PAVIJONI I SHQIPËRISË, OSE PJESËMARRJA MJAFTON

nga Arnold Skënderaj

Pak ditë më parë ndoqa programin televiziv Exclusive që transmetohet në Top-Channel, me titullin “Tirana e Venecias” e publikuar me datë 30 Shtator të këtij viti. Në të vërtetë, e gjeta në YouTube, disa javë pas shfaqjes së tij në televizor. Tema ishte pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias (La Biennale di Venecia 2018) dhe eksplorimi i pavijonit të vendit tonë nëpërmjet fjalës së gazetares Genta Popa Prodani dhe përshkrimit nga grupi projektues dhe realizues. Grup që në pamje të parë, dukej mjaft i madh por ideatorët arkitektë na paraqiten si pjesa themelore dhe poseduese e konceptit. Gjithashtu nga një imazh i tabelës të personelit realizues të pavijonit, pozicionuar në fillim të saj lexohen emri i Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe emri i Ministres së Kulturës së Shqipërisë, mesa duket shteti duhet të jetë prezent kudo, se pa to asgjë s’ka kuptim, as shfaqja më e thjeshtë.

Gjithsesi qëllimi i shkrimit tim, është shprehja e ndjesisë aspak të mirë, që më lanë shprehitë e të gjithë pjesëmarrësve në të, duke filluar me gazetaren, kuratorin e pavijonit tonë dhe si përfundim arkitektët. M’u krijua ideja që në vetvete qëllimi kishte qenë fare i thjeshtë, mjafton pjesëmarrja në Bienalen multidisiplinore më të famshme në botë dhe kaq! Madje më tepër se kaq, fjalët që po dëgjoja të dala nga goja, e të krijuara në mendjet e ideatorëve më nguliten fuqishëm në tru shprehjen, fol fol se diçka del.

Që në fillim u ndjeva disi i zhgënjyer kur kuptova që nga pavijon përfaqësues shtetëror, pjesëmarrja jonë ishte konvertuar dhe ngushtuar në një ekspozitë fotografike (edhe formate tjera të instalacionit) e kryeqytetit tonë, qytetit vibrant me një jetë vibrante. Kësaj here disiplina e arkitekturës i ishte nënshtruar traktatit të kuratorëve të Bienales, Yvone Farrell dhe Shelley McNamara nën moton “Free Space” (Hapësirë e Lirë) cilësuar nga kritikët si përsiatje teorike tepër e mjegullt. Për të kuptuar sesi vendi ynë përfaqësohet dhe si e ka nxjerrë në dritë idenë, le te ndalemi pak tek fjalët e kuratorit të pavijonit shqiptar, z. Elton Koritari të thëna gjatë intervistës, të cilat po i citoj si më poshtë:

Pavijoni i Shqipërisë, stacion i hapur i projektimit të jep mundësinë e përjetimit fizikisht dhe emocionalisht të urbanizimit të pazakontë të qytetit të Tiranës. Pavijoni fton njerëzit të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me gjithë qytetin, përmes dyerve të vjetra, fotove të qytetit përmes zhurmës dhe tingujve. Kati përdhes frymëzim, si pjesa më e ekspozuar ndaj iniciativave individuale të vetë banorëve.

Këto fjalë na ftojnë më e shumta të krijojmë konceptin fillestar mbi përmbajtjen e pavijonit, ne që nuk jemi dhe nuk kemi mundësi të jemi atje. Ndërsa atyre që kanë mundësi të jenë atje u mundëson të bëhen në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesë e qytetit me një të prekur të disa dyerve të vjetra të vendosura aty apo me të shikuarit e pamjeve të varura në tavan. Vetëm ne dimë të bëjmë kësisoj gjërash. Ndërsa për kuratorin kati përdhes i disa godinave të vjetra është gjithë qyteti. Le të vazhdojmë leximin e mendimeve spektakolare të kuratorit të cituara si vijon:

Elton Koritari: Hapësira zero space, është një fenomen lokal i interceptuar dhe i gjetur nga ne, në qytetin e Tiranës, por në të vërtetë këtu në Venecia hyn në një dialog, që është mjaft global. Që në fund të fundit ka të bëjë me një temë të globalizimit mjaft të rëndësishme, që është urbanizimi i botës. Pa patur atë mendjemadhësinë e modeleve, ne duam thjesht të bëjmë të kuptojë publikun e Bienales, se çfarëdo lloj modeli i mundshëm, që ka të bëjë me jetesën e njerëzve dhe arkitektura është aq e rëndësishme, duhet patjetër që të marrë në qendër, njeriun, qytetarin.

Komentet e mia para këtij hulumtimi shkencor në lëmin e teorisë së arkitekturës, kam besimin se ngelin mjaft të varfra dhe kuptoj që ne (ata, ideatorët), jemi gjenialë por edhe të thjeshtë, aspak mendjemëdhenj. Shpalosja e objektivave madhorë vazhdon, që mund të nxisin debat taze në çdo celulë të rretheve intelektuale nëpër glob, fjalët e fundit te kuratorit në intervistë janë si më poshtë:

Elton Koritari: Edhe një objektiv tjetër që ne kemi, është që nga ana tjetër arkitekturën ta kthejmë në qendër të dialogut ne, për publikun shqiptar. Sepse arkitektura në vetvete është lënë pak jashtë, duket sikur herë pas here nxjerret për zonën e qendrës së Tiranës, ose zonës monumentale, e cila ciklikisht kërkon t’i sillet publikut shqiptar, dhe është e drejtë se çdo qytet në botë ka një qendër, por nga ana tjetër, qytetarët e Tiranës projektojnë jetët e tyre, pikërisht aty ku ata jetojnë, në lagjet e Tiranës.

Arkitektura nuk është instrument i ngurtë apo një grumbull librash që mund t’i mbash në duar e me to të ftosh për debat e dialog. Arkitektura në konceptin teorik të saj, me shumë pak fjalë mund të përkufizohet si shkenca që tenton të ndajë dhe organizojë hapësirën në bazë të shijeve estetike dhe rregullave të ndryshme e që shtrihet në periudha kohore të ndryshme duke u shtresëzuar nga ndikimet e secilës periudhë, por një përkufizim të përligjur (të pakontestuar apo pranuar a priori) nuk ka pasur asnjëherë. Praktikisht arkitektura është organizim i mënyrës së jetesës së njeriut  brenda hapësirave të ndryshme, nëpërmjet aftësive të profesionistëve (arkitektëve) të bazuara në rregulla antropologjike dhe ligje institucionale. Është aftësia dhe formimi intelektual i bashkësisë që fillimisht e lejon ose jo, të kuptojë termin arkitekturë dhe pasandaj ta jetësojë çdo ditë atë ose jo, nuk arrihet me dialog kjo punë.

Mungesa e shijes së mirë vazhdon madje në rritje pasi që dëgjon fjalët e lexon mendimet e katër arkitektëve (Florian Pollo, Jurtin Hajro, Dorjan Tytymçe dhe Enri Leka). Më poshtë po citoj të parin (sipas shfaqjes në minutazhin e dokumentarit)  ark. Florian Pollo:

Florian Pollo: Pas viteve 90-të, të gjithë jemi dëshmitarë të asaj, që qytetarët e Tiranës u përballën me sfida të reja dhe me nevoja të reja. Në këtë garë për nevojat e reja të gjithë në fakt ndodhi që donin t’i shisnin diçka dikujt tjetër. Duke marrë në dorë, si të thuash qytetin dhe ekonominë e rregullat e reja që impononte regjimi i ri. Në këtë moment, qyteti pësoi një metamorfozë pasi çdo qytetar donte ta zhvillonte aktivitetin e tij, performancën e tij, në këtë kat përdhe të qytetit. Në njëfarë kuptimi duke hapur dhe e çliruar të gjithë këtë hapësirë për aksesimin e publikut. Dhe tek kati përdhes atje ku ishte një dhomë dite, n’fakt ne sot gjejmë një kafene. Njerëzit mund të shkojnë, atje ku ishte një dhomë gjumi, sot është një këpucar apo dikush që shet mish. Por sot në katin përdhe të qytetit ti ke mundësi, të dhurosh të gjitha nevojat e përditshme, të jetës tënde. Si të thuash, poshtë shtëpisë. Poshtë banesës tënde që për ne ky është një komoditet personal fantastik dhe n’fakt është një pasurim emocional që vjen nga ndërveprimet njerëzore që kanë njerëzit me njëri-tjetrin. Pikërisht në ketë kat përdhes.

Mëse e vërtetë që territori i Shqipërisë pas vite 90-të ka pësuar një ndryshim drastik për sa i përket ndërtimtarisë dhe deri diku të pakorrigjueshëm dhe të pariparueshëm, por nuk është ndryshimi funksional i një kati përdhes të disa godinave ekzistuese që ka dhënë këtë rezultat por janë godinat e reja të ngritura kuturu anembanë vendit. Shkaqet duhet të jenë pjesë e studimeve social-ekonomike, politike e mbi të gjitha demografike. Ndërsa ky produkt i prekshëm na jep mundësinë të kuptojmë gjendjen e përgjithshme të bashkësisë mbarë shqiptare, jo vetëm asaj të Tiranës. Kati përdhe ( kati zero) ndryshoi funksionin e tij primar jo vetëm në Tiranë por në çdo cep të Shqipërisë, e vëren këtë efekt që solli rënia e lirë e institucionit rregullator dhe ngritja po kaq e lirë e vullnetit spontan individual për ndryshim nga ana e njeriut të thjeshtë. Vetëm objektet e ndërtuara para viteve 90-të e patën këtë fat të madh që t’u ndryshohet funksioni i katit përdhes, nga hapësirë që nuk të ofronte veçse aktivitet fiziologjik tashmë të jep mundësinë të fitosh lekë, kurse aktivitetin fiziologjik e zhvendosim, pse jo, disa kate më lart. Objektet e reja të ndërtuara gjatë 27-të viteve të fundit, kryesisht pallate disakatëshe me funksion banimi janë më të shumta në numër se ato të vjetrat ngjyra-ngjyra dhe pikërisht janë të frymëzuara nga pangopja e njeriut dhe rregullat pa rregull të regjimit të ri, nuk mjaftohen me një por, kanë dy kate përdhese, dy kate plot shërbime që të mundësojnë të fitosh lekë.

Pjesës përshkruese të konceptit filozofik të përmbajtjes së pavijonit po i shtoj dhe fjalët e ark. Jurtin Hajro:

Jurtin Hajro: Kat përdhes është ai kat, ku krijohet hapësira më pjesëmarrëse e qytetit. Ku njerëzit përplasen me njëri-tjetrin. Ku ndien aroma të ndryshme të qytetit, tingujt e qytetit dhe ndien e përjeton shumë mirë teksturën urbane të qytetit. Qyteti flet. Qyteti të lejon të nuhasësh, të lejon të prekësh. Të aktivizon ty mënyrën se si ti e përjeton hapësirën ku ti jeton.

Zakonisht njerëzit në të gjithë anët e globit aktivitet më të nevojshme, si shitja apo blerja etj, i realizojnë, ose në ndonjë rast të veçantë nuk arrijnë t’i realizojnë, në nivelin më të afërt me tokën ose te themi në katin përdhes. Nuk besoj, se fjala bie në Tokio njerëzit marrin ashensorin për në katin e 10-të për të blerë mish apo peshk. Aktivitetin ku njerëzit përplasen me njëri-tjetrin me shumë se në një hapësirë të brendshme si p.sh. dhomë dite dikur, bar sot, ta ofron hapësira e jashtme e përbashkët siç mund të jenë trotuaret, parqet e deri tek stadiumet. Gjithashtu besoj që teksturën urbane të një qyteti e hasim në hapësirën e jashtme të tij e jo te pjesa intime e brendshme, por në pjesën që e shohin të gjithë, banorë e vizitorë të atij qyteti.

Pjesë përbërëse e domethënëse e shprehjes artistike që tërheqin vëmendjen e vizitorëve së pavijonit janë edhe disa porta të vjetra të marra nga disa shtëpi të vjetra që mesa duket dhomën e tyre të gjumit nuk e kanë konvertuar në qebaptore, apo në rastin më fatkeq për ata nuk kanë pasur sipërfaqe të mjaftueshme toke, apo numri i madh i trashëgimtarëve nuk të jep rehatinë e dhënies së tokës pasunarit (prej një pelë e merr një felë) për të ndërtuar një pallat me disa kate, ku nga këto kate, një kat përdhes përfitojnë ato pronarët e ish-portës si pjesë e marrëveshjes. Pikërisht janë këto porta që nuk përçojnë aspak në Venecia, Tiranën e katit përdhes, sepse ato u rezistuan ndryshimeve që u përmenden më lart, nuk lejuan që bahçet pas portave të ktheheshin në pikënisje betoni shumëkatësh. Aq më tepër kur këto janë shumë të pakta në numër dhe të përhumbura karshi furisë së ndërtimit që ka kapluar Tiranën, bëjnë të mundur që të humbet edhe më shumë vlera apo rëndësia e peshës kohore që portat mbartin, kur çdo ditë ngrehinat e vjetra (bashkë me mure rrethues) harrohen qëllimisht në emër të mos kujtesës kolektive, dhe babëzisë individuale. Të tjerat që nuk u rezistuan ndërhyrjeve delikate të betonit, nuk kanë ndryshuar katin përdhe por shumë më tepër. Rëndësinë e madhe që këto porta paskan pasur për Tiranën e Venecias e ndeshim në pohimet e mëposhtme të arkitektëve:

Florian Pollo: Pjesë e këtij projekti faktikisht ka qenë edhe ndërveprimi me qytetarët e Tiranës, me ata qytetarë që dhuruan një pjesë nga identiteti i tyre, i familjes tyre, ishin shumë të gatshëm. Unë personalisht jam marrë me kontaktet e shumë prej këtyre banorëve, dhe në të vërtetë ky ka qenë një proces shumë interesant, pasi ne vetëm u përballëm me njerëz që ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e këtij projekti. Por na shfaqen menjëherë mikpritjen e tyre. Pra në njëfarë kuptimi dyert na u hapën menjëherë.

Enri Leka: Këtu mund të evidentoj prapë atë që është mikpritja shqiptare edhe karshi shqiptarëve, jo vetëm të huajve dhe entuziazmi që këto familje të cilat na ndihmuan duke na dhënë ato që ishin pjesa më intime e shtëpive të tyre. Ne jemi përpjekur që të mos prekim duke i lënë pak a shumë edhe ato emrat e familjeve, numrin e vet portave sepse objektivi jonë ishte pikërisht ky, që të sillnim në Venecia një gjë që të jetë e prekshme nga Tirana, frymën e Tiranës, Vibrimin e Tiranës.

Dorjan Tytymce: Çka vizitorët gjejnë në këtë pavijon, thelbësisht janë dyer të vjetra të marra nga qyteti i Tiranës. Janë këto 8-të elemente të cilëve ne na pëlqen t’i shohim si dëshmitare të këtij ndryshimi radikal që ka pësuar hapësira zero gjatë këtyre 27-të viteve. N’fakt dyert janë një element shumë familjar, kam përshtypjen për të gjithë vizitorët për të gjithë njerëzit në përgjithësi edhe elementi i parë i bën ata të vijnë, të futen brenda pavijonit dhe të fillojnë pastaj të eksplorojnë atë ç’ka është brendësia e tij më tej.

Në mbyllje më duhet të paraqes edhe fjalët e narratores së dokumentarit (gazetares) që kanë mospajtim në vetvete brenda paragrafit apo edhe ajo kërkon të lërë gjurmë duke dashur të thotë “diçka”, si vijon:

Genta Popa Prodani: Ky zhvillim i katit përdhes të Tiranës, shihet nga arkitektët si rezultat i shumë nismave individuale dhe shumë më pak produkt i planifikimit urban institucional. Ky është dhe objekti i institucionit “Hapësira Zero”. Panoramën më humane të Tiranës. Arkitektët vërejnë se Tirana ndodhet para sfidave madhore, ajo përballet me nevojën e ngutshme për infrastrukturë të përshtatshme nga njëra anë, dhe nga ana tjetër me presionin e globalizimit në epokën e konsumerizmit gjakftohtë. Ndaj edhe Tirana e Venecias, Tirana “Hapësira Zero”, që lindi si një vizion i një grupi arkitektësh për të treguar pjesën më të mirë të qytetit mund të jetë një shpresë dhe inkurajim për më shumë vetëdije dhe kurajo qytetare për fatin e qytetit tonë të përbashkët. Ajo mund të jetë një frymëzim apo thirrje për të kthyer sytë sa më parë nga ato modele të zhvillimit që janë sa më pranë njeriut, nevojave dhe dëshirave të tij, për të jetuar në një hapësirë të lirë.

Nismat individuale dhe në kundërshti me ligjet apo planifikimin urban institucional nuk janë pjesa më e mirë e Tiranës, apo qyteteve shqiptare por se pjesa më reale e peizazhit urban pa fill e krye që haset rëndom gjithandej. Hapësira bëhet më e lirë dhe perceptohet sa më pranë nevojave të njeriut, ashtu siç e dëshiron fjalia e gazetares, nëse ajo realizohet përmes vijave planifikuese nën udhëzimin institucional dhe kurrë të lihet në dorë të nismave individuale, aq më pak të atyre individëve që nuk janë të edukuar rreth parimeve të hapësirës së përbashkët. Shqipërinë e Bienales do ta doja më të madhe se Tiranën e Venecias, ndërsa Tiranën më të çliruar nga nismat individuale te secilit prej nesh. Pavijonin do ta doja “më shumë se pjesëmarrja mjafton”.

P.S :  Ku i dihet Shqipëria mund të ishte përfaqësuar edhe nga sheshi i ri në qendër, thjesht s’do ketë dashtë Lali!

Shënim: Të gjitha citimet janë, saktësisht fjalët e thëna nga pjesëmarrësit në emisionin Exclusive: https://youtu.be/oOajIFVIZkA.

(c) 2018, autori.

31 Komente

  1. Citoj: “Arkitektura në konceptin teorik të saj, me shumë pak fjalë mund të përkufizohet si SHKENCA që tenton të ndajë dhe organizojë hapësirën…”

    Arkitektura NUK është shkencë. Shkencë është statika, rezistenca e materialeve, ndërtimi si i tillë, por JO arkitektura. Kjo duhet kuptuar. Ashtu si gjuhësia, fjala e sjell, është shkencë, por jo letërsia.

    Jo çdo gjë e shkruar është letërsi; po ashtu jo çdo ngrehinë është arkitekturë.

    Me këtë lloj keqkuptimi shpesh të qëllimshëm abuzohet rëndom masivisht, sidomos te ne. Abuzohet me faktin që arkitektura (dhe më gjerë: urbanistika) qenkëshin çështje profesionistësh, çështje shkencëtarësh pra.

  2. Teuta, zëre se nuk the asgjë. Dikur thuhej që patatja është edhe bukë edhe gjellë. Ose dëgjon shpesh të flitet për “artin e kuzhinës”, ndërkohë që përmendet edhe kuzhina molekulare, domethënë që kuzhinierët janë edhe artistë, edhe shkencëtarë.
    E njëjta gjë mund të thuhej për këpucarët, për rrobaqepësit po se po, e meqë jemi në këtë linjë le t’i deklarojmë edhe minatorët si të tillë.
    Dhe, që të kuptohemi, jo se nuk qenkësh aspak kështu: në një kuptim metaforik ose alegorik gjithçka mund të deklarohet jo vetëm art, por edhe si shkencë.
    Mirëpo fundi i këtij relativizimi absolut të koncepteve na shpie drejt e në fillesën aksiomatike të tyre: në heshtje.
    Në mos në absurditet.

    Dua të them: po e marr të dhënë që për përkufizimet, – së paku për atë të shkencës, – jemi në një mendje para se të bisedojmë, përndryshe çdo bisedë mbi tema të tilla do të degjeneronte në diskurse e tjerrje filozofike mbi konceptet, fenomen ky që ndodh shpesh këtyre anëve. Një arsye kjo (për mua) për të komentuar sa më pak.

    1. Sugjeroj që ta lini kaq diskutimin se ç’është arkitektura. Ka më interes një diskutim – i mundshëm – për çfarë shkruan autori më lart. I cili temën nuk është se ia ka paraqitur ndonjë komisioni, për të marrë titull shkencor ose për të provuar se DI ç’është arkitektura. Ai ka vërejtur disa gjëra dhe po i ndan me ne. Duke na konsideruar si kolegë dhe bashkëbisedues, jo si gjykatës. Prandaj këdo diskutime juvenile nuk vlejnë. Hapësira e komenteve nuk duhet përdorur për “korrigjime” – me lutjen time, pranojeni materialin me mangësitë që ju ia gjeni dhe përpiquni të fokusoheni te çfarë thotë. Qëllimi i shkrimit më lart NUK ËSHTË që të na tregojë ç’është arkitektura. (Lutem edhe që të mos i përgjigjeni më ndërhyrjes sime – ose përgjigjet do të fshihen).

  3. Tani, me shkrimin – po të heqim atë frazën që e kontestova jo për të zënë gafil autorin e shkrimit, por më tepër alibinë kinse shkencore me të cilën maskohet korrupsioni i veliajve e ramave në pushtet – nuk mund të jesh veçse dakord.
    Fundja është e njëjta problematikë kjo e ekspozitave të Ramës dhe e selfie-ve të tij me Ronaldon, në një kohë kur vendi është ngërthyer në një krizë sa nga pakti me “të fortët” për të ardhur në pushtet, sa nga korrupsioni i pafré në të gjitha nivelet, sa nga virtualiteti (kupto: shtrembërimi) i medieve.

    Që arkitektët nxjerrin nga mënga atë asin e arkitekturës në Mesjetë, kur kati përdhes ishte zgjerim i rrugës si të tillë, edhe këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Fundja nuk mund të deklarojnë kur intervistohen se kanë marrë fonde për atë punë, se si i kanë marrë e me radhë; u duhet njëfarësoj të shfajësojnë pjesëmarrjen në to, por edhe kjo ndodh në të gjitha nivelet: ndodh me regjisorët autorialë që marrin pjesë në “festivale” filmi me filma që nuk i sheh askush më pas, ndodh me autorë e përkthyes në rezidenca për libra që nuk do t’i lexojë më kush etj.

    Askush nga ne nuk do ta përjashtonte dot veten nga përfshirje të tilla, edhe shkruesi i këtyre radhëve. Sepse e vetmja alternativë e ndershme ndaj këtij ligjërimi kallp do të ishte – sidomos për kë jeton në Shqipëri – artisti i urisë së Kafkës.

    Tepër domethënës për këtë dyzim ishte para ca kohësh një shkrim i ark. Artan Shkrelit për teatrin. Ky tha as më pak as më shumë se si arkitekt do ta ruante teatrin, por që e kupton nga ana tjetër edhe Erion Veliajn. Dmth. zëre se nuk tha asgjë, ndërkohë që para se të vinte Rama në pushtet nuk la shkelje pa denoncuar – shpesh me shumë të drejtë. Kompromiset me pushtetin, sidomos me pushtetin e vrazhdë të anëve tona, të mekin vetvetiu, sidomos kur të vjen radha për të mos bërë gabimet që ke kritikuar derimë atëherë.

    https://www.balkanweb.com/mes-politikes-e-artit-rames-i-ndodh-nje-e-papritur-ne-gjermani/

  4. Per leximin e ketij shkrimi, me nxiti kuja e madhe e Arb Elos, thashe ça ka ndodhur, s’kemi marre vesh gje. Upupu çna gjeti, na piu e zeza, tha shoqja Liri, – kush vdiq moj kush vdiq ?- pyeti shoku Perikli.

    Shkrimi me duket korrekt e i sakte, kap mire problematikat, sidomos ate te nismes private, ku mund te futej edhe specifikisht zaptimi i trotuarit dhe e gjithe hapesirave publike, rendom jeshile nga kjo nisma private e katparisteve. Citimet mund te kurseheshin e te jepeshin me te permbledhura, vete sa u hodha nje sy.

    p.s Ne Itali ka kohe qe eshte bere katalogimi i shkences, dmth shkencen si e konceptojme e ka marre lumi. Ka nje shkence mode qe eshte disipline universitare.
    Pak a shume, mesa kam kuptuar kriteri i ndjekur eshte qe çdo disipline e njohjes qe ka nevoje per studime universitare, meriton te quhet shkence, nqs nuk ka nevoje per studime universitare ngelet art/zanat.
    Keshtu letersia eshte shkence sepse ka nevoje per studime universitare, po ashtu eshte shkence edhe arkitektura. Autori eshte ne rregull sipas katalogimit italian te shkences.

  5. Hyllin, “kujë” ëshë fjalëzimi i gabuar. Akoma nuk i kam shkulur flokët këtu ku jam e as nuk po them ndonjë gjë të jashtëzakonshme, që mund të gjendej lehtë shumëkund.
    E megjithatë ia dal ende të indinjohem jo për pavijonin në Biennale, por për shkatërrimin që më duket mua se vë re në qytetin ku kam lindur e kam kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës sime.
    Shkatërrim e përçudnim i cili më së shumti relativizohet pafundësisht me argumente të sajuar kinse profesionalë, kinse shkencorë, kinse artistikë, po të duash.
    Ndërsa për përkufizimin e zanatit, meqenëse i zoti i blogut na këshilloi ta linim si temë, më lejo të shënoj vetëm këtë:” Ne supra crepidam sutor.”

    1. Nuk do te çuditesha sikur te kishe shkulur floket dhe çjerre faqet.
      Per mendimin tim autori nuk ka relativizuar asgje, ai eshte mjaft korrekt, ka prekur ne menyre serioze dhe realiste fenomenin. Ai nuk e perdor perkufizim e arkitektures si shkence per te relativizuar asgje dhe as per te debuar publikun nga çeshtjet e ngritura. Ty te vret syrin perkufizimi i arkitektures si shkence, mua me vret syte emri i autorit, se me kujton Shvarcenegerin, Vandamin dhe Rambon. Por autori s’ka faj fare as pse ty ta vret syrin nje gje, as pse mua ma vret syrin nje gje tjeter.
      Ti po ta kishe nisur me postimin e fundit dhe me siguri nuk do i kishe bere postimet e para.

      p.s nuk merrem me perkufizime zanatesh e shkencash, ato i bejne epistemologet/ filozofet e shkences dhe une nuk kam njohje ne epistemologji, perpos leximit per qejf te ndonje epistemologu. Nuk e ve ne dyshim qe ti si epistemolog ke qendrimet e tua, po ja qe epistemologet italiane e mendojne ndryshe dhe kjo nuk eshte fare e pavlere. Pastaj del si pakez qesharake qe t’i themi ndokujt qe mban grade shkencore ne arkitekture se eshte ”kerkues artistik”. Perderisa arkitektura jep grada e tituj shkencore, kam pershtypjen se ata qe i kane, do te preferonin te thonin se po bejne kerkime shkencore dhe jo kerkime artistike.

  6. Shkrimi eshte me vend, dhe e pergezoj autorin per nismen qe ka marre te hape nje dialog me kete projekt — dmth jo vetem te shkruaje per te nga nje kendveshtrim ndryshe, por per me teper te shtroje pyetje mbi pozicionin e ideatoreve te tij, qofte ata grupi arkitekturor apo institucionet shteterore qe e mundesuan ate. Jane keto marrje-dhenie me publikun (ne) qe perbejne ate dialogun per te cilin flitet aq shume ne Shqiperi, por qe mbetet po aq abstrakt dhe i vrazhdet. Gjithashtu, duke qene nje pavion kombetar ne nje bienale nderkombetare, arkitektet jo vetem qe duhet te mirepresin sa me shume lexime te dhe kritika ndaj ketij projekti, por dhe duhet te ndajne ato qe kane marre nga dhe me te cilat jane angazhuar njerez qe e kane vizituar Venecien por qe nuk jetojne ne vend. Pra, dialogu konkretizohet duke e bere kete projekt sa me aksesueshem, edhe pas zhvendosjes se tij diku tjeter. Fundja fundit, projekte te tilla nuk mund te konsiderohen te ngurta sepse rolin e autorit s’e luan vetem arkitekti por edhe institucionet qe e zgjedhin ate dhe qe vihen ne qender te vemendjes ndaj inagurimit te tij. Pa u zgjatur (me) shume, pyetja qe do u beja une grupit te arkitektures eshte: çfare dialogu prisni dhe çfare dialogu keni gjetur, nese keni gjetur apo mundesuar nje te tille? Eshte e thjeshte te thuash statements mbi konceptin apo te shprehesh deshirat qe mbart instalacioni, apo arkitektet nepermjet tij, por dialogu i vertete qendron tek shkembimi me ane te pyetjeve, pergjigjeve, etj. Psh. çfare pyet instalacioni? çfare kerkon te dije, te gjeje, te kundershtoje, te kritikoje? çfare pyetjesh i kane bere arkitektet vetes pasi shkembimit te tij me publikun? a i ka plotesuar projekti deshirat e tyre? çfare polemike ka iniciuar apo arritur?
    Ashtu si dhe autori i ketij shkrimi, dua te di me teper mbi politikat e hapesirave te zgjedhura, apo si keto hapesira i negociojne politikat e perditeshmerise dhe luftrat e tyre me forca te ndryshme dhe te reja te qytetit per te mbijetuar si te tilla, dhe sa kohe me tej ato do te qendrojne duke i ditur praktikat grabitese qe kane ndodhur tashme por edhe ato te vete institucioneve qe e kane sponsorizuar kete pavion. Eshte teper siperfaqesore te ndalesh tek estetika e fotove (sic thote dhe autori), kur ato perfaqesojne nje jete te perditshme teper te kuruar nga arkitektet. A duhet ta shohim kete ekspozite si fundi i historise se tyre, sepse ka shume te ngjare qe tipologjite apo aktivitetet e tyre nga dita dites mund te prishen? A eshte kjo valle hapesira zero? Gjithashtu çfare dialogu ka patur grupi kurator me co-autoret e ketij pavioni, me institucionet shteterore? A ka qene apo dhe do te jete porta e tyre e hapur jo vetem per dialog, por per degjim dhe zbatim te shume gjerave qe mund te ngrihen nga nje dialog publik, nese vazhdohet nje i tille?
    Se fundmi, dhe pika kryesore qe kam pasi lexova kete shkrim, apo ajo qe ky shkrim me beri te realizoj, te pyes me mire, eshte: si mund te vihet ky pavion (i kateve perdhese) ne dialog me çfare po ndodh ne vend tani — dmth me kullat e shumta qe jane propozuar dhe ndermarre? Apo, si e mendojne (çfare pozicioni kane) arkitektet (per) kete raport? Per mendimin tim, ketu qendron dhe potenciali diskursiv apo polemik i pavionit, ashtu si dhe relevance apo sa i dobitshem eshte ai, jashte mureve te muzeumit dhe brenda vendit.

    1. Pyetje me vend keto te fundit @irsib. Qellimi eshte pikerisht ketu… te mos flasim per cka ndodh realisht ne Tirane, per kasaphanen urbane dhe njerezore te legjitimuar nga shteti. Kjo pjesemarrje ne Biennale duket vertet nje kontradikte: nga njera ane shteti po perpiqet te “shfarrose” Tiranen informale per te arritur “standartet europiane” dhe nga ana tjeter, na e nxjerr ne vitrine pikerisht kete “ane te erret” te qytetit pa standarte. Ndoshta Tirana jashte standarteve eshte me interesante per nje publik nderkombetar sesa kjo Tirane e re e standartizuar qe po na propozojne studiot e medha qe thirren nga kryeministri? Dikur flitej per genius loci…

      1. Besoj qe shqipot me liri nenkuptojne anarki, ndersa te huajt, mundesine e privatit te krijoje rregull pa nderhyrjen e shtetit. Te huajt pastaj, kujdesen te fusin institucionet e shtetit ne ekuacion, raporte urbanistike, te tipit sa gjelberim per fryme, sa fryme duhen per nje supermarket, sa e gjere duhet rruga per numrit e automjeteve qe kane banoret e lagjet, sa parkime duhen etj. Me pak fjale te huajt i bejne llogarite me laps ne dore qe shteti te garantoje minimumin e hapesires se nevojshme per çdo fryme dhe kur thone Freespace, duan te kuptojne sa rregull vjen nga lapsi ne dore e sa rregull vjen nga hamendja.

        Keta tanet i çuan ”rregullin” qe vjen nga hamendja e katparisteve, qe te huajt te mesojne se jemi ne pararoje te marksizem-leninizmit. Ashtu si thote xha xhai tek tema Kristeva dhe i shoqi, ku ne kohen e pare gjendeshin perendimore te paarsyeshem qe perndryshe ishin mese te arsyeshem, keshtu edhe sot, nuk eshte aspak çudi qe keto katparizmat tona te gjejne perendimore qe i vleresojne per frymen.

        Ne njefare menyre, asgje e re ne keto ane te globit, jemi fari i njerezimit e kopshti juglindor.

        Kullat jane bunkeret e rinj, qe sherbejne per mbrojtjen e oligarkise dhe duan t’i vendosin sa me afer institucioneve me te rendesishme te shtetit , qe te ushtrojne trysni mbi gjithe konceptet alternative te shtetit.
        Ata bene Piramiden e Enverit, ku piramida eshte klisheja me e njohur e pushtetit, qe nga koha e sumereve, keta po bejne kulla ngjitur me gjithe institucionet me te rendesishme te vendit, meqe kulla eshte klisheja moderne e pushtetit ekonomik qe nenshtron qartazi e pa medyshje pushtetin politik, dmth popullin.

        Keta tanet nuk duan t’u tregojne te huajve kullat ngjitur me institucionet me te rendesishme te vendit, por duan t’u tregojne katparizmat, si ne kohen e Enverit kur i huaji dashamires i sistemit kishte itinerar te mirepercaktuar.

        Nuk e di se kush e ka thene, qe idiotesia eshte te besh ne menyre te perseritur te njejten gje dhe te presesh rezultate te ndryshme.

  7. Tema e Bienales ishte “Hapësirë e lirë” dhe Shqipëria e ka quajtur pavijonin e vet “Hapësira zero”. Tingëllon çuditshëm, gati si një lapsus frojdian, kjo “përgjigje” ndaj “thirrjes” në manifestin e shkruar për bienalen, nga dy kuratoret e saj, Yvone Farrell dhe Shelley McNamara.

    Më ra në sy fakti që ato janë kujdesur të krijojnë deri edhe një fjalë të re, FREESPACE, që në shqip, duke patur parasysh shkrirjen e dy fjalëve në një dhe kontekstin në të cilin është përdorur, mund të kishte ardhur ndoshta si VEND’HAPJE.

    Përkufizimi i vend’hapjes sipas autoreve:
    “Vend’hapja përmbledh lirinë e imagjinatës, hapësirën e lirë në kohë dhe kujtesë, ku lidhet e shkuara me të tashmen dhe të ardhmen, ku ndërtohet mbi shtresat e trashëguara të kulturës, duke ndërthurur arkaiken me bashkëkohoren.”

    Ndërsa, Paolo Baratta, President i Bienales, shkruan:

    “Hapësira e lirë tregon një civilizim më të lartë në mënyrën e jetesës, duke qenë një shprehje e vullnetit për të mirëpritur. Natyrisht, nuk mundet që thjesht të varen shpresat tek bujaria: në kuadrin institucional dhe kulturor, një komunitet duhet t’ia njohë vlerën dhe të dëshirojë ta nxisë e ta mbështesë atë.”

    …kullot sytë nëpër këto rreshta dhe të duket se po lexon një trakt të hedhur nga ajri, prej ndonjë helikopteri armik të Bashkisë së Tiranës. Habitesh ndërkohë, kur vëren se si grupi i punës i arkitektëve tanë, ja ka dalë të jap sinjalin e duhur, aty ku duhet! Ata e shfaqin revoltën për ç’ka ndodh tek ne duke e quajtur pavijonin e Shqipërisë, “Hapësira 0”, të vetëdijshëm se:

    Zero është në fakt, respektimi i interesit publik në Tiranë dhe jo vetëm.

    Zero është planifikimi urban afatgjatë.

    Zero është kujdesi për trashëgiminë kulturore e historike dhe ka edhe një sërë zerosh të tjera që feksin si sinjale alarmi në mugëllimin e ideve për planet e (ç)rregullimit të qytetit.

    Ka provokim artistik në paraqitjen e pavijonit tonë. A nuk janë ato dyer që çojnë në askund, si të dala për çudi nga tablotë e serisë “Victory” të Rene Magritte? Gjithsesi, për t’i bërë edhe më të pranëndjeshëm oborret e shtëpive të vjetra, do të duhej që fotografitë të ishin varur në tela të vendosur horizontalisht e të kapeshin me kapse druri, ashtu si teshat që teren paqësisht ndër kopshtije.

    Ps. Tek “Emri i Trëndafilit”, Umberto Eco shkruan:

    “Arkitektura është arti që përpiqet të riprodhojë ritmin dhe rregullin e Universit”.

    Ritëm dhe rregull = formula dhe llogaritje, pra… shkencë. Thënë ndryshe, një urbanisti mund edhe t’i falet nëse nuk ka patur durimin e duhur për të lexuar “Emrin e Trëndafilit” të Eco-s, por nuk i lejohet që të mos dijë se ç’është Trëndafili i Erës dhe si respektohen kahet e tij gjatë projektimit.

    1. Teuta, Eco-n e dëgjoj kur bëhet fjalë për fushat ku ai ishte mjeshtër. Tingëllon paksa arrogante mbase, por do të pohoja që për këtë temë duhej të më dëgjonte ai mua e jo unë atë. Kur bie fjala për zanatin e më ndodh shpesh që kam të bëj me njerëz që kujtojnë se e dinë se si bëhet një shtëpi, u them thjesht: “Atëherë bëje vetë; ç’të duhem unë?”. Ka ca që e provojnë dhe nuk shkojnë më tutje se dhoma e gjumit. Me këtë nuk dua të them se arkitektura e urbanistika qenkësh diçka misterioze ose çështje vetëm profesionistësh, por ja që nuk është njëlloj t’i kesh bërë gjërat me të mosbërit fare të tyre. Me një fjalë, le të flasim të tërë për këto tema pse jo, por më me peshë duhej ta kisha unë atë fjalë, apo? Se u bëmë si këmbët e dhisë, sidomos në këto vendet ku has gjithfarë gjithomanësh që të tregojnë menjëherë arat. Nuk ka të bëjë me ty kjo më sipër, që të kuptohemi, por dreqi ta hajë, unë kam një gjysmë jete e më shumë që merrem me këtë punë e nuk kam asnjë dëshirë të marr mësime për këtë temë nga hyllini ose cilido tjetër këtu. Dhe po: e kam lexuar edhe unë “Emrin e Trëndafilit”. Po e mbyll me një citat nga Erich Mendelsohn-i (arkitekt i njohur ky) pas vizitës së tij në Romë. Ky pa i habitur pasaktësitë në skicat e Mikelanxhelos (arkitekt) dhe kur u kthye përsëri në universitet mentori i tij (Theodor Fischer) e pyet: “Mendelsohn, çfarë ka ndodhur me ju përgjatë pushimeve? Ju punoni tani kaq i lirshëm”. Mendelsohn-i ia kthen: “Ah, atë që mundet Mikelanxheloja, atë mundem edhe unë.”

      1. Shkruan:

        Kur bie fjala për zanatin e më ndodh shpesh që kam të bëj me njerëz që kujtojnë se e dinë se si bëhet një shtëpi, u them thjesht: “Atëherë bëje vetë; ç’të duhem unë?”. Ka ca që e provojnë dhe nuk shkojnë më tutje se dhoma e gjumit.

        Jemi jashtë temës, por po dua të shtoj diçka si lexues (duke hequr dorë përkohësisht nga roli i moderatorit).

        Dhe më duket se ke një fallacy tek argumenti që sjell. Zanati yt është – me sa kuptoj – arkitektura. Por kjo nuk të bën profesionist që TË FLASËSH për arkitekturën. Apo të bën?

        Për mua, janë dy gjëra të ndryshme. Nuk ka dyshim që midis teje dhe Eco-s, do të ta kisha kërkuar ty që të bëje projektin e shtëpisë sime; por do të kisha zgjedhur Eco-n që të FLISTE për atë shtëpi.

        Thua:

        unë kam një gjysmë jete e më shumë që merrem me këtë punë e nuk kam asnjë dëshirë të marr mësime për këtë temë nga hyllini ose cilido tjetër këtu.

        Sërish, ti me siguri i ke të panjolla kredencialet si profesionist; por nuk më duket se po kërkon kush të t’i sfidojë. Jo çdo profesionist është ipso facto në gjendje të artikulohet për zanatin e vet; dhe as të debatojë si duhet.

        Dhe e kundërta: kur vjen puna për të zgjedhur një profesionist, p.sh. kirurgun që do të më operojë, unë nuk është se shkoj të lexoj librat që ky ka shkruar – përkundrazi, më interesojnë rezultatet që ka si kirurg, vitet e eksperiencës, etj.

        Aq më tepër që, në debate si ky i tanishmi, është palë edhe qytetari, drejtpërdrejt ose i përfaqësuar nga një intelektual publik. Qytetari i informuar nuk ia vë në diskutim ekspertit profesionalitetin, por mund t’ia vërë në diskutim aftësinë për të argumentuar.

        Gjithsesi, dhe pavarësisht nga sa më lart: unë mendoj – për aq sa vlen mendimi im – se arkitektura nuk është shkencë, por art + teknikë. Pastaj, që çdo teknikë udhëhiqet nga ligjësitë përkatëse, kjo është çështje tjetër.

        1. Po, po, patjetër që ke të drejtë e megjithatë nuk është se unë (dmth. profesionisti) di vetëm zanatin, kalërohem për në zyrë, nuk shoh as majtas as djathtas e jam rob i profesionit tim. Edhe unë di të lexoj e ndoshta edhe të shkruaj. Nuk është pa vend të përmendet këtu se Dostojevski kishte mbaruar për inxhinieri ndërtimi dhe Çehovi ishte mjek. Ashtu si Ekoja mund të FLASË për arkitekturën, mundem unë (arkitekti dmth.) mbase të VIZATOJ po ashtu planimetritë e itinerareve të tij. Tek “Emri i trëndafilit”, por më bëhet edhe te një ese e tij për rrugën ku banonte D’Artanjani në Paris, Ekoja përdor qysh në hyrje planimetrinë e manastirit ku zhvillohen ngjarjet. Që e merr të dhënë nga unë (në një rast më të përditshëm se ky me Ekon që ishte multitasking, kuptohet.)
          Ti ndoshta e di këtë, por po e shënoj për lexuesin që nuk është i informuar: pati në Francë në kohë të Lë Korbyziesë e ca më vonë një përpjekje për të përfshirë qytetarin qysh në projektim, skena këto që përmbanin goxha humor, pasi shumica e “qytetarëve” nuk ishin në gjendje të lexonin planimetritë, për të mos folur për prerjet dhe përmasat. Natyrisht që mund të përdoren makete dhe vizualizime për ta bërë “gjuhën” e arkitekturës më të kuptueshme, mirëpo në më të shumtën e rasteve është sikur t’i tregoje dikujt që e njeh muzikën vetëm me vesh një pentagram me nota, të cilat ai nuk është në gjendje t’i lexojë.
          Por ma do mendja se është afërmendsh se kur bie fjala për gjuhësinë flet ti ca më shumë e dëgjoj unë e kur flasim për arkitekturën duhej të flisja unë ca më shumë e të më dëgjoje ti, apo?
          Natyrisht ti nuk ke pse më “beson”, sidomos në rastet kur e tërë politika ndërtimore mund të vihej në dyshim si ç’ndodh te ne, mirëpo pastaj i bie të flasim për korrupsion e të tjera shkaqe sociale e jo medoemos për arkitekturë.
          Dhe sa për përkufizimin: Jo: arkitektura është arti i organizimit të hapësirës, ajo nuk është shkencë ndërtimi (ky po që e përmban teknikën), ajo nuk është i ndërtuari çfarëdo, porse arti i të ndërtuarit.
          Arkitekti fare mirë mund të krahasohej – sidomos në ditët tona, pasi roli i tij ka ndryshuar me kohë – me një regjisor filmi, i cili ka shkruar njëkohësisht dhe skenarin e këtij. Regjisura ( e kinemasë) është edhe ajo art, pavarësisht se kamerat dhe ekuipmenti, efektet, prerjet etj., përmbajnë mjaft teknikë, mjaft shkencë pra brenda.

  8. Dhe se harrova të shtoj, për të ardhur sërish në temë, e për të rimarrë shembullin tënd me kirurgun: nëse ky kirurgu do t’i futësh një zarf në xhep pa të fillojë të të operojë, kjo pastaj nuk ka lidhje as me librat e mjekësisë, as me arkitekturën e as me të folurit për të. Në realitetin shqiptar të sotëm, me sa e njoh unë këtë, të flasësh për arkitekturë është absurditet më vete, pasi më së pari duhej të flisnim për sociologji, për virtyte, për moral e ripërtëritje etike – dmth. për tema fare të tjera, që më shumë se me ngrehinat kanë të bëjnë me banorët e tyre. Nuk ka kuptim pra kur bie fjala te teatri i vjetër a shkatërrime të tjera të kësaj natyre, të flasim për arkitekturë, pasi tjetërkund fle lepuri. Ajo është vjedhje, përlyerje, vëri ç’emër të duash, por për këto gjëra ka juridiksion e shtet – tjetërkund flas; te ne me sa duket akoma jo.

    1. Ka edhe një gjë tjetër: meqë ti nuk identifikohesh dot si arkitekt aty për aty nga emri (sepse nuk të njohin – përkundrazi, shumë prej nesh të njohin si poet), atëherë nuk mjafton të luash kartën e ekspertit, sepse kushdo mund të të thotë: provoje që je arkitekt. Prandaj besoj që është më mirë të ndërhysh duke u shpjeguar gjëra atyre që nuk i njohin ose i kanë gabim, sesa t’u thuash që “pusho ti se unë di.” Unë nuk e vë në dyshim që ti e ke ekspertizën e duhur, por mënyra si ke zgjedhur të ndërhysh t’i zeron kredencialet (dhe autoritetin). Një nga arsyet që i hapim këto diskutime është edhe për të mësuar nga njëri-tjetri, por kjo nuk bëhet duke i thënë tjetrit “mëso prej meje.”

      1. Unë po flisja me ty dhe bashkë njihemi njëfarësoj. U tregoj pasaportën (kredencialet) , diplomën dhe atë që quhet këndej nga ne “Arbeitszeugnis” atyre që më drejtohen, siç e quan ti: “hijshëm” e pa fodullëk. Por edhe në rastin e parë, në rastin kur njihem me dikënd – pak e nga pak, sepse nuk ka asnjë arsye të vëllazërohem e të pi gjak me të panjohur nëpër forume – përpiqem ta lë argumentin të flasë vetë, sepse edhe hedhja e diplomës mbi tryezë nuk do të vërtetonte asgjë. Edhe në zejen tonë – si gjithkund – ka plot hajvanë të diplomuar.

        Ndërsa për këtë punën e njohjes së tepruar shkrova këtë jo më larg se dje:

        ZEN PËR MIZANTROPË

        Në këtë qytezën e vogël ku jetoj kam namin e një mizantropi thuajse nopran. Mua nuk më duket se jam i tillë, por as nuk vë dot dorën në zjarr që nuk qenka ashtu: pse njëherë? Çfarë mund t’i provoj vetes duke u djegur nga kosi?

        Këtë përpiqem t’ia shpjegoj tim nipi me një shembull nga muzika, i cili për një përkitje të çuditshme dhe pa ndikimin tim të drejtpërdrejtë, ka ca kohë që po dëgjon heavy-metal-in.

        Shih, – i them – në tërë këto vite që jetoj këtu, rasti e ka sjellë të njoh ca ngaqë ashtu ma ka dashur puna, ca të tjerë nga kafenetë, me më të shumtët kisha një përshëndetje nga ato me tundje koke, me headbanging, më kupton?

        Mirëpo erdh’ një ditë e sapo dilja në rrugë nisja dhe tundja kokën si i ndërkryer tërë kohën, meqë i njihja gati të tërë, dhe kur kthehesha në shtëpi më niste migrena.

        Po të më dëgjosh mua (por nuk ke pse) bëj të kundërtën: dëgjo metal kur të jesh i ndërkryer e jo të ndërkryhesh duke dëgjuar metalin. Më kupton?

        Ai më sheh si gjithnjë, me një buzëqeshje të përmbajtur, pasi e di se tek ungji është e vështirë ta dallosh qesëndinë nga urtësia.

        Edhe në Facebook kështu është, vazhdoj, meqë im nip ka 4500 miq, ndërsa unë vetëm 23.

        Ka njerëz që i kam patur miq e mikesha, të cilët më urrejnë sepse i kam fshirë pa asnjë shkak, ndërkohë që mund të më dashuronin për të njëjtën arsye, që i kisha pranuar si miq e si mikesha po ashtu pa asnjë shkak.

        Ndaj, po të më dëgjosh mua, porse ti e di vetë, nakatose ca më shumë muzikën në celularin tënd; ka edhe muzikë klasike kjo botë, ka edhe pop e ka edhe mainstream.

        Sidoqoftë, peshqit më të mëdhenj kapen në mainstream, më kupton?

        Edhe me njerëzit është e njëjta gjë: takohen dy peshkatarë të shurdhër. Taqo, pyet njëri, për peshk? Jo Sotir, i gjegjet Taqoja, po dal njëherë për peshk. Aha, thotë Sotiri, kujtova se po dilje për peshk. Jo, jo, të thashë, për peshk…

        © Arb Elo

  9. Ja dhe një shtojcë tjetër pse nuk kam arsye të lexoj Ekon unë që të më FLASË për teorinë e arkitekturës (Mirë që nuk na u citua edhe Borhesi, përjashtimisht) – Thjesht sepse është FOLUR e SHKRUAR për këto tema qysh në antike. Nëse ke dëshirë në këtë moshë e me atë profesion që ke e me kohën pakët t’i hysh detit në këmbë, urdhëro një listë me emra që i kanë bërë shpesh të dyja – edhe e kanë BËRË shtëpinë, edhe kanë FOLUR për të :

    https://en.wikipedia.org/wiki/Architectural_theory

    1. Arb Elo, duket më mirë kështu:

      “Arkitektura në konceptin teorik të saj, me shumë pak fjalë mund të përkufizohet si ARTI që tenton të ndajë dhe organizojë hapësirën në bazë të shijeve estetike dhe rregullave të ndryshme e që shtrihet në periudha kohore të ndryshme.”

      Ndjesë Arnold, që e kam ndryshuar disi frazën e marrë nga shkrimi i mësipërm.

        1. Nëse flasim me metafora, personalisht parapëlqej këtë thënie të Shopenhauerit: “Arkitektura është muzikë e ngrirë”.

          Përndryshe “përkufizimet” e arkitekturës duhej të ngjasonin me ato të arteve të tjera, në këto kanë përkufizime. Hygoi e krahason arkitekturën e vjetër me shkrimin, Ardiani (Vehbiu) i është qasur asaj me sa duket (se librin “Kulla e sahatit” nuk ia kam lexuar) nga këndvështrimi semiotik e strukturalist (arkitektura si shënjim – shih për më gjerë Fukonë, Bartin, Sosyrin, Ekon e lartpërmendur etj.) – po kështu flitet, nga ana tjetër, për “arkitekturë” të një simfonie, kompozicion të saj e me radhë.

          Natyrisht që ky është një diskurs i lashtë dhe të vjetrit kishin edhe ata këndvështrimet e tyre për këto tema. Mirëpo do t’i binte shumë gjatë të futeshim në mitologjinë egjiptiane, të kalonim nga majat, kinezët, grekët e vjetër, romakët, mesjetën e me radhë. Fundja, mjafton të gugllosh paksa për teorinë e arkitekturës dhe do të gjesh mijëra vëllime për këtë temë nga njerëz ku e ku më të fisëm se shkruesi i këtyre radhëve.

  10. Me shtepine e ndrite, shqiptaret i bejne shtepite pa arkitekte, mjafton nje teknik me te mesme, biles edhe per nje 3-4 katsh te thjeshte. Ne Shqiperi arkitekti i vjedh punen teknikeve me te mesme, se Shqiperia aq pune ka, mjaftojne arkitekte zbatues dhe teknike me te mesme. Po qe se portofoli yt jane shtepite, piramida dhe ndonje kantier si zbatues, ti qenke arkitekt qe ske lidhje as me shkencen as me artin, qenke murator. Me gishta jane arkitektet ne bote, se ne Shqiperi ska asnje, qe mund te pretendojne se kane bere vepra arti, te tjeret o jane me te larten e u duhet shkenca o jane muratore me te mesme, qe u duhet ca teknike e pak hamendje. Ti nga menyra e arsyetimit jo vetem qe nuk je epistemolog, pra ske asnje kompetence profesionale per te kategorizuar shkencen, po ske as ndonje veper arti qe na tregon se c’arkitekture ben ti.

  11. Ky diskutim (si çdo tjetèr diskutim) i bere me konceptet dhe fjalekuptimin e epokes se sotme, nje epoke dizitegrimi dhe konflikti, eshte per pasoje absurd, i shenuar nga dizintegrimi dhe konflikti, per pasoje edhe nga zemrimi dhe idhnimi. Nuk shkohet kurrkund me kete menyre, perveçse drejt shkaterrimit.

    Në greqishte të vjetër nuk ekziston një term specifik për të treguar artin e mirfilltë në kuptimin e sotëm të fjalës. Këtë funksion e kryente fjala techne e cila kishte shumë kuptime: art ose zanat; rregulla të artit ose teknika; aftësi ose zotësi; vepër arti; mjet, sajesë ose marifet; dinakëri ose mashtrim. Në përgjithsi techne kishte kuptim me dijtë me prodhue, me dijtë me bë (në greqishte të vjetër “poet” ka kuptimin “ai që vepron”).

    Fjala “poezi” prejardhet nga greqishte e vjetër poiesis, që sipas Platonit do të thotë akti që bën të kalojnë gjërat nga mosqenia në qenie, pra sipas tij poezia rezulton një akt prodhimi.

    Termi “artifex” në lashtësi kishte kuptimin e njeriut që ushtron njëkohësisht një art dhe një zanat, pa bërë asnjë dallim ndërmjet tyre.

    Fjala latine “ars”, nga prejardhet fjala “arte” në italisht e spanjisht dhe “art” në frengjisht e anglisht, dikur përdorej në një kuptim më të gjërë se sa sot; kuptimi i saj shkonte nga “prodhim” deri në “aftësi” dhe “mjeshtëri”, kuptim që akoma mbijeton në fjalën arti-zanat, ose në art kulinar, arte marcialë, art ushtarak, etj. Në gjuhën latine mungon substantivi “prodhim”, ndërsa folja përkatëse producere ka pasur gjithnjë kuptimin “me shfaqë” ose “me krijue” (krijim në kuptimin intelektual ose krijim vetëm prej natyrës).

    Në gjuhën ruse fjala iskusstvo=art ka rrënjë të ngjashme me fjalët që kanë kuptim aftësi, mjeshtëri, ndërmarje, provë etj.

    Ketu ndalem, por theksoj se duhet pare se çfar ka ndodh ne histori, si qysh e tek na paskan ndryshuar kuptimet. Dhe kjo nuk behet vetem me perspektiven e kalit te karroces, behet edhe me perspektiven e shqiponjes, madje kryesisht me kete te fundit.

    1. Komenti i parë në lidhje me shkrimin nuk merret problemin dhe konceptin qe shkrimi parashtron. (merret me shkelqimin e lugës e jo me çka luga ka brënda ose të paktën me madhësinë e lugës)
      Arkitektura sipas përkufizimeve të fjalorëve të Oxford dhe Cambridge nuk përcaktojnë vetëm një definicion absolut por e shfaqin edhe si art me teknikë por edhe si art me shkencë.. edhe unë e kam shprehur edhe në shkrim që një përkufizim të përligjur nuk ka…

      Gjithsesi po sjell një mendim mbi definimin e arkitekturës nga arkitekti i shek. XX-të August Pere si; “Arkitektura
      është arti i organizimit të hapësirës, që është shprehur e konkretizuar nepërmjet konstruksionit e ndarë në dy pjesë, ana njerëzore me pjesën shpirtërore dhe pjesa materiale (shkencore). Arkitektura tenton të mbledhë në një të vetme dëshirate njeriut dhe anën materiale. Këto dëshira dhe nevoja i vendos sipas një rregulli të caktuar. Pavarësisht se arkitektura është vepër e mendimit ajo nuk mund t’ju shpëtojë ligjeve të natyrës sepse shprehet nëpëmjet materialeve të ndryshme që i nënshtrohen forcave të natyrës.

      Ju falenderoj të gjithëve për komentet.

      1. Meqe me je drejtuar mua.
        Keq me vjen qe ti ke bere gjith kete shkrim, dhe komentet jane ne pergjithsi per nje gje anesore lidhur me temen. Te kuptoj shume mire, sepse jam vete ne poziten tende, edhe une shkruaj. Por nga ana tjeter kuptoj edhe poziten e tjetrit qe vetem lexon nje gje qe i intereson shume a pak, varet sipas rastit (psh me intereson shume se si mund te perkufizohet arti, e shume pak se çbehet ne Bienale). Keshtu qe ne fund te fundit nuk eshte se behet qameti, ka qe shkruajne dhe nuk kane as edhe nje koment poshte shkrimit. Ajo qe ka rendesi eshte se ti shkruan per diçka, e mbas shkrimit nuk je me i pari.

      2. Unë besoj që më shumë se për kyçje në përkufizime, ky diskutim në PtF (dhe në përgjithësi diskutimet për arkitekturën) kanë nevojë për hapësirë dhe gjithëpërfshirje të të gjithë atyre që kanë interes për të.

        “Architecture is a public commodity, and as such it invites public scrutinity.” thotë Reed Kroloff.

        Për ta shtensionuar atmosferën e nderë të diskutimeve që pasojnë çdo fjali që nis me fjalët “Arkitektura është…” mund të lexoni më poshtë 120 përcaktime që më kanë pëlqyer fort e ngandonjëherë më kanë bërë edhe të buzëqesh.

        https://www.archdaily.com/773971/architecture-is-121-definitions-of-architecture

        Një pjesë e mirë e këtyre përcaktimeve kanë lidhje me temën, por nuk po zgjatem duke i analizuar. Gjithsesi, një ndër gjërat e bukura për të cilat u bë shkak ky shkrim, ishte ideja e Paolo Baratta-s, Presidentit të Bienales : “Hapësira e lirë tregon një civilizim më të lartë në mënyrën e jetesës, duke qenë një shprehje e vullnetit për të mirëpritur.”

        Të planifikosh duke lënë vend për të renë/të papriturën, të projektosh duke ndjekur parimet e esencializmit, duke lënë vend të lirë.

        Kjo është maturia e vërtetë e një shoqërie që vjen me kohën, por gjithashtu edukohet nga profesionistët e fushës, arkitektët, urbanistët, intelektualët që shohin përtej hundës (profesionit) të tyre, paçka se u mballoset nofka “gjithomanë”.

        Tek ne, mungesat e kësaj natyre mund të konsiderohen një luks i vërtetë sa kohë që mungon DIALOGU, shtet – qytetar, duke bërë që ky i fundit të jetë peng i një marrëdhënieje dhe komunikimi traumatik, hipokrit e hilacak. A nuk është ajo që po ndodh me banorët e zonës së Astirit shembulli më i fundit i kësaj Tiranës tonë, vibrante?

        Ps.: Arb Elo, si admirues i Jin-Jangut (nga sigla që përdor), po të gostis me një strofë nga arti dhe shkenca e kulinarisë së “I Ching-ut”: “When one leads the way for the people joyously, they forget their drudgery; when one confronts difficulty joyously, the people forget death. The greatest thing in making people joyous is that they encourage one another”. Ika tani të trazoj peltenë e ftonjve…

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: