Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë / Letërsi

DE RADA – KY REAKSIONAR I PAPENDUAR

Tamam kështu. Po bëhen më shumë se njëqind e pesëdhjetë vjet që në studime të veçanta, në mongrafi voluminoze e në seminare shkencore, kur vjen puna për të analizuar qëndrimin politik të J. de Radës ndaj revolucionarëve të viteve ’40 të shekullit XIX-të (të atyre që bënë Italinë) problemi ose kalohet në heshtje ose hidhen ide të tilla si ato të Petralione-s, sipas të cilit De Radën idetë e tij politike e bëjnë « pak simpatik » dhe bile « reaksionar të papenduar ».

Ide të tilla deri vonë janë përcjellë edhe në brigjet e këtejme të Adriatikut. Në ndonjë tekst shkollor, duke folur për ngjarjet e vitit 1848 në Mbretërinë e Dy Siçilive thuhet se në ndeshjen e forcave reaksionare dhe revolucionare, De Rada « s’diti të orientohet ». Ndërsa në kumtesat e sesionit shkencor të vitit 1964 kushtuar De Radës u tha : « poeti ngjan të jetë treguar skeptik ndaj revolucionit të vitit 1848 ».

Pra, në tërësi, me fjalë a me heshtje, synohet të thuhet se De Rada nuk i kuptoi si duhet idetë e « Risorgimento-s ». Dhe me këtë rast lihen mënjanë një sërë faktesh që hedhin dritë mbi të vërtetën e ideve të tilla politike të De Radës.

Nuk përjashtohet mundësia që në fillimet e veta, sapo zbriti në Napoli ai të ketë patur vërtet mjaft paqartësi e tronditje. Thotë diçka kalimthi se sa u shqetësua nga « liria e dy sekseve » në atë qytet të madh tek shihte të rrinin bashkë djem e vajza dhe e njëjta gjë ndodh edhe kur bie në kontakt me filozofët francezë të shek XVIII- pra të atyre që përgatitën Revolucionin, idetë e të cilëve e leqendisën së tepërmi atë djalë prifti, të thjeshtë e provincial. Po duket se do të ketë qenë një gjendje kalimtare ajo kur kishte vështirësi të pranonte idetë antiklerikale dhe antimonarkiste të shekullit të tij.

Kësaj po i shtoj faktin se në të mirë të ideve të tij (të asaj kohe) nuk flet as fakti që botimin e parë të “Milosaos » 1836, ai ia kushtoi Dhimitër Lekës (Lecca) (një shqiptari nga mëmëdheu, siç thotë), por që ishte “Maresciallo di Campo di Re” të themi një lloj komandanti të Gardës së Ferdinantit të Dytë, i cili nuk do të ngurrojë të masakrojë e të mbysë në gjak çdo lëvizje antiburbone e midis tyre do të vrasë edhe arbëreshë të shquar.

E megjithatë, ndërsa tamam në atë periudhë u kthye në fshat, sepse kudo po shfaqej kolera, ai ra në kontakt me njerëz, që me sa duket kërkonin të nxirrnin përfitim nga një rrethanë e tillë dhe përhapnin fjalë se vdekjet nuk i shkaktonte kolera por se ishin agjentët e monarkisë që kishin nisur të helmonin njerëzit kudo. Një situatë e tillë fermentoi një farë kryengritjeje, ku vetë De Rada, besonte apo jo në atë që po ndodhte, u zgjodh në krye të konspiratorëve të Kozencës dhe forcave antimonarkiste në rrethinat e San Demetrios. Kryengritja nuk do të shpërthejë kurrë dhe poeti ynë do të marrë arratinë, i përndjekur. Mjaft më vonë emri do t’i hiqet nga lista e atyre që kërkoheshin nga policia në saje të miqve të familjes, por edhe të emrit që kishte krijuar si poet, thotë diku. (Një prokuror që kishte lexuar Milosaon, dogji akt-akuzën.)

Në përfundim të kësaj aventure ai do të kthehet përsëri në Napoli, ku thotë se kishte në shpirt dy fantazma, lavdinë e poetit dhe revolucionin.

Dhe menjëherë pas këtij paragrafi ai të lë pa mend kur thotë se: “shumë shpejt unë njoha ambicjen kadaverike dhe mëndjetrashësinë e Mazzini-t dhe pasuesve te tij”. Të futura në thonjëza a të cituara lirshëm këto mendime të shkruara të De Radës , ka më se një shekull që njohin interpretime nga më të ndryshmet. Kjo edhe pse, pak rreshta më poshtë ai shton se ishte i magjepsur nga mirazhi i lirisë greke dhe romake, “që bënte të më dukej arbitrare dhe shtypëse monarkia absolute”.

Por duhet pranuar se të flasësh për G. Mazzini-n në një mënyrë të tillë është gjësendi mjaft e rëndë. Shumë e rëndë. Mazzini është ideatori më i madh i bashkimit të Italisë, ndërkohë që ajo ishte përçarë në shtatë a tetë feude e monarki absolute dhe ushqeu me idetë e tij breza të tërë burrash të mëdhenj si Gioberti, Garibaldi etj.. Dhe ndërsa për idetë e tij republikane ai përndiqej nga policia e të gjitha vendeve të Aleancës së Shenjtë, ja vijnë edhe të sharat dhe inatet e De Radës ndaj tij.

Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Duke u kujdesur për një sintetizim maksimal të informacionit (për ngjarje që kam përshtypjen se sot nuk u interesojnë shumë vetëve), po përpiqem t’i shkoj në fund të vërtetës së këtyre opinioneve, thellësisht reaksionare në formën që paraqiten.

Së pari nuk ka asnjë të dhënë që De Rada të ketë njohur personalisht G. Mazzini-n. Ky themeloi organizatën më me rol në historinë e Italisë “Italia e re” në Marsejë, më 1831, ku pasi nxjerr edhe numrin e parë të gazetës me të njëjtin titull, detyrohet të zhvendoset në Zvicër, ku themeloi “Evropën e Re”. Në këtë periudhë në Itali ishte dënuar me vdekje dhe nuk ka asnjë shenjë të pranisë së tij në atë vend. Dikur detyrohet të ikë edhe nga Zvicra dhe gjen strehim në Angli ku qëndroi 12 vjet. Kësaj periudhe i përkasin opinionet e De Radës për të dhe pasuesit e tij.

Takimin e parë me ata që paraqiten si përfaqësues të Mazzini-t De Rada do ta ketë gjatë kthimit të dytë në Napoli, pas epidemisë së kolerës. Ndërkohë që kryen stazhin e avokatit, ai me një letër rekomandimi të Rafaele Anastasios merr takim me Benedeto Musolino-n, që ishte përfaqësuesi i Mazzini- në Napoli. De Rada është në shoqëri të dy miqve të tij (A. Frashinit dhe Dh. Strigarit), por pas paraqitjes Musolino as që ia kërkon fare letrën e rekomandimit, e cila ai thotë se “mbeti në fund të baules sime” dhe më vonë, kur do të arrestohet, do t’i rrezikojë seriozisht jetën.

Po cilët ishin me të vërtetë Rafaele Anastasio dhe Benedeto Mussolino? Ndriçimi i personalitetit të tyre, veçanërisht i atij të B. Musolino-s, ndihmon shumë për të kuptuar të vërtetën e opinioneve politike të De Radës. Për këtë çështje, burimi kryesor i informacionit do të ishte libri Jeta ime (Ricordanze dela mia vita) i poetit dhe senatorit të ardhshëm, Lugi Settembrini-t (emrin e të cilit sot e mbajnë bulevarde, sheshe, shkolla e madje edhe nëndetëse italiane). Libri është botuar rreth vitit 1860. Sipas një indikacioni që kisha, u vura në kërkim të tij dhe ndryshe nga sa shpresoja që ta gjeja në bibliotekat personale të miqve të mi në Shkodër, e gjeta në 1979 në bibliotekën shtetërore të qytetit të Durrësit, ku për ta nxjerrë prej saj më ndihmoi drejtori i atëhershëm dhe miku im i afërt H. Ulqini.

Njerëzit që futën De Radën në atë shoqëri konspirative janë mjaft të njohur për Settembrini-n. Sipas kujtimeve të tij, Rafaele Anastasio ishte një farmacist i thjeshtë në Kozencë, por njihte dhe mbante lidhje me B. Musolino-n që banonte në Napoli. Me këtë rast, përshkrimi që i bën Settembrini Mussolino-s është krejt i jashtëzakonshëm. Dhe meqë është ky që ka ndikuar aq shumë në opinionet e De Radës, po japim një përshkrim të shkurtër. B. Mussolino kishte lindur në Pizzo të Kalabrisë dhe ishte dikush me natyrë aventurieri dhe i etur për lavdi. Duke mos ditur si të përfitonte nga ngjarjet e kohës në Itali, dikur atij i mbushet mendja dhe ndërmerr një udhëtim në Orient (që ishte pak edhe në modë në atë kohë), me dëshirën e flaktë që të bëhej një Muhamed i dytë a në mos, një Timurleng. Vezirit të Kostandinopolit (sipas Settembrini-t) ai i propozoi t’i jepte mundësi të krijonte një armatë me qëllim që të vendoste gjysmë-hënën turke mbi kullat e Sankt Petërsburgut. Por kur pa buzëqeshjen ironike të vezirit i uli kërkesat dhe i sugjeroi të bënte reforma në ushtri , xhandarmëri e financë dhe atë vetë ta bënte pasha. Më kot.

Pasi i harxhoi të gjitha paratë që kishte mbledhur, Mussolino u kthye në Napoli.

Ndërkohë në kryeqytetin e burbonëve ishin përhapur idetë e Italisë së re. Musolino mundi të shfrytëzojë emrin e saj duke hedhur hapa drejt një aventure po aq të çuditshme. Si njeri të përshtatshëm për realizimin e saj ai gjeti vetë Luigi Settembrini-in dhe nisi t’i flasë atij gjerë e gjatë për Italinë e Re, por kur ky i kërkoi të mësonte për idetë, platformën dhe statusin e organizatës, Musolino e siguroi se do t’ia sillte një ditë tjetër. Dhe vërtet pas pak ditësh i solli të shkruara me dorën e tij të gjitha ato që i ishin kërkuar. Aty flitej për Liri, Pavarësi, për formën e ardhshme qeverisëse të Italisë, për një Diktator, i cili do ta drejtonte vendin (e ndarë në dhjetë provinca) nga Roma e plot gjëra të tjera, deri te shporrja e francezëve nga Korsika dhe e anglezëve nga Malta etj.. Dhe të gjitha këto do të arriheshin nëpërmjet aventurash të shkëputura krejtësisht nga realiteti italian i kohës. Dhe në një çast, për habinë e Settembrini-t, Musolino nisi të mburret si të gjitha ato radhoj ai i kishte shkruar vetë. “Nuk është kjo Italia e Re e formuar nga Mazzini?” e pyeti Settembrini. “Jo, iu përgjegj ai, unë i dhashë atë emër se përndryshe kush do të më vinte pas e do të më besonte?” “Ka të tjerë? Jo, ne jemi dy të parët”.

Pas kësaj Musolino e vuri të betohej dishepullin e tij të parë se nuk do t’ia tregonte askujt ato që kishte dëgjuar. Dhe kështu ata u vunë të rekrutojnë të rinj të tjerë për pseudorganizatën e tyre. Për këtë do t’u jete një dorë edhe Rafaele Anastasio në Kozencë. “Kjo, thote Settembrini, ishte “Italia e re” që njerëzit besonin se ishte themeluar me të vërtetë nga Mazzini” (fq.72). Ai, më tej tregon se për t’u mbushur mendjen anëtarve të rinj të organizatës së tyre të fshehtë se porositë “vinin nga lart”, Musolino harxhonte shumë para që t’i shtypte të gjitha ato që shkruante vetë, sa mbetej në pikë të hallit.

Siç e kemi thënë më sipër, Musolino-n De Rada e njohu nëpërmjet një rekomandimi të farmacistit Rafaele Anastasios. Ai me sa del është rekrutuar më pas nga dyshja Musolino-Settembrini duke i dhënë të lexojë ato materiale që kishte lexuar më parë Settembrini, por pa i thënë asgjë për të vërtetën (Settembri e përshkruan si njeri të mirë e që besonte kollaj). A e ka njohur De Rada Settembrinin? Vështirë të thuhet gjë me saktësi, sepse Musolino kishte vënë rregulla mjaft të forta për mënyrën se si duheshin ruajtur kontaktet brenda grupit. Normalisht kishte vetëm një njohje, rekrutues- i rekrutuar, pra anëtarët e sektit, sepse i tillë quhej edhe midis tyre, nuk duhet të njihnin më shumë se një person.

Në vazhdim të këtyre ngjarjeve në “Terzo periodo” të Autobiologjisë së tij, De Rada tregon për arrestimet që filluan në radhët e “Italisë së re” në Napoli. Midis atyre që u kapën ishin edhe Musolino dhe Settembrini (De Rada nuk e di, nuk e thotë në kujtimet e tij, por vetë Settembrini tregon se më pak u arrestua edhe Rafaele Anastasio, për të cilin lë të kuptojë se u dorëzua vetë, për të mos i mbyllur farmacinë). Pak më vonë arrestohet edhe De Rada. Gjithsesi, tek përshkruan këto ngjarje dhe thotë se “ishte vënë dorë mbi Italinë e re”, kjo të lë të kuptosh se ai edhe në pleqërinë e tij (se këto shenime i ka lënë nga fundi i shekullit), jetonte me idenë se kishte aderuar në organizatën e vërtetë të Mazzini-t, ndërkohë që ne sot kuptojmë se ai kishte njohur thjesht sharlatanë e aventurierë kokëkrisur, që ishin kuturisur në një rrugë që vetëm se rrezikonte ata që u kishin besuar.

Edhe pasi doli nga burgu, duke i shpëtuar gjyqit ushtarak krejt rastësisht (gjatë arrestimit monarkistët i kishin kapur edhe letrën e rekomandimit të Anastasios për Musolino-n, ndërkohë që të tjerët ishin njohur fajtorë, por ai shpëtoi thjesht se letra në fjalë ra diku përdhe dhe gjykatësi kur u ul ta kapë, dora i zuri një letër tjetër, gjë që e bindi De Radën, se mbrohej nga Hyjnesha e Shenjtë).

Pasi doli nga burgu ai do të shkojë në vendlindje për të mos u kthyer më kurrë në Napoli. Edhe V. Gualtieri në fq. 10 të përkthimit që ia bëri Milosaos në fillim të shekullit të shkuar, diku vë një shënim ku thotë se De Rada “kurrë nuk e mori vesh të vërtetën”.

Për të kuptuar ndryshimin midis dy organizatave (asaj të Musolino-s dhe “Italisë së re” të vërtetë) na duhet të shpjegojmë se këta të fundit në atë periudhë synonin më fort të përhapnin idetë e tyre në popull se sa të krijonin grupe klandestine. Veprimtaria e grupeve të fshehta më shumë kishte sjellë dëm, e kishte përçarë më keq Italinë pa mundur të përforcojë nevojën e bashkimit.

Thënia e Ugo Foscolo-s se që të bëhet Italia duhen zhdukur organizatat sekrete (dhe ai këtu flet për masonët, karbonarët, sanfedistët, guelfistët, antieugjenistët, çenturionët etj.) ishte një lloj platforme edhe për macinianët. Metodat e të gjitha sekteve të fshehta, ishin cilësuar të gabuara. “Ne nuk jemi konspiratorë, shkruante Mazzini dhe nuk do t’i ngremë bajonetat po nuk qëndruan idetë në majën e tyre. Detyra jonë është edukimi i kombit dhe pak do të na interesonte të shkatërronim gjithçka pa ditur të ndërtojmë një gjë më të mirë”.

Pra, kuptohet vetiu se të gjitha këto ide janë në kundërshtim të plotë me praktikën e sekteve dhe organizatave të sipërpërmendura, por edhe me veprimet aventureske të Musolino-s dhe Settembrinit. Duke e parë të pamundur shpërthimin e revolucionit pa qartësinë e duhur ideologjike, macinianët e vërtetë gjatë periudhës që De Rada qëndronte në Napoli, kryesisht mbanin korrespondencë me Mazzini-n dhe krerët e tjerë të “Risorgimento-s” duke kërkuar të sqaroheshin për çështje të ndryshme politike. Në Napoli, kryengritjet e vërteta të udhëhequra nga “Italia e re” do të fillonin pas dështimit të revolucionit të 1848-ës. Revoltat dhe kryengritjet e veçanta që kishin shpërthyer, krejt të shkëputura dhe pa synime fort të qarta u shtypën egërsisht në të gjithë territorin e Mbretërisë së Dy Siçilive, në Sardenjë, në shtetin e Papës, në Gran Dukatin e Modenës etj..

Por ndërsa De Rada do të rrinte duke shprehur neverinë e tij për synimet aventureske të Musolino-s me shokë deri sa i braktis fare ata dhe kthehet në vendlindje Settembrini, i frymëzuar nga ide anarkiste dhe pa kuptuar sensin e historisë, do të formojë “Shoqërinë e madhe të bashkimit të Italisë”. Në të aderuan shumë spiunë të monarkisë dhe ajo do të shpërbëhet shpejt. (Kur e pyesnin më vonë se si është e mundur që keni bërë kaq budallallëqe, Settembrini përgjigjej: Epo,Italinë budallenjtë e bënë).

Pra duke qenë në kontakt me njerëz si Musolino (Settembrini-n po e lëmë mënjanë, se duket nuk e njohu) De Rada nuk kishte si të mos arrinte në përfundimin se ata udhëhiqeshin nga “ide kadaverike” dhe ishin “mëndjetrashë”, por fatkeqësisht duke menduar se kishte përpara macinianët e vërtetë.

Ajo që të habit edhe më shumë është se këtë të vërtetë nuk e morën vesh as edhe një numër i madh studiuesish që vazhdojnë ta cilësojnë De Radës si “reaksionar të papenduar”

…………………

Shenim. Grafikën e fundit që tregon Settembrini-n në burg me antarë të tjerë të sektit, e vumë nisur nga fakti se në të njëjtën kohë me të është arrestuar edhe De Rada që në një farë mënyre do te jetë në qelinë ngjitur, në mos është aty midis tyre, por siç thamë më sipër rregullat konspirative kërkonin të mos dinin shumë për njëri-tjetrin:-))

© Autori (1985).

 

2 Komente

  1. “(kur e pyesnin më vonë se si është e mundur që keni bërë kaq budallallëqe, Settembrini përgjegj: Epo, Italinë budallenjtë e bënë).”

    Ketu kam qesh me te madhe! (dhe eshte e vertete per te gjitha Levizjet ne pergjithsi, te zgjutet shofin punen e tyre)

    Pata nje kujtese flesh per Settembrinin qe eshte nje prej personazheve kryesore te romanit grandioz te Tomas Manit, per mu romani me formues i lexuar. Atebote dija turbull personazhi ishte real, por tani rrofte interneti del qe nuk eshte ashtu. Sidoqofte ne relacionet njerzore nuk del pothuajse kurre e verteta. Kjo vlen edhe ne rastin e de Rades. Ka rrezik edhe ai vete nuk e dinte nese ishte i majte apo i djathte. Kjo eshte simptome e Revolucionit, dikur me e lehte, sot kancer fare.

    https://it.wikipedia.org/wiki/La_montagna_incantata#Settembrini

    https://it.wikipedia.org/wiki/Luigi_Settembrini#Letteratura

    1. Nuk me kishte shkuar mendje, por edhe dyshoj shume qe Settembrini i T.Manit te jete i njejti person me Settembrinin “tim”. Jo thjesht sepse ai i Manit emrohet Ludovigo dhe ky tjetri Luigi, por sepse Mani thote se Settembrini tij ishte nxenes i Carduçit, gje qe nuk mund te ndodhe me timin sepse eshte rreth njezet vjeç me i madh se poeti Giosue Carducci. Perveç kesaj kam pershtypjen se ngjarjet e Malit te magjepsur zhvillohen rreth njezet vjet pasi kishte vdekur Luigi Settembrini i vertete.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin