Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Semiotikë

LABIRINTI TE ROMANI “BOLERO”

(Te një koment lënë ndaj shkrimit “Labirinte, harta dhe territore” të botuar sot paradite, Arjan Shahini vërente si “i paska shpëtuar Boleros ky shkrimi”; në fakt, e kam një kapitull në romanin tim Bolero ku e cek temën e labirintit dhe që po e sjell këtu në vijim.)

VITRIOL

Kishin qenë duke kërkuar një tren për të shkuar në më shpejt në qendrën kulturore B.A.M., në Brooklyn, te harta e metrosë e afishuar në platformë, kur Ariana e kish pyetur:

“Të duket gjë si labirint ty metroja?”

Nuk mbante mend si ishte përgjigjur; por pyetja i kishte mbetur në kujtesë. Të duket gjë si labirint ty metroja?

Kjo varet nga çfarë quan ti labirint, i tha ai sërish Arianës, këtë herë duke folur heshtazi me vete, tek priste një tren uptown në platformën e stacionit të avenysë së 7-të dhe rrugës 40; duke kërkuar pak urtësi ose ndonjë ndriçim tek-tuk, në faqet e gazetës që mbante në dorë.

Një rrugë e përdredhur, e cila duhet të çojë diku, me kusht që ta ndjekësh në drejtimin e duhur? Apo një burg djallëzor, në mos mizor, për të gjithë ata që nuk dinë si ta fitojnë lirinë?

“Po çfarë labirinti është ky, nëse unë mund të dal që andej sa herë të dua?” e kish pyetur ai, edhe pse jo në përgjigje të pyetjes së saj; dhe kushedi jo në të njëjtën ditë.

Kish menduar për labirintet e mirëfillta, ato nga të cilat deri edhe nuk mund të dilje dot, po të të kthehej mendja.

Kish menduar për ato labirinte, prej të cilave mund të shpëtoje vetëm me kusht që t’i përshkoje tejendanë, të dilje matanë.

Tek priste tani trenin, i vetëm në platformën e fjetur në midtown, u përpoq ta përfytyronte me aq sa mundej dhe ashtu si mundej, krejt masën e ndërliqshme të tuneleve, që shtrihej tri-dimensionalisht në barkun e gjerë të balenës Manhattan.

Njëlloj si shtetet në një hartë politike, që pasi i kundron shumë dhe shpesh vijnë dhe marrin një formë perfekte, logjike, aq sa të bindesh se nuk mund të kishin formë tjetër – edhe metroja e New York-ut, me degëzimet e saj të panumërta, kryqëzimet e linjave, ngjyrat e koduara i dukej tani si një figurë gjeometrike e nevojshme; mbase si topologji e përditshmërisë metropolitane.

Matematikani zviceran Euler ishte përpjekur dikur – gjysmë me shaka por pa sukses – të ecte përmes të shtatë urave të Königsberg-ut, pa kaluar dy herë në të njëjtën urë. E arsyetoi këtë pamundësi me një studim të posaçëm, dhe ashtu i dha fill një dege të re të matematikës: teorisë së grafeve dhe, më pas, edhe topologjisë vetë.

Çfarë teorie të re do të kish paralajmëruar Euler-i, mendoi, po të gjendej në metronë time?

“Nuk është puna vetëm t’i përshkosh tunelet, si miku yt dikur urat e Kaliningradit,” i kish thënë Ariana, që për arsyet e veta i referohej Königsberg-ut me emrin e vet të ri, sovjetik. “Duhet t’i përshkosh në drejtimet që lëvizin trenat.”

Se, në fakt, këtë bisedë e kish bërë edhe me Arianën: a mund t’i jepje një domethënie metrosë, përveç vlerës së saj të përdorimit? Nëse rrota është edhe rreth, nëse gjylja është edhe sferë, po metroja çfarë është?

Dhe kështu kish rënë fjala te labirinti.

“Vërtet, ti mund të dalësh që këtej sa herë që të duash dhe në çdo stacion që të duash,” i kish thënë Ariana; “por metroja e New York-ut është nga ato labirinte tek të cilat sfida metafizike për vizitorin nuk është të gjejë daljen, por vetëm qendrën.”

Një labirint me zemër.

Në qendër të labirintit të Kretës gjendej Minotauri: një gjysmë dem gjysmë njeri, fryt i përbindshëm i një akti seksual njëlloj të përbindshëm, midis mbretëreshës së Kretës Pasiphae, dhe një demi të bardhë lëbyrës.

Po ku i gjendej qendra metrosë së New York-ut?

Një enigmë që kish nisur si muhabet me “sikur”, por tashmë kish marrë formë gjeometrike: aq sa tani duhej ndoshta një Euler, për ta ftilluar.

Ose më mirë, softueri i ngarkuar në një kompjuter, mikro-procesori i të cilit t’i ngjante hartës së metrosë, ose vetë metrosë.

“Kur të arrish në qendër të metrosë, do ta kuptosh vetë,” kish thënë Ariana. “Por jo se do të ketë atje ndonjë tabelë, ose ndonjë mesazh përgëzimi.”

Dhe nëse atje, në qendër, nuk mund të arrije dot duke udhëtuar me tren, atëherë trenat vetë dhe krejt sistemi i transportit publik nuk ishin veçse një sistem mbrojtës, imunitar; ose një mënyrë për t’i mbajtur kureshtarët larg një zgjidhjeje të rastësishme.

Mbretëresha Pasiphae, nëna fatkeqe e Minotaurit, kish qenë edhe motra e Circes së Odisesë, mendoi ai, pa ndonjë lidhje.

Çfarë të jetë ky labirint? Mos vallë e kemi ndërtuar si bleta hojet gjashtëkëndore, verbërisht, ose pa e kuptuar se ç’parim të gjeometrisë sakrale kemi vënë në punë?

Çfarë demoni jemi rrekur të syrgjynosim në qendër të këtij… metrogrami?

“Ndoshta vetë numrat dhe shkronjat, me të cilat kemi emërtuar linjat dhe trenat, e fshehin zgjidhjen; mjaft të kërkosh atje,” kish thënë Ariana. “Ja: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7… dhe pastaj A, B, C, D, E, F, G, J, L, M, N, Q, R, S.”

Dhe kështu, në shoqërinë e zgjedhur të Pasiphaes dhe të Circes, ai kish kaluar nga tunelet dhe platformat e metrosë, në hapësirat magjike të një shifre, ose mesazhi për t’u lexuar dhe rikrijuar në mënyrë kabalistike.

Sepher Yetzirah. Ndoshta prandaj edhe disa shkronja mungonin, sikurse mungonin edhe linja; që zgjidhja të mos vinte padashur dhe qendra të mos u rivelohej vdekatarëve.

Prandaj në qendër të labirintit ai do të kish takuar jo Minotaurin, por golemin e sjellë në jetë nga leximi… jo, nga deshifrimi i kësaj shenje totale; dhe që nuk mund të ishte veçse matematikani që do ta arrinte këtë një ditë, duke plotësuar vetë gjithçka mungonte.

Prej mishi dhe kocke, ose prej silikoni; në trajtë të metrosë, ose edhe të mishëruar në metro, siç trupëzohet formula NaCl në një kristal të kripës së gjellës.

Një metro që mendon, mendoi.

“Po të kishte alkimistë sot, me këtë do të merreshin,” i kish thënë Ariana. “Mbase ata edhe janë aty, xhanëm; të fshehur në mes të turmës së udhëtarëve, fytyra mes fytyrash, dhe ne nuk i shohim dot, sepse ata nuk duan që ne t’i shohim. Ndryshe nga ne, që e përdorim metronë, ata përpiqen ta kuptojnë duke e përshkuar dhe nuk duan interferenca nga e përditshmja.”

Alkimistë të epokës post-teknologjike, që endeshin në tunelet e nëndheshëm për hir të eksperiencës; dhe jo për të shkuar gjëkundi, por në kërkim të gurit filozofik.

Fjala VITRIOL iu përhi në mendje –  akronim për Visita Interiore Terrae Rectificando Invenis Occultu Lapidem, “vizitoje botën e nëndheshme: nëpërmjet purifikimit, do të gjesh gurin e fshehtë.” Jo fjalë por moto, për diçka ku e ku më të madhe, se ai vdekatar i mjerë, që priste tani trenin në platformë.

Se ai jo gurin filozofik që nuk do ta gjente dot kurrë, por as Arianën nuk e kish mbajtur dot; edhe pse refuzonte, me këmbëngulje, që të shihte një lidhje mes këtyre dy dështimeve. Siç do të kish refuzuar Euleri, dikur, për t’ia modifikuar njëfarësoj urat qytetit të vet.

 

© 2015, Botimet Dudaj.

Imazhi në kopertinë: ilustrim i problemit të Shtatë urave të Königsberg-ut, të përjetuar dhe të formuluar nga matematikani Leonhard Euler-i, në 1736.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin