Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PROMETEU I RILIDHUR

E botuar së pari në vitin 1967, proza “Prometeu”[1] e Ismail Kadaresë, si ri-rrëfim i mitit të Prometeut të ndëshkuar prej Zeusit, u dedikohet “revolucionarëve të vërtetë të botës” – një dedikim që i vlen tekstit vijues si çelës tonaliteti: revolucioni, përmasa internacionaliste, polemika me revolucionarët e rremë ose me pantofla.

Prometeu i Kadaresë, si ai i dramës së atribuuar Eskilit, është i lidhur me vargonj në shkëmb[2], në ndëshkim hyjnor për rrengun që ia luajti Olimpit. Çdo ditë, një shkabë e porositur prej Zeusit ia çukit shpretkën, e cila pastaj i rigjenerohet natën, meqë Prometeu – si bir titani – është i pavdekshëm. Por, në versionin e Kadaresë, një ditë shkaba nuk vjen më; dhe shpretka nis t’i rritet e t’i gufmohet, tumor i përbindshëm, aq sa ta mbështjellë të gjithin “si një sfungjer i butë dhe i këndshëm”. Më në fund shkaba rishfaqet dhe Prometeu e rigjen vitalitetin rebel në torturën e sqepit që zë t’ia copëtojë shpretkën sërish.

Skica e Kadaresë i referohet njëfarësoj – ose virtualisht – një teksti të Kafkës[3], me të njëjtën temë; por është superiore ndaj këtij. Atje ku Kafka tingëllon i thatë dhe cerebral (skicën e tij e kanë quajtur parabolë jo aq të mitit, sa të interpretimit të mitit, çfarë i jep ri-rrëfimit kafkian një ngjyrim të fortë hebraik), Kadareja fut një element dramatizimi, nëpërmjet monologut të brendshëm të Prometeut. Nga ana tjetër, Kafka e ruan elementin universal të mitit, ndërsa Kadareja e aktualizon nëpërmjet anakronizmave: kur shkaba vonon, Prometeu i Kadaresë dyshon se “dikush do të ketë ndërhyrë te Zeusi”; më pas ai gënjehet për një çast, nga “një aeroplan pasagjerësh”. Por edhe ky i Kadaresë është një lloj universalizmi, meqë koha e mitit nuk matet me kohën e vdekëtarëve (teksti na thotë se Prometeu ka qëndruar i lidhur në shëmb dhjetëmijë vjet – një mënyrë për ta relativizuar rrjedhën e kohës). Çuditërisht, mëlçinë e versionit klasik të mitit Kadareja e zëvendëson me shpretkën[4]; për grekët e vjetër, mëlçia ishte selia e emocioneve – por edhe shpretka konsiderohej si organi që sekretonte bilën e zezë, ose trishtimin. Që Kadareja e ka fjalën pikërisht për shpretkën, këtë na e verifikon pasazhi “në anën e majtë të barkut shpretka po i fryhej dhe i rëndonte”. Te një version frëngjisht i skicës, i përkthyer nga Alexandre Zotos, shpretka jepet si foie: Zotos e ka “korrigjuar” origjinalin.[5]

Marksi e pat quajtur Prometeun “më fisniku i shenjtëve dhe martirëve në kalendarin filozofik”; dhe ky hero mitologjik grek gjithnjë është nderuar veçan nga komunistët, ngaqë guxoi të ngrejë krye kundër Zeusit dhe të refuzojë nënshtrimin; por edhe si emancipuesi i madh i njeriut. Nëse Hesiodi e pat paraqitur dikur si mashtrues të rëndomtë madje pak komik dhe të padenjë për respekt dramatik, Eskili i dha një formë tjetër, heroike, rebelimit prometean, që edhe u trashëgua pastaj në shekuj. Në kohët e reja, Prometeun e kanë krahasuar me Luciferin; veçanërisht me Satanin e John Milton-it, ngaqë u solli njerëzve “dritën” (zjarrin); por edhe ngaqë vuajtja e përjetshme i jep një thellësi që zotave dhe heronjve të tjerë mitologjikë thjesht u mungon.

Historikisht, “Prometeu” i Kadaresë i përket universit letrar post-stalinist; të përshkuar nga përpjekjet për t’ia rikthyer vlerat etike universale gjakimit revolucionar, ose rebelimit ndaj Zotave. Ndryshe nga heroi kafkian, që ose bëhet njësh me shkëmbin për t’i ikur zhgabës olimpike, ose njëlloj shuhet nga memoria kozmike, për shkak të rrjedhës së kohës, ky i Kadaresë nuk ka humbur asgjë nga rebelimi fillestar; madje identiteti i tij, siç shfaqet në monologun e brendshëm, gjen shprehje te sfida e përjetshme ndaj Zeusit. Ky Promete ka shumëçka të përbashkët me rebelin e Camus-ë. Nuk është revolucionar, pavarësisht nga dedikimi në krye të tekstit; thjesht nuk e pranon rendin e sendeve.

Çfarë sjell të re skica e Kadaresë, në krahasim me mitin eskilian, por edhe me motërzimet e mëvonshme, është që shkabës që i vjen Prometeut përditë për ta masakruar, i shtohet një rrezik i dytë jo më pak alarmues – kur shkaba nuk vjen më, shpretka fillon t’i rritet heroit në mënyrë të pakontrolluar, deri atje sa t’ia marrë frymën. Ky farë tumori, që nuk është veçse principi i përjetësisë i çuar në absurditet, fton për interpretime alegorike: revolucionarin “e vërtetë” e kërcënon jo vetëm armiku, por edhe rehatia, “squllja”, ose më mirë, mungesa e një armiku. Teza pa antitezë nuk shndërrohet dot në sintezë. Kjo temë radikale, thikë me dy presa, shfaqet e rishfaqet në krijimtarinë e Kadaresë së viteve 1960, për të arritur kulmin te “Pashallarët e kuq”; pas së cilës, autorit sikur iu fashit zelli anti-burokratik dhe fascinimi me dhunën revolucionare; edhe pse Zeusi – të paktën në përfytyrimin e Kadaresë autor – gjithnjë u kujdes që gjithnjë t’ia dërgonte shkabën mëlçi-ngrënëse.

Nga njëra anë, alegoria e Prometeut të lidhur që ka nevojë për shkabën për të mbetur gjallë në identitetin e vet nuk është veçse një rimarrje e luftës të së kundërtave te Marksi dhe te Hegeli; e përzier me një leksion moral për efektet degjenerative të limontisë dhe të paqes. Por skica i ofrohet lehtë ri-interpretimit, jashtë suazës së rileximit marksist të mitit; duke shërbyer si ilustrim i dobisë së kundërvënies në epokën pluraliste. Shembull i mjaftueshëm do të ishte rrëgjimi i vizionit të palës së sotme në pushtet, për shkak të mjerimit të opozitës; por unë do të shtyhesha edhe më tej, për të sugjeruar stagnacionin e vetë krijuesit (artistit të madh), në rrethanat e ekzaltimit të tij propagandistik, instrumentalizimit të tij nga politika dhe supresionit të kritikës. Sepse nuk është hiç e vështirë të përfytyrohet se, një Prometeu të çliruar nga vargonjtë – si krijues i çliruar nga censura – do t’i zihej sakaq fryma nga mëlçia e tij e famës, në lulëzim tumoral të pakontrollueshëm.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.


[1] Këtu e më poshtë po i referohem versionit të botuar te Ismail Kadare, Vepra 2, Onufri 2007, f. 315; i cili i qëndron në thelb besnik origjinalit – me ndonjë retushim të lehtë, si zëvendësimi i shqiponjës me shkabën dhe ndonjë zëvendësim tjetër fjalësh që autorit sot nuk i pëlqejnë më.

[2] Atlasi, edhe ky titan, ishte një prej vëllezërve të tij: të vërehet ngjashmëria mes ndëshkimeve që u dha Zeusi dy vëllezërve.

[3] Po e jap këtu në versionin anglisht:

There are four legends concerning Prometheus:
According to the first, he was clamped to a rock in the Caucasus for betraying the secrets of the gods to men, and the gods sent eagles to feed on his liver, which was perpetually renewed.
According to the second, Prometheus, goaded by the pain of the tearing beaks, pressed himself deeper and deeper into the rock until he became one with it.
According to the third, his treachery was forgotten in the course of thousands of years, forgotten by the gods, the eagles, forgotten by himself.
According to the fourth, everyone grew weary of the meaningless affair. The gods grew weary, the eagles grew weary, the wound closed wearily.
There remains the inexplicable mass of rock. The legend tried to explain the inexplicable. As it came out of a substratum of truth it had in turn to end in the inexplicable.

[4] Para Prometeut, një tjetër hero mitologjik ishte dënuar prej Zeusit në mënyrë të ngjashme: Tityus-i. Ka një arsye që në këto mite bëhet fjalë për mëlçinë – ky organ, për hir të virtytit të vet rigjenerues, garanton se tortura do të jetë njëlloj e përjetshme sa edhe i torturuari (Hesiodi e pat quajtur mëlçinë “të pavdekshme”).

[5] Vështirë të gjesh ndonjë interpretim të arsyeshëm për këtë zëvendësim: që nuk është anakronizëm, por që mund të jetë edhe shkelje syri ndaj shpretkës (spleen) të Baudelaire-it & Co.; ose një idiosinkrazi e autorit; ose edhe thjesht pasaktësi.

6 Komente

  1. Më pëlqeu shumë kjo pjesa: “revolucionarin “e vërtetë” e kërcënon jo vetëm armiku, por edhe rehatia, “squllja”, ose më mirë, mungesa e një armiku.”

    Për sa i përket shfaqjes së Prometeut si kryengritës që flioi jetën e tij për të mirën e njerëzimit, nuk fillon tek Eskili, por tek riinterpretimi i Prometeut nga romantikët (Shelli, Bajroni, Gëtja,etj.). Këtu gabohet edhe Kadareja në librin e tij për Eskilin. Tek vepra e Eskilit, Prometeu është Mëkatari Fillestar: pas Prometeut, marrdhënia e njeriut me gjithësinë ndryshoj. Njeriu nuk e përjeton dot më gjithësinë si një dhuratë hyjnore, por vetëm si një send që duhet përdorur për qëllime vetjake.

  2. Tek pjesa kur shqiponja (apo zhgaba) nuk po i vinte me dhe Prometeu filloi te monologonte, mu kujtua qe e kam lexuar kete tregim, apo c’dreqin ka qene, te Kadarese. Gati e kisha harruar. Por jo vete heroin mitik, qe besoj se do te kujtohet edhe kur njerezia te kete harruar se ka ekzistuar nje Zeus qe e internoi ne Gradishte te Kaukazit.

    1. Ndersa une rth nuk munda ta kujtoj. ia kam harruar dhe te tjera kadarese. pas viteve 90, e ndoqa per inerci sepse po vazhdonte aktivitetin letrar, por nuk po me dukej me ai i pari., pwrmbajtja e kesaj letersie nuk me ngacmonte , ndersa forma nje tjerrje deri e palezetshme. per te provuar se mos kisha humbur shijen, mora dhe lexova Kroniken dhe mu duk edhe me e bukur se ne kohe te rinise, pastaj Uren dhe perseri ndjeva kenaqesi. pas kesaj rashe rehat e nuk e ndoqa me. diku me ka zene syri ketu ne Pejzazhe gjera qw i vijne rrotull çeshtjes Kadare, por kuptohet, gjerat me ishin ftohur.
      kete shkrim te xhaxhait e lexova pak minuta pasi e postoi. me erdhi mire qe e vleresonte ne raport me Kafken etj. Me erdhi mire edhe qe e tundte nw fund me melcine etj, apo sinteza e munguar pwr mungese te antitezes…etj
      Shkurt , se u zgjata, shkrimi i xhaxhait eshte nje risjellje e çeshtjes se duhur ne kohen e duhur dhe qe meriton pjesemarrje ne debat nga specialiste te fushes, por ky, xhaxhai ka nje huq qe i nderton, pergjithsisht, shkrimet me fare pak mundesi kendveshtrimesh te kunderta dhe njerzit edhe tuten.
      Per vete, vetem kete shpjegim do ti kerkoja: revolucionarët e rremë ose me pantofla sepse mu duk si puzzle ne chess.com.

      1. Nuk eshte e thene ti kujtohen te gjitha lexuesit, mwse normale. Kronike ne gur vertet eshte me e arrira veper e Kadarese, per mendimin tim, por une nuk i kthehem me librave te tij, sepse kam frike se u ka bere ndreqje stilistike dhe ideore, cfare mund t’ua kete ulur ndjesine e dikurshme fillestare. Persa i perket Ardianit, une jam i mendimit te kundert me tendin. Ndonese mjaft shkrime te Ardianit per mua jane te vagullta, ndonse dhe ai i ka mjaft bezdi komentet e mia, une them se shkrimet e tij lene mjaft hapsire kendveshtrimesh te ndryshme. Biles mendoj, kjo eshte merita e tij kryesore, qe e arrin edhe me nje shkrim jo-patetik.

  3. haaha. rth e mbaj mend debatin e para nje viti. edhe une i mbetem mendimeve te mija, por inatin nuk e mbaj. sigurisht mundesia e kundershtimit, apo kendveshtrimit te ndryshem me qellim kundershtimi, nuk shteron, gjithnje gjendet nje e tille. puna wshtw se kundershtia si qellim ne vetvete eshte objekt ilariteti.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin