Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Art / Histori / Kulturë

SAPIENS-I NË RRUGËN PËR HOMO DEUS…

Librat Sapiens dhe HomoDeus të  Y. N. Hararit në gjykimin tim mund të cilësohen si sintezat të mira që i janë bërë ndonjëherë së shkuarës së njerëzimit dhe së ardhmes së tij hipotetike.  Në thelb, te libri i parë ai merr në analizë tre revolucionet e njerëzimit, atë kognitiv (me të cilin nis historia këtu e 70 mije vjet më aprë), revolucionin bujqësor që e përshpejtoi këtë histori (këtu e 12 mijë vjet më parë) dhe revolucionin shkencor, që nisi këtu e 500 vjet dhe që sipas autori mund t’i vërë pikën e fundit historisë për të na nxjerrë në një shteg krejt tjetër (që ai e trajton më gjerë te HomoDeus).

Natyrisht, kur është fjala për probleme që nuk janë zgjidhur në nivel shkencor, nuk duhet pritur që Y. N. Harari të japë versionin e tij. Nuk është ky qëllimi i librave të tij. Ai sintetizon trajektoren e njerzimit mbi Tokë si historian dhe nuk është kërkues në ndonjë disiplinë të caktuar. Ajo që ai di të bëjë mirë është të sjellë  mendimin dhe rezultatet e fundit të shkencës për çështje të caktuara, por te librat tij pëlqej edhe përpjekjet për të mos shmangur problemet e vështira, të dhënat e dyshimta apo ato që nuk gjejnë interpretim të kënaqshëm, mbresa e të cilëve në shoqërinë njerëzore e kapërcen së tepërmi natyrën shkencore.

Por ndërsa nuk duhet pritur që ai të japë një përfundim të qartë për disa nga enigmat më të mëdha të njerëzimit, siç mund të jetë rasti i bashkëjetesës apo konfliktit midis Homo Sapiens-it dhe Homo Neandertalensis ashtu nuk duhet pritur që Y. N. Harari të fshehë problematikën e mprehtë  politike që shoqëron f.v.j., vetë një fenomen të tillë.

Eshtë thënë se kur Homo Sapiens zbarkoi në Arabi dhe në pjesën më të madhe të Eurazisë, ai në ato anë të rruzullit ndeshi me qenie të tjera njerëzore. Midis tyre ishte edhe Njeriu i Neandertalit, që përshkruhet si me trup më të madh, me tru më voluminoz, disi i pagdhendur, krejt i paaftë për t’u organizuar, por që dinte të ndizte zjarrin, të gjuante, të varroste të vdekurit (në fakt unë nuk e di pse Harari e thotë një gjë të tillë sepse poleni i luleve që u gjet në një trup para-neandertal ‘shanidar 4’, në Irak dhe që u paraqit më 1975 si një “varrim me lule”, sot nuk pranohet më si i tillë nga komuniteti shkencor). Çfarë ndodhi me këtë rast ? Ka dy teori. E para është ajo e përzierjes, sipas së cilës midis këtyre specieve ndodhi një histori e lezeçme dashurie, seksi e bashkëjetese të lumtur. Dhe nëse është kështu, atëhere popujt euraziatikë nuk janë sapiens-a të pastër por fryt i kësaj përzierjeje (sapiens-ave dhe neandertal-save). Edhe më tej, kur sapiens-at u shtynë deri në  Azinë lindore, atje ata u shkartisën me denisovien-ët (një popullsi e rikonstruktuar sipas mbetjeve njerëzore të gjetura në një shpellë në Denisova, Siberi) dhe më tutje akoma edhe me erectus-in lokal. Për pasojë edhe popujt e sotëm që gjenden në  ato anë janë edhe ata fryt i kësaj shkartisjeje.

Përkundër kësaj, ngrihet “Teoria e zevëndësimit » (çrrënjosjes do t’i shkonte më shumë), sipas së cilës ka ndodhur diçka krejt tjetër. Eshtë një histori mospërputhjeje e të ardhurve me vendasit, dhe për të mos luajtur me termat mund të thuhet se është një histori gjenocidi. Sipas saj sapiens-at kishin një anatomi të ndryshme nga të tjerët, erë të ndryshme trupore, zakone të tjera çiftimi, pra nuk ishin aspak të tërhequr seksualisht nga vendasit (se me sa duket në atë kohë ‘hyrjet’ nuk ishin aq të gjata), mbase  për shkak të një humnere gjenetike që i ndante. Shkurt, të dy “popullatat” mbetën krejt të ndara deri sa bashkë me neandertal-sit u zhdukën edhe gjenet e tyre.

Po të ketë ndodhur kështu atëhere ne  “jemi të gjithë sapiens-a”. Njerëzit e sotëm, kudo që ndodhen, do të kishin pak a shumë të njëjtin “bagazh” gjenetik, dhe për pasojë dallimet racore do të ishin të papërfillshme. Në rrethana të caktuara, këto ndryshime mund të përdoreshin si dinamit politik (term i Hararit) që mund t’u jepte shkas teorive shpërthyese raciale.

Për dekada të tëra Teoria e zëvendësimit është pritur mirë; për të  ka të dhëna paleontologjike të shëndosha dhe mbi të gjitha është “politikisht korrekte”. Studiuesit  nuk kanë  asnjë dëshirë të hapin “kutinë e Pandorës” duke nxjerrë në pah ndryshime të thella gjenetike që mund të ketë midis popullsive të sotme, për shkak të parardhësve tanë.

Por një situatë e tillë mori një goditje të beftë aty nga viti 2010, kur u publikuan rezultatet e disa viteve të tëra kërkimesh (edhe pse autori nuk e citon, është fjala për një ekip ndërkombëtar të institutit Max Planck) që synonin të ndërtonin hartën e gjenomit neandertal-as, e cila më tej u krahasua me materialin gjenetik të popullsisë së ditëve tona. Rezultatet habitën së tepërmi komunitetin shkencor, u cilësuan si një big-bang shkencor. Ato tregonin se 1 deri 4% e ADN-së së popullsive të Lindjes së Mesme dhe Evropës vinte nga ai shoku i Neandertal-it. Edhe më të papritura ishin rezultatet e mëtejshme, që u bënë të njohura pak muaj më vonë, ku dilte se ADN-ja e Njeriut të Denisovës (në fakt është fjala vetëm për një gisht të ngurtësuar që është gjetur) ishte e pranishme në masën 6% te melanezianët (popullsi e Paqësorit) dhe aborigjenët e Australisë.

Shkencëtarët u përpoqën të ngushëllojnë veten duke thënë se duhet të presim edhe studimet e tjera, që mund të përforcojnë këtë tezë, por që edhe mund ta hedhin poshtë… Të tjerë thonë se teoria e “mirë” e shfarosjes së Neandertal-it nuk duhet të cilësohet krejt e gabuar. Njeriu i Neandertalit dhe  ai i Denisovës na kanë dhënë vetëm një përqindje të vogël gjenesh dhe prandaj nuk mund të flitet për “shkrirje” të sapiens-ave me specie të tjera njerëzore të qëmotshme.

Pra, nuk është e vështirë të kuptohet se kushëriri ynë i largët i Neandertal-it nuk është fort i mikpritur me atë pagdhndjen e tij, por gjithçka tregon se me të ka patur çiftëzime të mjaftueshme, të cilat nuk mund të shmangin disa pyetje interesante si: Çfarë do të kishte ndodhur nëse ata miqtë e Neandertalit dhe Denisovës të kishin mbijetuar bashkë me Homo Sapiens? Çfarë kulture dhe strukture politike do të kishte bota e sotme? Si do të zhvilloheshin fetë, a do do të thuhej  se Njeriu i Neandertal-it vjen nga Adami dhe Eva, që Krishti vdiq për mëkatet e denisovianëve? A do të pranonte Deklarata e Pavarësisë së Amerikës se neandertal-sit janë të barabartë me Homo Sapiens? Po Marksi a do t’ua drejtonte thirrjen e tij proletarëve të të gjitha specieve?

Ndërkohë që bashkë me Y. Hararin edhe unë kaloj në mendje pyetje të tilla, ndodhi diçka e çuditshme. Spikeri i radios, që zhurmëron në surdinë (jemi më 24 tetor 2018) nisi të flasë për një zbulim të këtyre ditëve në një shpellë prehistorike të Spanjës. Ngrita menjëherë zërin dhe kuptova se sipas zbulimeve më të fundit, në atë shpellë paska dalë në dritë një pikturë rupestre (këtu nuk ka asnjë të re), por (dhe këtu ndryshon gjithçka) ajo daton nga 60 e deri më 65 mijë vjet më parë. Çudia qëndron tamam te ky datim, se në këtë periudhë sapiens-at ende nuk kanë vënë këmbët në Evropë, ata enden diku në gadishullin Arabik, sipas të dhënave shkencore. Pra veprat e zbuluara të artit u përkasin neandertal-save, që nuk janë shquar (nuk janë mbajtur) si artistë, që nuk mendohej se janë prekur nga revolucioni kognitiv. Eshtë krejt i pabesueshëm një zbulim i tillë! “Të pagdhendurit”, jo vetëm që nuk qenkan fare të tillë, por  nëpërmjet gjurmës artistike që na kanë lënë (nuk e kam parë akoma, as edhe si foto) ata tregojnë se zotërojnë kapacitete të simbolikës komplekse, nga e cila i kishin përjashtuar krejtësisht.

Një gjë e tillë, kërkon rishkrimin e parahistorisë, gjë që nuk është puna ime, por këtu ka diçka edhe për mua. Dhe kjo është ndërprerja e paraqitjes së kësaj periudhe ashtu siç e jep Y.N. Harari te Homo Sapiens (që me sa po shoh edhe sot ne Amazon zë vendin e parë të shitjeve në nivel botëror), por jo për fajin  e tij. Ai vetëm sa analizon të dhënat dhe përfundimet e të tjerëve, punë të cilen e bën me mjaft klas e cilësi, madje nuk i mungon edhe humori. Gjithsesi, deri sa të zgjidhet ky problem, po ndaloj këtu, duke u druajtur se mos cilësohem si përhapës i fake news (mirë ai që nuk e dinte, po ti që e more vesh:-))?), por edhe duke shtuar menjëherë se kapitujt në vijim për revolucion bujqësor dhe atë shkencor,  janë të një niveli tepër të lartë. Kurrë nuk më kishte qëlluar të lexoj me aq qejf gjëra që besoja se i dija.

Në një rast tjetër do më pëlqente të them dy fjalë për librin tjetër, të Yuval Hararit, HomoDeus, edhe ai bestseller në nivel  botëror, por ndaj të cilit nuk i fsheh disa dyshime.

(c) 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

12 Komente

  1. Po-po, ashtu, ai primitivi i poshter neandertal u zhduk vetvetiu kur erdhem ne raca e zgjuar e homo-homo-sapiens-sapiensit te supes dhe sencit. Se detyrimisht qe ka nje race mbizoteruese dhe te zgjuar, tani per momentin jane cifutet, se keta i ka bekuar Zoti, ndersa arabet jane te zgjedhurit e Allahut. Edhe uji ne toke erdhi nga kometat, edhe hena u formua nga perplasja e tokes me Thean, gjithshka vjen nga lart, pra ti mbajme syte lart dhe veshet nga ato qe na thone popujt e zgjedhur! Amin!!! Lum ne qe i besojme keto gjera! Desha te them: ata qe i besojne!

  2. Harrova te them, se edhe ne shqiptaret po dalim te zgjuar tashme se fundi, si mema/baba e te gjitha kombeve ne bote, pse jo, ne mund ta kemi zevendesuar Neandertalin! Na duhet vetem nje udheheqes politik si Spartak Ngjala, i cili si sekretare do zgjedhi historianen Helena Kocaqi.

  3. Komuniteti shkencor ska pse te lompleksohet me implikimet qe shkaktohen prej rezultateve, sepse sa me te qarta jane rezultatet aq me pak mjegull do te kete per ujqit. Invazioni i pare i sapiensit prej Afrikes ne Lindjen e Mesme ka ndodhur diku tek 100 mije vjet me pare, por eshte zbythyr, besohet per shkak te nunrit te paket te t’zhvendosurve. Nuk i permende zezaket, por nqs kthemi ne kohe 50 mije, atehere gjejme sapiensin ne Afrike , neandertalin ne Europe, Lindjen e Mesme, Azine qendrore deri ne Siberi dhe Denisoven ne Mongoli, Kine e Indokine, pra tre homo sapiensit e 50 mije vjeteve te pare kane pasur territoret qe ne epoken historike i mbajne 3 racat e medha, e bardha, e zeza e verdha. Per denisoven ne fakt ska asgje qe flet per paraqitjen e jashtme, por si kusheri i pare me neandertalin nuk duhet te kete diferenca shume te ndjeshme. Persa i perket debatit te permendur ne lidhje me perqindjet nuk besoj se perzierja ne fjale 1-4%, te ngreje ndonje peshe te madhe, ndoshta ate perzierje mund ta kete vete sapiensi afrikan me ndonje specie tjeter njeriu ne Afrike, nje prej atyre pasardhesve te shumte te erektusve qe nuk u dihet nami e nishani. Fakt eshte qe elementet racore dhe nje aradhe semundjesh tek raca e bardhe, qe nga diabeti, kolesteroli i larte tek probleme te ndryshme psiqike e varesish jane te lidhura me neandetalin, pra dikur kishin vlere evolutive dhe u percollen nga neandetali tek sapiensi, sot nuk kane asnje vlere evolutive, por jane problemet kryesore. Nje prirje me e larte dhjamore tek te bardhet ka qene pozitive me kohet e para sepse dhjami eshte izolues dhe te ruan nga te ftohtet, por sot kjo prirje dhjamore eshte kthyer ne ferrin e te shumteve. Presim nga gjenetika qe gjenet perkatese neandertalase te studiohen deri ne detaje dhe t’i jepet nje zgjidhje ketyre qe tashme jane kthyer ne mbeturina te demshme evolutive, ne menyre qe te bardhet te afrohen me te zinjte persa i perket prirjeve ndaj dhjamit e semundjeve.

    1. Hyllin, mire dhjami tek te bardhet qe ka sherbyer si jorgan natyror, po e zeza te afrikanet per cfare eshte dashur, per te reflektuar rrezet e diellit? thuaj ndonje gje me teper per syte e terhequr e ngjyren e verdhe aziatike? 🙂

      1. Ne fakt Aleks, nuk kane ngjyre te verdhe apo lekurekuq si thuhej per mongoloidet e Amerikes Veriore, nuk ka mesa di une nje indeks te verdhe, kalohet nga e bardha tek e zeza nepermjet grise, ku e bardha mund te marre dritehije te ndryshme, ne varesi te shume faktoreve natyrore e biologjike.

        Per syte e terhequr, teza me e besueshme me duket ajo qe e lidh origjinen me zona stepore qe kane shume ere dhe ku ben ftohte, meqenese eshte edhe menyra si reagon çdo njeri ndaj eres se forte dhe te ftohtit te madh,mbledh syte. Zona e origjines ne fakt mbahet Kina Veriore e Mongolia, sepse jane edhe stepa edhe kane afer anticiklonin e Siberise, i cili e ka qendren diku nga liqeni i Bajkalit dhe shkakton te ftohte theres. Ky i ftohte lidhur me stepat ku era mbreteron se s’ka rezistence, mendohet se shkakton ne afatgjate mbledhjen e syve.
        Thjesht ende nuk dihet me saktesi sa kohe duhet per kete mutacion, besoj qe si puna e ngjyres se hapur te lekures dhe flokeve ne Europe, qe tani mbahen si gjene neandertale, edhe kjo e syve mund te dale ne te ardhmen si element denisovian, meqenese nuk ka sens qe te supozosh nje mutacion te pavarur, kur elemente te tille mund te merren lirisht nga kryqezimet e racave, te cilat realisht kane ndodhur, se e tregojne gjenet.

        p.s dhjami eshte jorgan natyror per gjithe kafshet e zonave te ftohta, jo vetem ne toke por edhe ne det, psh fokat (dhjami nuk eshte vetem depozite kalorish per arinjte qe shkojne ne letargji).

  4. per ngjyren e zeze nuk the gje . s’ka gje, lere. por, persa i perket syve te mbyllur ose te terhequr po te tregoj nje rast te vertete qe sikur e ve pak ne diskutim argumentimin tend llogjik.
    Aty nga viti 68-69, nje vajze e pallatit tone u martua me nje dipllomat dhe menjehere pas martese cifti vajti ne ambasaden tone ne Kore.Pas afro 5-6 vitesh, kur u kthyen, te gjithe ne te pallatit u çuditem kur vume re se te dy femijet djem qe kishin lindur atje, sidomos i vogli, i kishin syte si aziatik. Madje , me lehte, kjo gje dukej edhe tek te dy prinderit. U diskutua gjate kjo gje, jo vetem nga te vegjlit por dhe te rriturit ne lagjen tone.
    Ti, Hyllin, mund te shtosh ndonje gje per kete histori te vertete.?

    1. Ngjyra e zeze dihet qe eshte ngjyra default e hominidit afrikan, sa e zeze eshte e debatueshme, se Etiopia qe mbahet si nje nga dy vendet e origjines (tjetra Afrika e Jugut) ne fakt ka klime me te fresket per shkak se eshte vend malor ( ulet temperatura 6 grade cdo 1 mije metra lartesi).
      Tani persa i peket historise se vertete, per femijet besoj se duhet pyetur gruaja e diplomatit se cili ishte Kimi apo sa Kima ishin, nderkohe qe kjo puna qe edhe tek te rriturit dukeshin pasoja, besoj se eshte tip muhabeti i perhapur nga njerezit e gruas.

  5. haha po ishte grua e ndershme ajo, nuk ishte siç thua ti. mos kujto se e sajova historine. pall.64 ne bulevard

    1. Te them te drejten kjo m’u duk si barsaleta e atij qe kur pa femijen e porsalindur i tha gruas, mire syte e zinj se i ka pasur nje gjyshja ime, mire floket e zinj se i ka pasur gjyshja tjeter, po lekura e zeze ç’ne ? Epo, ia ktheu gruaja nuk e mban mend qe ishim ne plazh atehere ?!
      Mirepo ngaqe keto jane barsaleta qe pas njefare kohe humbasin kripen, te dhashe nje pergjigje duke ta marre per te mireqene historine.
      Tani brenda te qenit histori e mireqene, per nenen dhe njerkun e femijeve mjafton pak laps per t’i zgjatur syte, i zgjasnin faraonet e Egjiptit sa dukeshin si koreane te vertete. Sigurisht qe burri si diplomat ka luajtur rolin e vet.
      Po nuk mund te thuash tani qe sheh rrushi kumbullen e behet kumbull.

  6. Hyllin, po une prandaj te lexoj me qef, se ti edhe kur s’ke te drejte, thua gjera te lezetshme 🙂 . Se mos humbet perseri si para do koheve.

    1. Ke te drejte, fenomen i çuditshem. Shpjegimi qe ofron xha xhai me lart, me aq sa kuptova, lidhet me se shumti me nje trashegimi ”te fshehur ” le te themi, pa u perjashtuar edhe rastet ku nga hiçi del gjeja.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin