Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

DITË TË NGESHME, LEXIME TË GJATA

Çfarë libri të gjatë keni lexuar kohët e fundit?

Distraksionet që na rrethojnë – nga celulari, te rrjetet sociale, televizioni dhe dëshira për të shkruar ne vetë – e shndërrojnë leximin deri në fund të një libri të gjatë në një farë heroizmi intelektual.

Gurë të mëdhenj peshe në kandarin e letërsisë botërore, si “David Koperfild”, “Të mjerët”, “Lufta dhe paqja”, “Konti i Montekristos”, “Saga e Fortsajtëve”, “Diplomati”,  “Dombi & Biri”, “Rruga e mundimeve”, “Ushtari i mirë Shvejk” – të gjithë disa-vëllimesh, i kujtoj si të fëmijërisë dhe të rinisë së hershme. Do të guxoja t’u afrohesha dot sot?

Libri më i gjatë që kam lexuar vitet e fundit: “Ditari”, i Witold Gombrowicz-it, me rreth 800 faqe, as që krahasohet me mamuthët më lart. E megjithatë, m’u desh gati një vit për t’i dalë deri në fund, për shkak të shumë librave të tjerë që lexova ndërkohë.

E kuptoj që shumë prej nesh, sidomos ata që nuk e pranojnë këtë kurrë në publik, kalojnë kohën me telenovela – të ngjashme, për nga koncepti, artikulimi dhe zgjatja, me vëllimet tona të hershme.

Por romani “me shumë faqe” është gjithnjë diçka tjetër.

Shkrimtari britanik E.M. Forster pat thënë një herë që librat e gjatë “zakonisht mbivlerësohen” sepse “lexuesi dëshiron të bindë të tjerët dhe veten se nuk e ka shpërdoruar kohën.”

Në SHBA, kam dëgjuar dhe parë shumë vendës të mburren se kanë lexuar “Infinite Jest” të David Foster Wallace, ose “Atlas Shrugged” të Ayn Rand.

Këta unë nuk i kam përfunduar dot, sepse jam mërzitur me të parin dhe neveritur nga i dyti.

Faqja e fundit e një libri të tillë i ngjan disi majës së malit të lartë, që pushton alpinisti: gurë, borë dhe akull, por cili vallë u kacavar deri atje dhe nuk e kremtoi me të paktën një selfie? Pa folur pastaj për atë që “nuk është maja, por ngjitja” dhe ata të tjerët të “çfarë pamjeje!”.

James Tozer, i The Economist, e quan kënaqësinë e lexuesve të librave të gjatë “një lloj sindrome letrare të Stockholm-it”: sepse ti përfundon i lektisur pas librit që të ka mbajtur rob për kaq kohë.

Por po ky i lë pastaj vend edhe hipotezës së survivor bias: ata që ia kanë nxjerrë fundin “Vëllezërve Karamazov” ose “Në kërkim të kohës së humbur” kanë më shumë gjasë ta përmendin në muhabete dhe ta mburrin me të madhe, se ata të tjerët që i lanë këto përgjysmë (qoftë edhe me argumentin se “mjafton një gllënjkë verë për…”).

Në moshë të hershme, na e kërkonte puna të lexonim edhe super-romane, si “Para agimit” dhe “Tri ngjyra të kohës”; gjë e mirë që letërsia shqipe e traditës përmban kryesisht poezi, që lexohen për një pasdite (me përjashtim të “Qerbelasë” dhe të “Lahutës së Malsisë”, që të paktën e kanë vargun të shkurtër).

Një libër tejet i trashë në bibliotekën time të dikurshme, “Sekreti ushtarak” – roman sovjetik spiunazhi – më ka pasë tërhequr thjesht për nga masa e faqeve: dhe nuk më zhgënjeu, kur më në fund e mësyva. Ka gjithnjë diçka serioze te shpina e bëshme e një romani të palexuar në raft: njëlloj si te shpina e bëshme pa puçrra e një vajze të mirë, me të cilën nuk guxon të flirtosh kot për qejf.

Për arsye jo gjithnjë të qarta, libra për mosha të reja, si “Harry Potter” ose “Lord of the Rings” ose tani vonë “A Song of Ice and Fire” (“Game of Thrones”) janë lexuar nga dhjetëra miliona anembanë botës.

Por kur është fjala për letërsi zhanri, si romanet policore të ndërtuara rreth një personazhi qendror, kufiri mes librit të gjatë dhe varësisë psikologjike nuk përcaktohet dot lehtë; dhe në disa zhanre, si në sci-fi, sagat disa-vëllimshe ndonjëherë parapëlqehen ndaj veprave teke: për arsye të ekonomizmit intelektual.

Libri i gjatë ka edhe anën e vet të errët: një takëm lexuesish nuk arrijnë dot të shkëputen prej tij, edhe pse nuk u pëlqen më. Këta janë lexuesit, të cilëve numri i faqeve u fanitet si përkujtesë për investimin që kanë bërë (monetar, shpirtëror) dhe që nuk janë gati ta lënë t’u shkojë dëm; por edhe lexuesit që i qasen leximit si sfidë. Ndonjëri prej nesh mund ta shohë këtë si formë vetëdisiplinimi, ose mazohizmi.

Sa prej nesh e kanë lexuar deri në fund Prustin mu për këtë arsye?

E megjithatë, askush nuk mund ta dijë me siguri se sa çohen deri në fund vepra të tilla – veç atij që ia ka arritur, pa çka se nuk e provon dot. Ti mund të kapërcesh faqe, ose të lexosh “vetëm dialogët”, ose ta lësh librin përgjysmë dhe pastaj të harrosh: janë mëkate veniale, që gjithsekush mund t’ia falë vetes.

Një gjë është të lexosh “Being and Time” të Heidegger-it, një gjë tjetër ta lexosh deri në fund. Pa folur për ata që po e rilexojnë (që të thonë se “po e rilexojnë”).

(Pa folur as për ata që duan t’i shohin se po e lexojnë.)

Përndryshe, as autori i librit të trashë, në trajtën e zërit autorial të artikuluar në tekst, nuk ka aq autoritet moral, sa të të qortojë, pse nuk ia çove veprën deri në fund.

Ata të tjerët, pastaj, që gënjejnë dhe thonë se i kanë lexuar klasikët e vëllimshëm, do të kenë kohë të mjaftueshme, në purgator, për t’i çuar deri në fund gjakimet që i pretenduan rrejshëm për së gjalli.

Një herë tjetër do të shkruaj për librat më të shkurtër: të cilët kërkojnë më shumë guxim për t’i blerë, se për t’i lexuar…

© 2018, Peizazhe të fjalës™.

8 Komente

  1. Une jam duke lexuar “Mali Magjik”, Tomas Man. Duhet thene “rilexuar”, ose “perpjekje dhe njehere per ta lexuar”. Natyrisht nderkohe shume libra te tjere kane hyre ne mes, perfshi dhe te tute. Por ama, mendoj qe ky liber i gjate eshte si nje puro Toscano e mire, te cilen e ndez, e shijon pak dhe e le menjeane. Pastaj e rindes dhe aromat i pasurohen. Do natyrisht qetesi dhe çdo here qe e merr ne dore ( qofte librin, qofte puron) perfton shije te reja….

  2. une lexoj nje ose dy nga keta mbi 500 fq. ne vit. Ndryshe i shmang teresisht. Kush nuk shkruan ne 200 a 300 fq. idete e tij, nuk di te shkruaj, por tjerr. Megjithese kjo vlen kryesisht per non-fiction. Megjithese keta Mailer, Delillo etj. kane ca libra qe duhen lexuar.

  3. Zoti Vehbiu, me kete shkrim keni lehtesuar shume shpirtra qe hyjne, komentojne ose vetem lexojne, ne blogun tuaj.
    Sa per veten time, me kete problem jam perballur ne fundin e rinise se pare, dhe ishte shokuese. Pas nje periudhe relaivisht te gjate, fundi i femijerise dhe gjithe adoleshenca, leximi intensiv, pata nje nderprerje ne leximin e letersise, ose lexoja shume pak. Pastaj ndjeva nje deshire te madhe per t’iu rikthyer leximit. Dhe mendova ta filloj me nje veper te lexuar me pare e qe me kishte pelqyer jashtezakonisht shume. Pikerisht, ky ishte momenti i shokimit: ndersa lexoja, gjithe duke menduar se do te perjetoja te njejten mrekullim, te njejtat ndjesi te fuqishme, verejta se nuk po ndodhte asgje nga keto, sidomos ngjyrat… ajo bota plot me ngjyra te lebyrshme qe kisha perjetuar ne leximin e pare, ishte zhdukur plotesisht; gjithcka dukej gri. Pastaj, e provova me vone, duke menduar se nuk ishte koha e pershtatshme, e provova edhe me libra te tjere qe aq shume i kisha dashur, perseri e njejta ndjesi, perseri e njejta mungese ngjyrash. Gjithcka gri.
    Me vone kam kuptuar, te pakten per veten time e kam bindje kete, se koha me e pershtatshme per te shijuar letersine, eshte ajo e femijerise dhe adoleshences, mbase edhe rinia e pare por, femijeria dhe adoleshenca eshte koha e vetme kur mund te shijosh me te vertete letersine.
    Kush nuk ka lexuar letersi te madhe ne kete periudhe, nuk ka per te lexuar kurre, sado lexues i zellshem te jete. Bashke me keto dy periudha te moshes, humbet pjesa esenciale e fantazise, humbasin krejt ngjyrat qe e shoqerojne ate, humbet magjia; shto ketu edhe faktin, qe ne kete moshe, nuk e gjykon boten ku je futur, por vetem e shijon ate.
    Nje pjese e letersise se madhe klasike, qe nuk munda ta lexoj ate kohe, eshte e humbur perjete per mua, megjithe perpjekjet qe kam bere ( disa edhe i kam lexuar me vullnet te paperkulshem, por eshte kot, krejt kot).

  4. Une per vete para se t’i futem nje libri te gjate sigurohem qe ai te mos jete nga ata qe te lene apo i le rruges, megjithese per kete asnjehere nuk mund te kesh garanci te plote a priori. Tani, meqe ra fjala, por edhe per te ilustruar kete qe sapo thashe, nje pyetje disi jashte teme kam per ty Ardian. Thua me lart se romanin “Infinite Jest” e ke lene pa perfunduar sepse te ka merzitur, cka me beri jo pak pershtypje pasi ky roman i David Foster Wallace mbahet si nje nga majat e postmodernizmit amerikan, ndersa ti vete kujtoj te jesh shprehur se ne shijet e tua letrare “qasja narrative postmoderne” ze nje vend te vecante. Sidoqofte, meqenese prej njefare kohe kam pasur ndermend t’i ngjitem ketij mali, dhe meqenese mendimin tend kritik e vleresoj ne menyre te vecante, do doja te dija dicka me shume per mendimin qe ti ke per “Infinite Jest”-in.

    1. Më pëlqejnë shumë esetë e D.F. Wallace-it (aq sa disa i kam rilexuar), por jo dhe aq fiction-i i tij. Me “Infinite Jest” u dorëzova për shkak të përshkrimeve të pafund të tenisit – nëse më kujtohet mirë. Thashë që ka mënyra të tjera, më efikase, për të vrarë kohën. Aq më tepër që personazhet e librit më lanë indiferent – si i ardhur relativisht vonë në SHBA, nuk arrij dot t’i gjej interesante disa gjëra të këtushme, përkundrazi. Jeta amerikane, edhe në nivelet më të larta, më duket e pasofistikuar dhe e mërzitshme, në krahasim me atë që kam parë dhe provuar në Europë. Jo se romani i merr vlerat nga shoqëria që i referohet, por lënda e parë që përdor nuk më ngacmon. Më duket shumë më “kongjenial” kuvendi te “Emri i trëndafilit”.

  5. Shume nga librat e trashe, sic i quanim dikur, lexohen -besoj- vetem kur je i ri. Sepse ke kureshtje te mesosh. Pasi ke mesuar (je ngakuar) nga shume e shume libra, sot nje nga keto libra te trashe, po nuk te pelqeu ne 50 faqet e para, e le pa lexuar me tej.
    Megjithate, klasiket si Viktor Hygo, Carl Dikens, e ndonje tjeter si Tolstoi (ndonese ky i fundit paksa me diskutim) mbeten padiskutim te lexueshem edhe ne kohen e sotme. Te pakten teorikisht, sepse ne praktike po shohim qe Tolstoi ne Rusi, Dikens ne Angli dhe Hygoi ne France jo vetem qe nuk lexohen me nga te rinjte, por edhe nuk njihen me si emra nga nje shumice te rinjsh.

  6. Do të ishte interesante të analizohej më në thellësi fakti i pamohueshëm që të rinjtë e sotëm nuk i lexojnë më klasikët e letërsisë (veçmas, librat e tyre të gjatë), përveçse kur për këtë janë të detyruar nga programet shkollore (edhe atëherë besoj se shumica e tyre mjaftohen me leximin e ndonjë përmbledhjeje të gatshme). Për mendimin tim, shkaqet e një dukurie të tillë janë të shumta e komplekse, disa më thelbësore e disa më të sipërfaqshme. Duke lënë mënjanë të “dyshuarit e përhershëm” – mangësitë e shkollimit e politikat kulturore të çala – do të doja të veçoja këtu dy shkaqe, për mua themeltare, që shpjegojnë bjerrjen e kulturës së leximit në kohën e sotme: 1. ndikimin e teknologjive të reja që duket se po e “riformatojnë” në mënyrë të pakthyeshme trurin e njeriut, duke ia bërë këtij thuajse të pamundur përqëndrimin për një kohë të gjatë mbi tekste që kërkojnë lexim të shtruar e linear (në internet, tipikisht, nuk lexohen tekste, por eksplorohen hipertekste – këta të hedhin aq shpesh nga dega në degë, saqë kur mbyll faqen e fundit e ke harruar fare të parën); 2. copëzimin e kulturës në epokën postmoderne, çka, ndër të tjera, nënkupton rrëzimin e kanoneve letrare, pra prishjen e asaj tradite që i bënte veprat e dikurshme të komunikonin së brendshmi, në mënyrë organike, me lexuesit e mëvonshëm (që t’i hysh leximit të një libri shumëvëllimesh, sidomos kur ai është shkruar në të tjera kohë, duhet, më së pari, ta shohësh atë si pjesë të një tërësie më të madhe, përndryshe prej tij mund të mërzitesh shpejt dhe të heqësh dorë kollaj, ashtu si prej një telenovele pa ndonjë pretendim përtej vetvetes).

    1. Ajo qe thoni qendron. Sot jeta dhe rrjeshimisht kultura eshte e fragmentarizuar. Libri nuk ka asnje shans ne kushte te tilla. Ai thjesht do te tkurret gjithnje e me shume por do te mbijetoje, njesoj si radioja per shembull. Do te kthehet nga medium masiv ne medium kult.

      Mdersa persa i perket klasikeve, ne mos gaboj e ka thene Mark Tuejn kohe me pare:
      “Klasiket jane bere per tu cituar dhe jo lexuar!”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin