencialisht më ndryshe. Dhuna jo vetëm që s’duhet ushtruar por as toleruar kur bëhemi dëshmitarë të saj. Ne nuk do të zhvillohemi si shoqëri nëse gjysma e popullsisë trajtohet në mënyrë çnjerëzore; sepse ëndrrat, talentet dhe aspiratat e vajzave dhe grave meritojnë të njejtat shanse sikurse ato tonat për t’u realizuar.

Jam i vetëdijshëm se në një kontekst si ky yni, të sfidosh patriarkalizmin nënkupton të sfidosh veten dhe kjo kërkon kurajon tonë por nuk ka rrugë tjetër dhe realiteti do të ndryshohet vetëm nga bashkëpunimi ynë. Prandaj, si fillim le ta pyesim veten: Si jam duke e trajtuar nënën time? Si jam duke e trajtuar motrën time? Si jam duke trajtuar partneren time? Si jam duke trajtuar vajzën time? Si jam duke i trajtuar shoqet e mia? Si jam duke trajtuar vajzat dhe gratë e tjera ne punë, në rrugë apo kudo ku ndajmë hapësirën? Le të provojmë për një çast sado të pakët, ta vendosim veten në vendin e tyre, për të kuptuar më mirë e për të vepruar më drejtë.

Për një shoqëri më të mirë

Nje shoqëri nuk ndryshohet vetëm nga akte individuale. Aktet politike, sociale, ekonomike dhe kulturore janë gjithashtu të domosdoshme. Prandaj, do të doja që ky shkrim të ishte edhe një apel për klasën politike sikurse për shoqërinë civile që të mbështesin vajzat dhe gratë realisht, jo sa për fasadë sikurse ndodh rëndom.

“Prej asaj dite e kam kuptuar se sa gabim isha dhe akoma e kam të vështirë t’ia fal vetes. Mbrapa më lindën edhe dy djem, por lidhjen më të fortë nga gjithë fëmijët e mi e kam me vajzën e tretë që fillimisht pothuajse e braktisa.”, m’u drejtua taksisti para se të ndaheshim.

Zotëria që më shpuri deri në destinacionin e kërkuar, nuk është një rast i veçantë. Si puna e tij mund të ndihen shumë burra të tjerë në shoqërinë tonë. Por ai e pat kuptuar gabimin e tij e tani, ka ardhur koha që edhe ne të tjerët të reflektojmë njëlloj. Trajtimi në mënyrë dinjitoze, të barabartë e të drejtë i vajzave dhe grave prej nesh, do e bëjë shoqërinë tonë më të mirë dhe më të drejtë. Shoqëria na përket të gjithëve, jo vetëm disave prej nesh.

(c) 2019, Blerim Gjonpalaj

https://www.facebook.com/bgjonpalaj/


Blerim Gjonpalaj është filozof dhe pedagog në UCLL në Belgjikë. Autor i disa librave best-seller të publikuar në hollandisht dhe frëngjisht, sikurse ‘De neoliberale strafstaat’ (2014); ‘L’amour en temps de peur’ (2016); ‘Inaya. Brief aan mijn kind’ (2017) dhe ‘La puissance de l’espoir’ (2018). Gjonpalaj shkruan për media të ndryshme belge (Knack, De Morgen, MO*) dhe ftohet rregullisht në mediat ndërkombëtare (BBC, Channel 4, TRT International).

11 Komente

  1. Keto ndoshta jane raste ekstreme. D.m.th cigare sa te bie te fiket etj.. Ose te thuash paraprakisht qe: nuk e dua vajze. Dua vetem djale. Nuk besoj se eshte kaq ekstreme situata ne Shqiperi, por po them te pakten ne qytetet kryesore.

    Ne Tirane madje kam degjuar qe i urojne baballaret e vajzave: Lum si ti, u thone.

    Nga ana tjeter duhet folur edhe per pervojen e te qenit prind pasi ke provuar te dy llojet e femijeve. Edhe ketu s’mund te flitet me pergjithesime, por ne cdo rast ne raport me femijet ndikon edhe gustoja personale, apo karakteri qe nuk ka te beje vetem me misogjinine apo patriarkalizmin.

    P.sh mendoj se me femrat nuk te hahet muhabeti gjate nese do jesh babai i tyre. Rruges nis e kupton vetmine tende, madje rendesine e vetmise…Edhe njehere perseris nuk mund te pergjithesohet por ndjesi te tilla ekzistojne, jane njerezore, nuk kane te bejne me dashurine ndaj femijes, apo paragjykimin. As patriarkalizmin. Thjesht e kuptojme boten ndryshe dhe ti do ta ndash ate qe sheh me ate qe te kupton. Ose qe presupozohet se te kupton. Nuk e mohoj qe mund te jete gabim keshtu, por a e gabuar nje ndjesi? Nje autolexim i jetes tende?

  2. Nuk ka njeri (burre) me mend ne koke qe nuk eshte dakort per ato qe thote autori, (pa llogaritur ketu ndonje ndreqje “te vogel”, si ajo qe numri i studenteve vajza ia kalon atij te djemve studente), por ja qe njeriu eshte qenie biollogjike, si e tille pjese e natyres, dhe natyra funksionon e zhvillohet permes dualizmit, dy poleve te kundert. Keto dy pole -dreqi e marrte- nuk duan qe nuk duan te njehesohen! Sepse… (filozofia i filozofon mjaft keto filozofizma)!

  3. Une them qe ketij babait qe ka qare qe nuk u be me nje.djale qe t’i trashegonte mbase emrin e familjes, t’i veme nje fleterrufe sa nje carcaf ne facebook dhe ta veme te punoje 6 muaj vullnetarisht me vullnetin e vet si pastrues legenash ne maternitet. T’i shkulim me rrenje zakonet prapanike, prej Belgjike.

  4. …”Ka ardhur koha që gjithsecili nga ne ta luftojë patriarkalizmin e pabarazinë, ta sfidojë këtë rend shtypës që na prek po aq sa vajzat dhe gratë, paçka se preferencialisht më ndryshe. “…

    Rrofte PC-ja … tha.

    “It is difficult to get a man to understand something when his salary depends upon his not understanding it!”

    Mund te shkruaja nje pergjigje te gjate 15 faqe, dhe prap ta humbisja argumentin, sepse eshte koha e ideologeve, dhe mbas kurrizit te tyre, e demagogeve.
    Por per hir te ketij argumenti, po sjell dy video me poshte.

    Dhe per ata prinder qe kane femijet ne shkolle, perpiquni ti dergoni ata ne shkolla private, qofte laike apo me karakter fetar.

    Dhe nje thirrje per cdo djale e vajze ne shqiperi: sa te jete e mundur, rrijuni larg shkencave sociale ne universitet. Jane fusha te infektuara me nje “virus” qe njehere se marri, s’ke me shpetim prej ti. Te shkaterron jeten ne menyre figurative, dhe jo rralle , edhe ne realitet.

    https://www.youtube.com/watch?v=kZdZx7cA86Q

    1. Tamam. Profesorit rilindas i paska ngel ora tek Cajupi dhe mendon se Shqiperia eshte akoma ajo e burrave qe luajne tavell ne hije te fikut kurse grate mbushin uje ne pus. Nderkohe sot grate tona kane ec goxha perpara nen mesimet e liberalizmes. Sot kryetarja e PARTISE heq cizmen me kale meksikan ne parlament dhe gjuan kryeministrin ne koke me te; grate sot nuk e festojne 8 Marsin ne protesta klasore po neper klube striptizi ku zezake te sponsorizuar u tundin hallatet perpara syve dhe ua bejne gwzuar me gotat e veres; grate tona jane bere agronome, traktoriste, striptiste, ministre, dentiste, balliste e ca te dush ti, kurse ky ala ke ura. Ja sa per ta update profesorin me gocat e sotme po i vej kete videon me konge te Shqiperise se Veriut post-Cajupjane. Me fal qe nuk gjeta dot origjinalin e Ciljetes.

  5. Nje leter eshte pak, une do u sugjeroja te gjithe meshkujve nje liber: Rollo Tomassi The Rational Male.

    Lexojeni se literalisht mund tu shpetoje jeten.

  6. Ne Shqiperi keto raste nuk jane te paket dhe per fat te keq jo vetem qe nuk rreshtin, por fryhen akoma edhe me keq nga media! Dhe Shqiptaret bombardohen vece me lajme te tille saqe kane filluar jo vetem tu behen normalitet por nuk u ecen dita po nuk degjuan nje kronike te tille!

    Media dhe grupet e interesit qe merren apo duhet te merren me ndergjegjesimin e kesaj popullate; duhet ta kryejne detyren e tyre jo vetem duke iu turrur meshkujve sa here qe kemi raste te tille ne kronikat tona. Por te merren me analizimin e ketyre situatave, shkaqet dhe burimet e ketij fenomeni!

    Nje here te vetme nuk kam degjuar qe t’i pervishen nenave te ketyre meshkujve! Poooo, vete ne femrat Shqiptare e kemi fajin! Ato gra/nena/vjehrra qe jane mesuar te nenshtruara mesojne te nenshtruara edhe vajzat e tyre, kerkojne qe nuset e tyre te jene te nenshtruara dhe mesojne djemte e tyre qe te jene skllavopronare sipas rregullave te ketyre nenave/vjehrrave! Qe te vije ajo dite kur keto nena/vjehrra te bejne ligjin dhe te mos jene me te nenshtruarat, por te jene urdherueset!

    Dhe kete e them me bindje te plote, pasi e kam hequr ne mishin tim kete vuajtje! Ish-vjehrra ime, nje grua e cila eshte dhunuar gjithe jeten e saj prej burrit, ia kishte arritur dites qe djemte t’i kishte pas vehtes dhe te ishte ajo qe e bente ligjin ne shtepi. Dhe nuset duhej te benin sipas urdherave te saj! Te jetonin me burrat dhe femijet e tyre ne nje cati me kunatin/kunaten, vjehrren e vjehrrin. Te jepnin rrogen ne shtepi (pavaresisht se ishin arsimuar me sakrificat e prinderve te tyre dhe aspak te burrave apo vjehrres e vjehrrit) dhe merrnin me lejen e vjehrres 1000 leke te rinj ne muaj per nevojat e tyre. Te duronin drurin e burrit, prapaskenat e vjehrres dhe ta qepnin gojen tek opinioni pasi ata ishin famije e perkryer ne sy te njerezve!

    Rasti me i fundit ka qene mbreme ne urban. Hipen gjyshja me dy mbesat (8-10 vjecare), te treja te mbuluara. Degjoj mbesen me te vogel qe t’i thoshte gjyshes me kenaqesi qe bashke me mamin do te iknin ne Korce, pasi mami do te shkonte tek varri i babait te vete. Dhe gjyshja ia kthen “Kur do ikni? A e di mami qe nuk mund te ike dot pa lejen e vjehrres?”……. Imagjinoni…. Nusja, nene e femijeve 8-10 vjecare, duhet t’i marre leje vjehrres qe te shkoje tek varri i babait te vete……. Hapuuuu dhe!!!

    Keshtu qe njerez, pervishjuni atyre grave qe ua nxijne jeten grave. Keto jane nenat qe edukojne keta meshkuj, jane vjehrrat qe duan te nenshtrojne nuset, jane gjykateset femra qe falin ata bashkeshorte vrases…..

    1. Fiks fare. Mbasi t’i heqim qafe burrat djemte dhe baballaret, do t’u hyme me themel nenave, motrave dhe vjehrrave. Vetem Mishel Obamen, Klara Cetkin dhe Madonen do leme pas. Seriozisht, si nuk iu vjen turp nga gjithe kjo urrejtje karshi te gjitheve pervec atyre e iu kane hedhur trute e gomarit! I thoni vetes edhe gra-nena-motra.

      1. I dashur PF,
        ti paske nje mendje sa te ngushte po aq edhe te ceket! Lexo mire mes rreshtave dhe mundohu te analizosh!
        Ky eshte difekti i popullit tone! Nuk dijme te analizojme, diskutojme dhe te arrijme ne zgjidhje me te cilat pajtohemi por mbi te gjitha ne te mire te komunitetit (te te gjitheve, e kam fjalen).

        Por me sa po kuptoj ti qenke nga ata shqiptare te cilit po t’i besh 101 te zeza nuk e ngre as zerin e as koken. Por kur i prekin (nderin?!) e nenes, motres e gruas me fjale (se ne shtepi edhe mund t’i hyje mire druuuu), vecse atehere behet dem i terbuar!

        Ulu me kembe ne toke dhe analizo!

        P.S. Nuk kam patur ndonjehere model pjeshkat e instas ku ti kaloke kohen duke soditur! Edhe per shoqerine tone nuk dua qe vajzat te kene model ato lloj pjeshkash. Dhe as djemte te kene si model repistat e famshem qe i perdorin kartat bankare per te thithur vizat apo qe shtojne nga nje tatuazh sa here qe pajtohen me te dashuren pasi i kane hyre druuu!

    2. Deri diku jam dakord. Ne si milet nuk e duam lirine, por femrat e kane shume frike. Se di pse. Ta thuash te thone je maskilist, ti shikosh per ate qe jane te thone feminist. Tu hedhesh shikim te quajne seksit, varianti i ri i pushtit. Nuk flet dot me hormone se te ze belaja.

      Vjen qeveria dhe ndalon cdo ves dhe ca te besh? Hajde behemi aktiviste te te drejtave qe ne rastin me te mire pertojme ti dime cfare jane.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin