PUSHTETI POPULLIT

nga Agron Alibali

“Shqipëria, mjerisht, ka qenë shumë më demokratike para 20 vjetësh se sa sot”, do të më shprehej para ca kohe një analist i shquar shqiptaro-amerikan. Dikur demokracia përfaqësuese ishte më e zhdërvjelltë dhe gjithëpërfshirëse. Kurse sot, siç vërejmë qartë, pushteti është përqendruar në duart e kryetarëve të partive.

Protesta më e fundit e studentëve universitarë – që kapi në befasi vendas e të huaj në Shqipëri – duket se e konfirmon më tej këtë të vërtetë të hidhur.

Mirëpo, pavarësisht nga shkaku, në dukje teknik i protestës, si dhe domosdoshmëria e dialogut, thelbi mbetet një dhe vetëm një: shqiptarët kërkojnë zë, duan të jenë pjesëmarrës në vendimmarrje. Ata mëtojnë dhe meritojnë një demokraci mirëfilli përfaqësuese, gjithëpërfshirëse, të drejtpërdrejtë.

E pra, ishin ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, miratuar 10 vjet më parë, të cilat e kanë sjellë demokracinë parlamentare të vendit në krizën e tanishme.

Të kaluara me shpejtësi marramendëse, ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, në thelb e zgjeruan hendekun midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve në Shqipëri, duke e përqendruar pushtetin thuajse tërësisht tek krerët e partive.

Fare përmbledhurazi, amendamentet kushtetuese:

(i) goditën sistemin ekzistues zgjedhor të përzier, mazhoritar me elemente të proporcionalit, duke e kthyer në sistemin proporcional rajonal të sotëm;

(ii) praktikisht paralizuan kontrollin parlamentar mbi qeverinë me mocionet e besimit/mosbesimit, duke e bërë praktikisht të pazbatueshëm këtë mekanizëm thelbësor, dhe duke i dhënë kryeministrit pushtet të jashtëzakonshëm, deri madje në shkrirjen e parlamentit;

(iii) përmes ndryshimit të procedurës zgjedhore, e reduktuan në maksimum rolin e Presidentit të Republikës në emërimin e Kryeministrit.

E thënë shkurt, sistemi republikan në Shqipëri u kthye në një model të çuditshëm hibrid: çerek anglez, çerek amerikan, çerek spanjoll e çerek italo-gjerman.

E pra, jemi në rezultatin paradoksal që Kryeministri në Shqipëri gëzon atribute të ngjashme me kryeministrin sipas modelit anglez, paçka se Kuvendi nuk zgjidhet sipas modelit mazhoritar si në Angli, por sipas modelit proporcional, ku janë kryetarët a partive, dhe jo vetë zgjedhësit, ata që caktojnë kandidatët për deputetë…!?

Kurse në rrafsh vendor, modeli tradicional i pushtetit vendor në Shqipëri, i bazuar tek rrethet, u godit fillimisht me Kushtetutën e vitit 1998, që hoqi në rrugë të parregullt rrethin, si njësi themelore e atij pushteti.  Kurse pseudo-reforma e pushtetit vendor e vitit 2015, që ngriti 61 bashki, e zmadhoi ndjeshëm distancën midis qytetarit me pushtetin vendor, duke zgjeruar hendekun midis qytetit dhe fshatit, duke fuqizuar së tepërmi pushtetin e kryetarëve të bashkive, e duke minimizuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto deformime të pashembullta, qytetarit shqiptar i është cenuar ndjeshëm, në mos i është mohuar efektivisht, edhe e drejta e referendumit.

Rrjedhimisht, ndërmarrja e një nisme referendare në nivel kombëtar ose vendor – një hap ky krejt i thjeshtë e i natyrshëm në demokraci të përparuara si Zvicra dhe SHBA -, është thuajse i pamundur në Shqipëri…

E pra referendumi, si mjet thelbësor e i domosdoshëm i demokracisë së drejtpërdrejtë, përbën element të qenësishëm të vetë karakterit shoqëror të shqiptarit. E drejta e lashtë e pashkruar shqiptare bazohej tek vetëqeverisja gjithëpërfshirëse, që shtrihej madje edhe në struktura kapilare, e shprehur përmes pjesëmarrjes së gjerë në vendimmarrje në të gjitha nivelet.

Të penguar kësisoj nga mekanizmat e imponuara kushtetuese për të ushtruar të drejtat e tyre themelore, shqiptarët nuk gjejnë mundësi tjetër përveç ankesave nëpër kafene, protestave pa programe e pa objektiva transformuese, apo largimit nga vendi.

E pra, koha sot lyp hapa të guximshëm e tejpamës, që do ta largonin përfundimisht pushtetin nga krerët e partive, për ta kthyer atë aty ky meriton të jetë: tek zgjedhësit, tek popullit.

Çuditërisht, edhe mekanizmat kushtetuese për të sjellë ndryshimin janë të jo praktike, për të mos thënë të ngurtësuara.

E pra, si mund të dilet nga ky qorrsokak?

Një rrugë mund të ishte ndërmarrja e një nisme të veçantë nga Presidenti i Republikës, e mbështetur në traditën kushtetuese vendase. Ai mund të thërrasë një këshillë të të urtëve, ndofta të përbërë nga ish-Presidentët e Republikës.

I mbledhur sipas traditën së lashtë vendase të kuvendeve, dhe larg kamerave të mediave, klikimeve të mediave sociale apo “këshillave” të të huajve, Këshili i të Urtëve do të përgatiste disa amendamente kushtetuese që, në thelb, do të shfuqizonin devijimet e dëmshme të Kushtetutës së vitit 1998, si dhe amendamentet e vitit 2008.

Më konkretisht, Këshilli do të duhet të propozojë këto ndryshime në kushtetutë dhe ligje:

(i) kthimin në sistemin e përparshëm zgjedhor të përzier mazhoritar – proporcional;

(ii) anullimin e amendamentit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe rritjen e kompetencave të tij për konsultimet për emërimin ose jo të kryeministrit;

(iii) anullimin e amendamentit për mocionin e besimit dhe të mosbesimit, dhe miratimin e një amendamenti që lehtëson e thjeshton procedurën e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë;

(iv) ripërfshirjen e rrethit në kushtetutë, si njësi themelore e pushtetit vendor;

(v) thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave për referendumet; [kundërshtia e politikës ndaj referendumeve duhet të marrë fund];

(vi) rishikimin dhe përmirësimin e Kodit Zgjedhor, me synimin, në parim, heqjen ap minimizimin e kompetencave partiake, dhe kalimin e tyre tek zgjedhësit.

Më tej, përmes trysnisë popullore, dhe mbështetur në Nenin 177 të Kushtetutës, Kuvendi do të mund t’i miratonte këto amendamente kushtetuese.

E ardhmja e demokracisë në Shqipëri ka vetëm një rrugë: zgjerimin dhe thellimin e saj përmes rritjes së pjesëmarrjes e vendimmarrjes së popullit, e jo ngushtimin, përqendrimin tek dy-tre duar e largimin e saj nga zgjedhësit.

23 Komente

  1. Shkrimi i z. Alibali, per vlerat qe ka, duhet botuar ne sa me shume gazeta e faqe internetike.

  2. Keshilli i te Urteve eshte antikushtetues, Presidenti dhe ish Presidentet jane partiake, koncepti i Pleqesise nuk ka vlere ne kohe kur evolucioni politik e shoqeror eshte i shpejte, per te mos thene qe ne 100 vjetet e fundit evolucioni nga pikepamja historike eshte i papermbajtshem, cka i ka kthyer senatet ne gjithe boten ne anakronizma. Vetem Asamblea Kushtetuese e zgjedhur nga populli ka kompetenca sovrane. M’ane tjeter ndryshimet kushtetuese keta i kthejne mbrapsht apo shpikin ndonje ligj tjeter zgjedhor. Ketu ka marre fund edhe eksperimenti i parlamentarizmit sipas modeleve italiane e greke, ka kohe qe Parlamenti eshte kthyer ne rivalin javor te Portokallise. Qeveria gjithnje e ka kontrolluar Parlamentin, i ka bere rreshtore, keshtu qe nqs duam t’i japim ndonje dinjitet parlamentit, qe te pakten te mos jete Portokallia e se enjtes, atehere duhet ta shkepusim nga Qeveria, te kete nje proporcional kombetar ku te perfaqesohet kushdo qe te prodhohet debat parlamentar. Qeveria duhet te zgjidhet nga populli qe te mos kete nevojen te kape Parlamentin per fyti e ta barsaletizoje. Shqiptaret kane pasur vertet pleqesite, por funksionet dhe te drejtat e zotit te shtepise kane shkuar drejt miratimit te zotit te vendit dhe nuk ka ndryshuar gje. Sido qe ta modelojme/ne Kushtetuten ne avantazh te pleqesise/parlamentit , sistemi do te rimodelohet ne funksion te zotit te vendit, i pari i vendit, me pak fjale kancelarizem e presidencializem do te kete ne te gjitha rastet e kohet, sikunder deri me sot. Puna eshte a do e mbajme Pleqesine/Parlamentin si organ humoristik apo do i japim njefare serioziteti ? Parlamenti nuk e mban dot Qeverine eshte muhabet pa krye.

  3. Do te ishte me dobi qe autori te kishte permendur, qofte edhe perciptaz, arsyet e ndryshimeve kushtetuese te fundit, per te ndihmuar lexuesin te kete nje pamje me te qarte.
    Vetem atehere do te mund te flisnim nese keto ndryshime vyejten apo jo. Dhe nese jo, pse jo.
    A ja arriten qellimit?
    Edhe nje pyetje pak me abstrakte per autorin, nese me lexon…: sa kohe duhet te presim per te gjykuar nese nje mase korrektuese e nje sistemi eshte mase e mire, ka premisa per te patur sukses, megjithese rezultatet e shpresuara nuk duken ende?

    1. I/e nderuar, ju falenderoj shumë për komentin dhe pyetjet me vlerë.

      Ndryshimet kushtetuese më të fundit kanë të bëjnë me “vettingun” dhe reformën në sistemin gjyqësor. Ato janë sa masive aq edhe të pashembullta, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën…

      Besoj se ju ndërkaq, u referoheni amendamenteve të vitit 2008?

      Qëllimi i tyre në dukje, ishte i mirë: për ta zhdërvjelltësuar e përmirësuar Kushtetutën.

      Shqetësim përbënin, p.sh., procedurat tejet të ngurta e kufizuese për zgjedhjen e Presidentit. Ato procedura detyronin zgjedhjen me konsensus, përndryshe vendi shkonte në një varg zgjedhjesh e rizgjedhjesh të parakohëshme. Mirëpo rasti u shfrytëzua nga politikanët kryesorë të vendit për të konsoliduar pushtetin e kryetarëve të partive. Rezultati sot është skandaloz: qendra e rëndesës e pushtetit ka kaluar përfundimisht tek kryetarët e partive.

      Vetëm një parti e vogël, atëhere, protestoi, madje me grevë të stërzgjatur në Parlament. Mbaj mend se “ndërkombëtarët”, – aq shumë të ndjeshëm ndaj shumë dukurive shqiptare -, atëbotë heshtën si kurrë ndonjëherë. Kurse publiku vendas përgjithësisht qëndroi apatik.

      Ju pyesni nëse ia arritën qëllimit? Nëse qëllimi ishte zgjerimi i demokracisë dhe rritja e pjesëmarrjes së popullit në vendimmarrje, atëhere përgjigja është qartazi negative.

      Nëse qëllimi ishte konsolidimi i pushtetit të kryetarëve të partive, atëhere rezultatet janë mëse të qarta e të dukshme sot e gjithë ditën.

      Për pyetjen e fundit: “sa kohë duhet të presim…”. Përgjigja është komplekse dhe mund të jetë edhe e gjatë. Fare shkurt, do të thoja: “varet”.

      Për ta shtyrë pak më tej, do të shtjelloja se asgjë e keqe nuk vjen nga demokracia direkte. Le të pyetet e të vendosë populli. Ç’e gjeti Zvicrën ku e drejta e referendumit ushtrohet lirisht e rregullisht?

      Madje, sipas një opinioni të kualifikuar, shkalla e ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë të një vendi është në pêrpjestim të zhdrejtë — apo inversi – i nivelit të korrupsionit në vend.

      E pra, politikanët shqiptarë, si shumë syresh në BE, kanë alergji, neveri, apo mosdashje [aversion] ndaj referendumeve.

      Pra, për t’u kthyer tek pyetja tuaj, nëse masat korrektuese merren duke vjelë gjerësisht mendimin e popullit, gjasat për gabim janë më të pakta. Nëse ato rezultojnë të gabuara, të dëmshme apo që nuk japin rezultatet e pritshme, le të jetë sërish sovrani që t’i pezullojë a t’i përmbysë ato.

      Përfundimisht, lidhur me kushtetutat post-komuniste në Shqipëri, pa fjalë më e mira ka qenë Paketa e Ligjeve Kushtetuese e viteve 1991-1994, ndryshe të quajtura “Dispozitat Kryesore Kushtetuese”. Të miratuara me konsensus nga një Kuvend i dalë prej zgjedhjesh të pakontestuara, dhe të ideuara e të propozuara nga vetë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë – pa kurrfarë “këshillimi” nga “ndërkombëtarët”, – ato përbëjnë me të vërtetë “epokën e artë” të konstitucionalizmit shqiptar të periudhës post-komuniste.

      1. Agron, faleminderit per pergjigjen.
        Shume nga ato qe thua mund te qendrojne si ankesa me vehte por une nuk jam i bindur qe eshte Kushtetuta shkaku i ketyre te ligave, dhe as ndryshimi i saj ilaci.
        Mos me keqkupto, une personalisht mendoj se shumecka nuk shkon mire ne Shqiperi, por druaj te perqafoj propozime radikale.
        Jam me shume i prirur te shikoj mundesine e permiresimit te sistemit gradualisht, doradores me lindjen e nje problemi.
        Por sigurisht, me intereson shume te shikoj se cfare mendojne njeri apo tjetri qe nuk shkon specifikisht me nje sistem rregullash nen te cilin shkon jeten atdheu im.
        Psh, ju mendoni qe kryetari i partise ka shume pushtet, dhe kjo nuk eshte mire.
        Megjithese nuk jam i bindur qe kjo eshte anathema ne vetvehte, prape do isha kurioz te shikoja se si mund te riparohet kjo pune nga jashte partise meqenese deri tani te pakten nuk shikoj qe te kete ankesa nga brenda partise per kete “problem”.
        A kemi ne si publik te drejte qe te ndikojme ne punet e nje partie anetare te se ciles nuk jemi?
        Doktrina e “state actor” e Supreme Court of US eshte nje burim i mire per te nisur nje fare bisede per kete pune.
        Por nuk jam shume i qarte se si amendimi i Kushtetutes do mund ta zgjidhte kete problem me nje te rene…
        Me fal qe u zgjata dhe shendet…

  4. Modeli kushtetues qe kemi marre ne, ka burimim nga kriza qe prodhoi L2B ne Europe, ku kishte parti te forta komuniste, dolen parti te forta demokristiane, keshtu qe modelimi kushtetues u be ne funksion te kultures komuniste te sovjeteve/ keshillave dhe kultures se krishtere te keshillave ekumenike. Ne s’kemi ndonje fryme kushtetuese vendase, thjesht kemi marre kushtetuten kristiano-komuniste te Europes. Nqs nuk do e kishim kancelarizuar sipas modelit te zotit te vendit, kjo Kushtetute do prodhonte qeveri qe binin cdo 1-2 vjet. Gjermanet bene nje kancelarizim sipas modelit te tyre te Perandorit/Fyhrerit dhe prodhuan kancelare qe rrine ne pushtet nga 12-16 vjet dhe e kane kthyer konceptin e koalicionit te madh/ kompromisi historik ne Itali, ne praktike pune. Shkon robi voton majtas, del Merkelja kancelare, po si e qysh ka kuptim kjo ? Pra, keto kristianizma e komunizma qe bejne si bejne dhe gjejne gjuhen per te pasur nje qeveri, nuk jane demokratike, as kane fare lidhje me demokratiken, jane thjesht marreveshje per te pasur nje qeveri, ku dikush fut ndonje lek ne xhep se i ka dhene populli voten qe te negocioje per krijimin e qeverise. Ilir Meta me pak fjale, ose qepallimi i Bashes me ato ministrite dymujorshe. E njejta gje kudo ku ka nje sistem te ngjashem kushtetues, mblidhen tek Krokodili, pjellin ndonje qeveri teknike, shqep ketej e qep andej, me jep 20 deputete, te jap ca favore, te jap 50 deputete me jep 2 ministri.

  5. Mënyra se si përfaqsohemi; mënyra se si zgjidhen deputetët; mënyra se si zgjidhet kryeminitri; mënyra se si zgjidhet presidenti; kompetencat e presidentit; kompetencat e kryeministrit; forma e sistemit gjyqësor; forma e sistemit zgjedhor; ndarja e pushteteve; të gjitha këto janë thelbi i Kushtetutës.

    Ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës së miratuar me referendum popullor në të gjitha këto aspekte të mësipërme ia kanë ndryshuar thelbin asaj. Sot mund të thuash me plotë gojën që Kushtetuta e amenduar nga klasa politike shqiptare nuk është Kushtetuta e votuar nga Shqiptarët me referendum më 1998-ën.

    Pothuajse të gjitha ndryshimet dhe amendimet a bëra në Kushtetutë pas miratimit të saj popullor, për nga natyra e ndryshimeve, do duheshin të miratoheshin vetëm me votë popullore, jo nga salla e parlamentit.

    A është e mundur që një grusht njerëzish qoftë edhe të zgjedhur, qoftë edhe me shumicë, të mund të ndryshojnë kushtetutën për mënyrën se si ata vetë duhet të zgjidhen, për kompetencat e tyre, por edhe për të drejtat e votuesve? Kush ua ka dhënë këtyre këtë tagër? Sepse amendamentet kushtetuese të bëra nga salla e parlamentit nuk mund të kenë për qëllim t’i ndryshojnë thelbin kushtetutës? Aq më tepër të kryera nga një kast e korruptuar.

    Këta vërtet u zgjedhën të na përfaqsonin, por nuk u zgjodhën për të na ndryshuar formën e përfaqsimit!

    Natyrshëm lind pyetja: çfarë ndryshim ka midis kësaj Kushtetute dhe asaj të rrëzuar më 1994-ën, apo edhe asaj të periudhës së komunizmit? Përse u bë referendumi, kur fare mirë një Kushtetutë mund të formulohej nga njërëz të zgjedhur nga populli në parliament pa votim të drejtëpërdrejt?

    Përfundimisht kjo Kushtetutë në formën e saj ekzistuese nuk është një Kushtetutë legjitime. As klasa politike e dalë prej saj.

    Ky është një rend antikushtetues. Jo se nuk e dinim, por le të mos fshihemi më pas gishtit. Le të mos na flasim më në emër të ligjit, këta që tjetër ligj nuk njohin përveç atyre që bëjnë vetë. Aq më tepër konfirmohet kjo edhe nga fakti që nuk ka as Gjykatë Kushtetuese – përfundim llogjik i kësaj maskarade.

  6. Ne fakt mazhoritari me apo pa korrektim proporcional ne Shqiperi prodhon ganstera fshati e qyteti ose njerez te gansterave. Puna eshte kush e ka lekun se fushata kushton. Nuk eshte se mazhoritari zgjidh gje, eshte me i mire apo me i keq. Eshte me i keq se proporcionali kombetar sepse tek ky i fundit mund te hyjne ne parlament edhe njerez qe nuk jane gangstera. Prandaj nuk e ve shume ujin njeri ne zjarr per ndryshimin e ligjit zgjedhor, se mandati shkon tek leku, ndersa keshtu mandati shkon edhe tek leku, por ka edhe miratimin e zotit te vendit. Pra besimi shkon tek i zoti i vendit meqe keshtu edhe zgjidhet qeveria, nepermjet parlamentareve. Per shqiptarin mesatar ligji zgjedhor eshte me i miri per te prodhuar kancelarizmin qe shqiptari mesatar do dhe per te mos pasur ai vete drejtpersedrejti pergjegjesine per gangot e hajdutet qe hyjne ne parlament, sepse pergjegjesine ia jep kryetarit te partise. Pra ka indirekt faj, por jo direkt. Te kthesh ne kete pike rrumpallen kriminalizuese te meparshme, ne kushtet kur e dime te gjithe se kush e ka parane dhe kush do zgjidhej me mazhoritar eshte vetevrasje politike. Ketu vetem proporcionali kombetar ka nje minimum kuptimi, por ku do shoqeruar me votim te qeverise nga populli dhe me nje mekanizem te qarte referendar, qe nqs deputetet nuk bien dakort per nje ligj brenda ta zeme 2 muajsh, atehere ligji kalon ne referendum popullor per miratim. Keshtu eviton qe proporcionali kombetar te zvarrise ligjet e te na e beje te gjitheve jeten malore.

    1. Edhe une habitem me kete theksin qe i vihet ligjit zgjedhor,a thua se ai eshte burimi i te gjitha te keqijave dhe heqja e tij,bashke me Kongresin e 2–te dhe protesten e studenteve, do te na sjelle begatine.Nuk ishte ky ligj zgjedhor qe solli Sali Berishen e Pare,1996-n e 1997-n e keshtu me radhe.Sa here kur pas zgjedhjeve te kundershtuara (ne Shqiperi te thuash zgjedhje te kundershtuara eshte njefare pleonazmi do te thoshte i zoti i ketij blogu,se thuajse cdo here zgjedhjet jane kundershtuar e quajtur te parregullta,prandaj mjafton te thuash zgjedhje e ke thene te parregullta),pra sa here eshte kerkuar pas zgjedhjeve rishikimi i kodit a sistemit zgjedhor,mua me eshte kujtuar ajo gazmorja me ate qe shkoi te doktori dhe i tha: Doktor,jam shume i semure,me dhemb trupi kudo ku e ve gishtin.Epo paske thyer gishtin, i tha doktori. Ne fakt mua me duket se Shqiperia ka thyer me shume se gishtin,ndaj kur e ve gishtin ne ndonje pjese tjeter nuk kuptohet se cfare dhemb me shume,apo thjesht behet bashkim dhembjesh.

      1. E keqja i ka rrënjët thellë… E kemi marrë virusin që në kohën e Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit. Tani kemi veç këta antitrupat e rinj të protestës që po përpëliten duke luftuar me lëngatën, por kjo nuk mjafton. Duhet urtësi dhe shumë, shumë mendje të zgjuara të bëra bashkë për një qëllim.

  7. Hapni peticionin ne faqe – apo link – me nje draft dhe nje leter te hapur qe mund te firmoset nga disa personalitete publike. Ne populli do hedhim frimen ose do ngjyejme me gisht se nuk eshte turp. T’i dergohet kerkesa pocaqive ne Parlament dhe te mediatizohet. Perndryshe, teori ne nje vend ku vlen e bera dhe jo e thena.

  8. I vihet theksi, sepse ndryshon natyren ose frymen kushtetuese, nga demokraci parlamentare kthehet ne kancelarizem, ne rastin tone kancelarizem me nje doze te madhe autokracie, sepse me kancelarizem/presidencializem Qeveria zgjidhet nga populli, por jo detyrmisht kontrollohet parlamenti, sepse nuk eshte e nevojshme te kapet, kurse tek kancelarizmi yne, parlamenti eshte i detyrueshem te kapet nga kryeministri, sepse i kercenon drejtperdrejti pushtetin. Si e the edhe ti, mazhoritar apo jo ,Saliu e kapi parlamentin per fyti edhe gjate Berisha 1 edhe para ndryshimeve kushtetuese. Ketu ca Kushtetute te besh, Kryeministri do e ktheje Parlamentin ne farse, sepse po i dhe me shume pushtet parlamentit sesa Qeverise, atehere ketu o do kapet parlamenti nga Qeveria o do kapet parlamenti nga banditet. Mazhoritari eshte garant qe gjithe banditet dhe njerezit e tyre do i kapin mandatet parlamentare, kujt ia mban neper qytete e fshatra te merret me grupe banditesh qe xhirojne gomat e fuoristradave dhe nxjerrin kallashet nga xhami. Sigurisht qe ky kancelarizem autokratik i ketyre 28 vjeteve, duhet demokratizuar, prandaj them se me e mundshmja per kulturen shqiptare dhe e mbeshtetur dort ne aspektin teorik te ndarjes se pushteteve eshte kancelarizem demokratik, ku Kryeministri zgjidhet mga populli dhe s’e ka te domosdoshme t’u beje rreshtore deputeteve, aq me mire nqs zbatohet proporcional kombetar, i cili pamundeson nje shumice parlamentare, keshtu do kete debat parlamentar qe gjithsesi nuk ia pamundeson qeverisjen kryeministrit, te pakten jo aq sa t’i duhet te rrije 12 ore ne dite duke menduar se kush po ia fut, se i duhet sahanlepiresi me besnik i mundshem etj gjera qe mundesojne sot keto situata tragjikomike.

    1. Thashe nuk e di pse i kushtohet ketij ligji qe eshte tani, te 2008-s e cfare viti eshte, se kam pare qe ka filluar nje si fushate kunder tij, madje edhe protesten e studenteve e lidhin me te, kaluan nga ligji i arsimit te ligji zgjedhor. Me sa mbaj mend, ky ndryshimi ligjor a kushtetues u be me qellim vrasjen e partive te vogla, sidomos LSI-se, qe shiheshin si ato mizat qe i silleshin verdalle tortes se pushtetit dhe i bezdisnin dy partite e medha. Megjithate, nuk besoj se problemi ne Shqiperi eshte ligji zgjedhor dhe besoj se kane per t’ia gjetur anen cfaredo lloj kancelarizmi.

      1. I vihet verdalle tani qe te rihapet gara per partite e reja te mundshme, pra duan qe partite e reja te marrin ndonke deputet nga 40 vendet e korrektimit proporcional te mazhoritarit. Mirepo per si e kam pare dhe e shoh kete muhabet, ketu partite e reja duhet te jene te fuqishme qe te cajne ligjin aktual, perndryshe nqs i varin shpresat tek ndonje korrektim proporcional me 1 apo 2 deputete me kujtojne Kreshnik Spahiun qe 6-7 muaj para zgjedhjeve iu qep xhamise tek rruga e Kavajes, per te garantuar mandatin e vet personal ne Tirane dhe filloi me dylbira e janulla, qe t’u shkelte syrin xhamillareve. Keto jane gjera shume meskine, qe te orientosh levizje madhore drejt ndonje mandati te qelbur personal. Levizja studentore duhet te prodhoje gjera me vlere jo 2-3 mandate te qelbura per 2-3 particka te reja. Kushtetuta duhet te pasqyroje gabimet e te kete ndryshime serioze, sepse qartazi ka deshtuar ne rolin e saj, jo te merremi tani me utopira kristiane e komuniste.

  9. Nëse ka ndonjë zë autoritar për të majtën shqipatre, ky me siguri duhet të jetë Pëllumb Xhufi. Ja çthotë sot në Gazetën Dita për ndryshimet kushtetuese të 2008-ës:

    Po aq e ngjashme ka qenë PS me PD edhe për sa i përket ndërtimit të sistemit politik. Mjafton të shohësh se si këto dy parti nuk flasin fare për nevojën e anulimit të ndryshimeve liberticide të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, të realizuara me ujdinë PD-PS të vitit 2008. Siç përvoja e këtyre viteve ka treguar tashmë, ato ndryshime ishin atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit. Nuk bëzan për zhbërjen e atyre ndryshimeve as partia që atëherë i kundërshtoi me forcë ato. Me sa duket, në gjirizet e sistemit anti-sistem të inauguruar nga ndryshimet në fjalë, edhe LSI ka gjetur strofkën e saj të ngrohtë të pushtetit.

    Shikoni se si ndryshimet kushtetuese të kobshme të vitit 2008,- që përcaktuan që kryetarët e partive kanë të Drejtën e Monarkut për të hartuar listat e deputetëve, për 10 vjet jo vetëm që kanë krijuar një negativitet dhe një përfaqësim të nivelit të ulët dhe mediokër të politikës, por në të vërtetë kanë penguar në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike, të krijimit të formacioneve të politikanëve të rinj. Në të vërtetë ky është një dhunim kushtetues, që askush nuk e di se kur do të shmanget dhe anulohet”

    Nëse studentët do duan t’i bëjnë një shërbim të paçmueshëm shoqërisë shqiptare, le të shtrojnë tek takimi me Kryeministrin edhe problemin e reformës zgjedhore e të asaj kushtetuese, për të cilin qeveria dhe akoma më shumë opozita heshtin. Kjo do të sillte hapjen e sistemit dhe mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të paraqiteshin parti të reja. Dhe për ta thënë deri në fund dëshirën time, do të doja që këto parti të reja, qofshin të majta, të qendrës apo të djathta, të ishin produkt i kësaj lëvizje të madhe studentore të vitit 2018”

    Enough said.

    Meqënëse Kryeministri kërkon dialog, ja ku e ka edhe axhëndwn e dialogut të parashtruar nga Xhufi: shpall antikushtetues sistemin e tanishëm dhe fillo nga puna për restaurimin e kushtetutës.

  10. Xhufi si “Restitutor Orbis”, ende ka endrra me gjera te shkuara, por te paharruara. Po Restitutor Orbis behesh me shpate si Aureliani, jo me interviste. Kane dale majtistet per te restauruar mosqeverisshmerine e vendit, deri ne Diten e Madhe.

  11. Hartimi i Kushtetutes ne mbikqyrjen e aktorit Imami dhe shkrimtarit Godo. Tani, Cipi, nje regjizor do te korrigjoje punen e aktorit Imami dhe skenaristit Godo. Na doli nje film ketu, titulli me qene kulturor, si me ken’ shkodran. Na mungon vetem Agim Krajka qe te beje kolonen zanore per gjyshen. Tani une nuk them qe Kushtetuta eshte pune kostitucionalistesh se na takon te gjitheve, por qe ne gjithe kete mesele te mos gjesh kokrren e kostitucionalistit, me shume sesa film ky eshte teater. Te therrasim edhe Noizin se ca mendimi ka per kete pune, te na e thote ne vargje se i dalin te bukura. Ka ndonje sens mase e pergjegjesie ne kete vend apo hic fare. Keto gazetat qe botojne mendimet e vyera te elites, kane keto ndonje kriter botimi apo me qoka e urdhera do funksionoje kjo pune sa te jete jeta.

    1. Hyllin,

      Nuk e kuptoj mirë komentin tuaj. Pse e konsideroni si qokë apo me urdhër shkrimin e Çipit?

      Megjithatë po replikoj mbi atë pjesë që kuptoj. Juristët në Shqipëri janë ose të investuar në sistem (sepse punojnë vetëm me shtetin), ose pa punë dhe eksperiencë. Shqipëria ka pësuar një hemoragji të trurit që nuk riparohet dot lehtë. Ç’duhet të bëjnë ata pak njërëz intelektual që u ka ngel një fije ndërgjegje? Të mos flasin? As Çipi nuk po pretendon ta shkruaj Kushtetutën.

  12. Po sepse perpos protestee se studenteve, partite po bejne ca ndryshime ne kodin zgjedhor dhe si zakonisht ky eshte momenti kur dalin intelektualet, te cilet smarrin vesh gje po shkruajne ndonje gje. Nuk eshte e vertete qe juristet jane ne sistem kurse intelektualet jane jashte, askund e kurrsesi. Po ja ta marrim argumentin e Cipit. Ai thote qe neni 177 e pengon popullin te shprehet me ane te referendumit dhe thote ky eshte uzurpim i sovranitetit, prandaj populli te mblidhet para parlamentit qe te marre sovranitetin nga 140 grabitesit. Ne fakt popullit i ndalohet referendumi edhe per Ligjin e Buxhetit e per ligje te tjera, cdo bejme do mblidhemi qe te marrim te drejtat sovrane ? Populli nuk eshte thirrur per referendum nje here te vetme gjate 20 vjeteve, ca rendesie ka te kesh nje te drejte te shkruar me shume, kur sta vershellen njeri. Ne fakt ka arsye pse popullit nuk i lejohet te shprehet me referendum ne shume raste, qe ka te beje me natyren perfaqesuese te demokracise dhe me principin e qeverisshmerise qe eshte po aq e rendesishme sa edhe demokracia, me sakte nuk eshte e kuptueshme demokracia nqs nuk mundesohet qeverisshmeria. Tani vete Cipi thote hajde e grisim Kushtetuten e ketyre dhe bejme nje tonen. Perderisa sovrani e gris nje Kushtetute dhe ben nje te re ( ne 100 vjet i kemi bere nja 7 a 8 Kushtetuta), atehere ca kuptimi konceptual ka te thuash se Kushtetuta po pengon Sovranin. Sovrani e ka Kushtetuten leter higjenike, sepse sovrani ka pushtetin absolut, ne kete koncept eshte mbledhur fuqia e njeriut dhe fuqia e Zotit. Kushtetuta e permend popullin si sovran vetem njehere, pastaj i largohet e tmerruar konceptit te sovranit, sepse te ha buba. Me tej permendet populli, ne kuptim kontraktualist, jo thjesht ne te sovranit, i cili eshte koncept vetvetiu i tmerrshem. Pushteti i popullit fillon e kanalizohet ne institucione, per te perfunduar ne 50%+1, qe eshte principi i mirefillte demokratik qe aplikohet ne referendum, krijim qeverie e me radhe. Nqs ndryshimet kushtetuese duam 2/3 e deputeteve dhe jo 50%+1 te popullit ne referendum, kjo eshte edhe menyre qe nje parti politike te mos marre e fshije me referendum gjithe kushtetuten, i fut edhe nje te fshire Gjykates Kushtetuese dhe na rrofte referemdumi. Pra nuk perfaqeson aspak nje limitim te sovranit si i tille, por limitim te ndonje autokrati qe fshin gjithe Kushtetuten fale mbeshtetjes popullore. Perndryshe Sovrani e gris fare Kushtetuten jo me ta limitoje Kushtetuta apo 140 deputete apo 1400 mafioze. Kushtetuta nuk ka kapacitet real te limitoje sovranin si te tille, thjesht limiton abuzimet qe behen ne emer te sovranit. Se thote Kushtetuta qe sovrani shprehet me vote, nuk do te thote qe sovranit nuk ka goje te flase, gure te hedhe apo fisheke te shtije. Sovrani ben ca i do kokrra e qejfit, populli partiak nuk ben dot cfare te doje.

    1. Hyllin,
      Unë nuk jam jurist, as konstitucionalist dhe jam i ndërgjegjshëm që po hyjë në një fushë të minuar. Por është e qartë për mua, sikurse del nga shkrimi dhe komentet e zotit Alibali, se Kushtetuta e tanishme nuk është më Kushtetuta e 1998-ës.

      Po ashtu referendumet, ndryshe nga sa propagandohet, jo vetëm që nuk janë të tepërta, por janë të nevojshme. Në Amerikë në çdo palë zgjedhje, pra të paktën çdo dy vjet, ke në fletët e votimit ke një list me referndume lokale, duke nisur nga cështje të përdorimit të mariuanës, transportit public, survejimit në ambientet publike, planifikimit urban, të drejtave të pakicave, etj. Kjo është demokracia. Aq më tepër kur bëhet fjalë për kushtetutë në një vënd si Shqipëria.

      Edhe kushteuta Amerikane, vërtet ia delegon Kongresit dhe Senatit ndryshimet kushtetuese, por ki parasysh që kompleksiteti politik administrativ dhe ekomomik i qeverisë federale nuk është i njëjtë me atë të Shqipërisë. Në amerikë filtrat e demokracisë dhe sistemit ligjor funksionojnë në mënyrë quasi perfekte. Gjykatat dhe vetë Gjykata Kushtetuese vazhdimisht rrëzojnë ligje që vete Kongresi dhe Senati i ka miratuar. Kurse këtu nuk po rrëzojmë dot një ligj për Teatrin, për të cilin e ka marrë vesh i madh e i vogël që është klientelist dhe jo-kushtetues.
      Kjo çështja se kush ka të drejtë të kërkoj ndryshime kushtetuese u bë si puna e atij vettingjut për “ajfonat” .

      Studentët nuk duhet ta kenë më të madh se kryeministri, përndryshe të deklarojë të ardhurat! Po kush po pyet për llogaritë bankare miliona dollarshe dhe vilat në Surrel! Pra, këta (klasa politike flas) kanë të drejtë ta ndryshojnë kushtetutën sipas qejfit, por populli jo?

      1. Si e thashe une jam dakort qe cdokush ka te drejte te flase per kushtetuten, ashtu si ta zeme cdokush ka te drejte te flas per gjuhen shqipe. Por, nqs per gjuhen shqipe nuk flet asnje gjuhetar, asnje shkrimtar, asnje filozof i gjuhes, por flasin vetem doktorat, aktorat dhe piktorat, kalojme ne karagjozllek publik, meqenese ka ne arsye pse ekzistojne gjuhetaret, shkrimtaret dhe filozofet e gjuhes, arsyeja eshte pikerisht gjuha. Pra, ketu calon sistemi dhe kriteret, sepse sundon pehlivanlleku, qokat dhe urdherat e partise apo biznesit. Gjithsesi, e dime qe eshte bere mullar, stendiamo un velo pietoso, konkretisht ceshtja e referendumit si mjet shtrohet ne menyrat qe i takojne gjithesecilit, jo me nene specifike dhe thirrje te kota. Kushtetuta eshte si loja e shahut dhe kostitucionalisti eshte kampioni i shahut, nenet specifike jane buka e perditshme e tyre. Ashtu si ne Amerike edhe ne Itali cdo hap qe ben qeveria apo parlamenti dalin 176 kostitucionaliste qe i thone ne stil shahisti, po bere kete levizje, ai do beje ate, pastaj ti kete, ai ate, ti andej, ai ketej dhe ja ku dole Mat, me pak fjale shkele Kushtetuten. Ne Itali ligji zgjedhor nuk eshte fare ne Kushtetute, ka pasur nje periudhe qe ligji i ndryshuar prodhonte presidencializem dhe keta akoma sot nuk dine ca ligji zgjedhor te bejne. Ne ndryshim nga Amerika, qe ka rigorizitet logjik ne ndarjen e pushteteve, demokracia parlamentare eshte anomali, sepse populli voton vetem parlamentin dhe ky pasi behet monopolist i sovranitetit e shperndan ne ekzekutiv dhe gjyqesor. Kjo anomali sjell kudo nderhyrje ne ligjin zgjedhor dhe ligji zgjedhor duhet te jete fleksibel perndryshe nuk formohen qeverite dhe Italia ka shembuj te pafundem sesi nuk qeveriset dot nje vend. Ne kete kuptim une jam dakort me referendumet, por jo me keta qe kujtohen per Kushtetuten vetem kur u shkelet ndonje interes, sepse Kushtetuta nuk eshte loder per interesa partikulare, po kete kushtetute ia dhane ne dore partive te vogla, atyre u interesonte ligji zgjedhor me korrektim proporcional qe te hynin vete, e futen ne Kushtetute, bene sikur e kane hallin tek Diktatori keshti e vune gjethen e fikut, per te mbuluar interesin e tyre te personal. Kjo kushtetute ka lindur me difekte, eshte personalizuar dhe kapur qe ne gjeneze, keta thjesht po e personalizojne dhe vazhdojne ta kapin per interesat e tyre. Me pak fjale keta po ndjekin Frymen e Kostituentit, Kushtetutja eshte e imja, topi eshte imi, penalltine e gjuaj vete. Cfaredo qepje e shqepje qe i behet kesaj kushtetute eshte ne Frymen e Kostituentit,aktorit Imami e shkrimtarit me te mesme Godo. Prandaj them qe Kushtetuta eshte per t’u ripare ne funksion te demokracise e referendumit, nga nje ane dhe qeverisshmerise e ndarjes rigoroze te pushteteve nga ana tjeter. Demokraci+Arsye, keto jane perberesit, jo Frika+Interesi Personal, si i ka kjo e 1998-s.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin