Edhe dialogu, edhe debati, e parakuptojnë konfliktin – por të ideve; batuta e zhvendos këtë konflikt te personat palë në dialog ose në debat; dhe kur rutinizohet, si gjest, i riprodhon këta persona si personazhe. E shohim këtë efekt anësor të spektakularizimit të batutës kur një politikan ftohet të marrë pjesë në një debat televiziv ose talk show dhe i gjen të pakëndshme ose të papërshtatshme pyetjet e drejtuesit të emisionit: batuta shërben sa për ta kanalizuar agresionin dhe për të shmangur ndonjë reagim tjetër të papranueshëm, aq edhe për t’i shkelur syrin publikut televiziv.
Në foklor dhe në traditën orale, personazhe humoristike si Qerosi (Qosja) ose Hoxhë Nastradini janë edhe sjellës të urtësisë – meqë i qortojnë zakonet duke qeshur (castigant ridendo mores). Në gojën e tyre, batuta është edhe tregues i superioritetit moral ndaj kujtdo që bart një lloj superioriteti tjetër (pushteti, forca, dhuna, paraja). Përkundrazi, politikanët që shkëmbejnë batuta therëse me njëri-tjetrin, drejtpërdrejt ose në distancë, e bëjnë në kontekstin e një dueli teatral, i cili për nga skriptimi dhe inskenimi (staging) ka shumëçka të përbashkët me “mundjen amerikane” (wrestling). Prandaj edhe “të enjtet parlamentare”, gjithë duke mbetur infotainment, u janë afruar për nga struktura telenovelave, ku të njëjtat personazhe riprodhojnë veten duke reaguar, në situata të ndryshme dhe të ndryshueshme, ashtu siç i pret publiku të reagojnë.
Përtej Qerosit dhe Nastradinit, si heronj të një tradite orale specifike, kultura shqiptare e rrugës gjithnjë i ka bërë vend të veçantë shakaxhiut, ose atij që qesëndis – herë me batuta, herë me barcaleta, herë me gjëza e me rrokulla. Si person edhe karismatik edhe subversiv, që u kundërvihet pushteteve, shakaxhiu ka gëzuar respektin dhe ndonjëherë edhe mbrojtjen e atyre që kanë nevojë për shakatë e tij dhe për rolin e tij në komunitet. Për arsye të ngjashme, publiku gjithë duke i vlerësuar lart aktorët tragjikë dhe dramatikë, ka simpati edhe më të madhe për aktorët komikë, ata që i japin gëzim në jetë, nëpërmjet humorit. Ky popullaritet i shakaxhiut, në post-modernitet, i ka ndihmuar personazhe të tipit Beppe Grillo të hyjnë triumfalisht në politikë dhe të marrin deri edhe pushtetin me rrugë demokratike. E megjithatë, edhe Grillo-ja si udhëheqës i lëvizjes M5S, është treguar shumë më pak bujar me batutat, se ç’mund të kujtonin fansat e tij, që u shndërruan pastaj në votues të tij.
Batutaxhinjtë e sotëm në politikën shqiptare kapitalizojnë jo në reputacionin e tyre si aktorë komikë, por në dëshirën instinktive të publikut për të qeshur; ose, më mirë akoma, në nevojën e publikut për ta zgjidhur, nëpërmjet të qeshurit, tensionin që këta vetë krijojnë, shpesh në mënyrë artificiale, mes palëve në debatet politike. Sikurse e përmenda tashmë, kur është pjesë organike e një debati qoftë edhe të ndezur, batuta zë vend natyrshëm në shkëmbimet mes kundërshtarëve; por sot po shohim të ndodhë diçka tjetër, dhe pikërisht që batuta të shndërrohet në mjet default të komunikimit politik publik; dhe publiku të zbavitet jo me origjinalitetin e saj, por me bajatësinë e saj. Aq sa çfarë po u mungon shfaqjeve të sotme të së enjteve parlamentare është vetëm ajo që, në televizionin amerikan, njihet si canned laughter, ose e qeshur e gatshme, e cila futet në kolonën zanore të një komedie televizive për ta zëvendësuar reagimin e pakontrollueshëm të publikut real me diçka të rregullt, rutinë dhe sistematike.[1]
Më lart e krahasuam batutën me shakanë: të dyja mund të përdorin teknika të ndryshme të humorit (ironi, sarkazëm, hiperbolë, grotesk, parodi, spica), por shakaja themelon dhe riprodhon një aleancë, një miqësi, një ulje tensioni të butë; ndërsa batuta, në kuptimin e ngushtë që i kemi dhënë në këtë shkrim, thekson dhe përforcon një kundërvënie ose armiqësi. Ndërsa edhe batuta edhe bullshit-i tërheqin vëmendjen ndaj folësit, bullshit-i tingëllon serioz dhe herë-herë pompoz, ndërsa batuta i shkel syrin publikut dhe gjithnjë e bart një element humori, i cili edhe e lidh me një segment të caktuar të publikut (atë që e kap humorin – Sali Berisha Edi Ramës gjatë ceremonisë së instaurimit të Presidentit Meta: “Po ti nuk gjete nallane për sot?” Këtë batutë, që i referohet veshjes ekstravagante të Ramës, e shijojnë të gjithë ata që lidhin “nallanen” me një stil jetese specifik). Bullshit-i nuk mund të pranojë asnjë grimë humori, ndërsa batuta e mbreh në punë humorin për të maskuar (por jo zbutur) hostilitetin. Përndryshe, të dyja kanë për funksion të shmangin vëmendjen, çfarë e arrijnë me mënyra të ndryshme.
Edhe pse gjithnjë duhet interpretuar në kuadrin e politikës si spektakël, inskenimit të konfliktit dhe shkeljes së syrit, batuta kushtëzohet edhe nga profili psikologjik i atij që e përdor – meqë kërkon një farë talenti, për të pasur efekt; por edhe një kompleks superioriteti ndaj tjetrit, që përkthehet në vështrimin nga lart poshtë; madje një lloj arrogance. Nuk është pa lidhje me bullizmin, vetëm se bully kërkon para së gjithash poshtërimin e tjetrit dhe afirmimin/konfirmimin e pushtetit të vet brenda grupit, ndërsa autori i batutës është gjithnjë në kërkim të simpatisë, konsensus-it dhe adhurimit të së tretit, ose atij që duhet ta konsumojë. Çfarë edhe na sjell te kushtëzimi sociologjik i batutës, ose ai kontekst që ti vetë krijon dhe mirëmban, i një publiku që pret prej teje ta bësh për të qeshur. Jo rrallë, mes këtij publiku gjen gjithfarë lajkatarësh dhe puthadorësh, të cilët zbaviten me batutat e tua po aq mekanikisht sa edhe ç’ua hedh ti herë pas here, kocka për t’i konsumuar nën tryezë.
Më në fund, batuta si default e komunikimit politik publik, veçanërisht në kontekste pyetje-përgjigjesh ose bisedash të liderit politik me grupin, tradhton dështimin e parimit të dialogut, mbi të cilin themelohet pluralizmi politik. Në fakt, batuta e reseton dialogun, e kthen në parametrat fillestarë, e detyron të rimarrë të njëjtat tema e të njëjtat tema, duke i ritualizuar dhe që, me kalimin e kohës, fillojnë t’u shërbejnë thjesht kushteve të produksionit të batutës, ose – më në përgjithësi – skenës ku politika konsumohet si dëfrim për masat. Duke u kalcifikuar kështu, diferencat mes pozicioneve në politikë vijnë e shndërrohen nga variable në konstante; dhe “dialogu” politik vihet në shërbim të riprodhimit të konfliktit. Çfarë edhe do ta bënte batutën armë të parazgjedhur të antipolitikës.
(fund)
© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Një rol kontekstualizues të ngjashëm me canned laughter luan sot lloji i fontit që përdoret për memet.
Ka nje keqkuptim te madh mes nesh per “punen “ e politikanit. Punen, ne sensin e punes qe ben realisht, konkretisht.
Puna e atij qe eshte ne qeveri eshte te qeverise, dhe batutat nuk i marrin kohe nga te qeverisurit.
Puna e atij qe eshte ne opizite eshte qe ti dale kundra atij te parit dhe ketu batuta eshte (italics ketu) pjese e punes se tij.
Eshte gomarllek i te parit te ja begenis dhe ushqen batutat te dytit, por sic e ka shpjeguar edhe autori me kaq hollesi, mbase populli yne dikton te tille sjellje, mbase edhe e pret.
Gjithesesi, nese media jone e perbindshme – Armiku i Popullit do thonte boti – nuk do i pasqyronte me kaq mani keto gerr verre te dhomave te zhveshjes, as ne nuk do i jepnim kaq rendesi.
Më ra rasti të shihja këtu një kompilim të batutave brenda një séance të vetme plenare. Ajo që të bën përshtypje nuk ishte vetëm sasia dhe cilësia e tyre, por që ato ishin të shkruara dhe mësuara përmendësh, dhe po ashtu lexoheshin dhe recitoheshin nga foltorja me gjithë pasionin dhe seriozitetin e mundshëm, sikur të ishin fjala e fundit e ligjërimit publik dhe politikëbërjes.
Përfytyro orët pafund dhe ekipet që angazhohen për të formuluar strategjitë e batutave.