SHËNIME PËR NJË PROTESTË

Nga Edion Petriti

Praktika e protestës ka natyrë thelbësisht etike: nëse përqafon kauzën e dhunës, është e prirur të dështojë me themel. Teksa realiteti i jashtëm ndryshohet falë veprimit të dhunshëm politik, kushti paraprak që e mban më këmbë shoqërinë është: përcaktimi i së mirës së përbashkët.

Nëse do përpiqeshimt’i shtonim këtij parimi, duke dashur ta bëjmë më të mirë, më të drejtë e më të ndershëm (për kë?) ahere do përpiqeshim të përsërisnim kushtet paraprake (gjërat janë keq, duhen ndryshuar, nga kush, për kë?) të këtij qëllimi pasi ai zbatohet. Duhet pasur kujdes se kush përfiton nga menaxhimi i pakënaqësisë popullore (në këtë rast, studentët). Ndoshta mund ta shohim më vonë këtë “botëpërmirësues”, siç i quan Habermasi, në ndonjë post politik: kandidat për deputet, këshilltar bashkiak apo ndonjë post tjetër me emër bukurtingëllues, ama tërësisht të panevojshëm të kësaj natyre, të ngritur aty për aty. Ndonjë “abstraktor kuintesence” plus përfitimet. Protestën e kufizon diçka që është “pikëpamja e saj për veten”. Diçka që kur arrin synimin e vet politik, vjen dalëngadalë e zhduket. Filozofia nuk mund t’i thotë botës se ç’duhet të bëjë; gjëja e vetme që i mbetet është ta frymëzojë në udhën e mospërdorimit të dhunës për qëllime politike. Filozofia mund të na pajisë me mjetet e duhura për t’u bërë një kritikë institucioneve shtetërore. Ka po atë funksion që ka linguistika karshi gjuhës: e analizon për ta kuptuar e përdorur më mirë, e nganjëherë për t’u shpëtuar lajthimeve e grackave të saj. Nuk është detyrë e filozofisë dhënia e direktivave për keqpërdorim të veprimit politik, ama filozofia shpeshherë ndihmon për t’i kuptuar ato.

Nëse një protestë lidhet pazgjidhshmërisht në një bashkim personal me ndonjë “eminencë rozë”, ajo do ketë fatin e atyre martesave të palumtura ku çifti do të ndahet, ama nuk ka se ku të shkojë me banim. Kur ideja e protestës konceptohet si udhëzim për veprim të qëllimshëm politik, atëherë ajo përfshihet medoemos nga ai lloj subjektiviteti të themeluar mbi ndjenjat, shijet apo opinionet personale.

«Filozofia si fazë parapërgatitore për praktikën politike shndërruese»

Sendërgjimi a marrja peng e një proteste për të krijuar perceptimin e një qeverie tolerante ndaj këtij lloj veprimi politik është një nga gjërat më të neveritshme që mund t’i bëhen një demokracie. Është preludi i shumë ngjarjeve të pakëndshme që do të ndodhin më vonë, duke nisur me bjerrjen e të drejtave dhe lirive qytetare që deri dje merreshin për të mirëqena.

Kjo do të thotë t’i vesh përpara një shoqërie të pakënaqur nocionin e vet – shumë të varfër, do thosha – vetjak. Është në natyrën e pakënaqësisë të bartë në vetvete mosbesimin ndaj tjetrit, që kërkon të përligjet nëpërmjet dhunës ose gjegjësit të saj në fushën e ideve: mashtrimit dhe përdorimit të të tjerëve”.

Protesta është një prej mjeteve me anë të së cilës realizohet fati historik i një kombi: një demokraci e papërkryer që lufton përjetësisht me ata që duan t’i hyjnë në pjesë pa të drejtë.

Ka qytetarë që për hir të së drejtave të tyre, sakrifikojnë duke dalë nga rrjedha e zakonshme e jetës private. Nuk jam aq naiv sa të besoj se roli e detyra e filozofisë është të lerë mënjanë politikën dhe të kufizohet vetëm te soditja e vetvetes. Një nga detyrat e filozofisë është edhe të përligjë para instancës së lartë të opinionit publik përmbajtjen e veprimit politik, duke e zhveshur nga lëvozhga e ideologjisë. Për gjithë ata që nuk e dinë, ideologjia është një “res mirabilissima” – një mjegull mitike pas të cilës fshihen njerëz shumë të vegjël, me interesat e tyre personale. Protesta është një simptomë se në marrëdhënien shoqëri-shtet ka diçka që nuk shkon. Për më tepër, mund të lexoni “Shkrimet politike” të Hegelit, Tiranë, 2000.

© Edion Petriti, dhjetor 2018.

2 Komente

  1. Une hyj tek naivet qe e le filozofine te sodise dhe ta shpjegoje realitetin, pasi ai eshte kryer. “Realizm”i marksist i filozofise transformuese te realitetit e ka cuar boten nga praghumnera ne praghumnere. Habermasin sdo e fusja fare ne politike po do ia lija komunikimit, se politologjia ka mjaftueshem politologe e doktrina filozofike, kurse komunikimi ka nevoje. Pastaj te konkludosh se “protesta eshte nje simptome qe tregon se ka dicka qe nuk shkon ne marredhenien shoqeri-shtet” , per kete nuk duhet ndonje traktat filozofie, as Marksi e as Habermasi, mjaftonte i perndrituri e i madhnueshmi Nard Ndoka. Ketu une do te isha kurioz te dija cfare eshte kjo gjeja qe nuk shkon dhe pse ka ardhur deri ketu, gje qe hyn brenda kapaciteteve shpjeguese te realitetit qe ka filozofia.

    1. Hyllin, i dërgova një përgjigje disi të gjatë të zotit të shtëpisë, për t’i shtjelluar edhe më tej idetë e shkrimit, një pjesë e dytë plus apologjinë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin