Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë / Letërsi

LEXIMI – EFEKTET ANËSORE

Nuk di ç’të them për fushatën në nxitje të librit dhe të leximit, të ndërmarrë gjatë vitit që shkoi nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me organizma, shoqata dhe institucione të ndryshme; edhe pse nuk dua të mjaftohem me skepticizmin tim të natyrshëm për gjakime të tilla të zhurmshme. Por më se një herë kam pyetur veten nëse kjo fushatë kish për objektiv librin, leximin, autorin apo lexuesin; sepse të tre bashkë këta objektiva nuk i mban dot. Një fushatë e fokusuar vetëm te libri, dhe aq më keq te libri i ri, gjithnjë rrezikohet të përfundojë në sevape marketingu për shtëpitë botuese, të cilat janë në të drejtën e tyre të kërkojnë të shesin sa më shumë libra; nga ana tjetër, statistikat e shitjes së librave në libraritë ose në Panair dhe evente të tjera tregtare nuk thonë shumë për leximin, meqë libri nuk është mall i konsumueshëm dhe mund të kalojë dorë më dorë dhe të lexohet nga shumë sy; pa folur pastaj që shumë libra, përfshi këtu edhe ata që përdoren për dhurata, blihen por nuk lexohen. Pa përmendur pastaj që, shumë prej nesh që lexojnë, nuk mjaftohen vetëm me librin: Interneti na shërben si një bibliotekë pa fund, me kusht që të dimë të zgjedhim. Por leximi mbetet lexim pavarësisht nga mediumi; dhe vështirësia për ta kuantifikuar leximin online nuk do të thotë se ky duhet lënë jashtë të dhënave për leximin.

Të lexosh përkthime, ose kur s’ke pulën…

Nga statistikat e shitjeve por edhe nga hit parades e titujve të rekomanduar ose më të shitur që dalin në mediat, duket sikur lexuesi shqip orientohet ndaj autorëve të huaj; çfarë nuk është për t’u përshëndetur me çdo kusht. Para së gjithash, sepse autorët e huaj edhe kur nuk e meritojnë reklamohen me vrull të madh nga botuesit dhe ashtu shndërrohen në profeci vetë-plotësuese (sipas arsyetimit: meqë ky libër ka shitur shumë kopje në Belgjikë, do të bëhet best-seller edhe tek ne). Pastaj, dhe mua kjo më shqetëson veçanërisht, duhet parë cilësia e përkthimeve: ka mes tyre shumë të mira, por ka edhe shumë të dobëta. Përshtypja ime – krejt subjektive – është që shumë të dobëtat i mbytin ato më të mirat. Prandaj lexuesve u jepen produkte junk, që ua dëmtojnë shëndetin letrar.

Tani, se pse janë të dobëta përkthimet, kjo duhet parë individualisht: do të thoja që përkthyesit paguhen keq dhe kjo njëfarësoj i detyron të punojnë shpejt; do të thoja edhe që përkthyesit nga gjuha e huaj në shqip nuk i kanë mjetet e nevojshme të referencës për përkthime cilësore – fjalorët tematikë, fjalorët terminologjikë, etj.; ose edhe manualet e stilit të shqipes letrare. Veç këtyre, ka edhe përkthyes që nuk e dinë mirë shqipen, sepse shkolla nuk ua ka mësuar dot si duhet.

Autori shqip, gjithnjë i njerkës

Në krahasim me përkthimet, libri mirëfilli shqip duhej të vuante më pak prej mangësive gjuhësore – në mos për gjë tjetër, të paktën ngaqë ata që shkruajnë letërsi shqip nuk e bëjnë për t’u paguar. Le të mos harrojmë, megjithatë, se si përkthimet, ashtu edhe libri shqip, në më të shumtën e herëve, botohet i paredaktuar: shumë shtëpi botuese (edhe pse jo të gjitha) praktikisht i kanë eliminuar redaktorët, për të ulur shpenzimet. Kur vijnë të paredaktuar, edhe shkrimtarëve përndryshe të afirmuar nis t’u çalojë fjala; dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për shërbimet e korrektorëve teknikë, të cilët ndreqin qëmtojnë dhe ndreqin gabimet ortografike ose ato gramatikore. Por, në çdo rast, ai që shkruan shqipen drejtpërdrejt, do ta shkruajë më mirë se një përkthyes i shkujdesur, që shpesh as nuk shkëputet dot nga ndikimi i gjuhës burimore.

Këtu është edhe vendi për të shtuar se shumë nga shkrimtarët e sotëm shqip, madje edhe kur të afirmuar dhe të pompuar nga mediat për arsye komerciale ose politike, nuk arrijnë të shkruajnë mirë: sepse, edhe kur i kanë idetë dhe frymëzimet të jashtëzakonshme, nuk i artikulojnë dot si duhet. Është e vështirë të gjesh sot faqe librash të rinj shqip, të shkruara bukur, ose në mënyrë të tillë që t’i ndjellin lexuesit kënaqësinë estetike të një teksti të hartuar mjeshtërisht. Dhe kjo e fundit i ka disa lidhje me përmbajtjen e tekstit, por më shumë lidhje i ka me kompetencën stilistike të autorit. Mund të shkruash bukur për buburrecin e bajgave, mund të shkruash keq për shqipen e maleve. Ndryshe nga ç’kujtojnë disa, tema në vetvete nuk garanton asgjë, përkundrazi: është më lehtë të shkruash bukur për buburrecin e bajgave, se për shqipen e maleve; dhe anasjelltas.

Tani, shembuj të një shqipeje të shkruar bukur, sidomos në prozë, nuk është se mungojnë; por nuk janë aq të shpeshtë sa në poezi. Proza e bukur kërkon njohje tërësisht funksionale të mjeteve gjuhësore, ndjeshmëri ndaj variacionit dhe ritmit të frazës (ose vesh), njohje të mirë të traditës së prozës shqip dhe një lloj stërvitjeje ose mjeshtërie të mësuar, për të shmangur klishetë, ose pleonazmat, ose nominalizimin, ose bullshit-in. Sikurse kërkon aftësinë për të përdorur penën tënde vetjake, jo atë të autorit tënd të preferuar. Gjuhë të tjera ofrojnë manuale për këtë qëllim, sikurse ofrojnë kulturat përkatëse kurse universitare: kjo është pjesë e përpjekjeve për mirëmbajtjen e ligjërimit dhe nuk duhet shpërfillur si imponim standardesh atje ku vetëm liria mund të përftojë vlera. Përndryshe, kur aspekti diskursiv (ligjërimor) i një vepre çalon, atëherë e vetmja gjë që do ta mbajë lexuesin të lidhur me librin është narrativa, fabula, ose kërshëria se çfarë do të ndodhë: dhe kaq nuk do të mjaftonte për ta bërë veprën letrare.

Vdekja e autorit? Jo, e kritikut.

Shumë lexues mendojnë se te libri i përkthyer gjejnë gjëra me vlerë, por që librit shqip i mungojnë: personazhe të plota, dramë përfshirëse, filozofi që ta sfidon mendjen. Këto aspekte të librit varen nga autori: siç e thoshte edhe Zyloja i Agollit, “po të kesh vetë karakter, ke ç’t’u japësh personazheve”. Në këtë vijë, po lejohem edhe të shtoj se një shkrimtar që e ka kokën bosh, nuk ka se ç’t’i thotë lexuesit; madje edhe kur vihet të manipulojë. Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me intelektin, sa ç’ka të bëjë me kuriozitetin, profilin etik dhe ekspozimin që herët me dilemat e mëdha të botës: kurioziteti madje i duhet edhe ndjeshmërisë, ose aftësisë për të bashkëtingëlluar me universin. Një sistem arsimor si yni, që kullon ujë nga të gjitha anët, e ka vështirë të përftojë njerëz të tillë të ndriçuar, në gjendje që t’i flasin artistikisht një mase të madhe njerëzish. Këtë e them i sigurt se nuk jam i vetmi që, kur hap të lexoj ndonjë vepër të një autori shqip, them me vete: ja një njeri ndoshta i çiltër, por i cekët. Do t’ia lexoja veprën, por vetëm po të isha psikiatri i tij, ose për të marrë vesh se ç’bluan në mendjen e vet të ngathët dhe inerte.

Me fjalë të tjera, edhe pse shkrimtari, me përkufizim, shquhet si dikush me intelekt të rafinuar dhe ndjeshmëri të rrallë, në krahasim me lexuesin potencial, sërish në letërsinë shqipe lexuesi ka nivel intelektual relativ më të lartë se shkrimtari përkatës – në përgjithësi; në kuptimin që një shkrimtar i rregullt çfarëdo nuk ka shumëçka për t’i thënë një lexuesi të rregullt çfarëdo. Dhe sa kohë që klima kulturore dhe intelektuale ndër shqiptarë është e tillë që privilegjon kënaqësinë, materializmin e parasë, narcizmin, kitsch-in kombëtarist, pornografinë dhe humorin e kazermës ndaj thellimit psikologjik, introspeksionit dhe filozofisë të së përditshmes, numri i shkrimtarëve të mirë shqip, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, do të vijë duke u pakësuar. Nuk do të ketë shkrimtarë të mirë thjesht sepse shqiptarët nuk do të kenë ç’t’i thonë më njëri-tjetrit.

Kjo nuk e mënjanon gjë çështjen se si të dallojmë, mes mediokritetit të përgjithshëm, atë vepër që mediokre nuk është; si t’ia evitojmë asaj fatin e simotrave, si ta ruajmë dhe ta përhapim, me bindjen se bëhet fjalë për një pasuri kombëtare po aq të vyer sa edhe Valbona ose bregdeti i Jonit. Sepse administrimin publik të kulturës dhe të arteve vërtet nuk e bën dot tërësisht fajtor për varfërinë e produktit kulturor, ama këtij administrimi nuk mund t’ia falësh dështimin – do të thoja TOTAL – të përpjekjeve për evidentimin e vlerës. Duke filluar, meqë flasim për letërsinë, me sistemin e çmimeve. I vetëdijshëm që çmimet gjithnjë do të kundërshtohen, nga ata që nuk i morën, sërish më mbetet për të thënë se veprat që fitojnë çmime nuk fitojnë asgjë tjetër veç çmimeve – as më shumë lexues, as më shumë ndikim në kulturë, as më shumë status. Dhe një shkak për këtë është pikërisht mungesa e (autoritetit të) kritikës letrare profesionale.

Dikush lexon një libër, i pëlqen, dhe shkruan diçka për të në Facebook – shumë mirë deri këtu. E keqja fillon kur disa të tjerë e konsiderojnë këtë kritikë letrare; dhe nesër do t’i dëgjosh të thonë, kur të bjerë muhabeti për atë libër: “ka folur mirë kritika”. Profeci vetë-plotësuese? Ndoshta jo. Më shumë efekt anësor i një mungese të pakompensueshme.

Shumëve do t’u kujtohet se çfarë sapo ndodhi me një roman të A. Kyçykut që fitoi çmimin “Kult”: iu vërsulën me kritika nga të gjitha anët njerëz që, ndërsa mund të kenë të drejtë të thonë fjalën e tyre, nuk kanë (ende) autoritet në çështjen e evidentimit të vlerave. Një roman nuk u bë i keq sepse e cilësoi kështu Cen Qytyku. Sikurse nuk u bë i mirë, sepse e vlerësoi kështu Anabel Babela. Këtu ndoshta duhet kujtuar ajo vegël e analizës logjike që filozofi Nassim Nicholas Taleb e ka quajtur “vizorja e Wittgenstein-it”: në qoftë se ti nuk i zë dot besë saktësisë së vizores, atëherë kur e përdor vizoren për të matur një tavolinë, njëlloj mund ta përdorësh edhe tavolinën për të matur vizoren (në kuptimin: sa më pak që i beson saktësisë së vizores, aq më shumë matja jote jep informacion për vizoren jo për tavolinën). Me fjalë të tjera, shkrimi i Cen Qytykut kundër një vepre letrare na thotë shumëçka për Cen Qytykun – kush është, çfarë shijesh ka, çfarë pritjesh ka nga letërsia, etj.; dhe pakçka në mos asgjë fare për veprën.

Morali: meqë e kemi vendosur që të mos ua respektojmë autoritetin atyre pak kritikëve letrarë që kanë mbetur (sipas modelit “ik-ere-pirdhu”), atëherë kemi sanksionuar një fakt të çuditshëm: cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha mund të dënojë me “vdekje” veprën letrare që nuk i pëlqen – mjafton të marrë mundimin dhe të nxijë dy rreshta gjëkundi. Kjo vlen edhe së prapthi: mjafton gjyshja ime për të vendosur se romani im i kap lartësitë e shekullit. Vetëm se, kur ia lëmë punët në dorë subjektivitetit, le të mos harrojmë edhe që dëshira për të bërë keq shpesh organizohet më efektshëm se dëshira e kundërt, për të bërë mirë. Ashtu ndodhi edhe me romanin fitues të çmimit “Kult”: ata që e pëlqyen (përfshi këtu edhe jurinë që e akordoi çmimin, me njerëz prej mishi dhe gjaku) preferuan të mos i kundërshtojnë ata që nuk e miratuan. Tani, nëse ky efekt paradoksal pasqyrohet edhe në shitjet, në kuptimin që më shumë blerës vajtën ta blejnë atë roman pasi lexuan kritikat negative, se ç’vajtën lexues të tjerë ta blinin pasi morën vesh që ky fitoi çmimin, kjo mbetet për t’u parë…

Çfarë i prodhon lexuesit?

Ka teoricienë letrarë që mendojnë se vepra i sjell me vete udhëzimet për lexim – në kuptimin që leximi si proces përfton veprën e lexuar nga njëra anë, lexuesin nga ana tjetër. Pa u zgjatur në analizën e këtij koncepti, po dua të vë në dukje se, që ta realizojë këtë, duhet ose që vepra dhe lexuesi të bashkëndajnë një enciklopedi të caktuar (ose të jenë pjesë e së njëjtës kulture), ose që vepra t’ia japë lexuesit këtë enciklopedi dora-dorës. Dikush që e njeh historinë e kampit socialist pas Luftës II Botërore do ta shijojë më shumë Dimrin e vetmisë së madhe se një tjetër që këtë histori nuk e njeh fare; çfarë nuk varet nga vlera letrare e mirëfilltë e romanit. Nga ana tjetër, një roman si 20,000 lega nën det i Jules Verne-it vjen edhe si manual për ta familjarizuar lexuesin me botën ku ndodhin ngjarjet. Në përgjithësi, gjasat janë që unë të shijoj më shumë një shkrimtar italian, se një shkrimtar tajlandez; ose, all other things being equal, të kuptoj më mirë një vepër të ambientuar në Kinën e Maos, se një vepër të ambientuar në Tajvan. Nëse ndodh që vepra si Iliada ose Don Kishoti të njihen kaq universalisht, kjo ndodh më shumë ngaqë kulturat tona janë themeluar mbi to.

Por çfarë dua të vë në dukje, në kontekstin e këtij shkrimi, është se edhe një vepër me potencialin e duhur për t’u lexuar si kryevepër nga publiku ideal në Shqipëri, mund të dështojë, nëse lexuesi nuk është i përgatitur për të, ose nuk arrin dot ta “dekodojë”. Prandaj, përtej sigurisë disi sofistike se libri e përfton vetë lexuesin, nuk mund të shpresojmë se lexuesi do të ekzistojë vetëm në kontakt me veprën. Nëse leximi është pjesë e kulturës, atëherë lexuesi do të formohet si i tillë duke u njohur me kodet letrare në përgjithësi dhe duke u mësuar si t’i lexojë veprat: çfarë të presë prej tyre, çfarë mund të gjejë atje, madje edhe për çfarë mund t’i përdorë. Kjo vlen për letërsinë po aq sa ç’vlen edhe për artet e tjera – ato vizuale, muzika, teatri. Kontakti i vijueshëm me veprat arrin ta prodhojë kompetencën “artistike” te publiku vetëm kur bashkërendohet me edukimin përkatës. Dhe në këtë pikë, sërish pa humbur shumë kohë me teori, do të thoja se shkolla shqipe ka dështuar rëndshëm, sidomos në atë masë që edukimin estetik (letrar por jo vetëm) vijon ta shohë si të nënvendosur ndaj edukimit patriotik.

Të blesh apo të lexosh?

Shumë nga këto përsiatje i referohen leximit dhe lexuesit, jo blerjes së librave, pa çka se kjo e fundit, si transaksion komercial, është më e lehtë për t’u kuantifikuar, analizuar dhe komentuar. Por le të mos harrojmë se arsyet që e shtyjnë dikë të blejë një libër (sikurse arsyet që e shtyjnë dikë të ekspozojë në bibliotekë librat që ka blerë) nuk përkojnë, dhe as ka pse të përkojnë, me arsyet që na bëjmë të lexojmë këtë dhe jo atë libër. Për raftet e librave që kemi në shtëpitë (dhe në zyrat) tona, ose për bibliotekat personale, kanë thënë se “nuk janë për t’u treguar njerëzve librat që ke lexuar… Por për të treguar atë lloj personi që ti dëshiron të jesh” (Ezra Klein); një pjesë librash i blejmë pasi i kemi lexuar; të tjerë sepse janë klasikë dhe kultura na ka bindur se duhen pasur; të tjerë akoma, si investim në kapitalin tonë kulturor, ose për t’i kujtuar vetes se duhet t’i lexojmë dikur; të tjerë për ta nxitur veten që t’i lexojmë; e kështu me radhë, pa lënë jashtë edhe ata që i trajtojnë librat si objekte: koleksionistët e librave, që nuk synojnë që t’i lexojnë librat që blejnë. Përndryshe, biblioteka personale, të paktën idealisht, është gjithnjë një projekt, çfarë do të thotë se është e projektuar drejt së ardhmes. Për t’u kthyer te citati nga Klein-i më lart: nuk na tregon ne, por atë si duam ne të na shohin, çfarë nuk e dallon dhe aq, tek e fundit, nga faqja e profilit në Facebook. Prandaj edhe një bibliotekë personale me libra që i zoti i ka lexuar të gjithë është pak si varrezë. Borges-i, që thoshte për veten se “si lexues jam më i mirë se si shkrimtar”, megjithatë ia pohoi Osvaldo Ferrari-t, në një intervistë, se “kam frikë se nuk kam lexuar asnjë libër nga fillimi në fund, me përjashtim të ca romaneve dhe Historisë së filozofisë perëndimore, nga Russell-i.” Dhe më tej: “Gjithnjë them se autori im i preferuar është Thomas de Quincey, dhe ja ku i kam 14 librat e tij. Dhe kur të vdes, do të merret vesh që shumë nga faqet e këtyre librave të mi të preferuar janë të paprera.” Ndoshta do të bënim mirë që ta ndanim, në analizat tona, blerjen e librit (ose të pasurit e një libri) nga leximi.

Një shembull personal: tregimin Mikromegasi, të Voltaire-it, e kam lexuar të botuar në revistën “Ylli” dhe më pat lënë mbresa të pashlyeshme (deri edhe ilustrimet, nga Dhimitër Ligori, më kujtohen); që atëherë kam blerë disa libra të Voltaire-it që e përmbajnë, por atje s’e kam çuar kurrë deri në fund, edhe kur i jam rikthyer. E megjithatë, kur më përmendin Voltaire-in, Mikromegasi më vjen i pari në mendje, më parë edhe se Candide-i. Prandaj, prandaj, prandaj: le t’i mbajmë të ndara, le të mos i ngatërrojmë.

Kjo, pa çka se edhe leximi vetë nuk është aq i pafajshëm: shumë prej nesh lexojnë për të njëjtën arsye që veshin xhinse të një modeli të caktuar ose që i mbajnë flokët në një mënyrë të caktuar: e kërkon moda. Çfarë nuk duhet marrë si diçka doemos negative. Leximi i të njëjtave libra shërben si lëndë lidhëse (konektive) për komunitetet: njerëzit mblidhen bashkë dhe flasin për të njëjtin libër, identifikohen me të njëjtët personazhe, dhe përjetojnë të njëjtat emocione; por edhe, çfarë më duket me rëndësi, i referohen të njëjtit univers narrativ, në gjakimet e tyre intelektuale. Ka gjithnjë diçka që e dallon, bie fjala, komunitetin e atyre që kanë lexuar Balzakun, nga komuniteti i atyre që Balzakun nuk e njohin. E kështu me radhë. Mirëpo ky lloj leximi, le ta quajmë sociologjik, mund edhe të keqpërdoret (abuzohet): përfytyroni një snob(e), që lexon filozofin francez më të fundit, me shpresë se mund ta kuptojë, por me shpresë edhe më të madhe se mund ta citojë. Për njerëz të tillë, leximi është gjithnjë pjesë e gjakimit arrivist, përndryshe nuk do të humbnin kohë. Dhe kjo përfshin edhe ata lexues që duan “të rafinohen” duke lexuar dhe që, tipikisht, i mundon ankthi se mos janë duke lexuar librin e gabuar. Këtyre ua kanë gjetur anën botues të caktuar, që i furnizojnë me vepra të errëta, hermetike por totalisht cool.

Një tjetër lloj abuzimi, këtë herë i aplikuar në masë të madhe nga sistemi i edukimit publik (dhe privat) është detyrimi i nxënësve për të lexuar veprat e kanonit, të cilat – kryesisht me natyrë dhe funksione patriotike në kontekstin shqiptar – vlerësohen jo aq për virtytet e tyre letrare, sa për çfarë i kanë hyrë ose do t’i hyjnë në punë ndjenjës kombëtare. Të thuash se një vepër letrare ka relevancë të mjaftueshme, me kusht që të mund të përdoret për diçka tjetër, më sublime se letërsia; çfarë do t’ia ruante letërsisë po atë status që i pat dhënë realizmi socialist dikur, duke zëvendësuar parimin e partishmërisë me një parim tjetër po aq jashtë-letrar. Shto këtu edhe inkompetencën e administratorëve publikë të kulturës, dhe rezultati do të ishte hegjemonia e kitsch-it në vlerësimet letrare kolektive, siç edhe e shohim.

Libri nesër

Sado të përpiqemi me dëshirë të mirë, librit shqip nuk mund t’ia kthejmë statusin që kishte gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX – sepse ai status ishte edhe produkt i subvencionimit masiv nga shteti dhe varfërisë në media të tjera kulturore. Një objektiv më i arsyeshëm do të ishte ruajtja e relevancës të leximit shqip, në rrethanat e reja teknologjike dhe sociale ku funksionon kultura sot dhe sidomos ku do të funksionojë nesër. Elitat kulturore që kemi duhet tani të paktën t’i kërkojnë një përgjigje pyetjes nëse shqipja do të mund të vazhdojë të mbijetojë si gjuhë dhe mjet shprehës i një kulture poli-funksionale edhe në rrethanat kur komunikimi po zhvendoset masivisht në mjediset virtuale të Internetit dhe rrjeteve sociale, apo do të katandiset në zhargon të rrugës. Nga mënyra si do të reagojnë para kësaj dileme, do të duket edhe nëse na kanë mbetur apo jo elita kulturore të mirëfillta, apo i kemi ndërruar prej kohësh me poseurs dhe aftësues ambiciesh politike.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet çdo lloj riprodhimi.

5 Komente

  1. Më bën shumë përshtypje fakti se të rinjtë e sotëm – flas për nxënësit e gjimnazeve dhe studentët, kategori lexuesish që i njoh mirë, sepse me ta punoj prej vitesh – edhe kur lexojnë (shumica e tyre, në fakt, nuk lexojnë, madje i vënë në lojë leximtarët, sikur këta të ishin njerëz ndryshe, të dhënë pas ndonjë vesi të fshehtë), lexojnë letërsi junk – vajzat kryesisht libra rozë, djemtë teori konspiracioni apo Mein Kampf-in. Edhe më për t’u çuditur është fakti se zgjedhje të tilla bëhen nga të rinj përndryshe mjaft inteligjentë e me rezultate të larta në mësime. Tani, mua më duket se e gjitha kjo nuk ka të bëjë aq me mënyrën se si ndërtohet dhe u shërbehet kanoni letrar studentëve tanë (se mos ndërtohej më mirë dikur, kur si sintezë përfundimtare e dialektikës së procesit letrar mbahej poema “Nënë Shqipëri”), por duhet parë si një simptomë e dekadencës së përgjithshme kulturore që ka mbërthyer Shqipërinë, çka ua vulgarizon aq shumë shijet të rinjve, saqë nuk ka shkollë apo “nismë” qeveritare që t’u bëjë dot derman. Sa po them ndoshta ngjan tepër e përgjithshme (madje edhe disi tautologjike), por une do të shkoja edhe më tej duke pohuar se kjo që po i ndodh kulturës letrare në Shqipëri nuk duhet parë si një aberracion sui generis, por si skajëzim i një prirjeje globale: zëvendësimit epokal të qytetërimit të fjalës (me rrënjë në shkrimet e shenjta dhe ato klasike) nga një qytetërim i ri, kulturalisht më i sipërfaqshëm, që bazohet tek teknika dhe flet me gjuhën e imazhit.

  2. Leximi nuk kthehet mw me sterhollime te gjata “filozofike”! Biles mu duk se shkrimi jep efektin e kundert me ate cfar don te arrije. Sot duhen masa paksa dragoniane ne kete drejtim, sidomos nga shkollat; pervec kesaj autoret vete duhet te bejne edhe me shume, ti nxjerrin shume nga krijimet e tyre ne internet, ti kthejne ne audio. Edhe ne drejtim te kritikes, nuk ka pse pritet ajo profesionale; edhe nje mendim dhe pershtypje e thjeshte leximi ben pune. Pervec kesaj, mua me duket se shume vepra autoresh shq. humbasin nga bukuria e tyre e gjuhes po te perkthehen ne gjuhe te huaja. Keto jave lexova nje liber letrar te Moikom Zeqos. Nje kryeveper e fjales shqipe. (Ne histori Moikomi ka lajthitur ca, por ne letersi eshte gjeni.) Nuk e di si mund te perkthehen shume fraza te librit!? Dhe ka shume autore te tjere shqiptare qe shkruajne bukur, me sa shohim her pas here ne internet. Por ka ardhur koha qe libri duhet cuar pak me zor tek lexuesit, qofte si liber, audio, apo internet.

  3. Elitat kulturore që kemi duhet tani të paktën t’i kërkojnë një përgjigje pyetjes nëse shqipja do të mund të vazhdojë të mbijetojë si gjuhë dhe mjet shprehës i një kulture poli-funksionale edhe në rrethanat kur komunikimi po zhvendoset masivisht në mjediset virtuale të Internetit dhe rrjeteve sociale, apo do të katandiset në zhargon të rrugës. Nga mënyra si do të reagojnë para kësaj dileme, do të duket edhe nëse na kanë mbetur apo jo elita kulturore të mirëfillta, apo i kemi ndërruar prej kohësh me poseurs dhe aftësues ambiciesh politike.

    Ky përfundim i bie gozhdës në kokë dhe vlen, për mendimin tim, jo vetëm për shqipen dhe kulturën shqiptare, por edhe për çdo fushë tjetër të jetës shoqërore në Shqipërinë e sotme – për ekonominë, shkencën, politikën, arsimin, mbrojtjen, sportet etj, për çdo aktivitet të organizimit social që bashkërisht e bëjnë një shoqëri të civilizuar dhe progresive, përkundër shoqërive tribale dhe regresive. Kambanat e alarmit për të ardhmen e shoqërisë shqiptare kanë kohë që po bien, por elitat e Tiranës kanë preokupime të tjera, ato të xhepit dhe të harbimit me pushtetin; punëve të tjera nuk ua kanë ngenë dhe atyre që nuk u pëlqen kjo, u tregohet dera.

    [Shkrime të tilla më bëjnë që të vij gjithnjë me kënaqësi këtu në PTF… Faleminderit A.V.]

  4. Duke falenderuar autorin për shtjellimin e shkëlqyer të problematikës dua të theksoj se gjithnjë problemi mbetet çfarë të lexosh?
    Bibliotekarët e sotëm po përpiqen ta zgjidhin këtë së bashku me rolin e ri të bibliotekave si një zgjidhje të “Information Literacy” ose ndofta do të mund të gjenerohet informacioni I selektuar direkt në memorjen tonë (mos e dhëntë zoti), duke na kthyer në robot.

    1. Ngaqë nuk ka kritikë letrare, as revista letrare me autoritet në fushën e diferencimit të vlerave letrare të tanishme nëpërmjet kritikës dhe analizës, besoj se një mënyrë për të zgjedhur librin e duhur është duke ndjekur autorët në daljet e tyre publike dhe duke ua lexuar intervistat qe japin në media. Ashtu mund të zbulosh nëse një autor thotë gjëra që ti i gjen të mençura, ose të ndjeshme, ose “kongjeniale” dhe pastaj mund të shpresosh se do t’i gjesh ato edhe veprat.

      Me falënderime edhe nga unë, për fjalët e mira.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin