Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

VIRGJËRESHAT SHQIPTARE NË KËRKIM TË VENDIT ANTROPOLOGJIK (III)

nga Ilir Yzeiri

Funksioni i shenjës – nënë në semiotikën e marrëdhënieve nënë/djalë pasurohet me kuptime të reja. Studiuesit sjellin si shembull për këtë figurën e nënës në këngët popullore epike dhe legjendare. Aty, nëna e trimit ka një nderim të veçantë. Ajo vizatohet gjithmonë me trajtat e burrit trim dhe të përmbajtur. Shkon natën e derdh lot te varri i djalit, në vetmi e larg syve të botës. Por, gruaja mban lidhje të ngushtë me vëllazërinë e saj, duke krijuar një lloj shenjueshmërie tjetër në raportin motër/vëlla. Të gjithë sjellin ndërmend baladën e famshme “Konstandini dhe Doruntina” që ka shërbyer si shtrat për novelën e njohur të Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”. Në hapësirën e ndërtuar për të vendosur raportin e burrit me gruan, në ndonjë rast, çifti motër/vëlla e sfidon çiftin burrë/grua, madje, edhe trekëndëshin burrë/grua/fëmijë. Gruaja, edhe kur ajo ka funksionin e nënës, pranon të sakrifikojë burrin dhe fëmijën për hir të vëllait. Janë dy vargje të një kënge historike që thonë kështu:

Ç`bani motra për Halilin?
mbyti t’shoqin e të birin”

Studiuesit kanë vënë re se në këtë hapësirë plotësohet hovi i shfrimit të dashurisë së vashës, dashuri që ajo nuk e realizon dot as te burri, as te prindi, as kundrejt fëmijëve, sepse ata janë të burrit sipas Kanunit[1]. Hapësira e utopisë malësore e përfill lidhjen e dashurisë së vëllait me motrën edhe më të shenjtë se ajo e fëmijëve me prindin. Sipas kësaj utopie, vëllai dhe motra kanë dalë nga një bark, ndërsa fëmija dhe babai nga dy barqe të ndryshme. Ky koncept i barkut, vijojnë studiuesit, është një dëshmi e asaj që sot mund ta quanim një hapësirë utopike e matriarkatit, në kuptimin e një hapësirë – kohe të kapërcyer, por që ruhet ende në hapësirën e nenvetëdijes etnologjike të femrës malësore.

Virgjëreshat si mohim i fatit të parathënë

Femra në Malësitë e Veriut të Shqipërisë e ka një mundësi që shpëtojë nga kjo gjendje. Qoftë ato muslimane, qoftë ato katolike, në qoftë se nuk dëshirojnë që të martohen, ato mund ta bëjnë këtë duke u deklaruar virgjëresha. Siç e pamë më lart, virgjëria është një nocion shoqëror që çmohet shumë, por jo aq sa shterpësia. Mallkimi më i madh për një femër është shterpësia, paaftësia e saj për t’u bërë nënë, për t’u riprodhuar. Ne pamë më sipër se një femër e fejuar, nëse mbetet shtatzënë nga një i tretë, ajo edhe mund të martohet. I fejuari i saj edhe mund ta marrë për grua, megjithëse ajo është një femër me marre. Virgjëria paraqitet kështu si një heterotipi që e ndihmon femrën malësore të shpëtojë nga utopia e hapësirës femërore. Si shenjë, virgjëria është opozicionale me martesën. Pra e virgjër quhesh derisa nuk je martuar ose në qoftë se refuzon të martohesh. Këtë vullnet ato ia deklarojnë familjes së tyre. Në qoftë se ajo ka qenë e fejuar, atëhere ajo do të betohet para një jurie prej 12 vetësh që do të rrijë përjetë e virgjër dhe familja është e shtrënguar që të kthejë dhuratat që ka marrë nga familja e djalit. Femrat në malësitë e Veriut të Shqipërisë e zgjedhin këtë status jo vetëm për të kundërshtuar fejesën, por edhe për motive të tjera. Një nga arsyet më të shpeshta është e drejta e trashëgimisë e cila, disa here, u jepet atyre që kanë statusin e « virgjëreshave ». Sipas Kanunit, femra është e zhveshur nga e drejta e pronësisë. Ajo as nuk merr dhe as nuk trashëgon asgjë prej pasurisë familjare. Studiuesit e lidhin këtë me një reminishencë të shmangies së matriarkatit, sepse, në qoftë se femrës do i njihej ky status, atëhere në familjen e burrit do të vërshonin anëtarët e e familjes nga vija e nënës.[2] Po ashtu, sipas një ligji tjetër të pashkruar, në qoftë se dy vajza mbeteshin jetime, atëhere sipas besimit që “dy vajza bëjnë një djalë”, këto të dyja, në qoftë se deklaroheshin “virgjëresha”, mund të gëzonin një jetë të natyrshme, duke shfrytëzuar gjithë pasurinë e babait, megjithëse ai, babai, mund të kishte trashëgimtarë meshkuj nga ana e tij, si djemtë e vëllait, fjala vjen. Ndërkaq, nëse mbetet jetime vetëm një vajzë, pa pasur të tjerë meshkuj në familjen e vëllezërve të babait, ajo, me kushtin që të deklarohet virgjëreshë, mund të gëzojë trashëgiminë e të atit. Por, në qoftë se ajo ka dhe të tjerë të afërm meshkuj këta duhet të llogarisin edhe pjesën e saj e cila është e barabartë me të tyren. Virgjëresha e administron atë deri në vdekjen e saj. Kur ajo vdes, pasuria e saj i kalon trashëgimtarëve meshkuj. Po ashtu, nëse prindërit vdesin dhe lënë një fëmijë të madhe “virgjëreshë” dhe disa të tjerë më të vegjël, ajo merr përgjegjësinë e menaxhimit të familjes. Madje edhe kur fëmijët meshkuj rriten, asaj i mbeten përgjegjësitë, të cilat mund t’i hiqen vetëm nëse ajo i refuzon vetë. Në të tilla raste shefi i familjes duhet të veprojë dhe të marrë vendime vetëm në bashkëpunim me të.

Një tjetër motiv për të mbetur virgjëreshë mund të jetë edhe dashuria për familjen ose egocentrizmi familjar. Kjo ndodh atëhere kur prindërit nuk janë të aftë të menaxhojnë familjen, qoftë për shkaqe të moshës, qoftë për shkaqe të tjera. Në këtë rast, duke mos pasur fëmijë të tjerë që të marrin këto përgjegjësi, vajza heq dorë nga martesa dhe betohet se do të rrijë virgjëreshë. Por këto janë raste të rralla sepse, sipas besimit të malësorëve, është turp i madh të mos martosh vajzën, të mos e shkëmbesh këtë mall.

Në shumë raste, vajza që është betuar si virgjëreshë merr rrobat e mashkullit dhe vishet si burrë dhe fiton të drejtën që të mbajë armë ashtu si djali dhe të shfaqin formën sublime të mashkullit – mbajtjen e armës. Virgjëreshat dallohen nga vajzat e tjera sepse ato kolliten si burrat dhe ashtu si ata mbajnë shallin, kësulën, dhe xhoken, një lloj xhakete e shkurtër e zezë. Ato kërkojnë gjithnjë e më shumë që të bëjnë jetën e mashkullit; zgjedhin të punojnë tokën, të pinë duhan. Disa studiues, sidomos etnologët e shkollës romantike të Vienës, mendojnë se “virgjëreshat nuk përbëjnë një kastë”. Studiuesit janë të ndarë sa i takon vlerësimit të tyre. Injac Zamputi, një studiues i njohur shqiptar mendon se kur një vajzë është e rrëmbyer nga çështjet që i përkasin fisit dhe ndien në veten e saj energji të mjafta për t’i shërbyer vendit si të ishte djalë (sidomos kur shtëpia e prindit nuk ka djalë), ajo mund ta bëjë këtë që të mos konsiderohet tepricë në shtëpi apo në fis të vet, por me një kusht që është dhe një sakrificë: ajo duhet të heqë dorë nga funksioni kryesor që ka gruaja në atë shoqëri, domethëne duhet të qëndrojë përgjithmonë e virgjër, pa shkuar te burri dhe të heqë dorë nga mëmësia. Ajo duhet të heqë dorë nga jeta e saj seksuale. Duhet të mendojë, të veprojë e të vishet si burrë. Po Kanuni nuk ia njeh tërësisht këtë status. Ajo ka vetëm “lirinë me ndejë me burra”[3]. Sipas Zamputit, këto virgjëresha janë identifikuar më pas me figurat e grave luftëtare, heroina, që nga roli i mashkullit kanë marrë vetëm guximin, trimërinë dhe sakrificën për nevoja të ruajtjes së territorit të fisit, apo dhe të kombit. Studiuesit kanë vënë re se virgjëreshat shqiptare janë krejtësisht të ndryshme nga zakoni i heterisë joniane. Në fakt, heteret joninae dhe virgjëreshat shqiptare janë dy shenja të kundërta, sepse të parat ndërrojnë kuptim dhe përafrohen me burrin, por pa marrë prej tij utopinë e kënaqësisë seksuale, kurse ato joniane refuzojnë jetesën me burrin, por nuk heqin dorë nga kënaqësia seksuale. Studiuesit bien në një mendje se është e vështirë të përcaktohet vjetërsia e këtij zakoni që i kalon kufijtë e Malësisë. Ata kanë hetuar se në një krahinë tjetër, në atë të Matit, pra më në verilindje, ky zakon ndeshet ende edhe në periudhën e kalimit në islamizëm. “Cuca bahet sadik kur qeth flokët, vishet si burrë, ven armët e kutinë e duhanit. Kjo njehet burrë e merr pjesë në kuvend burrash. Ka vajza që, për arsye të ndryshme, nuk martohen e bahen sadik. Disa të tjera bahen me mbajtë prondtë të patrishëgimtarë”[4]. Por si duhet pajtuar koncepti kanunor se gruaja është caktuar, në radhë të pare, për të shkuar te burri që t’i sigurojë atij shtimin e konakut me këtë praktikë virgjërimi? Studiuesit mendojnë se ky është një përjashtim[5], sepse po të kishte rrezikuar prokreacionin, Kanuni nuk do ta kishte lejuar. Ai mund të lidhet edhe me një zakon tjetër të jetës së fiseve të Malësisë, gjurmët e të cilit sipas Zamputit i gjejmë në një dokument të vitit 1617: “Burrat nuk martohen derisa të bahen tridhjetë vjeç dhe vazat njëzetë e pesë. Vajzat nuk dallohen prej meshkujve sepse janë të rrueme flokësh dhe veshin rroba burrash dhe kur martohen e lënë flokët të rriten”[6].  Autori citon pastaj disa vargje nga këngët legjendare shqiptare. Në këngën epike me motive legjendare “Omeri” tregohet një episod interesant. Në një shtëpi malësore plaku ka mbetur pa djalë:

Mashkull në votër s’i ka mbetë

I gjithë fisi kërcënohet nga bajlozi dhe asnjëri prej tyre nuk merr përsipër të dalë në dylyftim me të. Plaku i gjorë kërkon ta mbrojë vetë nderin e fisit, por kjo do të ishte një turp i madh, atëhere, vajza e vetme vendos ta sfidojë fisin dhe për të shpëtuar nderin e të atit, vendos që të dalë ajo në dyluftim me balozin.

Hajd bre babë, hiç me u ngushtue
për baloz sot m’ke djalë mue,
e s’të la babë unë ty me shkue”.

Ajo vishet me armaturën luftarake të burrave e duket krejt si djalë:

Mirë asht veshë dhe shtrëngue,
sikur djalë kryet e ka rrue,
sikur djalë n’fytyrë me t’u dukë“.

Dhe vjen episodi i famshëm. Ajo flen në dhomë me të fejuarin dhe nuk e zbulon veten, as ai nuk e njeh:

të dy në odë kanë shkue me ra,
t’mira teshat m’i kanë gjetë,
se shkoi nata çika kishte fjetë…
si ka ra njashtu ka ndjehë ».

Pastaj ajo shkon e lufton me balozin dhe del fituese :

Njatëherë çika shpatë po i bjen,
dekun n’tokë kjo po ma qet”.

Vetëm pasi shpëton nderin e shtëpisë së saj dhe të fisit, ajo zgjedh të shkojë te burri. Dhe kur bëhet dasma e burri kërkon të njohë atë mikun me të cilin kishte fjetë një javë më parë, nusja ia zbulon sekretin :

Ia ka thanë nusja nja tri fjalë,
ia ka thanë nusja e i ka ba bé ;
N’daç Ali me m’vra me m’pré,
mik sot nji javë këtu m’ke pasë »[7]

Në hapësirën utopike të përkushtimit për punët e fisit, femra e malësisë projektohej si e ngjashme me burrin, dhe, gjithmonë, për të kryer këtë mision, ajo heq dorë nga feminiliteti dhe transferohet në hapësirën e mashkullit. Por, ka dhe raste kur edhe pasi e ka mbaruar këtë mision, ajo nuk arrin të rikthehet në hapësirën e utopisë së femrës, sepse një pasion tjetër, ai për vëllain që është më i madh se të gjitha pasionet e tjera, e tërheq deri në vetëflijim. Në legjendat shqiptare, në atë të Gjergj Elez Alisë, fjala vjen, motra, pasi ka ndënjtur nëntë vjet duke mjekuar të vëllain e palgosur me ujët e burimit nëntëvjeçar, kur vëllai, pasi është ngritur nga shtrati ku rrinte për nëntë vjet, dhe pasi ka vrarë në dylyftim bajlozin, vdes, po ashtu edhe motra shuhet në të njëjtën ditë me të :

Te dy zemrat po pr’i herë janë ndalun[8]

Një shembull tjetër i virgjërisë së përkohshme është edhe  ai i motrës së Skënderbeut, e cila, pas vdekjes së Vojsavës qëndroi virgjëreshë dersia u kthye i vëllai që e martoi dhe i vuri nderin në vend. Sepse nderi suprem i vajzës në malësi është të bëhet gruaja e burrit.

Te virgjëreshat e betuara disa studiues kanë parë edhe një aspekt të virgjërisë asketike kristiane. Sipas tyre, për ta kristalizuar në Kanun konceptin e virgjërisë mund të ketë ndikuar virgjëria asketike kristiane. Të nxitur nga këta misionarë, disa nga vajzat malësore dhe fushore, atëhere kur nisi të praktikohej virgjëria kristiane, i prishën fejesat e detyruara dhe, për të shmangur hakmarrjen dhe gjakderdhjen që mund të shkaktonte një vendim i tillë, përqafuan këtë lloj virgjërie.

Ndërkaq, një studiues tjetër, Ernesto Cozzi, mendon se virgjëreshat, jo vetëm që nuk përbëjnë një kastë të caktuar por ato « godono l’intero disistima dei loro connazionali »[9]. Ai shton gjithashtu se « questa dichiarazione di verginità non ha alcunchè di comune col voto di castità della chiesa, e collo stato monacale religioso che in queste montagne non esiste »[10].

Përfundimet mund të jenë të shumta, por sipas mendimit tim, virgjëreshat janë një kategori utopike shoqërore që janë në opozicion me një shenjë tjetër të semiotikës së fisit, me atë të gruas. Edhe në rastin kur ato marrin tiparet e mashkullit, ato nuk shërbejnë si shenja që mund të ndërtojnë sintagmën e familjes. Përkundrazi ato janë një refuzim i saj.

(fund)

(c) 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Injac Zamputi, vep e cit, f. 106

[2] Shih Cozzi E. vep e cit., f.318.

[3] Kanuni § 1228

[4] Kahreman Ulqini, Gjurmime në troet e Skanderbegut, cituar sipas I. Zamputit, f.118

[5] Cozzi, E. , Zamputi, I.

[6] Nga një letër e datës 23 tetor 1617 e të quejtunit sulltan Jahja në „ Sultan Jahja drll imperial casa ottomana, etc, publicati da Vittorio Catuldi, Trieste 1889, fq.506, cituar sipas I. Zamputi, f. 119

[7] Omeri i ri, Visaret e Kombit II

[8] Po aty, Gjerjg Elez alia,

[9] Po ai, po aty, f.320

[10] Po ai, po aty, f.320

22 Komente

  1. Më pëlqeu shumë ky cikël shkrimesh.
    Informativ, konciz, me analiza të bazuara në fakte dhe shkruar me një shqipe të qetë e të rrjedhshme. Përveç kësaj më pëlqeu demitizimi i figurës së virgjëreshës së malësisë, që në 20 vitet e fundit është përdorur si një kuriozitet ekzotik për publikun e huaj, pa pikën e gajles për ta këqyrur në fakt si fenomen antropologjik dhe me nxitimin për të bërë scoop-in e radhës.
    Falemnderit!

  2. “I.Yzeiri , sikurse Xhil Muçi do kohe me pare, nder te tjera, thote se ne malesite tona te veriut, femrave iu pelqen me shume seksi me vellain se me burrin. tani do na thuash pak sesi eshte kjo pune? por jo ketu, se s’ka kuptim. Beji nje ze edhe psikopatit, se mbase na e zberthen me psikoanalize.”

    https://peizazhe.com/2018/11/05/stergjyshes-sime-te-shtrenjte-evdhoksise/#comment-38285

    Qe ku jam, erdha t’ju pergjigjem sfidave intelektuale.

    Me psikoanalize Frojdi ka thene pak a shume se ku ka nje tabu, ka nje deshire. Por edhe anasjelltas.
    Pra tabuja e inçestit fsheh nje deshire. Nje ne dore.

    Dy ne dore eshte se ka nje arsye historike pse deshira e inçestit horizontal vella-moter eshte me e fuqishme se e inçestit vertikal prind-femije. Deshmija nuk eshte vetem ne folklor te malesive te veriut, por edhe folklorin e banalitetit te perditshem shqiptar ku sharja nga motra eshte kulmi i sharjes. Ne “malesine e jugut” ekziston shprehja labe “burre motre!”. Me aq sa di ky eshte nje specialitet shqiptar, por nuk besoj se eshte vetem shqiptar, duhet studjues internacionale te shames nga nona.

    Arsyeja eshte se Adami dhe Eva, qe “hengren mollen”, ishin vella e moter, pra kryen inçestin origjinal (alias mekati origjinal). Ky fakt ka ngel si mister ku çdonje studiues dhe intelektual i modh livadhitet ne shpjegime teologjike dhe artistike si t’ja kete qefi, ne fakt per pune qefi dhe tabuje eshte fjala.

    Nje prej problemet me te renda ne Bibel eshte se informacioni qe vjen prej saj nuk eshte krejt i qarte nese eshte simbolik, apo literal, dhe kur eshte literal apo simbolik. Kjo ben nje mish mash ne interpretim, sepse ate qe nje studjues ose intelektual i modh e quan literale, kolegu i tij e quan simbolike, dhe anasjellats. Pra nuk puqen kurre. (Konkretisht kolegu yne i nderuar Hyllin ne temen e dropulliteve interpretonte mitin e Babelit ne menyre literale, dmth qe Zoti me mjeker si Babo Natale zbriti ne toke dhe ngaterroi gjuhet e njerzve. Ka te tjere te nderuar qe e interpretojne informacionin si simbolik, qe eshte ngaterruar e verteta dhe jo gjuha. Ca te tjere qe ne fillim eshte ngaterruar e verteta, pastaj kjo ka reflektuar edhe ne ngaterrimin dhe shumefishimin e gjuheve).

    Se çfare ka qene vertet Adami dhe Eva veshtire te dihet sakte, sepse veshtire te gjenden rregjistrat e gjendjes civile te kohes. Nese vertet kane qene vella e moter, ka patur nje arsye providenciale pse eshte zgjedhur nje vella e moter me kete pozite. Kjo arsye he per he nuk me intereson ta di, as nuk jam shume kurioz per kete. Por di mire qe Adami dhe Eva ishin ne poziten simbolike providenciale te te qenurit vella e moter, ishin pak a shume si dikur te fejuarit klasike qe lidheshin midis tyre pa u lidhur me marrdhenie seksuale. Ne fakte ky eshte funksioni i fejeses, tabuja vella-moter krijon nje tension qe sublimon deshiren, pra e perforcon, shumefishon dhe kanalizon deshiren tek nje person, e me pas e realizon konkretisht ne martese. Sakte ky eshte edhe funksioni i tabuse horizontale vella moter ne çdo familje (si dhe i tabuse vertikale prind-femije). Me pak fjale seksi eshte i vetmi karburant qe kemi, dhe tabuja eshte i vetmi motor qe kemi. Lirija moderne seksuale eshte nje peizazh djegie pusesh nafte ne shkretetire, dmth bordello qe perjetojme.

    Pra arsyeja se pse populli vella grek tregjedizonte vazhdimisht inçestin ne skene, pse Kanuni dhe virgjereshat etj etj, pse popullli yne pergojon legjenden e Kostandinit dhe Doruntines (dhe shume te tjere ne variante te ndryshme), dhe pse intelektuali i modh e merr neper goje duke çmitizuar te njejten legjende, pse labi ndjen kulmin e fajit njerzor si “burr motre” eshte se Adami dhe Eva jane palluar ne fejese, dmth pa aprovimin e Zotit, ose Prindit qe eshte e njejta gje (sipas Frojdit ideja qe kemi per zotin eshte nje perzgjatim e idese kemi pasur per prindin tone ne femijri).

    Kaq kisha, tani e ka fjalen Hyllin qe shpresojme te mos linkoje dhe te mos beje perçapje filozofike xhaz si ai koloneli te cilit Shvejku i vodhi qenin per t’ja dhene toger Llukashit. Ose edhe ti beje se kemi nevoje per humor ne blog si edhe ne jete.

    1. Nuk merrem fare me sharlatanizma frojdiste, ato te tijat jane nje tufe idiotesish dhe interpretime prej te marri te miteve e legjendave.
      Psikanaliza ka marre fund, kur Hajdegeri dha verdiktin per Lacan-in, ky psikiater ka nevoje per psikiater. Me pare Poperi e kishte vertetuar si pseudo-shkence, po Hajdegeri e nxori edhe jashte filozofise.

      Incesti eshte testuar nga evolucioni si problematik per çeshtjen e gjeneve, macja e largon kotelen mashkull e mban afer kotelen femer duke formuar koloni matriarkale po te munde, keshtu qe kur erdhi evolucioni tek njeriu, vete natyra ka ofruar barriere instiktive, e cila u pershtat kulturalisht, sikunder ndodh me pershtatjen kulturore qe i ben njeriu shume instikteve.
      Nuk shumezohet me hiç evolucioni se dalin ca sharlatane qe i kthejne gjerat mbrapsht.

      Adami nuk ka as moter, as vella, eshte qenie unike e krijuar nga balta. Eva e krijuar nga brinja e Adamit nuk behet motra, thjesht simbolizon lidhjen e pandashme burre-grua ne nje sistem patriarkal ku dominanca e burrit ndaj gruas legjitimohet nga fakti qe gruaja i perket se eshte brinja e tij e munguar.
      Ne mesjete kishte qe besonin vertet se meshkujt kishin nje brinje me pak se femrat.

      Miti lexohet nga ata qe njohin historine ne maje te gishtave, historine politike, ekonomike, fetare, sociale, kulturore, demografike etj,me pak fjale qe kane nja 30 vjet qe hulumtojne nje periudhe te caktuar ne nje vend te caktuar.
      Te tjeret bejne llogje.

      1. Kolonelit qe i ka vjedhur qenin Shvejku nuk zhgenjen asnjehere me frymezimin letrar te Lanes se ndergjegjes.

        Mitin e Zanafilles se Librit (qe ndodhet ne 3 libra) dhe te tjera probleme te Librit qe kane munduar intelektualet e mdhej ne shekuj nuk shpjegon dot intelektuali i modh, e shpjegon te plote Mesia e Ardhjes se Dyte. Ti kujton se impresionon me emra intelektuale t’mdhej postmoderne: Hajdeger, Lacan, Poper, Kadare, por keta jane kakerdhi ne krahasim me Frojd, sepse Frojd eshte shume me teper se intelektual i modh, ka shkatuar nje levizje shoqerore mbarekombetare njesoj si psh Marksi. Dhe Frojd dhe Marks jane kakerdhi para Mesise se Ardhjes se Dyte.

        Vete Frojdi ka thene se psikoanalizen nuk e kam shpikur une, ate e kam gjetur midis jush, dhe e ka gjetur kryesisht ne mitologjine dhe tragjedine greke. Te tregosh qe ne mitin hebraik ndodhet problemi seksual, kjo nuk do te thote qe te besh psikoanalize, kjo do te thote vetem se miti ne çdo ka problem seksi. Vetem kaq. Per te mbytur kete te vertete shqetsuese, sepse miti deshmon çfar ndodh ne jeten e çdo personi edhe te intelektualit t’modh ngambrapa, intelektuali i modh fillo sipas zakonit te beje lloqe kavaje per ndjenje faji, jo kjo eshte sharlatanizem psikoanalitik, e ka than Lakani, e ka than Hajdaraga, e ka than Kadareja, e ka than Trumpi.

        Sado te kete qene sharlatan Frojdi, intuita e tij e madhe mbetet lapidare e rrethuar nga kakerdhi ngambrapamoderne qe leshojne lloqe kolonelesh. Eshte njesoj si me Marksin, ai dhe Frojd jane persone te providences (negative), dhe çfado qe te ndodhe me trimerira Trumpi mee Akeista, jane aty prezente deri ne fund te koheve si gozhde e Nastradinit. Llapin sa t’dush kakerdhite kunder Marks, por neper universitete e ke akoma luan si me pare.

        Shpjegimi qe ti i jep Bibles eshte prej katunari me Adam te krijuar nga balta e katunit. Nuk ke faj ke shume shoke ngambrapa, Lakan,Hajdarage, Poper. Siç ta kam thene, je fut ne zone te minuar me tela me gjemba, nuk eshte pune per ty, per nje kolonel te politikes.

        1. Dmth, ti psikopat (shyqyr qe e kepute ate terkuze) je i mendimit qe autori i shkrimit e ka pare çiftin vwlla/moter bash me syzet e Frojdit?

        2. Kete nuk e di, e s’kam si ta di. Le te flase vete i zoti i punes po desh, autori i shkrimit.

          Per vete mund te them ate qe i kam thene edhe Hyllinit, qe vete Frojdi ka pohuar qe intuitat e psikoanalizes kane ekzistuar me pare se ai. Eskili dhe kompleksi i Edipit ka ekzistuar me pare se Frojdi. Vete une “kam qene frojdist” para se te lexoja Frojdin. Pra mund te jesh frojdist pa e ditur, sidomos sot qe e merr driten frojdiste me refleks. Burri i botes eshte shkaktar i revolucionit seksual, siç eshte shkaktar Marksi per revolucionin komunist.

          Frojdi vetem ka koshientizuar komplet efektin e problemit seksual mbi psiken njerzore. Plus ka propozuar metoda sherimi, te cilat mund te jene te dyshimta, plus qe disa nga dishepujt dhe adhuruesit e tij i kane deformuar deri ne sharlatanizma. Por ca epigone te tjere si Jungu, i çuar me tej zbulimet dhe e kane pasuruar me intuita dhe zbulime te reja. Ky fenomen, dmth keqkuptimi ose mirkuptimi i epigoneve, ka ndodhur rendom me te gjithe zbuluesit dhe zbulimet gjeniale ne histori.

        3. Frojdi s’ka shkaktuar asgje se nuk e ka pjerdhur njeri ne politiken e shek 20,
          Incesti ne kuptimin e ngushte familjar nuk ekziston fare ne natyre, dmth nga ameba qe ishte qenia e fundit e riprodhimit aseksual e ketej natyra e ka bere pothuajse te pamundur per te gjitha qeniet qe te kete riprodhim incestual, kuptohet hiq gabimet se natyra dhe evolucionin flasin zakonisht me 99%.

          Struktura organizative, jetegjatesia e mosha e riprodhimit jane kudo, ne çdo specie, te ndertuara ne menyre te atille qe e perjashtojne mundesine e incestit familjar, per faktin e mirenjohur te diversitetit te gjeneve dhe implodimin gjenetik qe shkaktohet nga mungesa e ketij diversiteti.

          Njeriu eshte hominid, si gjithe hominidet jetonte ne grupe fare te vogla, me pak se 10, me nje mashkull dominant qe ishte i vetmi qe kishte te drejten e riprodhimit. Vete gjetja e ushqimit kerkonte nje siperfaqe te madhe per fryme, keshtu qe ishte e pamundur te formoheshin grupe te medha. Ne moshen e adoleshences, meshkujt deboheshin nga grupi prej mashkullit dominant ne momentin e pare te rebelimit, i cili zakonisht ishte moment seksual rebelimi, sepse asnje adoleshent s’ka fuqi fizike te kercenoje primatin e mashkullit dominant, thjesht kercenon monopolin e tij riprodhues.
          Kjo nuk ishte specifike hominide se gjithe kafshet ne grupe te tilla i debojne meshkujt adoleshente. Kjo ishte ne logjiken evolutive te ndalimit te inçestit.

          Vetem me vone rreth 25 – 30 vjeç meshkujt arrin force fizike dhe eksperience dyluftimi qe te kontestonin mashkullin dominant, ta vrisnin ose debonin ate dhe t’i merrnin grupin, dmth femren apo femrat e grupit.

          Ne gjithe kulturat antike 30 vjeç ishte mosha kur mashkulli gezonte te drejta te plota, pasi kishte marre edhe pervojen dhe tekniken e duhur ushtarake ose luftarake, e cila eshte po aq e nevojshme sa edhe forca bruto. Ky ishte kulturalizim i evolucionit, ku pak a shume ne ate moshe mund te mposhtej nje mashkull dominant qe kishte grupin e tij.

          Prandaj ne stadin natyror asnje mashkull dominant nuk arrinte te kishte kohen ne pushtet qe do i duhej vajzes se tij per te arritur moshen e riprodhimit e keshtu te mundesohej inçesti.

          Keto pra, struktura organizative, jetegjatesia e njeriut e mosha e riprodhimit, ishin produkt evolutiv qe perjashtonte mundesine e inçestit.
          Keshtu kur erdhi arsyeja dhe u krijuan kulturat, te gjitha e perjashtuan inçestin ne familjen e ngushte, i cili ne fakt kishte qindra milione vjet si i perjashtuar nga evolucioni.

          Tani, nuk eshte se vjen Frojdi dhe meqe bariu perkedhel delen rude gjithe meshkujt kane deshira te fshehura e pulsacione te ndrydhura kulturalisht ndaj deles rude.

          Incesti ne familje nuk eshte tabu kulturore eshte pengese evolutive e njohur si e tille nga gjithe kulturat njerezore dhe hap i rendesishem ne evolucionin social, sepse mundesonte krijimin e grupeve te medha njerezore kur mundesite ushqimore e lejonin dendesine me te larte njerezore ne nje territor, psh savana ose stepa per shkak te kafsheve te medha kerkonin grupe me te medha sesa pylli.

  3. Psikopato nuk e di se cfare nenkupton ti me kura e sherime frojdiste, por problemet psiqike kane vetem kura kimike per te cilat jane pergjegjes mjeket psikiater dhe jo çdo individ qe hap zyre e fillon te shpjegon endrrat. Keta jane si puna e fallxhoreve qe te lexojne fatin ne filxhan te kafes, ke nje rruge ketu, eshte nje qe i fillon emri me A, do marresh leke etj.

    Problemi madhor eshte qe as mjekesia psikiatrike nuk eshte asgjekundi ne sherimin e plote te problemeve psiqike, te cilat per shkak te komponentit gjenetik jane shume te veshtira per sherim te plote e perfundimtar.
    Pamundesia shkencore e mjekesise psikiatrike i le vend sharlatanizmave psikanalitike, ashtu si pamundesia e mjekesise per kurimin e semundjeve te tjera fizike u le hapesire mjekeve popullore, kinezerive e sharlatanizma te tjera te ketij lloji.

    1. Tani me kete logjike koloneli qe lexon libra nxjerr çdo profet sharlatan, sepsendodh qe rrotull profeteve lulzojne sharlatanet, e perseris edhe rrotull Frojdit, por kjo nuk do te thote se ai rezulton sharlatan, çdo njeri varet prej kembesh se veta. Ti mbajte nje fjalim te gjate per Kullen e Babelit dhe Krishtit duke i konsideruar me seriozitet, por jane me kokrra intelektualet qe i konsiderojne gje serioze Krishtin dhe nje liber qe shpjegon se njeriu nuk ka ardhe prej orangutangut si thote darvinizmi, por eshte krijuar nga balta e katunit. Zakonisht moda sot i konsideron sharlatanizma mesjetare. Kam dyshim qe edhe ti e konsideron sharlatan, meqe Krishti nuk ishte nacionalisty akeist, por flet kot per oportunizem sa per te kundeshtuar me stilin letrar te Lanes se ndergjegjes, del kacup kot.

      Pra nuk meriton pergjigje, s’kam ç’te them, perseris edhe nje here tjeter qe pa Frojdin nuk kuptohet revolucioni seksual qe ka ndryshuar boten me teper se komunizmi i Marks sharlatanit internacionalist qe eshte kunder nacionalisteve akeiste. Darvini po, ai ka qene i modh se e ka shpjeguar inçestin nepermjet evolucionit te orangutangut nacionalist akeist.

      1. Darvini eshte ne nivelin e Kopernikut, keta jane revolucioni shkencor jo sharlatani Frojd.

        Tek konteksti i Kulles se Babelit, une e permend mitin e Zanafilles, ndaj pohimit radikalisht te dhunshem te Sokol Cunges se diversiteti etnik, fetar dhe racor jane shpikje te pavlera.

        Tek miti del se edhe per antiket diversiteti etnik me baze gjuhesore ( jane njemend nje popull dhe flasin te njejten gjuhe) eshte kaq antik saqe detyrimisht e fusin tek Zanafilla, pra fillesat e njeriut ne toke.

        Nga pikepamja shkencore ky lloj diversiteti lidhet me origjinen e gjuhes, qe eshte ne çdo rast perpara zbulimit te agrikultures dhe blegtorise. Diversitetin fetar e shtyjne edhe me tej tek 30-40 mije vjet me pare kur lindi feja ( i konfirmuar diku tek 25 mije vjet me pare nga objekte kulti), kurse ai racor eshte pa limit se i ka rrenjet pertej njeriut, te ngulura ne evolucion.

        Coja frojdin nje shoqerie patriarkale agrare e shiko ca revolucioni seksual do te shkaktoje. Revolucioni seksual eshte i lidhur me faktore ekonomike, sociale, politike,fetare,demografike etj nuk vjen nga kompleksi i Edipit, Elektres, Klitemnestres, Agamemnonit, Egjistit, Akilit dhe Patroklit.

        Revolucioni marksist ishte nje eksperiment qe deshtoi, keshtu qe eshte nje aksident ne zhvilimin historik ne njeriut.

        I vetmi nga revolucionaret e tu qe ende mbijeton eshte Niçja, sepse ishte ne gjendje te kapte ne disa raste levizje tektonike te shoqerise, psh nihilizmi ( rrezikun e te cilit deshi ta parandalonte Hegeli me absoluten e tij), dhe nuk pati pretendime shkencore si frojdizmi dhe marksizmi.

        E fundit, leri keto akeizmat e personalizmat, se do me stimulosh ndonje kompleks e do marresh pergjigje frojdiste, se e njoh Frojdin dhe di te shaj frojdiançe.

        1. Ti ke sha frojdistin si sharlatan, un shaj akistin si shalatan. Jemi baraz. Perveç se je ti qe e ke krujt i pari.

          Kush mer, Koperniku eshte sharlatan, edhe Darvini sharlatan eshte, sipas tij Adami ka ardhe nga majmuni, nuk ka lind nga balta si thote Bibla.

          Kurse Niçja perveçse sharlatan, ishte edhe psikopat, ne fund te jetes qendroi i ngujuar ne krevat per 10 vjet si Konstandini ne shtrat ne gjendje inkoshiente. Ka pas nje idil inçestar me motren e vet, Doruntinen, qe mekonte si nje bebe, dhe i ndrronte pampers 3 here ne dite.

        2. Psikopat une i thashe Frojdit sharlatan, jo frojdisteve, sepse nuk je sharlatan nqs beson tek nje teori sharlatane, je thjesht nje person i mashtruar qe nuk eshte perditesuar me njohjet shkencore ne psikiatri te cilat nuk ia elektroshokizojne trurit kujt, as hipnotizojne kend, as i kerkojne nese i ka ngacmuar seksualisht ariu kur ishin 5 vjeç apo nese nena dhe babai i puthnin bibilushin kur ishte 2 vjeç, thjesht pas nje verifikimi i japin psikobarna, te cilat jane mjekim kimik dhe qe jane konsum i vazhdueshem per 20%.te amerikaneve dhe italianeve.

          Te tuat jane personalizma, per mua s’eshte fare problem nqs ne po diskutojme per AK-ne dhe t’i thua nacionalizmi akeist eshte sharlatan apo qe patriotizmi eshte streha e fundit e maskarenjve, por ne po diskutojme per Frojdin duke supozuar nje influence te tij ne çeshtjen e trajtuar nga autori.

          Meqe ke qejf te diskutojme per nacionalizmin akeist, bej nje shkrim, dergoja xha xhait er botim dhe aty shaje AK-ne dhe nacionalizmin akeist sa te shembesh, duke u marre me teorine dhe partine jo duke u marre me individet qe ke perballe si psh patriotizmi eshte streha e fundit e maskarenjve, pra hyllini eshte maskara.

        3. Un nuk e kam me asnjeri perveç teje, me sakte me menyren e muhabetit tend, se vetem kete njoh, e prej kesaj mund te nxjerr pasojat kush je.

          Menyren e muhabetit nuk e ke ne rregull, pa u fut ne te thella: me gjith perseritjet e vazhdushme te mija, akome nuk ke kuptuar qe nuk jam frojdist (s’kam si te jem sepse nuk jam ateist biologjist darvinist siç ishte Frojdi), dhe dobsite e frojdizmit i njoh dhe pranoj me mire se ty. Por nuk kam si mohoj faktin se Frojdi eshte zbulues dhe konkuistadores i kontinentit te inkoshientit. Mbas zbulimit te tij bota nuk mund te jete me e para, njesoj sikur ndodhi kur Kolombi zbuloi Ameriken. Ti thu jo mer jau se Kolombi ishte sharlatan, dilte çdo mengjez ne kuverte i anijes e bente saçma hundesh tek direku.

          Fakti qe futem ne kete lloj muhabeti, sharlatani i bi te jem une qe rri e çaj derrasa me ty dhe llojin tend. S’ka shume po behej muhabet per Marksin ne tavoline kafeneje, e une po grija sallate çfar kish sjelle te re ne bote, psh koncepti i mbivleres, akumulimi i kapitalit, luften sindakale etj, kur ngrihet burri botes te tregoje me fakte qe Marksi ishte sharlatan se ai kishte pas 30 lek diten e punes ne kooperative dhe ishte enverist kush lavderonte Marks sharlatanin. Çfar t’i thuash nje heroi te tille intelektual? Asgje nuk ja vlen te thuash, prandaj mbas 10 minutash u ngrita nga tavolina, e ku ju kam pare.

          Te kujtoj se ka ndodh midis nesh diçka e ngjashme si lufte brezash, megjithse jo kaq ashiqare, jane te tjere ne blog kampione te antikomunizmes, megjithse edhe ti nuk je pak. Apo ke harruar?

        4. Subkoshenca eshte formati psikologjik i qenies filozofike apo noumeni kantian, keshtu qe Frojdi ka zbuluar ujin e ngrohte. Qe me Kantin i cili ”vertetoi” filozofikisht pamundesine e njohjes se noumenit shkenca e perjashtoi noumenin, qenien, subkonshin, nga objektivat e saj, duke u marre me fenomenin dhe me paraqitjet e tij. E thene me nje batute qe nuk mbaj mend se kush e ka thene ne nuk mund te njohim shkencerisht as esencen e mizes.

          Farmakologjia psikiatrike nuk merret fare me psikobarna per subkoshencen, unin,mbiunin, nenunin dhe diagonalunin dhe kembengulja jote per te kuruar njerezit me probleme psiqike jo nepermjet barnave por nepermjet llafeve, me kujton ata qe mendonin se do sheroheshin nepermjet lutjeve per Zotin dhe jo nga ilaçet e njeriut. Ka qene nje sekt i krishtere qe nuk pranonte gjithe ilaçet e njeriut ndersa Deshmitaret e Jehovait nuk pranojne vetem nje pjese te ilaçeve.

          Sa per marksizmin ti mund te dish shume gjera, por ka kohe qe komunizmi i praktikuar po shihet si kapitalizem shteteror.
          Kooperativat komuniste, nuk ishin ndryshe nga ato kapitaliste, perdornin punetore qe i paguanin me meditje, kishin madhesi qe pershtateshin me konceptet e ekonomine se shkalles dhe rendimentet renese, pra as gjigande as te vogla, drejtoheshin nga specialiste te punesuar nga pronari.
          Dallimi qe ne komunizem pronari ishte shteti, ne kapitalizem pronari ishte individ privat.

          E njejta logjike edhe per industrine, fabrikat kishin punetore, ishin te medha por brenda koncepteve ekonomike, drejtoheshin nga specialiste te emeruar nga pronari, ku dallimi mes shtetit dhe privatit.

          Ne komunizem as punetori e as fshatari nuk kontrollonin mjetet e prodhimit, qe ishin plotesisht ne duart e burokrateve te caktuar nga shteti, ne nje kohe qe kompanite private me aksionere, bejne te mundur qe punetoret e tyre te blejne aksione, pra te jene pjeserisht ne pronesi te mjeteve te prodhimit.

          Thene kjo, Marksi nuk ka meriten qe zbuloi vleren e shtuar se vlera e shtuar ka qene themeli i tregtise qe ne kohen kur shkembehej guri i strallit per nje derr te eger, por ka meriten qe i dha vertetim shkencor.

          Meqe shoh qe qenkemi shume larg njeri-tjetrit dhe po dalim plotesisht nga tema, jam dakort me ty qe nuk ia vlen ta vazhdojme me tej, para se te nderhyrje me te drejte xha xhai.

        5. Kafet jane paguar, i pagova un per te gjithe ata qe kan pas dite te ulet pune ne kooperative.

  4. Vargjet e kenges popullore: “Ç’bani motra per Halilin? mbyti t’shoqin e te birin”, autori i vendos ne funksion te idese se tij, se gruaja edhe kur behet nene, pra kur ploteson funksionin e saj natyral e social, ndjehet ende e paplote per shkak te mungeses – qe prej kohesh mitike – te t’ vellait.

    Kjo kenge popullore (e XIV kenge trimerie e “Visarit Komtar” te Vincens Prendushit), tregon pikerisht ne vargjet e sipercituara, siç thote At Gjergj Fishta,”se nji nanë kryekëput e çoroditme n’vedvedi ka mytë burrin dhe djalin e vet”.
    Por, At Gjergj Fishta e sjell kete kenge (te plote), ne fund te nje shkrimi te tij tek Hylli i Drites, ne funksion te nje ideje tjeter.
    Duke lexuar kengen e plote, ne kuptojme dhe rrethanat qe shkaktuan “çorodine” dhe krimin tragjik.
    Fishta vazhdon: ” Tash, per me dasht me pru egersine e barbarine e popullit shqyptar prej ksaj kange, anmiqve t’Shqypnis kishte me ju dashte me diftue, se populli e ka qite e e kndon ket kange vetem prej zemres gjakbase t’asaj grueje, qi myti burrin e djalin e vet: si kishte me kndue ndoj kanibal, a çdo antrofag.
    Por, kurr anmiqt e Shqypnis s’kan me mujte me diftue ket fjale.
    Ktu tregohet permi nji ndodhi tragjike: si dy vllazen – dy djem si Zana, per tradhti t’shoqit s’motres sw tyne, janw lshue n’dore t’Vezirit, qi i nep me i pre, e si motra, atehere, n’deshprim e per me ndeshkue n’shpi t’burrit nji dhune aq t’kobshme, e vret t’shojne e myte djalin e vet.
    N’ket kange, fillim e marim, nuk epet nji gjykim, permi pune t’asaj grueje; vetem n’nji mnyre t’pervajshme, sa me t’ba me kja, kallxohet se si ka ndodhe ajo kafshe(gja) e shemtueme e tragjike. E jo veçse prej kanges nuk mund t’thohet, perkundra, duket mirfillit se ajo e ka ndergjegjen e punes s’kobshme, qi asht tuj ba; pse ajo vete thote:
    Kur ja vuna thiken djalit
    Si t’i xjerrkesh syt’e ballit.

    1. Nuk eshte e vertet, Fishta ishte i krishtere, dhe Krishti ka qene nje cope sharlatani internacionalist kozmopolit qe ka demtue shume nacionalizmin dhe partite politike qe e perfaqsojne. Eshte darvinizmi social qe mban ne kembe nacionalizmin. Çdo komb, si çdo individ lufton per ekzistence, per interesin e vet, dmth haji koken tjetrit (grekut dhe dropullitit), dhe merri paret e kooperatives per vete, ndersa mbivleren e kooperatives jepja komunisteve dhe frojdisteve qe jane edhe ata sharlatane.

      Nuk e mban dashuria shoqerine, siç ka thene Krisht sharlatani, e mban vetem interesi, sIç ka thene Darvini. Po ta mbante dashuria shoqerine ne kembe, atehere pse ameba kur shumezohet nuk ben seks me Tjetrin, nuk njeh as moter e vella, as babe e as nene, por vjen nje moment dhe ndahet ne dy ameba, gjithsekush cope amebe shkon per hesap te vet, shum shum ben seks me vetveten per qef?

      Po momenti a e di se ç’asht? Asht rrjedha e kohes e matun me mekanizma, rrokotella e spirale!

      Po spiralja a e di se ç’asht? Asht simboli i gjarperit kozmik qe i aplikuar ne praktike krijon vertitjen e zorreve te Adamit te zanafilluar nga balta.

      Me tutje nuk di, per me tutje pyet kolonelin qe Shvejku i vodhi qenin per t’ja dhuruar toger Llukashit.

      1. Psikopat, mire e ke qe e fillon diten me humore e me shvejk e me shpjegime simbolesh kozmike.
        Po Fishta aty nuk po kendonte ndonje psalm. Ku ishte gabimi i Fishtes. Sigurisht ai nuk perdor argumenta kanunor per te analizuar psene e tragjedise, qe ne fakt edhe per shkak te tij ( e jo vetem) u shkaktua.
        Kjo ngjarje tragjike perben, eshte nje rast i rralle i zbatimit te gjakmarrjes ne kushte teper speciale. Por i tille eshte. Me kanun, pare ftohte, asaj i vrane dy vellezer dhe ajo vrau dy. Nje tjeter gje qe duhet thene eshte edhe se tradhetia e te shoqit te saj eshte dyfishe sepse eshte dhe tradheti kombetare: sherbimi ndaj pushtuesit. Pra eshte dhe Marre dhe Gjak.
        Pasi te merren parasysh te gjitha keto, atehere sigurisht ka vend per ta pare ate grua edhe nga kendveshtrime te tjera.

        Psikopat gerrverret e tua me Hyllinin , gjithsesi jane te lezeçme dhe zbavitese. E ç’kuptim, ne fund te fundit, ka gjithe ky seriozitet. Jepi vllai se mire e ke.

        1. Gerr verrit i bej vetem prej hallit, na ka zene tani e nuk kemi çfar te bejme. Ne fakt deshira ime nuk eshte te bej kete lloj humori e kete lloj diskutimesh (vetem komenti im i pare ka vlere), por nuk arrij ta mbaj veten. Ka nje menyre te thjeshte per te evituar kete lloj degradimi te diskutimit (shkaterrues per blogun) – qe nuk do te thote e lehte te behet ne praktike – mos i jep pergjigje kujt nuk e meriton, dhe nuk kerkon pergjigje, por vetem pretekst per zhvillimin e musklatures intelektuale. Shpresoj se do ta gje forcen e durimit.

          Citimin e Fishtes te sjelle prej teje nuk e njihja me pare, e me beri shume pershtypje si kapje, por edhe si stil. Nuk kam lexuar gje me te mire prej tij si thellesi kapjeje, megjithse nuk kam lexuar shume prej tij; nuk merrem me me prifterinj, sidomos prifterinj te koheve moderne.

    2. Coroditja ose shkallimi eshte tek djali, se shume gra do i vrisnin burrat me qejf per shume me pak sesa jetet e dy vellezerve te tyre. Eshte kontekst tragjik, ku njeriu mund ta humbase arsyen. 20 vjet me pare Shota e Haklajve shtiu me kallash mbi nje tufe burrash ne klub, ca i vrau ca i plagosi per t’u hakmarre per vellezerit. Burri si figure mund te hyje tek kategoria ku bie hakmarrja per vellezerit, por djali eshte shkallim.

    3. Perpos faktit qe kudo ka ndodhur qe grate ne terbim e siper kane vrare edhe femijet pasi kane burrat, nga pikepamja teknike me gjakun si parim, nuk qendron hakmarrja mbi femijet e burrit sepse me kanun jane te burrit. Femijet jane te burrit eshte rregull i pergjithshem i nje shoqerie patriarkale, nje patrilinearitet qe ende sot vazhdon te jete ne ligj, kur femijes se sapolindur i vendoset automatikisht mbiemri i babait ne rast se prinderit nuk kane bere kerkese ndryshe.
      Ne funksionin specifik te kanunit, ku gjaku eshte parimi suprem, hakmarrja nuk shtrihet mbi femijet, pra nen 15 vjeç.

      Femijet jane te burrit ne parim, por jo se gruas nuk i njihet asgje ne praktike, dmth njerezit e gruas e femijet e tyre kane status tjeter nga te tjeret per femijet e gruas dhe ky status vjen nga njohja jozyrtare, por faktike e lidhjeve te gjakut mes femijes dhe nenes.
      Po keshtu ne radhen e gjakut vellai ka te njejtin gjak me çunin e xhaxhait te gjyshit, ashtu sikunder ka te njejtin gjak me vellane, por vellai me vellane jane nje bark, pra kane nje nene dhe lidhja mes tyre eshte superiore ndaj lidhjes me djalin e xhaxhait te gjyshit.

      Pra, nga pikepamja e gjakut nena nuk eshte e perjashtuar ne praktike ose ne substance, por vetem formalisht. Kjo ka te miren qe perjashton gjakmarrjen ne vije femerore, dmth tek dajet, tezet e femijet e tyre.
      Ne fakt gjakmarrja do te ishte rrumpalle totale, nqs femija do te ishte edhe i babait edhe i nenes.

      Si perfundim nuk ka ndonje lidhje reale me kanunin e traditen apo me lidhjen e gjakut qe nena te vrase femijet e saj me motivin se jane te burrit. Tradita ia njeh ne substance nenes nje pjese te papercaktuar te gjakut, keshtu qe vrasja e femijeve nga ana e nenes eshte vrasje brenda gjakut.

      Mesa e njoh kete çeshtje, vellai me vellane e motren, dmth vellazeria, ka superioritet parimor ndaj te gjitha llojeve te lidhjeve te gjakut, sepse jane nje bark, keshtu qe aty eshte gjaku me i paster ne absolut. Duhet te kete ne parim edhe ndaj prind-femije, por ne fakt aty ngec dhe humbet superioritetin praktik.

      Te humbasesh nga syte kete superioritet parimor dhe te hapesh neper frojdizma me Elektra e Akil-Patrokla, per te shpjeguar lidhjet brenda vellazerise, do te thote qe po humbet kohen tende dhe te te tjereve.

  5. Fryni era, u çil taraba
    -Çohu Halil! Se Avdil aga.
    Me treqind zejmen per mrapa,
    T’tanë me opanga,pa çorapa,
    T’tanë çorapat pa opanga.
    Musa i vogël u çue m’kamë;
    Lypka armët, ku i ka lanë.
    -Na i ka mshefun miku mramë!
    S’e ka menden me na i dhanë;
    Paska menden me na xanë
    Bejta Sila qen-qafiri,
    Bani gosten, çoj na thirri;
    Mirë na priti e na gostiti;
    Mish e petlla mjaft na qiti.
    -Myzhde, pashë,se u xu Halili!
    Dugajxhit në kamë janë çue;
    -Kjofsh i lir, e kjofsh bekue!
    -Fole, Shkodr’i fjalë per mue!
    Nuk pot ham, jo, me m’peshtue;
    Me pre Musën para mue.
    Mus’n e vogël e ka falë Pasha.
    -Pa Halilin, t’gjallë mos paça!
    Musa i vogël; shtrini qafën;
    Aj gjaksori prehi shpatën.
    Ky gjaksori bani be;
    -Njeksi trimash kurr s’kam pre.
    -Më paç m’qafë, ti, mori moter,
    Qi me rrejte e m’prune n’Shkoder,
    Ty mos t’left kurr djalë në votër.
    -Mos m’left djalë, e mos m’leftë çikë:
    Ket punë motra s’e ka dijtë.
    Mo ski evsh, o vllau i moters;
    Ti pret Doda qent e Shkoders.
    Shkoj nji javë, e shkuen pesë dit;
    Preu të shojnë me gjith të bijt.
    -Kur ja vuna pushkën burrit;
    Si t’i nxjerrkesh vllazënt burgut;
    Kur ia vuna thikën djalit
    Si t’i xjerrkesh syt’ e ballit.
    Ç’bani motra per Halilin!
    Preu të shojnë me gjith të birin;
    Vrau tre vetë, e duel kaçkinë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin